Papa Françesku ia beson bashkësive famullitare njetin e lutjes për muajin shkurt. Në videon, publikuar nga Rrjeti botëror i lutjes së Papës, ftesa për ta rimenduar me guxim stilin e punës së famullive, që të bëhen vende të vërteta bashkimi dhe mikpritjeje, pa përjashtime
Famullia kishtare nuk është “klub”, vetëm për pak njerëz, por vend ku mund të hyhet pa kërkesa të veçanta, në portën e të cilit duhet të lexohet: “hyrje e lirë”. Për këtë njet e fton Papa Françesku gjithë Kishën të lutet gjatë muajit shkurt, në videon e shpërndarë nga Rrjeti botëror i lutjes së Papës. Një mënyrë për të kërkuar që famullitë të jenë bashkësi të vërteta, qendra për të dëgjuar dhe për të mirëpritur “me derën gjithmonë të hapur”.
Mesazhi i Papës
“Ndonjëherë mendoj se duhet të vendosim një tabelë në derën e famullive një kartelë, që thotë: “Hyrje e lirë” – pohon Françesku në “Videon e Papës” – Famullitë duhet të jenë bashkësi afërsie, pa burokraci, të përqendruara tek njerëzit, ku gjendet dhurata e sakramenteve. Duhet të shndërrohen në shkolla shërbimi dhe bujarie, me dyert gjithmonë të hapura për të përjashtuarit e të papërjashtuarit. Për të gjithë”.
Françesku kujton, në mesazh, se “famullitë nuk janë klub për të paktët, me përkatësi të caktuar shoqërore”. Përkundrazi! Ati i Shenjtë e vijon njetin me thirrjen: “Ju lutem, të jemi guximtarë! Ta rimendojmë të gjithë stilin e bashkësive tona famullitare”.
Njeti i lutjes së Papës për muajin shkurt është “që famullitë, duke vendosur bashkësinë – bashkësinë e njerëzve, bashkësinë kishtare – në qendër të vëmendjes, “të jenë gjithnjë e më shumë bashkësi feje, vëllazërie dhe mirëpritjeje për më nevojtarët”.
Pasuria e Kishës janë njerëzit
Shikojeni një famulli të bukur, por të zbrazët. Pastaj, të njëjtën famulli, plot me njerëz, që e bëjnë shumë më të bukur. Videoja e Papës në këtë muaj hapet kështu – lexojmë në njoftimin për shtyp, që e shoqëron – duke na kujtuar se pasuria e Kishës nuk është ndërtesa. Janë njerëzit që jetojnë në të. Në fotot, ardhur nga famullitë e mbarë botës, shikojmë takime të këndshme, konferenca, shpërndarje ndihmash për më nevojtarët, shoqërim me të moshuarit, vizita tek të sëmurët, shfaqje të këndshme. Është një video plot jetë: jetë, e cila rrjedh nëpër famulli duke i bërë ato pika referimi për shumëkënd, që e mësojnë aty artin e takimit.