Monografi për Peshterin

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Përveç librit të Don Gaspër Gjinit, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”, disa shkrimeve të shkurtra nëpër periodikë, gazeta a fletushka, e ndonjë monografi për bashkësitë famullitare, Dioqeza jonë mbetet ende e pastudiuar në tërësinë e saj.

Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv në pension i Tivarit, me librin e tij për Famullinë e Peshterit, po e plotëson një mungesë në këtë rrafsh, e njëkohësisht po na jep një shembull se si duhet t’i përvjelim mëngët për të shkruar, që së paku secila nga bashkësitë tona famullitare ta ketë një monografi. Sepse, në forma të veçanta, secila prej tyre ka histori interesante, secila jep dëshmi të prekshme të pranisë dhe të vazhdimësisë së krishterimit tonë apostolik, i cili ndër shekuj është persekutuar dhe martirizuar aq fort, saqë ka periudha të cilave me vështirësi arrijmë t’ua vizatojmë jetën reale, për shkak të baticave dhe zbaticave shekullore që janë përplasur në trojet tona dhe popullin tonë dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe dokumente.

Megjithatë, me një angazhim të përkushtuar për historinë e popullit tonë dhe të Kishës sonë, arrihet të mbushet kjo zbrazëti. Sot, kur kushtet janë shumë të mira dhe Kisha jonë është rritur si në kler, ashtu edhe në laikë të angazhuar, është koha për të bërë punë edhe në këtë fushë, për t’i mbledhur copëzat e këputura, sepse po nuk u shkruan as sot, do të mbesin në harresë, që te gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë më pas, do të krijojnë paaftësi për të vlerësuar të kaluarën dhe të tashmen, mbi të cilat duhet të ravijëzohet e ardhmja! Pra, është një detyrë, një borxh moral që na ngarkohet për të shkruar e për mos harruar të kaluarën.

Libri “Peshteri. Vendlindja ime” na tregon sa vështirë është të shkruash për të kaluarën e një vendi, fisi, familjeje a bashkësie famullitare kur mungojnë dokumentet arkivore, studimet e dëshmitë e tjera materiale. Por, ky libër është edhe dëshmi se si familjet tona shqiptare në periudha të ndryshme janë persekutuar deri në atë masë, saqë kanë rrezikuar ekzistencën e tyre. Për pasojë kanë humbur çdo gjë nga trashëgimia familjare. Kjo ka shkaktuar një vështirësi shtesë: pamundësinë për të pasur dhe për të krijuar edhe një pemë gjenealogjike të dokumentuar. Krejt çka mund të bëhet në këso rastesh është të shfrytëzojmë gojëdhënat e të moçmëve, mbamendjet që i kanë rezistuar kohës në (stër)gjyshërit tanë.

Edhe autori i këtij libri, për shkak të mungesës së dokumentacionit, ka përdorur pikërisht gojëdhënën e të moçmëve për të shkruar historinë e prejardhjes së banorëve të vendlindjes së tij, që është Famullia e Peshterit, pjesë e Dekanatit të Prishtinës.

Kur e lexojmë këtë libër, sado i vogël të na duket në shikim të parë, hetojmë një angazhim të veçantë të autorit, i cili gjatë shërbimit të tij si prift e ipeshkëv, ka mbledhur atë që e ka konsideruar të dobishme për ta krijuar historinë e vendlindjes së tij dhe jetën e saj nga fillimet deri në ditët e sotme.  

Nga gojëdhënat e të moçmëve, albumet, ditarin e tij personal, arkivi i famullisë së Peshterit, korrespodencat administrative e baritore, hulumtimi në libra të pagëzimit, ato më të vjetrat që i kanë rezistuar hordhive shkatërruese të këtyre anëve e deri të shkrimet më të reja rreth kronikave të kremtimit të festës së Sh’Masjnait, janë pjesëza përbërëse të këtij libri, me të cilat autori ka arritur me e krijue një monografi, që do të mbetet bazë e patejkalueshme në të ardhmen për ndonjë studim më të zgjeruar të këtij vendi apo edhe të rajonit./drita.info

Shpëndaje: