Njeti i Papës për muajin prill është për punonjësit e shëndetësisë në të gjithë botën

Në videon me njetin e lutjes për muajin prill, kushtuar punonjësve të shëndetësisë në gjithë botën, Papa Françesku denoncon “administrimin e keq të fondeve” të shëndetësisë dhe u kërkon qeverive e bashkësive lokale të mbështesin impenjimin e mjekëve, të vullnetarëve, të rregulltarëve, në asistencën e të sëmurëve dhe të të moshuarve

 

Sirena e një ambulance, sfond i vazhdueshëm i muajve, gjatë të cilëve pandemia Covid-19 arriti kulmin, hap videon me njetin e lutjes së Papës Françesku për muajin prill, që u paraqit sot. Zëri i Atit të Shenjtë fillon e ndihet dalëngadalë: “Të lutemi këtë muaj për personelin shëndetësor”, pohon ai në spanjisht, ndërsa kalojnë para syve pamjet e mjekëve dhe të infermierëve, kategori e detyruar të shërbejë në kuadrin e një sistemi të pamjaftueshëm shëndetësor. I pamjaftueshëm, sepse siç nënvizon Papa, është rezultat i “administrimit të keq të fondeve dhe i mungesës së impenjimit serioz politik”.

 

Përkushtim e bujari

Në videon e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, Ati i Shenjtë i referohet emergjencës shëndetësore, që nxorri në pah përkushtimin dhe vetëmohimin e vullnetarëve, të punonjësve shëndetësorë, të meshtarëve e rregulltarëve.

“Pandemia – pohon Papa – na tregoi përkushtimin dhe bujarinë e personelit shëndetësor”.

 

Thirrja gjatë Engjëllit të Tënzot në spitalin “Gemelli”

Gjithashtu, pandemia vuri në dukje edhe mangësitë e sistemeve shëndetësore e pabarazitë në mundësinë për kurim. “Jo të gjithë kanë një sistem të mirë shëndetësor publik”, pohon Papa. Një problem serioz, që është denoncuar edhe herë të tjera, mjafton të kujtojmë Engjëllin e Tënzot të korrikut 2021, që Papa e kremtoi nga ballkoni i Poliklinikës Gemelli, pas operacionit në zorrë. “Gjatë këtyre ditëve të shtrimit në spital, e provova edhe një herë sa i rëndësishëm është një shërbim i mirë shëndetësor, i përdorshëm nga të gjithë… Një shërbim shëndetësor falas, që siguron shërbim të mirë për të gjithë. Nuk duhet ta humbasim këtë pasuri të çmuar”, bëri thirrje atëherë Papa Françesku.

“Të moshuarve, më të ligshtëve e më të pambrojturve – shtonte ai – nuk u garantohen gjithmonë kurat e, jo gjithnjë në mënyrë të barabartë. Kjo varet nga vendimet politike, nga mënyra e administrimit të fondeve dhe nga impenjimi i atyre që kanë poste me përgjegjësi. Investimi i fondeve në kujdesin dhe ndihmën për të sëmurët është përparësi e lidhur me parimin se shëndeti është pasuri e përbashkët parësore”.

 

Qeveritë dhe bashkësitë lokale në mbështetje të personelit shëndetësor

Fjalë, që përmenden edhe në videon për ndjetin e lutjes së prillit, përkthyer në 23 gjuhë dhe pasqyruar në shtypin e 114 vendeve të botës:

“Të lutemi – u kërkon Papa besimtarëve – që impenjimi i personelit shëndetësor në asistencën e të sëmurëve dhe të të moshuarve, sidomos në vendet më të varfra, të mbështetet nga qeveritë dhe bashkësitë lokale”.

“Dua t’u kërkoj qeverive të të gjitha vendeve të botës – pohon Ipeshkvi i Romës – të mos harrojnë se shërbimi i mirë shëndetësor, siguruar për të gjithë, është përparësi”. Ndërkaq, në video shihen pamje dramatike barakash, kthyer në klinika në Afrikë, si edhe filmimet e doktorit Erik Jennings Simões, i cili, që prej 20 vitesh, ndihmon popujt indigjenë në Amazonën braziliane.

 

Administrimi i keq i fondeve

Para këtyre imazheve, Papa – i cili ka themeluar një Fondacion për spitalet katolike – vijon denoncimin e tij të fuqishëm:

“Vendet më të varfra, vendet më të pambrojtura, nuk e kanë mundësinë për kurat e nevojshme në përballimin e shumë sëmundjeve, që vazhdojnë t’i prekin. Shpesh kjo ndodh, për shkak të administrimit të keq të fondeve dhe për shkak të mungesës së impenjimit serioz politik”.

 

Fushata në pesë kontinente

Sipas raportit 2021 të OECD-së (Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik), gjendja negative e sistemit shëndetësor ka ndikuar në kujdesin për të sëmurët. Mungesa e personelit shëndetësor ka pasur ndikim më të madh se ajo e shtretërve spitalorë apo e pajisjeve teknike. Në një kuadër kaq të vështirë, rol vendimtar marrin projektet e ndryshme në pesë kontinentet, që pasqyrohen edhe në videon e Papës: nga fushatat “Një vaksinë për ne” dhe “Më parë nënat e fëmijët”, organizuar nga CUAMM – Mjekët me Afrikën, në projektin AVSI në Ugandë për të çuar gratë shtatzëna në spital me mototaksi, në punën e urdhrit spitalor të Shën Gjonit të Zotit në vende të ndryshme e, deri tek ajo e kamilianëve në Tajlandë e në Brazil.

 

Të japësh jetën për të sëmurët

Papa Françesku kujton se shërbimi shëndetësor “nuk është vetëm organizim, por përfshin burra dhe gra, që ia kushtojnë jetën kujdesit për shëndetin e tjetrit e që gjatë kësaj pandemie, dhanë jetën për të ndihmuar në shërimin e shumë të sëmurëve”. Megjithatë, puna e jashtëzakonshme, pa orar, e personelit shëndetësor gjatë këtyre dy viteve, nuk mund të jetë zgjidhje për garantimin e asistencës së duhur shëndetësore për të gjithë. Prandaj, Ati i Shenjtë e fton shoqërinë të impenjohet vazhdimisht për këtë, duke u siguruar të gjithëve një shërbim cilësor shëndetësor. (radio vatikani)

Shpëndaje: