Cuneus prophetarum (1685), një vepër madhore në shërbim të dijes dhe atdhetarisë

Nga Evalda PACI

 

Në 330-vjetorin e kalimit në amëshim të një prej autorëve më në zë të letërsisë së shkruar shqipe, po rendisim disa konsiderata që lidhen kryesisht me veprën e tij madhore që në vitin 1685 pa dritën e shtypit nën një titull kompleks në pikëpamje përmbajtjeje, por dhe kuptimplotë për një sërë arsyesh. Realizimi i një vepre të tillë shpie natyrshëm në hulumtimin e një konteksti që ka të bëjë me zhvillime konkrete në arealin në të cilin kjo e fundit pa dritën e botimit dhe u ushqye nga rrethana që e bënë të mundur daljen e saj në dritë të shtypit. Këto rrethana kanë të bëjnë para së gjithash me modele të ngjashme në pikëpamje ndërtimore dhe me një kulturë të caktuar që do të mbështeste dhe konkretizimin në botime të kësaj natyre të veprave si ajo e Bogdanit.

Gjashtëqinda në veçanti (shekulli i botimit të kësaj vepre të Bogdanit) do të shënohet  nga ngjarje dhe sprova që kishin qëllim të nënvizonin një ndarje me shumë gjasë të pakthyeshme mes katolicizmit dhe luteranizmit, dhe një fakt i tillë dëshmohet dhe me tituj veprash e librash që ilustrojnë një dukuri të tillë. Po ky shekull do të njohë dhe realizime me vlerë të veçantë për nga rëndësia dhe përmbajtja dhe mund të thuhet që pikërisht në drejtim të lëvrimit të shkrimit shqip është një periudhë që njeh arritje dhe botime unike. Një distancë kohore jo fort e madhe do të ndajë realizimin e veprës Cuneus prophetarum (Patavii,1685) me daljen në dritë të shtypit të doracakëve doktrinarë që përmbledhin Doktrinën e Kërshtenë të përpiluar së pari nga Roberto Bellarmino S.I., por dhe Pasëqyrën e të rëfyemit (Speculum confessionis), të cilat mbeten dëshmi të faktit që dhe në viset tona u bënë përpjekjet e duhura për të konkretizuar në pikëpamje përdorimi ardhjen e libërthave që përbënin dhe elementet më themelore të edukimit me nocionet e besimit të krishterë.

Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) shënoi ndjeshëm dhe vetë rrugëtimin jetësor të një prelati të kishës shqiptare dhe gjithë përpjekjet që autori vetë përpiqet të rendisë dhe të shpjegojë në Primitë përpara letërarit e dëshmojnë një fakt të tillë. Çdo vepër dhe aq më tepër një realizim kaq kompleks si nga përmbajtja, si nga vëllimi dhe ndërthurja e krerëve përbërës do të lërë gjurmë të ndjeshme në personalitetin dhe ecurinë përkatëse të një autori dhe nëse ndiqet qoftë dhe në pikëpamje faktesh sa i kushtoi kjo vepër përpiluesit të saj, do të jetë e qartë që pikërisht për Bogdanin nuk do të jetë më pak e rëndësishme se përmbushja e çdo detyre që mund t’i jetë caktuar në vazhdë të veprimtarisë së tij meshtarake dhe baritore. Përballja me një sërë argumentesh që kanë të bëjnë me elemente dogmatike themelore në teologjinë e krishterë do të kërkonte dhe gjetje e përzgjedhje emërtesash të posaçme në gjuhën shqipe dhe një fakt të tillë autori e ndërmend dhe në faqet e Prefationës me të cilën introdukton këtë vepër që për hir të së vërtetës gëzoi vëmendje dhe vijon të jetë objekt interesi për disa disiplina studimore.

Të Primitë përpara letërarit në shumë pikëpamje përbën një tekst ekzemplar jo vetëm sa i përket përmbajtjes ndaj modeleve të kohës që ndesheshin në hyrje dhe introduktime veprash që ishin paracaktuar të ishin traktate në disiplina të caktuara, por dhe në lidhje me elemente që kujtojnë pa asnjë dyshim qasje të ngjashme të autorëve paraardhës që përpiluan vepra jo krejt të njëjta në përmbajtje, por shumë të afërta sa i përket destinacionit dhe referimit ndaj një rrethi të përcaktuar lexuesish.

Siç dhe është theksuar nga gjurmues paraardhës të veprës dhe përmbajtjes së pjesëve të veçanta të saj, vetë autori merr përsipër të shtjellojë jo pak fakte në parashtresën tipike me të cilën ka paraprirë një korpus ligjëratash që nuk diferencohen në pikëpamje shkencore nga trajtesat që veçanërisht në atë kohë përpiloheshin duke pasur parasysh sa delikate paraqiteshin argumente që kishin të bënin me nocione themelore teologjike.  Fakti që ai vetë ndërmend një gramatikë dygjuhëshe(latinisht e shqip) me gjasë të përpiluar prej ungjit të tij fort të nderuar Andre Bogdanit si pjesë të bibliotekës së tij personale, që do të përbënte një tjetër ekzemplar të sprovave për të lëvruar shkrimin shqip dhe për të konsoliduar më tej traditën shkrimore në gjuhën tonë, dëshmon gjithashtu që për të kishte mjaft rëndësi dhe çështja e një kulture librore e shkrimore që pikërisht nga qasja mes gjuhësh që i përafronte dhe një kontekst i rëndësishëm gjeokulturor e bënte më domethënëse dhe përherë aktuale. Në shënimet e tij autografe do të receptohet qartë një interes i tillë, ndërkohë që dhe çështja e botimit sa më korrekt të modeleve librore që kishin të bënin me doracakë të liturgjisë së përditshme në gjuhën shqipe mbetet gjithashtu në qendër të vëmendjes së tij.

Nëse ka tipare të denja për t’u gjurmuar dhe në pikëpamje vijimësie në këtë vepër, për t’u veçuar dhe trajtuar gjerësisht mbeten thëniet jo të pakëta të vjela prej vetë autorit nga tekste në gjuhën latine e që vetë referimi i bërë po prej tij në gjuhën shqipe mund të shpjerë me tej çështjen e studimit qasës ndaj përpjekjeve për shqipërimin e tekstit biblik në gjuhën tonë. Në të vërtetë, nëse do të duhej të ndërmerrej një studim gjithëpërfshirës mbi fillesat dhe vijimësinë vepër pas vepre të çështjeve të shqipërimit të teksteve specifike nga Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re në gjuhën tonë, pikërisht Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) mbetet një binar për t’u ndjekur në përmbajtje dhe në veçori ndërtimore që kanë të bëjnë dhe me përfshirjen si të vetë tekstit ashtu dhe të perifrazimit të tij në ligjëratat kryesore të kësaj vepre.

Pikërisht në Të primitë përpara letërarit të tilla thënie e fjali në gjuhën latine dhe shpjegohen nga autori që i ka përzgjedhur për t’i pasur si argumentime ndaj trajtimit që ai merr përsipër të shpjerë deri në fund, po në pjesë të tjera të veprës mundësia e qasjeve kryesisht tekstore dhe semantike është e konsiderueshme, duke përfaqësuar kështu dhe një tjetër mundësi për të pasuruar studimet mbi variantet e teksteve biblike në gjuhën shqipe e më në veçanti në gjuhën e veprave të letërsisë më të hershme tonës. Janë gjithashtu dhe një perspektivë e pranëvënies së ndërtimeve që vijojnë të mbijetojnë dhe në të folme të caktuara të shqipes, ndërkohë që shihet që autori i përdor në rangun e përdorimeve me një vlerë të qartë normative.                                     

Modelet e formimit të fjalëve janë një tjetër tipar që dëshmon pasurinë e një vepre që pikërisht për argumentet që ngërthente nuk mund të mos paraqitej në një shkallë të vlerësueshme sa u përket ndërtimeve gjuhësore që do të reflektonin një gamë të gjerë nocionesh që gjithashtu ishin cekur më parë, por brenda formatit të veprave përkatëse si Meshari (1555),  por dhe doracakët e sipërcituar që u përshtatën dhe u përgatitën në Gjashtëqindën edhe nga Pjetër Budi. Ndërtime që përfaqësojnë dhe prirje të shqipes ndaj sintetizmit gramatikor në përveçime a emërtime të caktuara me vlerë emërore përforcojnë këtë opinion tonin, që mund të ilustrohet me shembuj nga pjesë të ndryshme të veprës. Larmia e formimeve me ndajshtesa (barrënī, burrënī, kundërshtī, kusërī, dekënī, pleqënī etj.)  mbetet një tjetër veçori sa morfologjike, aq dhe semantike për t’u cilësuar, ndërkohë që vetë ndërtimet në të cilat dhe gjurmohen të tilla mjete formimi përbëjnë dëshmi konkrete të një shqipeje të pasur e të pajisur me mjete jo të pakëta shprehësie. Për t’u kthyer te përveçime që lidhen me emërtime me interes në pikëpamje të kuptimit, do të citonim si formimin Bāsi që ndeshet dhe te Meshari e me një numër të konsiderueshëm shembujsh për t’u cituar, ashtu dhe formimin Krijues(it.creatore), që do të ndeshet dhe me vlerë mbiemërore në sintagma të tipit Hyji krijues. (CP, I 11)

Në pikëpamje gjuhësore, Cuneus prophetarum (1685) i ka shërbyer konstituimit të një paraqitjeje të gjithanshme të ndërtimeve që nuk janë vetëm emërore dhe mbiemërore, ndërkohë që vetë sistemi foljor i shqipes shtjellohet në një sërë elementesh paradigmatike që nënvizojnë një pasuri gjedhesh e modelesh që duhen kërkuar në pikëpamje vijimësie dhe në ditët e sotme. Përpilimi në një format dygjuhësh që pas gjase nuk ka qenë pikërisht çka dëshironte në krye të herës autori i kësaj vepre, gjithsesi ka bërë të mundur që përqasjet të shtrihen ndaj disa nënsistemesh e ndaj disa përdorimesh që vënë në dukje njëkohësisht veçantinë e secilës prej gjuhëve që u vunë përballë njëra-tjetrës në këtë realizim të vitit 1685. Vepra e Bogdanit ka ndikuar gjerësisht në botimet e mëvona që kishin para së gjithash objektivin të viheshin në përdorim në një areal në të cilin gjuha shqipe flitej dhe lëvrohej.

Në pjesën më të madhe të ligjëratave që ndërtojnë këtë vepër janë ndërmarrë për shqyrtim çështje themelore të një doktrine që sigurisht kishte kaluar shekuj të tërë e jo të paktë në pikëpamje konsolidimi dhe përvijimi dogmatik. Në këtë kuptim, gjindemi të paralajmëruar prej vetë autorit të saj që në Prefationën e sipërcituar që përveç detyrimit për t’iu përmbajtur një kanoni të caktuar e të cilin sigurisht e studionte prej vitesh, referimet ndaj burimesh të tjera nuk do të mungonin në krerët e saj. Në të vërtetë, vetëm po të marrim në analizë burimet referenciale që citohen në mjaft pasazhe të veprës së Bogdanit, do të rezultojë qartë jo vetëm një panoramë komplekse burimore dhe literaturash shkencore, por dhe një qasje e mirëfilltë ndaj një konteksti kulturor që përfaqësohej dhe në atë shekull nga botime të së njëjtës natyrë e që të paktën në pikëpamje të përdorimit të referencave përkon më së miri dhe me vizionin e autorit tonë. Në vëmendjen e tij bota ebraike do të vijë jo rrallë e përfshirë dhe e trajtuar, ndërkohë që falë angazhimit të tij si përpilues do të parashtrohen pikëpamje dhe do të ndërmenden vepra, bashkë me regjistrat gjuhësorë përkatës që në vështrimin e sotëm kërkojnë një vëmendje pikë së pari kritike.

Janë pjesë të caktuara që lidhen pikërisht me këtë botë dhe me Besëlidhjen e Vjetër që kanë mundësuar dhe rindërtimin e një gjeografie gjuhësore që përbën një tjetër aspekt për t’u hulumtuar në përmbajtjen e saj. Është krejt e qartë që Bogdanit i kanë interesuar në veçanti librat e parë të Besëlidhjes së Vjetër, duke qenë se prej paragrafesh të veçanta, por dhe nga personazhe po aq të veçanta ai vetë ka gjetur fillin tematik që do t’i shërbente në shtjellimin e ligjëratave të veprës së tij. Pjetër Bogdani pothuaj është i vetmi ndër autorët e shekujve që pasojnë Mesharin e që u përmbahen kufijve kohorë e tematikë të letërsisë së vjetër shqipe që ndërmerr të sqarojë qenësinë e Hyjit dhe të operojë me emërtesa që në atë kohë duket se kishin fituar njëfarë konsolidimi në konceptim dhe përdorim në një regjistër gjuhësor më të specializuar që ka të bëjë me liturgjinë e përditshme dhe me teologjinë e krishterë. Në një vështrim të parë duket sikur gjerësia tekstore e ligjëratave që e ndërtojnë veprën e tij lejon fare mirë të shtjellohen trajtesa që nuk mund të gjinden në veprat që paraprijnë botimin e Cuneus prophetarum (1685), por nga ana tjetër vetë qëndrimi që autori shpreh në Të Primitë përpara Letërarit e që ka të bëjë me përmbajtjen e qartë të tij ndaj kanoneve kishtare dëshmon se pikërisht një vepër e kësaj natyre do të ishte një sprovë e mirëfilltë për të, aq më tepër në rasë të një përballjeje rresht mbas rreshti me një gjuhë të ndryshme nga shqipja që sigurisht dispononte dhe fjalë e ndërtime të konsoliduara dhe në fushë të ligjërimeve që ishin të përfshira falë tematikës së saj.

Puna e autorit të veprës Cuneus prophetarum (1685) me një sërë elementesh që të përfshira në përmbajtjen e saj kërkonin dhe zgjedhjen e duhur në çdo kuptim, mund të vëzhgohet hap pas hapi në pjesë të veçanta të saj e ndërkohë dhe e vënë në përqasje me të tjera botime, si ato që shohin dritën e shtypit para vitit 1685, si dhe më vonë, merr një tjetër perspektivë në pikëpamje vlerësimi dhe konsiderimi.

Sigurisht që formati në të cilin vepra është paraqitur pwrbwn vazhdimisht mundësi për të shqyrtuar dhe zgjedhjet që autori ka realizuar në lidhje me përdorime të caktuara, siç dhe do të veçonim nga ligjërata që janë ndër më të kujdesuarat prej tij si në përmbajtje, si në pikëpamje citimesh nga burime biblike apo nga patrologjia latine. Nga ana tjetër, dhe vështirësitë për të përshtatur me fjalën e duhur kuptime të nocioneve themelore në një fushë mjaft delikate siç është ajo e teologjisë së krishterë ekzistojnë dhe sot e kësaj dite,  pikërisht për të njëjtat raste me të cilat duket se është përballur dhe autori i Çetës së profetëve.

Shohim me vend dhe në objekt të kësaj trajtese të ndërmendim dhe vlerën që marrin në ditët tona përveçime që autori i sjell siç dhe përdoreshin në atë kohë e që përbëjnë një tjetër dëshmi për këdo që shfaq interes si për emërtesa në pamje të parë të natyrës gjeografike deskriptive, ashtu dhe për çështje të një përndarjeje gjeografike kishtare, që evokon një panoramë komplekse në veçanti sa i përket historisë kishtare të viseve arbërore. Pjetër Bogdani është patjetër pjesë e një kuadri të gjerë historik në të cilin bëjnë pjesë rrethana dhe areale që vijojnë të përfaqësojnë lokalitete në të cilat besimi i krishterë kishte një habitat të vetin dhe u bë objekt sprovash në shumë pikëpamje. E dëshmojnë një fakt të tillë jo pak referenca që mund të gjurmohen në relacione baritore të kohës në të cilën jetoi Pjetër Bogdani, por dhe burime që sintetizojnë momente të rëndësishme të historisë së kishës shqiptare, ndër të cilat dhe vëllimi i shtatë i veprës madhore Illyricum Sacrum(Farlati) si dhe shënime të tjera që konfirmojnë apo saktësojnë më tej rrethana jetësore që lidhen me angazhimin e autorit tonë në dioqeza dhe ipeshkvi. Për më tepër, vetë Bogdani konfirmon në hyrje të veprës së tij kohëzgjatjen e mbajtjes së detyrës së tij si ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, ndërkohë që në vitin 1677 caktohet prej Papës Inocenti XI arqipeshkëv i Shkupit dhe administrator i krejt regjënisë së Shërbisë. (Të primitë, CP, po aty, f.XV).

Autori ka marrë në konsideratë dhe shfaqje zakonore në botën shqiptare të kohës, pikërisht ndërsa u referohet pasazheve të caktuara biblike dhe jehonës së një tradite të hershme të krishtërimit në viset tona. Një dëshmi e këtij fakti mbeten dhe paragrafet kushtuar Pasionës së Krishtit, që ndryshe nga ç’figuron në tekstet e Mesharit, emërtohet nga autori me trajta mirëfilli sintetike si Pësimi, por që bëjnë të mundur të flitet prej atij vetë për zakone që ndeshen ndë dhē t’Arbënit e të Shërbīsë e që lidhen me përjetimin e periudhës së Pashkëve në to.

Vepra e Pjetër Bogdanit e paraqitur para lexuesit të kohës në një format jo fort të zakontë e që përfaqëson dhe përballjen e shqipes me një gjuhë kulture që ndërkohë dhe në pikëpamje të dëshmive shkrimore në fusha të ndryshme të letrave, kulturës librore dhe dijeve specifike ishte mjaft e lëvruar dhe e afirmuar, ka qenë dhe mbetet shtysë për përpilimin e mjaft punimeve që jo rrallë kanë arritur përmasat e monografive shkencore. Sprova e transkribimit të plotë të saj(2005) është paraprirë nga ndërmarrje që veçanërisht në gjysmën e parë të shekullit të kaluar e në dekadat e para të tij kanë orientuar dhe ndaj leximesh sa tematike, aq dhe edukative ndaj kulturës së shkrimit në gjuhën tonë dhe veçantisë së veprave që sot e kësaj dite i emërtojmë si vepra të letërsisë së vjetër shqipe.

Disponimi i një botimi të plotë kritik e filologjik (Tiranë, 2005) që ka marrë parasysh dhe përballjen në jo pak raste me variantin që qëndron në krah të tekstit shqip të përpiluar prej autorit ka lehtësuar jashtë mase dhe përafrimin me tekstin e përmbajtjen e tij e një fakt i tillë vlen dhe për studentët e fushave të dijes si filologjia dhe studimi historik i teksteve në gjuhën shqipe, një linjë studimore që qëndron dhe në themel të programeve studimore universitare dhe pasuniversitare në albanologji. Prej vitesh në auditoret tona universitare është bërë pjesë e një literature të qëndrueshme një botim i tillë i natyrës kritike dhe filologjike i përgatitur me akribi dhe pas një pune  të gjatë studimore prej koleges sonë Anila Omari, që ndërkohë që reflekton një shkollë të veçantë filologjie sa u përket kritereve të transkribimit të tekstit dhe renditjes së aparatit përkatës kritik, mbetet një ndër instrumentet shkencore dhe didaktike më eficiente në kuptimin e shërbimit që ofron për studentët dhe të interesuarit për studime specialistike në fushë të albanologjisë.[1]

Vepra e Pjetër Bogdanit grish përherë dhe ndaj qasjesh me modele të përpilimit të botimeve të ngjashme veçanërisht në shekullin në të cilin kjo e fundit pa dritën e botimit. Në këtë kontekst, dhe vetë referimet e autorit tonë ndaj burimesh letrare, filozofike, por dhe teologjike mbeten një tjetër shtysë për të kërkuar drejt prirjesh të ngjashme dhe në autorë që kishin objektiv të trajtonin argumente të ngjashme e që dhe në pikëpamje të destinacionit të veprave të tyre shihet qartë që ndjekin të njëjtën linjë me Bogdanin. Është pikërisht dhe konteksti veneto-padovan që duket se mbështet të tilla realizime, duke qenë se dhe të dhënat mbi vepra të ngjashme njoftojnë dhe plotësojnë një sërë hipotezash qoftë mbi rrahjen e tematikave komplekse që nuk mungojnë as në Cuneus Prophetarum(1685), as në të tjera botime që përkojnë në kohë dhe në hollësi të tjera tematike me këtë të fundit. Nëse do të duhej të flisnim për përputhje në pikëpamje të trajtimit të argumenteve themelore që pikërisht në atë kohë merrnin një rëndësi dhe më të veçantë, por dhe sa u përket burimeve biblike që shërbejnë në raste citimesh dhe trajtesash që shtjellohen mbi argumente që kanë të bëjnë me historinë e besimit dhe me vetë traditën e njohjes së shkrimit të shenjtë, përkimet janë më se të qarta.

Në një vështrim kompleks që mbi të gjitha duhet të marrë parasysh përmbajtjen e kësaj vepre në funksion të një konteksti që pikërisht ushqehej nga botime si të natyrës së thjeshtë e didaktike që i shërbenin një edukimi bazilar me nocione të një doktrine që synonte të rrënjosej më bindshëm dhe në kushtet e një reformimeve që karakterizojnë veçanërisht Pesëqindën dhe Gjashtëqindën, ashtu dhe nga realizime të një natyre tjetër që duhej të përfaqësonin dhe trajtime të lavdërueshme në fushë të ezegjezës dhe analizave të natyrës filozofike e shkencore, do të rinënvizonim që pikërisht kjo vepër e Bogdanit përbën një kulmim në shkrimtari dhe në forcë mendimi për letërsinë e shkruar shqipe, duke qenë se pothuaj çdo lloj objektivi që synohej prej autorit vetë paraqitet i arrirë dhe i denjë t’u shtrohet analizave të disa disiplinave të dijes.

Kjo vepër ka qenë një shtysë e mirëfilltë për ndërmarrjen e studimeve të tematizuara kryesisht në fushë të filologjisë së tekstit, fakt që dëshmohet nga një sërë përpjekjesh për të sjellë të përshtatura e të pajisura me shënime, po dhe të transkribuara në formate të mirëfillta shkencore pjesë nga vepra apo dhe krejt përmbajtjen e saj. Çdo hap i ndërmarrë në këtë këndvështrim nuk përbën tjetër veç një përafrim të domosdoshëm të brezave me një thesar të mirëfilltë të një trashëgimie jo vetëm gjuhësore, por dhe shpirtërore që gjeti realizimin e vet në një kontekst sa kompleks, aq dhe të vështirë për autorin dhe bashkatdhetarët e tij. Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit dhe reflektimet mbi shtresëzimet tipike që ndeshen në përbërje të tij janë në të vërtetë argumentet më të rrahura prej studiuesve të periudhës në të cilën u realizua kjo vepër dhe të vetë leksikografisë historike si një domenë e veçantë në pikëpamje tematike dhe metodologjike. Metodologjia e përafrimit me leksikun e veprës diferencohet në autorë dhe punime(Sciambra, Ashta, Sedaj, Ismajli, Omari), ndërkohë që dhe vetë njohja përherë e më e mirë e shkollave të filologjisë së tekstit dhe pajisja e botimeve kritike e filologjike të veprave të letërsisë së vjetër shqipe me konkordanca dhe me tregues lëndorë që të shpien natyrshëm te fjala dhe konteksti që e përmban atë, përbën hapa të ndjeshëm në pikëpamje të një studimi përherë e më të përshtatshëm të vetë periudhës dhe të fakteve gjuhësore e letrare që e karakterizojnë atë.[2]

Pjetër Bogdani jeton po aq natyrshëm dhe përmes shënimesh dhe relacionesh baritore që evidentojnë dhe dëshmojnë përkushtimin e tij ndaj një konteksti që ka në vetvete  atdheun bashkë me një taban të përshtatshëm për të kultivuar besimin dhe fenë së cilës ai i ishte kushtuar me vetë jetën e tij. Ndërsa konsultohet një dokumentacion që hedh dritë mbi përpjekjet e tij dhe mbi të tilla dëshmi jete e vepre, orientohemi në një rrugëtim në një kohë relativisht të largët, por që studimet e përqendruara në analiza arkivore dhe tekstore e sjellin reale dhe me ngjyrimet që në të vërtetë kishte kur autori i shënimeve endet në dioqeza dhe kisha për të përforcuar zemrat e njerëzve si një bari i mirë dhe i përkushtuar. Pjetër Bogdani mbetet një figurë komplekse dhe pa dyshim pjesë e pandarë e historisë kombëtare, mishërues i njeriut të përkushtuar që dhe dijen e kulturën shkrimore e vuri në shërbim të një kauze madhore./drita.info

[1] Bogdani P., Cuneus prophetarum(Çeta e profetëve), botim kritik përgatitur nga A. Omari, ASHSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2005.

[2] Shih në veçanti Omari A., Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2016.

Shpëndaje: