Papa: Familja, për të jetuar shenjtërinë në të përditshmen

Familja është në qendër të Videos së Papës me njetin e lutjes për muajin qershor, publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjes. Françesku kujton Takimin tashmë të afërt Botëror të Familjeve në Romë dhe i nxit familjet e krishtera ta shprehin dashurinë me gjeste konkrete, të mësojnë nga gabimet dhe të jetojnë çdo ças në praninë e Zotit

 

“Dashuria në familje është udhë personale shenjtërie për secilin prej nesh.” Kjo kujtohet së pari në videon me njetin e lutjes për muajin qershor, publikuar sot, që Françesku ia beson Kishës përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës.

 

Drejt Takimit Botëror të Familjeve

Në qendër të vëmendjes, Takimi Botëror i Familjeve,  nga data 22 deri më 26 qershor, në Romë, ngjarje përfundimtare e një viti kushtuar meditimit mbi familjen, me rastin e pesëvjetorit të Nxitjes Apostolike “Amoris laetitia”.

 

Nuk ka familje të përkryer

Ati i Shenjtë lutet “për familjet e krishtera nga e gjithë bota” dhe i porosit  ta shprehin me gjeste konkrete dashurinë dhe shenjtërisë në jetën e përditshme”. “Nuk ka familje të përkryer. Ka gjithmonë një ‘por?”- vëren:

“Por nuk ndodh asgjë! Mos kini frikë nga gabimet; duhet mësuar prej tyre për të ecur përpara. Të mos harrojmë se Zoti është me ne: në familje, në lagje, në qytetin ku jetojmë, është me ne”.

 

Zoti është me familjen

Mos kini frikë as në mes të dallgëve të jetës, sepse Zoti kujdeset për ne:

“Kujdeset për ne, është me ne në çdo çast kur varka tundet e shkundet nga dallgët e detit: kur grindemi, kur vuajmë, kur jemi të lumtur, Zoti është aty e na shoqëron, na ndihmon, na qorton”.

 

Mësohuni të rrini bashkë

Në familje njeriu mëson të jetojë ndërmjet breznive të ndryshme, ndaj Françesku vëren:

“Familja është vendi ku mësojmë të jetojmë së bashku: të jetojmë me më të vegjlit dhe më të mëdhenjtë. Dhe duke qenë së bashku, të rinj, të moshuar, të rritur, fëmijë, duke qëndruar të bashkuar në dallime, ne ungjillëzojmë me shembullin tonë të jetës”.

 

Familja së pari

Videoja e Papës për qershorin është e dyta e serisë tremujore kushtuar mjedisit familjar, realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në  bashkëpunimin me Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën. Në maj protagonistë ishin të rinjtë; në korrik do të jenë të moshuarit. Përballë të dhënave, të cilat flasin për një krizë të vazhdueshme, që përjeton prej vitesh ajo, që njihet si qeliza themelore e shoqërisë, për shumë njerëz familja vijon të jetë burimi kryesor i kuptimit të jetës. Këtë të dhënë, sipas të cilës familja zë vendin e parë ndërmjet realiteteve që i japin kuptim jetës, e gjejmë në një sondazh të Qendrës Kërkimore Pew, realizuar në vitin 2021.

 

E jashtëzakonshmja, në të zakonshmen

“Nuk ka familje të përsosura, na kujton Amoris Laetitia, e nuk duhet të kemi frikë nga vështirësitë”, deklaron kardinali Kevin Farrell, Prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. “Të gjitha familjet kanë shqetësime, vuajtje, por edhe gëzime e shpresa. Marrëdhëniet e dashurisë ndërmjet bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve dhe gjyshërve i shndërrojnë në shtigje shenjtërie, me gjeste të thjeshta të përditshme, që me pak e gjë i bëjnë çastet e zakonshme – të jashtëzakonshme”, përfundon kardinali.

 

Vlera e lutjes

Nga ana e tij, Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, komenton:

“Françesku na kujton se familja është vendi ku mësojmë të jetojmë me më të rinjtë dhe më të moshuarit. Takimi me njerëz të ndryshëm është pasuri, jo kërcënim. Në botën e sotme duket se ndryshimi shkakton konflikt, kur duhet të hapë shtigje të reja. Familja është vendi ku mëson të duash, të jetosh me ndryshimet, të mësosh nga gabimet, me vetëdijen se Zoti është i pranishëm, na ndihmon, na shoqëron. Kjo përvojë e pranisë së Zotit vjen nga lutja, prandaj është e rëndësishme të lutemi sipas ndjeteve të Papës”.

Videoja e Papës, e përkthyer në 23 gjuhë dhe e përhapur në 114 vende, është ndjekur më se 176 milionë herë në të gjitha rrjetet shoqërore të Vatikanit duke nisur që nga viti 2016. (radio vatikani)

Shpëndaje: