Porosia për Pashkë 2023 e Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergjit

Drejtuar priftërinjve,

motrave të nderit,

besimtarëve dhe

të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

 

 

Fort të dashur,  

                            me mirënjohje të madhe njerëzore dhe dashuri të sinqert vëllazërore, po vij edhe njëherë te Ju, që me rastin e festës së madhe të Pashkëve, që të bashkëndaj me ju gëzimin për lirinë e shpirtit që kemi fituar dhe shpresën për jetën e amshueshme që na është dhuruar.  Kisha për Pashkë, me plotë hare, kremton mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili është jeta dhe paqja jonë.

Nga natyra, njeriu heziton të mendojë mbi vdekjen, sepse ajo ia përkujton mëkatin, vajin, trishtimin, zemërthyerjen, mbarimin e çdo gjëje, e mbi gjitha, gurin e ftohtë të varrit. Porse Kisha, nuk heziton të përballet me realitetin e hidhur të vdekjes, sepse me kremtimin e parvjetshëm të festë së Pashkëve,  ajo përqendrohet në vdekjen e Krishtit duke e denoncuar mëkatin si shkaktarin e vdekjes dhe duke ripohuar që Krishti i Ringjallur e ka mundur mëkatin dhe vdekjen, e në këtë mënyrë është bërë jeta dhe shpëtimi ynë. Prandaj, vdekja nuk ka ma pushtet mbi ne, pasi “me anë të pagëzimit, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje, që sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re”. (Rom 6, 4). Në Krishtin, njëherë e përgjithmonë, ngadhënjeu jeta mbi vdekjen, dashuria mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin. Që atëherë ne nuk kemi më frikë të përballemi me fajet tona, me burimin e së keqes dhe me vdekjen tonë.

Pashkët janë, mbi gjitha, festa e faljes, pajtimit dhe paqes, e cila na mundëson të lartësohemi në dimensionin hyjnor të jetës dhe të jetojmë në shërbim të paqes mbi tokë.  Varësisht gjitha të këqijave, me të cilat duhet të përballemi gjatë ditëve tona, arrijmë të jetojmë në paqen e Krishtit, i cili,  para se të vdiste, iu thoshte nxënësve të vet: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po ju jap siç e jep bota”. (Gjn 14, 27b). E, pas Ringjalljes përshëndetja e vetme ishte Paqja me ju!

Nëse e shohim realitetin rreth nesh, mund të konstatojmë që varfëria më e madhe e kohës dhe njeriut të sotëm është mungesa e paqes në familje, në vend, në rajon dhe në botë.

Po ashtu, nëse i marrim vetëm ngjarjet e viteve të fundit, atëherë kuptojmë se sa e brishtë ose sa e mangët është paqja mes njerëzve. Një herë patëm virusin që na “paqësojë”, por nuk na pajtojë; pastaj konfliktin në Ukrainë, që na mobilizojë ta kundërshtonim luftën, por jo ta promovimin paqen. Më tutje pastaj rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës në përgjithësi, na detyrojë të kursejmë, jo nga dëshira për të pasur më shumë, por nga frika që do të bëhet më keq. Kur kësaj i shtojmë edhe shumë gjëra të tjera, që tash e mot na gërryejnë shpirtin, sikur janë: shpërfillja e shoqërisë ndaj padrejtësive sociale dhe kujdesit adekuat për shtresat në nevojë; gjykimi i padrejtë i lirisë, përbuzja ndaj sakrificës së bërë, ose përvetësimi i fryteve të saja; drejtësia e vonuar për të pafuqishmit dhe të pambrojturit, sjellja e pandërgjegjshme ndaj detyrave dhe përgjegjësive që na janë besuar, mungesa e shanseve të barabarta dhe keqpërdorimin e të mirave të përbashkëta, atëherë vërtet bëhet e qartë që, pa dhuntitë dhe hiret që na janë dhuruar në Krishtin e Ringjallur, pajtimi është i pamundur e si rrjedhojë paqja bëhet e pa arritshme.

Të vetëdijshëm për këtë gjë, jemi të vendosur t’i mbetemi besnik fesë së të parëve, mënyrës së jetesës sonë, duke u përpjekur t’i përngjajmë Krishtit zemër butë e të përvuajtë. Kësaj dashurie të pa masë, që na rrinë pranë e na shoqëron gjatë ditëve të jetës dhe na përcjellë deri në vdekje, që nga dheu të na thërras përsëri në jetë.

Prandaj, nuk lodhemi duke falë njëri-tjetrin, deri edhe armiqtë dhe zemërgurët që nuk kanë aftësi të kërkojnë falje. Vetëm e vetëm që dëshmia hyjnore, mësimi ungjillor, dëshmia e Kalvarit dhe rrezatimi i të Ringjallurit, t’i shndritë zemrat e të gjithëve, në mënyrë që besnikëria dhe besimi ynë të vazhdojë të mbetet trashëgimi shpirtërore për gjeneratat që do vinë pas nesh, ashtu që, gjitha breznitë, duke refuzuar perceptimin “adamik” të jetës, që frymëzohet nga lakmia, të kenë paqen e shpirtit.

Të mbështetur në këtë bindje, e lusim Zotin që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të kulmojë në pajtim mes dy popujve. E, paqja në rajon të bëhet realitet, pasi jemi të bindur që pajtimi dhe paqja janë fryt i Shpirtit. Të pajtuar mund të kontribuojmë së bashku për të ardhmen e të gjithëve.

Duke ju dëshiruar të gjithëve paqen e shpirtit, paqen në familje dhe në rrethin ku i gëzoni ditët e jetës suaj dhe frytet e paqes së Zotit, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj festën e Pashkëve: Krishti u ngjall, Aleluja!

 

+ Dodë Gjergji

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

Shpëndaje: