KALENDARI KULTUROR/ Kardinali Mikel Koliqi: në përvjetorin e vdekjes (28 janar 1997)  

Kardinal Mikel Koliqi është një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjakut të martirëve, i derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri. Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e Imzot Klaudio Maria Çelit, Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili në vitin 1991 e pati njohur dhe takuar në Shkodër, para se të bëhej kardianl. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin e klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.

I zgjodhëm pikërisht këto fjalë të Imzot Klaudio Maria Çelit, për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Mikel Koliqi, mbeten përgjithnjë në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri. Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991: Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt. Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh! Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

E, Kardinali Mikel Koliqi vijon të jetë për popullin shqiptar edhe pas vdekjes një jetë kushtuar Zotit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë. Një jetë e jetuar për Zot e popull, për fe e atdhe, për Ungjill e kulturë.

E vërtetë nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i Katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dieles”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie. Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993, kurse e bëri kardinal.
më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, Kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.

U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë të jashtëzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri “Mikel Koliqi”, shkruar nga kushëriri i tij, Gjon Simoni.

Jeta e veprimtaria e Kardinalit Mikel Koliqi është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë të popullit e vendit, me përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, shpirtërore e njerëzore, kulturore e kombëtare. (radio vatikani).

Shpëndaje: