Të prekurit me AIDS dhe Misionaret e Dashurisë

Më 5 shtator të këtij viti do të kujtohet 25-vjetori i kalimit në amshim i Nënë Terezës (1997): po e kujtojmë këtë grua të madhe të shekullit XX me një intervistë, të publikuar në vitin 1988, në të cilën, themeluesja e Misionareve të Dashurisë, fliste për angazhimin e saj në dobi të të sëmurëve me AIDS.

 

Nënë Tereza, pas pak shtypi, radio dhe televizioni, do të flasin për një shërbim të ri që Ju dhe Motrat e Juaja Misionaret e Dashurisë e bëni për të mënjanuarit: kësaj here përfitues të shërbimit Tuaj janë personat të prekur me AIDS. Vepra e Jote dhe e bashkëmotrave tua na e përçojnë të gjithëve një mesazh shumë të qartë, porse nganjëherë duam që të flisni JU, që me siguri do të na ndihmojë të kuptojmë dhe të vlerësojmë më mirë atë që është një dhuratë e vërtetë e dashurisë. Si ka filluar ky shërbim i ri, ku dhe kur ka lindur?

Nënë Tereza: Në Krishtlindjen e vitit 1986. Së pari patëm filluar me një shtëpi të pranimit me rastin e një vizite që e pata në një burg. Në atë burg ishin tre persona që ishin prekur me këtë të keqe dhe mu lutën që t’i marrja me vete, sepse dëshironin të vdisnin jashtë atij vendi. Kam shkuar me i vizitua disa herë e pastaj kam menduar të hap një shtëpi për ta, në mënyrë që të mund të kujdesemi për ta me dashuri, që ata kanë nevoje, dhe t’ju ndihmojmë që ta kenë një vdekje të dinjitetshme.

Ku është kjo shtëpi e parë? A doni të na flisni pak për të?

Nënë Tereza: Këtë shërbim e kemi filluar në New York, dhe e kemi thirrur shtëpia për të sëmurët me AIDS “Gift of Love” (“Dhurata e dashurisë”).  Aty i kemi 15 shtretër, e deri më tash aty kanë vdekur dinjitetshëm 54 të sëmurë me AIDS. Vdekja e tyre ishte e bukur, vërtetë e bukur. Tani po punojmë edhe në një tjetër shtëpi në Washington. Atë shtëpi e kemi quajtur “Gift of Peace” (“Dhurata e paqes”). Edhe aty i kemi 15 shtretër për burra, por do të kemi edhe për gra e për fëmijë.

Si i keni zgjedhur këta emra për këto shtëpi?

Nënë Tereza: Dhuratë e dashurisë, dhuratë e paqes? Sepse vepra jonë është një dhuratë, një dhuratë e dashurisë, një dhuratë e paqes. Tani jemi duke kërkuar të hapim një shtëpi në San Francisco.

A kanë pasur vështirësi Misionaret e Dashurisë gjatë hapjes së këtyre qendrave të asistencës?

Nënë Tereza: Asnjë, fare. Sepse atë që ne e duam është t’ju ofrojmë ndihmë këtyre vëllezërve që të vdesin në paqe me Zotin, në mënyrë që të kenë vërtetë një vdekje të bukur. Megjithatë, për të bërë një asistencë të këtillë kemi ne nevojë të jemi afër spitaleve: sepse ne nuk jemi në nivelin e duhur për të dhënë këtyre pacientëve kujdesin adekuat mjeksor. Ja përse në New York jemi vendosur afër spitalit Saint Claire. Personeli i këtij spitali vjen për çdo ditë në shtëpinë tonë për t’u kujdesur për gardërobën e të sëmurëve. Mandej, kur lind nevoja për shtrirje në spital, vijnë e marrin pacientin. Jemi krejt afër aty: po e njëjta është edhe në Washington.

Si arrijnë të kuptojnë Misionaret e Dashurisë për rastet e pacientëve të AIDS, të cilët kanë nevojë për asistencë?

Nënë Tereza: Ne afrohemi dhe shprehim interesimin tonë, por edhe ata vetë vijnë te ne, sepse  dëshirojnë të vdesin të rrethuar me përkujdesje e dashuri.

A ka pasur raste kur kanë ardhur te Misionaret e Dashurisë njerëz, të cilën vetëm kanë qenë të dyshuar se janë të prekur nga sëmundja?

Nënë Tereza: Deri më tash nuk kemi pasur. Te ne vijnë njerëz që përpara kanë qenë të shtrirë në spital me një diagnozë të qartë; ata vijnë te ne për të vdekur.

Personat të prekur me AIDS vuajnë nga një e keqe fizike dhe nga gjendje e ndërlikuar psikologjike: cilat janë simptomat primare të këtyre dhe si trajtohen ato nga Misionaret e Dashurisë?

Nënë Tereza: Kujdesi më i mirë që ne e japim është butësia, dashuria, afria. Unë mendoj se ky është një kujdes shpirtëror. Kur të bëhet ky kujdes, me një efekt të dëshiruar, atëherë ne ju ndihmojmë që të pajtohen me Zotin, dhe kur këta pajtohen me Zotin, atëherë e keqja e tyre për tre të katërtat zhduket.

Sipas përvojës së Misionareve të Dashurisë, cilat janë presionet negative nga shoqëria që e rrisin të keqen e këtyre vëllezërve që vuajnë?

Nënë Tereza: Te ne nuk ka një përvojë të këtillë. Ne jetojmë në të njëjtën shtëpi me ta, e kështu të gjithë jemi pjesë e një familjeje. Në vendin ku jetojmë e kemi një kapele (kishëz), aty ata mund të luten, mund të rrinë privatisht me Jezusin, kanë çaste të adhurimit dhe të lutjes. Kur ata arrijnë të pajtohen me Zotin, lind mes tyre një gëzim i ri, një shpresë e re: një shpirt i mrekullueshëm hyn në mesin e tyre dhe krijohet një mirësi reciproke e jashtëzakonshme.

A duhet të kenë Misionaret e Dashurisë ndonjë aftësi të veçantë për të punuar me të sëmurët me AIDS?

Nënë Tereza: Jo. Të gjithë atyre që vuajnë, pa dallim, ne duhet të ju ofrojmë shërbimin tonë falas dhe me gjithë zemër, sepse ne këtë ja bëjmë Jezusit. Ai, vërtet, ka thënë, “isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni…” e nuk ka nevojë për këtë të kihet ndonjë aftësi e veçantë, sepse ky lloj i shërbimit nuk paraqet ndonjë vështirësi të veçantë. Ne kujdesemi për lebrosët, tuberkulozët, kurse këta me AIDS janë një prej grupeve, prej të shumtëve, që ne i asistojmë.

Me çfarë vështirësi të veçanta ballafaqohen Misionaret e Dashurisë me të prekurit me AIDS në fazën terminale?

 Nënë Tereza: Në ato momente ata kanë nevojë për një butësi të veçantë, dashuri dhe afri. Në këtë fazë ne i lëmë të vijnë edhe vullnetarët, e janë shumë, të cilët dhurojnë shumë dashuri dhe përkujdesje që të sëmurët kanë nevojë: ky asistim ju jep forcë atyre më së shumti, e është shumë e bukur ta përjetosh. Aty kalojnë ditët e netët dhe sheh sikur një mrekulli përsëritet. Përpara njerëzit kishin frikë t’i shikonin këta sëmurë; por tani ata vijnë e kujdesën për ta ditë e natë.

Të sëmurët me AIDS, me kancer, me lebër në fazën terminale, a paraqesin për ata që i asistojnë vështirësi të veçanta?

Nënë Tereza: Me sa di unë, jo. Ne i shohim të gjithë si fazë e fundit e përgatitjes për kthim në shtëpinë e Atit.

Në mesin e atyre që i asistoni, ka edhe vajza nëna. A është ndonjë prej tyre e prekur me AIDS?

Nënë Tereza: Jo, ende nuk kemi.

Në mesin e tyre a keni fëmijë të prekur me AIDS?

Nënë Tereza: Jo, ende nuk kemi. Porse jemi duke e përgatitur për ta një vend në Washington.

Misionaret e Dashurisë që punojnë me të sëmurët me AIDS, e ofrojnë një kujdes të drejtpërdrejtë viktimave të kësaj të keqeje. Në çfarë mënyre Ato e ndihmojnë shoqërinë që ta tejkalojë paragjykimin kundër kësaj sëmundjeje e këtyre të sëmurëve?

Nënë Tereza: Duke i ftuar që njerëzit nga jashtë të vijnë e të shohin atë çfarë bëjnë motrat. Të shohin është e rëndësishme. Të shohin drejpërdrejtë se nuk kemi frikë të bëjmë atë që e bëjmë dhe t’ju bëjmë e dije se: “Këto motra të reja nuk kanë frikë të bëjnë atë që e bëjnë, edhe ne mund të bashkohemi me to për të bërë të njëjtën gjë.” Ajo për çka po të flas është një dhuratë e Zotit: shumë, shumë njerëz, vijnë dhe ofrojnë shërbim së bashku me ne.

Në mesin e vullnetarëve ka edhe të rinj?

Nënë Tereza: Po, shumë.

Shoqëria jonë është e bombarduar nga ajo që konsiderohet një ekzagjerim propagandistik mbi rrezikun që e paraqet takimi me të prekurit me AIDS. Për pasojë, njerëzit kanë frikë t’ju afrohen të sëmurëve. Sipas Jush, a kemi të bëjmë me një thirrje për të pasur masa të nevojshme të parandalimit për ta ndaluar të keqën apo këtu janë futur interesa tjerë?

Nënë Tereza: Nuk e di. Por duhet të merren të gjitha masat e duhura, sepse AIDS, sikurse çdo sëmundje infektive, mund të shpërndahet. Motrat tona jetojnë në të njëjtën shtëpi me ta dhe kemi shumë vullnetar… por duhet të marrim të gjitha masat e mundshme, ashtu si i marrim edhe për lebrën, për tuberkulozin e për sëmundje tjera infektive. AIDS duhet të vihet në të njëjtin nivel me këto./drita.info

 

Intervistoi: Maria Ibba

Marrë nga:  https://rivista.vitaepensiero.it//news-vp-plus-laids-e-le-missionarie-della-caritacc80-5925.html

Përktheu: Revista “Drita”

Shpëndaje: