Nga Frano Kulli
Me Gjergj Fishtën, ka ndodhë diçka prej feniksi; një ringjallje prej hirit të vet. Rikthimi ka ndodhë vetvetishëm, si një duf i mbrendshëm, i ndrymë, që shpërthen e përhapet në ajrí sapo të bjerë në kontaktin e parë me lirinë. Kjo ndodhi atëherë, kur agoi sërish liria mbas territ të gjatë të dhunës, në kapërcyellin e vitit ’90 të shekullit që shkoi.
Fotografia e tij nuk u shfaq menjëherë. Solucionet e lirisë e shfaqen figurën e tij me ngadalë dhe në paqe, tamam sikur stampohet një pelikul e vjetër filmi në dhomën e errët.
Jashtë dhomës së erret, te korridoret e lirisë kishte nisë një garë e rrëmujëshme e e furishme, me turravrap se kush të merrte më shumë kredite emërpërmendjeje. Në sintoni me gjithëçka tjetër euforike që ndodhte asokohe.
Për do vite të mira flitej e përmendej, me rend e pa rend, i mvisheshin atij edhe lávde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me té, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e Shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcye ende pragun e dritës. Tek tuk filluan të dalin prej skutliqeve të shtëpive qytetëse e të periferive, kopje të “Lahutës…”, ndonjena edhe me autografin e vetë autorit, më së tepërmi për të dëshmuar rezistencën e heshtur ndaj dhunës e rregjimit që e administronte até, sikurse do persona të tjerë, në të njëjtën sintoni, mund të recitonin pa u ndalë njëmijë e më shumë vargje prej saj.
U rikthye botimi i “Hyllit të Dritës”, filluan të ribotohen disa prej veprave (“Lahuta…e para), Kurse nga Roma, në shtatorin e 1992-shit do të na kthehej retrospektiva e parë e shkruar: “Gjergj Fishta-Jeta dhe veprat” me autor Pal Duka Gjinin (Daniel Gjeçaj), ish nxënësi e më pas bashkëmësues me vetë Fishtën në Liceun “Ilyricum”- shkollën françeskane në Shkodër. E para përmbledhje jetëshkruese e Poetit mbas asaj që më 1941, kishte përgatitë At Benedikt Dema, e tjetrës së po të njëjtit vit, që e kishte nxjerrë revista “Shkëndija” në Tiranë, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit, një vit mbasi Fishta ishte nisë në botën e qiellit…Po pati edhe studime serioze përreth kryeveprës sës tij; “Lahuta…ngjizja mitologjike”(Tonin Çobani) ase “Fishta satirik” (Stefan Çapaliku). Kurse sipërmarrja e parë për një “Opera omnia”, e cila pati mbetë një projekt i paplotësuar i Institutit të Studimeve Shqiptare nga viti 1942, filloi në vitin 2001 dhe mbaroi ne vitin 2012. Që është edhe botimi i parë, i plotë i veprës së Fishtës (Enti botues “Gjergj Fishta”).
Duke qenë në krye të këtij projekti editorial, në bashkëpunim me një redaksi të zgjedhur studiuesish, njohësit më të thellë të shkrimtarit dhe veprës e kam ndjekë në të gjitha dimensionet krejt atë që mund të thirrej “rikthimi i Fishtës”. Me linjën e drejtë e me zigzaget që ajo ka përshkruar përgjatë dekadave te kohës së lirisë; me pohimin dhe me heshtimin si një mënyrë mohimi, me moskuptime dhe me keqkuptime, me paragjykime jashtëletrare prej nostalgjikësh të së shkuarës e me shpërfillje prej podiumeve të epërme “moderniste” të parisë letrare.
Përpjekja ime modeste për t’i shqyrtuar këto dukuri është ajo që kam dashtë të përcjell në faqet e këtij libri, si një njeri i dhomës së errët të laboratorit fishtian./drita.info