Një libër për edukimin e shpirtit njerëzor

Nga Lorela Garuli

 

Të jesh “shërues shpirtrash njerëzorë” është një detyrë e vështirë, sfiduese, dhe e koklavitur, që të vesh me përgjegjësinë e mirëqenies psikologjike të tjetrit, e njëkohësisht me privilegjin e bukur, përkëdhelës, unik, ku dikush të beson dhe të fton në skutat e errëta të dhimbjes, vuajtjes, plagëve emocionale dhe lëndimeve. Pra, është një përgjegjësi që kërkon besueshmëri, mbështetje, empati, durim e qëndrueshmëri.

Të jesh i ndjeshëm nuk është dobësi, përkundrazi, është vlerë dhe fat për atë që e posedon dhe për atë që e përjeton. Nuk ka njerëz jo të mirë, ka njerëz që kanë kaluar një fëmijëri të palumtur dhe nuk e kanë shëruar dot fëmijën brenda tyre. Nuk ka njerëz “të çmendur”, ka vuajtje njerëzore, që nuk kanë mundur të dëgjohen, sepse vetëm duke iu dhënë zë dhe duke marrë përgjigje dashurie kuptohet brishtësia e shpirtit njerëzor.

Autorja e këtij libri, Motёr Suzana, me njё thjeshtësi e njё ndjeshmёri tё lartё, na ka sjellë në mendje disa prej vlerave, virtyteve dhe ndjesive, që kemi fatin t’i jetojmë, t’i përjetojmë dhe t’i ndajmë me të tjerët gjatё gjithё jetёs sonё, por qё zakonisht jemi tё prirur t’i nёnvlerёsojmё ose t’i injorojmё ato, t’i ndrydhim brenda vetes ose t’i anashkalojmё, duke mos i dhёnё rёndёsinё e duhur, pasi kemi bindjen e gabuar, se pёr to duhet të presim një kohë apo moment krejt tjetёr, apo të veçantë, ndёrkohё qё duhet t’i jetojmё ato në përditshmёrinё tonё, pra sot, tani.

Teksa lexoja këtё libёr tё vyer, nëpër mend më kaloi pikërisht kjo ide: Sa e mërzitshme, e mjerë dhe e zbehtë, do të ishte jeta pa emocione! Sa pa e kuptimtë do të ishte jeta, pa vlera dhe virtyte! Gjithashtu, në këtë libër autorja na kujton, na sugjeron, dhe na këshillon se është e nevojshme që, herë pas here, ta ndalim vrapin dhe rendjen e jetës së përditshme për të marrë frymë thellë, për të kujtuar atë që vërtet ka rëndësi, për t’u kthjelluar në prioritetet tona dhe për të kuptuar se jeta është dhuratë e çmuar, se lumturia e vërtetë është një mozaik i bukur ndjesor, në të cilën nuk ka asgjë materiale, e cila nuk blihet, por buron nga brendësia e individit.

Botimin e këtij libri, mbi të gjitha, e konsideroj një “balsam”, një guidë të thjeshtë, të domosdoshme, dhe të dobishme drejt qetësisë shpirtërore. Vetëdijёsimi emocional, është ndër themelet kryesore të mirëqenies psikologjike dhe ky libër është një pasuri, vlerë dhe njё kontribut më shumë, në këtë mision./drita.info

Shpëndaje: