Mesazhi i Atit Shenjt Françeskut për Ditën e 56-të Botërore të Paqes

Mesazhi i Atit Shenjt

Françeskut

për Ditën e 56-të Botërore të Paqes

1 janar 2023

 

Askush nuk mund të shpëtohet vetëm.

T’ia nisim përsëri nga Covid-19 për të përvijuar së bashku shtigje paqeje

 

«Dhe për sa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen shih si vjen vjedhësi natën» (Letra e Parë e Shën Palit drejtuar Selanikasve 5,1-2).

1. Me këto fjalë, Pali Apostull e ftonte bashkësinë e Selanikut që, në pritje të takimit me Zotërinë, të mbetej e patundur, me këmbët dhe zemrën e saj të mbërthyera mirë mbi tokë, e aftë për të shikuar me vëmendje mbi realitetin dhe ngjarjet e historisë. Prandaj, edhe nëse ngjarjet e ekzistencës sonë duken kaq tragjike dhe ndihemi të shtyrë në tunelin e errët dhe të vështirë të padrejtësisë dhe vuajtjes, jemi të thirrur ta mbajmë zemrën të hapur ndaj shpresës, me besim në Hyjin që bëhet i pranishëm, na shoqëron me butësi, na mbështet në mundime dhe, mbi të gjitha, drejton rrugëtimin tonë. Për këtë arsye, Shën Pali e nxit vazhdimisht bashkësinë që të vigjilojë, duke kërkuar të mirën, drejtësinë dhe të vërtetën: «Atëherë të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë!» (5,6). Është një ftesë për të qëndruar zgjuar, jo për t’u mbyllur në frikë, dhimbje apo dorëzim, për të mos rënë në shpërqendrim, për të mos u shkurajuar, por, përkundrazi, për të qenë si lajmëtarë të aftë që hetojnë dhe kapin dritën e parë të agimit, veçanërisht në orët më të errëta.

2. Covid-19 na ka zhytur në mes të natës, duke destabilizuar jetën tonë të zakonshme, duke pështjelluar planet dhe zakonet tona, duke përmbysur qetësinë e jashtme edhe të shoqërive më të privilegjuara, duke krijuar çorientim dhe vuajtje, duke shkaktuar vdekjen e kaq shumë vëllezërve dhe motrave tona.

Të shtyrë në vorbullën e sfidave të papritura dhe në një situatë që nuk ishte plotësisht e qartë edhe nga pikëpamja shkencore, bota e shëndetësisë është mobilizuar për të lehtësuar dhimbjen e shumë njerëzve dhe për t’u përpjekur që të gjejë një zgjidhje; ashtu si edhe autoritetet politike, të cilat duhej të merrnin masa të konsiderueshme në drejtim të organizimit dhe administrimit të emergjencës.

Së bashku me shfaqjet fizike, Covid-19 ka shkaktuar, edhe me efekte afatgjata, një gjendje të keqe të përgjithshme që është ngulitur në zemrat e shumë individëve dhe familjeve, me pasoja jo të vogla, që u zhvilluan në periudha të gjata izolimi dhe kufizime të ndryshme të lirisë.

Për më tepër, nuk mund të harrojmë se si pandemia ka prekur disa nerva të ekspozuara të rendit social dhe ekonomik, duke nxjerrë në pah kontradiktat dhe pabarazitë. Ajo ka kërcënuar sigurinë në punë të shumë njerëzve dhe ka rënduar vetminë, gjithnjë e më e përhapur në shoqëritë tona, veçanërisht atë të më të dobëtëve dhe të varfërve. Le të mendojmë, për shembull, për miliona punëtorë joformalë në shumë anë të botës, të ngelur pa punë dhe pa asnjë mbështetje gjatë gjithë periudhës së izolimit.

Rrallëherë ndodh që individët dhe shoqëria të shkojnë në drejtim të situatave që përftojnë një ndjenjë të tillë disfate dhe hidhërimi: njëmend, ajo dobëson përpjekjet e bëra për paqen dhe shkakton konflikte sociale, frustrime dhe dhunë nga më të ndryshmet. Në këtë kuptim, pandemia duket se ka tronditur edhe zonat më paqësore të botës sonë, duke nxjerrë në shesh brishtësi të panumërta.

3. Pas tre vjetësh, është momenti të gjejmë kohë për të pyetur veten, për të mësuar, për t’u rritur dhe për të lejuar që të shndërrohemi, si individë dhe si bashkësi; një kohë e privilegjuar për t’u përgatitur për “ditën e Zotit”. Unë tanimë kam pasur mundësinë që ta përsëris disa herë se nga momentet e krizës nuk dilet kurrë njëlloj: dilet ose më të mirë, ose më të këqij. Sot jemi të thirrur ta pyesim veten: çfarë kemi mësuar nga kjo gjendje pandemie? Çfarë rrugësh të reja do të duhet të marrim për të braktisur zinxhirët e zakoneve tona të vjetra, për të qenë më të përgatitur, për ta guxuar risinë? Cilat shenja jete dhe shprese mund të kapim për të ecur përpara dhe për t’u përpjekur që ta bëjmë botën tonë më të mirë?

Sigurisht, pasi e prekëm me duart tona brishtësinë që e dallon realitetin njerëzor dhe ekzistencën tonë personale, mund të themi se mësimi më i madh që Covid-19 na lë si një trashëgimi, është vetëdija se të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin, se thesari ynë më i madh, megjithëse edhe më i brishtë, është vëllazëria njerëzore, e themeluar mbi bijësinë e përbashkët hyjnore dhe se askush nuk mund të shpëtohet i vetëm. Prandaj, është urgjente të kërkojmë dhe të përnxisim së bashku vlerat universale që përvijojnë rrugën e kësaj vëllazërie njerëzore. Kemi mësuar gjithashtu se besimi i vënë mbi progresin, teknologjinë dhe efektet e globalizimit, jo vetëm që ka qenë i tepruar, por është kthyer në një intoksikim individualist dhe idhujtar, duke komprometuar garancinë e dëshiruar për drejtësi, harmoni dhe paqe. Në botën tonë që vrapon me shpejtësi të madhe, shumë shpesh problemet e përhapura të çekuilibrit, padrejtësive, varfërisë dhe mënjanimit ushqejnë gjendje të këqija dhe konflikte, dhe shkaktojnë dhunë, madje edhe luftëra.

Ndërsa, nga njëra anë, pandemia ka nxjerrë në pah gjithë këtë, ne, nga ana tjetër, kemi pasur mundësinë të bëjmë zbulime pozitive: një kthim i dobishëm te përvujtëria; një rënie e disa pretendimeve konsumiste; një ndjenjë e përtërirë solidariteti që na nxit të dalim nga egoizmi ynë për t’u hapur ndaj vuajtjeve të të tjerëve dhe nevojave të tyre; si dhe një angazhim, në disa raste me të vërtetë heroik, i shumë njerëzve që s’e kanë kursyer veten në mënyrë që të gjithë të mund ta kapërcejnë dramën e emergjencës sa më mirë të jetë e mundur.

Nga kjo përvojë erdhi ndërgjegjësimi më i fortë që i fton të gjithë, popujt dhe kombet, për ta vënë përsëri në qendër fjalën “së bashku”. Njëmend, është së bashku, në vëllazëri dhe solidaritet, që ne e ndërtojmë paqen, garantojmë drejtësinë, kapërcejmë ngjarjet më të dhimbshme. Reagimet më të efektshme ndaj pandemisë ishin, në të vërtetë, ato që panë grupe shoqërore, institucione publike dhe private, organizata ndërkombëtare të bashkuara për t’iu përgjigjur sfidës, duke lënë mënjanë interesa të posaçme. Vetëm paqja që lind nga dashuria vëllazërore dhe e painteres mund të na ndihmojë që t’i kapërcejmë krizat personale, sociale dhe botërore.

4. Në të njëjtën kohë, në momentin kur guxuam të shpresonim se më e keqja e natës së pandemisë Kovid-19 ishte kapërcyer, një gjëmë e re e tmerrshme e gjeti njerëzimin. Kemi qenë dëshmitarë të ngallitjes së një tjetër shuplake: një luftë tjetër, pjesërisht e krahasueshme me Covid-19, por megjithatë e përudhur nga zgjedhjet njerëzore të fajshme. Lufta në Ukrainë mbjell viktima të pafajshme dhe përhap pasiguri, jo vetëm për ata që goditen drejtpërdrejt, por në një mënyrë të përhapur dhe pa dallim për të gjithë, edhe për ata që, me mijëra kilometra larg, vuajnë efektet anësore – mjafton vetëm të mendojmë për problemet e çmimeve të grurit dhe karburantit.

Sigurisht, nuk është kjo epoka pas-Covidit që shpresuam apo prisnim. Në të vërtetë, kjo luftë, së bashku me të gjitha konfliktet e tjera anembanë globit, përbën një disfatë për mbarë njerëzimin dhe jo vetëm për palët e përfshira drejtpërdrejt. Ndërsa për Covid-19 u gjend një vaksinë, për luftën ende nuk janë gjetur zgjidhje të përshtatshme. Sigurisht se virusi i luftës është më i vështirë për t’u mposhtur sesa ato që prekin organizmin e njeriut, sepse ai nuk vjen nga jashtë, por nga brenda zemrës njerëzore, e prishur nga mëkati (krh. Ungjilli i Markut 7,17-23).

5. Atëherë, çfarë na kërkohet të bëjmë? Para së gjithash, të lejojmë që zemrat tona të ndryshohen nga urgjenca që kemi përjetuar, domethënë, të lejojmë që Hyji, nëpërmjet këtij momenti historik, t’i shndërrojë kriteret tona të zakonshme të interpretimit të botës dhe realitetit. Ne nuk mund të mendojmë më vetëm për ruajtjen e hapësirës së interesave tona personale apo kombëtare, por duhet ta mendojmë veten në dritën e së mirës së përbashkët, me një ndjenjë bashkësie, pra si një “ne” e hapur ndaj vëllazërisë universale. Nuk mund të shkojmë vetëm pas mbrojtjes së vetvetes, por është koha që të gjithë ne të angazhohemi për shërimin e shoqërisë dhe planetit tonë, duke krijuar bazat për një botë më të drejtë dhe më paqësore, të angazhuar seriozisht në kërkimin e një të mire përnjëmend të përbashkët.

Për ta bërë këtë gjë dhe për të jetuar në mënyrë më të mirë pas emergjencës Covid-19, ne nuk mund të shpërfillim një fakt themelor: krizat e shumta morale, sociale, politike dhe ekonomike që po përjetojmë, janë të gjitha të ndërlidhura dhe ato që ne i shohim si probleme individuale janë, në të vërtetë, njëri shkak apo pasojë e tjetrit. Prandaj, jemi të thirrur që t’u bëjmë ballë sfidave të botës sonë me përgjegjësi dhe dhembshuri. Duhet ta rishikojmë çështjen e garantimit të shëndetit publik për të gjithë; të përnxisim veprime paqeje për t’u dhënë fund konflikteve dhe luftërave që vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe varfëri; të kujdesemi, në mënyrë të përqendruar, për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të zbatojnë masa të qarta dhe efikase për t’i bërë ballë ndryshimit klimatik; të luftojmë virusin e pabarazisë dhe të garantojmë ushqim dhe punë me dinjitet për të gjithë, duke mbështetur ata që nuk kanë as një pagë minimale dhe janë në vështirësi të mëdha. Skandali i popujve të uritur na lëndon. Kemi nevojë të zhvillojmë, me politika të përshtatshme, pranimin dhe integrimin, veçanërisht kundrejt emigrantëve dhe atyre që jetojnë si të skartuar në shoqëritë tona. Vetëm duke dhënë veten në këto situata, me një dëshirë altruiste të frymëzuar nga dashuria e pafund dhe e mëshirshme e Hyjit, do të mund të ndërtojmë një botë të re dhe të kontribuojmë në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit, e cila është Mbretëri e dashurisë, drejtësisë dhe paqes.

Duke bashkëndarë këto reflektime, uroj që në vitin e ri të mund të ecim së bashku, duke e çmuar si thesar atë që historia mund të na mësojë. U shpreh urimet e mia më të mira Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, Përgjegjësve të Organizatave ndërkombëtare, Udhëheqësve të religjioneve të ndryshme. Të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë iu uroj që të ndërtojnë, ditë për ditë, si artizanë të paqes, një vit të mbarë! Nëna e Papërlyer, Nëna e Jezusit dhe Mbretëresha e Paqes, ndërmjetësoftë për ne dhe për mbarë botën./drita.info

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2022

FRANÇESKU

Shpëndaje: