Papa Françesku për Ditën Botërore të të Sëmurit: “M’u kujdes për të” – Dhembshuria si një ushtrim sinodal i shërimit

Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut

për Ditën Botërore të XXXI të të Sëmurit

11 shkurt 2023

 

“M’u kujdes për të”

Dhembshuria si një ushtrim sinodal i shërimit

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra,

Sëmundja është pjesë e përvojës sonë njerëzore. Por ajo mund të bëhet çnjerëzore nëse jetohet e izoluar dhe e braktisur, nëse nuk shoqërohet me kujdes dhe dhembshuri.

Kur ecim së bashku është normale që dikush të ndihet keq, i duhet të ndalojë për shkak të lodhjes ose për shkak të ndonjë fatkeqësie gjatë rrugës. Pikërisht aty, në ato momente kuptojmë mënyrën se si jemi duke ecur: nëse vërtet jemi duke ecur së bashku apo jemi në të njëjtën rrugë, por secili me veten e vet, duke u kujdesur për interesat e veta dhe duke i lënë të tjerët të “gjinden vet” si të munden. Prandaj, në këtë Ditë Botërore të XXXI të të Sëmurit, në mes të një udhëtimi sinodal, ju ftoj të reflektoni mbi faktin se pikërisht përmes përvojës së brishtësisë dhe sëmundjes mund të mësojmë të ecim së bashku sipas stilit të Zotit, që është afërsia, dhembshuria dhe butësia.

Në Librin e Ezekielit profet, Zoti i tha këto fjalë që përbejnë një nga pikat kulmore të Zbulesës: “Unë vet do t’i mballoj delet e mia, unë vet do t’i mrizoj – thotë Zotit Hyj. Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligështuarën do ta kërthnes, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.” (34, 15-16). Përvoja e humbjes, e sëmundjes dhe dobësisë është një pjesë e natyrshme e rrugëtimit tonë: kjo nuk na përjashton nga populli i Zotit, përkundrazi, na vendosin në qendër të vëmendjes së Hyjit, që është Atë dhe nuk dëshiron të humbasë rrugën qoftë edhe një nga bijtë e vetë. Le të mësojmë prej tij, në mënyrë që të jemi vërtet një bashkësi që ecën së bashku, e aftë që të mos lejojë të kontaminohet nga kultura e hedhjes.

Enciklika “Fratelli tutti”, siç e dini, ofron një lexim të aktualizuar të shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë. E kam zgjedhur të jetë pikënisje dhe pikëkthese për të dalë nga “hijet e një bote të mbyllur” dhe “për të menduar dhe krijuar një botë të hapur” (khs. nr. 56). Ka vërtet një lidhje të thellë midis kësaj shëmbëlltyre të Jezusit dhe mënyrave të shumta në të cilat sot mohohet vëllazëria. Në veçanti, fakti që personi i keqtrajtuar dhe i grabitur apo i lënë në anë të rrugës, paraqet gjendjen në të cilën shumë vëllezër dhe motra janë lënë kur kanë më së shumti nevojë për ndihmë. Nuk është e lehtë të dallosh mes sulmeve ndaj jetës njerëzore dhe dinjitetit të saj, që vijnë nga shkaqe natyrore dhe atyre që përkundrazi shkaktohen nga padrejtësia dhe dhuna. Në realitet, niveli i pabarazive dhe mbizotërimi i interesave të disave tani prek të gjitha mjediset njerëzore, kështu që duket e vështirë të konsiderohet çdo përvojë si “natyrore”. Të gjitha vuajtjet ndodhin në një “kulturë” dhe në mes të kontradiktave të saj.

Megjithatë, ajo që ka rëndësi këtu është të njohësh gjendjen e vetmisë, të braktisjes. Kjo mizori që mund të kapërcehet para çdo padrejtësie tjetër, pasi – siç tregon shëmbëlltyra – mjafton një moment vëmendjeje, një lëvizjeje e brendshme dhembshurie për ta eliminuar atë. Dy kalimtarë, që konsideroheshin të devotshëm dhe fetarë, shohin të plagosurin por nuk ndalen. I treti, përkundrazi, një samaritan, një njeri i përbuzur, preket nga dhembshuria dhe kujdeset për këtë të huaj të shtrirë në anë të rrugës, duke e trajtuar si një vëlla. Ai duke e bërë këtë, pa e menduar aspak, i ndryshon gjërat, krijon një botë më vëllazërore.

Vëllezër dhe motra, ne nuk jemi asnjëherë gati për sëmundje. Dhe shpesh ne gjithashtu nuk jemi gati të pranojmë se jemi në moshë të shtyrë. Ne kemi frikë nga cenueshmëria dhe kultura e përhapur e tregut na shtyn ta mohojmë atë. Nuk ka vend për brishtësi. Dhe kështu e keqja, kur shpërthen dhe na sulmon, na lë të shtrirë për tokë. Më pas mund të ndodhë që të tjerët të na braktisin ose të mendojmë se duhet ne t’i braktisim ata, për të mos qenë një barrë për ta. Kështu fillon vetmia dhe ndjenja e hidhur e padrejtësisë na helmon sa që duket se mbyllet edhe Qielli. Në fakt, ne kemi vështirësi të qëndrojmë në paqe me Hyjin, atëherë kur marrëdhëniet me të tjerët dhe me veten  shkërmoqen. Ja përse është kaq e rëndësishme, veçanërisht në lidhje me sëmundjen, që e gjithë Kisha të matet me shembullin e Samaritanit të Mirë në ungjill për t’u bërë një “spital në fushëbetejë” i vlefshëm: misioni i saj shprehet në fakt në kujdesin për të tjerët, sidomos në rrethanat historike që po kalojmë. Ne jemi të gjithë të brishtë dhe të cenueshëm; ne të gjithë kemi nevojë për atë vëmendje plotë dhembshuri që di të ndalojë, të afrohet, të shërojë dhe të ngre. Pra, gjendja e të sëmurit është një thirrje që ndërpret indiferencën dhe ngadalëson hapat e atyre që shkojnë përpara sikur të mos kishin as vëllezër e as motra.

Dita Botërore e të Sëmurëve, në fakt, jo vetëm që na fton në lutje dhe afërsi me të vuajturit; por në të njëjtën kohë, ajo synon të sensibilizojë popullin e Zotit, institucionet shëndetësore dhe shoqërinë civile për një mënyrë të re të ecjes përpara së bashku. Profecia e Ezekielit e cituar në fillim përmban një gjykim shumë të ashpër mbi prioritetin e atyre që ushtrojnë pushtet ekonomik, kulturor dhe qeveritar mbi popullin: “Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni berret e majme e grigjën nuk e kullotni! Të ligshtën nuk e përtërini,  të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të treturën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë” (34, 3-4). Fjala e Zotit është gjithmonë ndriçuese dhe bashkëkohore, jo vetëm për të denoncuar por edhe për të propozuar. Në fakt, përfundimi i shëmbëlltyrës së Samaritanit të Mirë na sugjeron se ushtrimi i vëllazërisë, i cili fillon me një takim ballë për ballë, mund të zgjerohet në kujdesin e organizuar. Bujtina, bujtinari, paratë, premtimi për të qenë të njoftuar për situatën (khs. Lk 10, 34-35): të gjitha këto të sjellin ndërmend shërbesën e meshtarëve, punën e punonjësve socialë dhe shëndetësorë, në angazhimin e familjeve dhe vullnetarëve falë të cilëve çdo ditë, në çdo pjesë të botës, e mira i kundërvihet së keqes.

Vitet e pandemisë kanë rritur ndjenjën tonë të mirënjohjes për ata që punojnë çdo ditë në fushën e shëndetësisë dhe të kërkimeve mjekësore. Por nuk mjafton të dalësh nga një tragjedi kaq e madhe kolektive duke  nderuar heronj. Covid-19 e ka vënë në provë këtë rrjet të madh aftësish dhe solidaritetin dhe ka shfaqur kufijtë strukturorë të sistemeve welfare ekzistuese. Prandaj, mirënjohja duhet të përputhet me kërkimin aktiv të strategjive dhe burimeve, në çdo Vend, në mënyrë që çdo qenie njerëzore t’i garantohet marrja e kujdesit mjekësor dhe e drejta themelore për shëndetin.

“M’u kujdes për të” (Lk 10,35): kështu e porosit samaritani bujtinarin. Jezusi na e thotë të njëjtën secilit prej nesh, gjithashtu, dhe në fund na nxitë: “Shko dhe bëj edhe ti kështu”. Siç e theksova te “Fratelli tutti”, “shëmbëlltyra na tregon se me çfarë nismash mund të rindërtohet një bashkësi duke filluar nga burra dhe gra që marrin për sipër brishtësinë e të tjerëve, që nuk lejojnë të ndërtohet një shoqëri përjashtimi, por bëhen të afërt, e çojnë në këmbë dhe e rehabilitojnë njeriun e rrëzuar, me qëllim që e mira të jetë e zakonshme” (nr. 67). Në fakt, “jemi krijuar për plotësinë që arrihet vetëm në dashuri. Të jetojmë shpërfillës përpara dhimbjes nuk është një zgjedhje e mundshme.” (n. 68).

Edhe më 11 shkurt 2023, le ta kthejmë vështrimin tonë drejt Shenjtërores së Lurdit si një profeci, një mësim që i është besuar Kishës në zemër të modernitetit. Nuk ka vlerë vetëm ajo që funksionon dhe nuk kanë rëndësi vetëm ata që janë produktivë. Njerëzit e sëmurë janë në qendër të popullit të Zotit, që ecën përpara me ta si profeci e një njerëzimi ku të gjithë janë të çmuar dhe ku askush nuk duhet të përjashtohet.

Secilin prej jush që është i sëmurë ia besoj ndërmjetësimit të Marisë, Shëndetit të të sëmurëve; edhe ju që kujdeseni për ta në familje, përmes punës, kërkimit dhe shërbimit vullnetar; dhe ju që merrni përsipër të ndërtoni lidhje personale, kishtare dhe civile të vëllazërimit. Të gjithëve ju japë bekimin tim apostolik.

Romë, Shën Gjon Laterani, 10 janar 2023

FRANÇESKU

 

Përktheu: M. Afërdita Koliqi

Shpëndaje: