Një rrëfim për të vërtetën e Shqiptarëve

Nga Fahrri Balliu

 

Që ta kuptojmë këtë libër voluminoz, duhet të zbërthejmë kuptimin e formulës së madhe që ndërlidh misionin e njeriut në jetë dhe aftësinë apo fuqinë për ta rrëfyer këtë mision. Në këtë libër misioni fillon nga poezia e jetës së përditshme në prozën e vështirë historike dhe mbërrin në argjinaturën poetike, filozofike dhe teologjike të besimit në Zot.

Është e njohur se formula e rrëfimit është paqja që njeriu do të vendosë me të vërtetën para Zotit. Pikërisht, këtë mision të madh ka ndërmarrë autori Dodë Gjergji për të shkruar këtë libër sa të rëndësishëm aq edhe të nevojshëm. Ky autor nuk vjen i vetëm dhe s‘është një muhaxhir apo një rastësi talenti. Ky autor del nga një kontekst shekullor emrash të ndritur që ngasin merakun e të vërtetës filozofike e teologjike me Zotin, por jo si qëllim në vetvete, jo si lustër, si komoditet, si elitaritet, por si një mision dhe detyrë i një ushtari ndaj atdheut dhe kombit të vet.

Pikërisht këto rrënjë e degë i ka mbledhur në një penë frutë-ëmbël autori dhe ka shkruar librin “Kthimi”.

Ai është befasues, jo në historinë që ai përshkruan, të tilla gjithkush nga ata që u dhimbset ky vend i quajtur Shqipëri si mëmëdhe di plot edhe me më shumë dramaticitet, e me më shumë fate tragjike, por ky autor ja ka dalë që të përshkruajë me gjuhën e njeriut të vërtetë shqiptar, me shpirtin, zemrën dhe fantazinë e njeriut të vërtetë shqiptar sesi i ka vajtur filli i jetës, sesi janë vrarë ëndrrat e sesi ato kanë rilindur.

Më në fund autori gjen fuqinë të na japë formulën e kthimit te rrënjat e vërteta si rrugë për një të ardhme të ndritur që i mposhtë shekujt e errësirës të mashtrimit, të dhunës, të zjarrvdekjeve, për të ecur në rrugën e paranisur historike kur ishim të gjithë bashkë përballë Zotit. Gjithsesi, autori konsiderohet si një gjykatës i ndershëm dhe i drejtë i fatit të popullit të tij. Ai është human, ai shpalos një respekt dhe veneracion të lartë për fatin e bashkëkombësve dhe mbi të gjitha ai beson tek Fjala, tek kuptimi i saj, tek bëma e saj.

I ndarë në tre vëllime, romani që përmes titullit të vet “Kthimi”, arrin të ngjallë kureshtjen e lexuesit dhe ta tërheq atë drejt zbulimit të kësaj enigme kah të shkuarës. Këtu nuk bëhet fjalë për një kthim prapa në kohë, por në një kthim në identitet, konkretisht drejt fesë së të parëve, e shpalosur me një histori dashurie mes Shpresës, një vajzë nga një familje me traditë fanatike myslimane dhe Gjonit, një djaloshi katolik dhe intelektual. Shtrati i këtij “Kthimi” kalon në vrullin dashuror mes dy të rinjve, të cilët ndeshen me pengesa jo thjesht të intrigave apo xhelozive njerëzore siç ndodh rëndom në skenarë me të tillë subjekt, por pengesat e tyre janë ato barrikadat historike, ndrydhjet kulturore, përçarjet fetare, pra të gjithë atij arsenali anti-shqiptar që ka trazuar jo vetëm përpjekjet kombëtare por edhe shpirtrat njerëzor dhe marrëdhëniet e shqiptarëve mes njëri-tjetrit.

Tema nuk përbën një  anakronizëm  por  është mjaft bashkëkohore, veçanërisht në  kontekstin aktual, të krijimit të vatrave haxhiqamiliste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe të ndikimeve fanatike nga orienti i dunave dhe i çallmave të cilat kanë si synim shfaktorizimin shqiptar përmes një “internacionalizmi islamik” që kryekëput bie ndesh me ADN e shqiptarëve (mjafton të përmendim shqiptarët e rekrutuar nga ISIS dhe rastin e fundit në Vjenë).

Në lidhje me aspektin e stilistikës dhe kompozimit letrat të kësaj vepre, veçojmë pasurinë që bart me përdorimin e simbolikës dhe një gjuhe mjaft të pasur të asaj shqipeje të pastër. Kështu, romani fillon me një pështjellim njerëzor që buron nga thirrja e Ezanit, i cili sillet në një këndvështrim të ri, të asaj sesi ky zë, me dashje apo pa dashje, kapërcen muret e privatësisë së individit dhe imponon njëlloj nënshtrimi ndaj fesë. Të gjithë këtë kundërshti ndaj një zëri të padëshiruar e të pakërkuar që kapërcen muret e shenjtërisë së banesës së një individi, autori e përshkruan me fjalët e personazhit të vashës Shpresa se: “…Jo pse kisha frikë, ose pse e kundërshtoja me gjithë mend praninë e fesë në jetën time, por thjesht s‘doja të dilja nga shtëpia ime aq herët e të shkoja drejt një zëri që s‘e kuptoja e s‘më thoshte asgjë”.

Romani fillon të shpalos personazhin e Shpresës si të një njeriu të zënë mes dy kohëve dhe dy mendësive, ku në njërën anë familja, veçanërisht gjyshi, u bënte presion prindërve t‘i kushtonin rëndësi martesës së saj, më saktë imponimit të një martese dhe vullnetit të saj për t‘u shkolluar dhe zgjedhur dashurinë sipas zërit të zemrës. Në një kafenë, Shpresa bie në dashuri me shikim të parë me një djalë për të cilin nuk dinte asgjë përveçse një etiketë në çantën e tij që mbante emrin Abdullah Hasani. Ky i fundit zbulohet se e kishte ndryshuar emrin në Gjon dhe ishte kthyer në katolik për shkak se, sipas fjalëve të vet personazhit Gjon “nuk duroja dot të mbaja një emër që nuk më flinte në shpirt”.

Veçantia e këtij libri qëndron në faktin se e shndërron dashurinë mes Shpresës dhe Gjonit në një përsiatje historike, të njohjes së të vërtetës e cila është rikthimi i kujtesës historike të shqiptarëve dhe identitetit të tyre natyral. Shpresa nuk përfaqëson vetëm emër personazhi, por kuptimin e saj të parë, si shpresë për shqiptarët në rikthimin e kombit shqiptar në piedestalin nga ku e rrëzoi pushtimi turk. Në këtë dashuri mes dy të rinjve, dalin në pah figura si Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova etj., por në veçanti libri arrin të godasë atë lloj paragjykimi ose injorance se kryqi i përket shkive dhe bash këtu arrin të përcjellë mesazhe të rëndësishme historike, se shqiptarët në Ballkan janë katolikët e parë origjinalë dhe se kryqi ka qenë i pandarë nga shqiptarët, pavarësisht konvertimit të tyre të imponuar në myslimanë gjatë Perandorisë Osmane.

Libri nuk kufizohet vetëm në historinë e dashurisë mes dy të rinjve, por tregon në fakt peripecitë historike me të cilat është ndeshur shqiptari.

Mbasi e ke lexuar këtë libër, ke përshkruar një nga historitë konkurruese të fatit të popujve në botë. Janë dramatike historitë e Indisë, të Persisë dhe të Romës, janë po kaq zulmëmëdha historitë moderne të popujve, po kjo historia jonë ka brenda sa dhimbje aq inteligjencë, sa vuajtje aq shërim, sa natë aq dritë, dhe autori Dodë Gjergji i bashkohet idesë se do ta gjejmë rrugën dhe kjo cilësohet veçanërisht e bukur nga pikëpamja e vlerave artistike dhe filozofike… se kjo rrugë është “Kthimi”./drita.info

Shpëndaje: