Papa Françesku: Gjyshërit, nuk janë pensionistë të brishtë, por njerëz me talente për t’u vlerësuar

Duhet të festojmë të gjitha talentet dhe karizmat e të moshuarve. Ati i Shenjtë e theksoi këtë mesazh gjatë audiencës së tij të përgjithshme të së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit, teksa vazhdoi serinë e tij të katekezave “mbi kuptimin dhe vlerën e pleqërisë në dritën e Fjalës së Zotit”. Ai reflektoi këtë javë për heroinën e Dhiatës së Vjetër, Juditën dhe të gjitha mësimet që mund të mësohen prej saj. Kur ishte e re, Judita kishte shpëtuar popullin e saj duke vrarë gjeneralin asirian Olofernin. Pas kësaj fitoreje ajo u kthye në shtëpi dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi me familjen.

 

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

 

Katekezë mbi pleqërinë – 9. Judita. Një rini e admirueshme, një pleqëri zemërgjerë.

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot do të flasim për Juditën, një heroinë biblike. Përfundimi i librit që mban emrin e saj – kemi dëgjuar një fragment – përmbledh pjesën e fundit të jetës së kësaj gruaje, e cila mbrojti Izraelin nga armiqtë e tij. Judita është një e re dhe vejushë e virtytshme judeje, e cila, falë besimit, bukurisë dhe dinakërisë së saj, shpëton qytetin e Betulias dhe popullin e Judës nga rrethimi i Olofernit, gjeneralit të Nabukodonozorit, mbretit të Asirisë; një armik prepotent dhe përçmues i Hyjit.  Kështu, me mënyrën e saj të zgjuar të veprimit, ajo është në gjendje t’ia presë fytin diktatorit që ishte kundër vendit. Kjo grua ishte guximtare, por kishte edhe fe.

Pas aventurës së madhe që e sheh atë si protagoniste, Judita kthehet të jetojë në qytetin e saj, Betulia, ku jeton një pleqëri të bukur deri në njëqind e pesë vjet. Për të kishte trokitur tashmë koha e pleqërisë, ashtu siç ndodh për shumë njerëz: ndonjëherë pas një jete intensive pune, pas një ekzistence aventureske ose një përkushtimi të madh. Heroizmi nuk është vetëm ai i ngjarjeve të mëdha që bien në qendër të vëmendjes, për shembull ai i Juditës që vrau diktatorin: por heroizmi shpeshherë gjendet në këmbënguljen e dashurisë së dikuar në një familje të vështirë dhe në favor të një komuniteti të kërcënuar.

Judita jetoi për më shumë se njëqind vjet, një bekim i veçantë. Por, sot, kjo gjë nuk është e rrallë, d.m.th. të kesh edhe shumë vite jetë si pensionist. Si ta interpretojmë, si ta shfrytëzojmë këtë kohë që kemi në dispozicion? Sot po dal në pension dhe do të jenë shumë vite, dhe çfarë mund të bëj, në këto vite, si mund të rritem – mosha rritet vetvetiu – por si mund të rritem në autoritet, në shenjtëri, në urti?

Për shumë njerëz, perspektiva e daljes në pension përkon me atë të një pushimi të merituar dhe të dëshiruar nga aktivitetet mjaft angazhuese dhe të lodhshme. Por ndodh që edhe fundi i punës të përbëjë një burim shqetësimi dhe të pritet me një farë tmerri: “Çfarë do të bëj tani që jeta ime do të zbrazet nga ajo që e ka mbushur për kaq shumë kohë?”: Kjo është çështja. Puna e përditshme nënkupton gjithashtu një tërësi marrëdhëniesh, kënaqësinë e të ardhurave për jetesë, përvojën e të paturit një rol, një konsideratë të merituar, një kohë të plotë që shkon përtej orarit të thjeshtë të punës.

Sigurisht, ekziston një angazhim, i gëzueshëm dhe i lodhshëm, ai për t’u kujdesur për nipërit dhe mbesat, dhe sot gjyshërit luajnë një rol shumë të madh në familje duke ndihmuar në rritjen e nipërve; por ne e dimë se sot lindin gjithnjë e më pak fëmijë, dhe prindërit janë shpeshherë më të shkëputur, më të përballur ndaj zhvendosjeve, me situata të pafavorshme pune dhe banimi. Ndonjëherë ata ngurrojnë edhe më shumë t’u besojnë gjyshërve të tyre hapësira edukuese, duke u lënë vetëm ato që lidhen ngushtësisht me nevojën për mbikëqyrje. Por dikush më tha, duke buzëqeshur paksa me ironi: “Sot gjyshërit, në këtë situatë social-ekonomike, janë bërë më të rëndësishëm, sepse kanë pension”. Ka nevoja të reja, edhe në fushën e marrëdhënieve edukative dhe prindërore, të cilat na kërkojnë të rimodelojmë aleancën tradicionale midis brezave.

Por, ne shtrojmë çështjen: a po e bëjmë këtë përpjekje “rimodelimi”? Apo thjesht na bie përsipër inercia e kushteve materiale dhe ekonomike? Bashkëjetesa e brezave, në fakt, po zgjatet. A po përpiqemi, të gjithë së bashku, që t’i bëjmë marrëdhëniet më njerëzore, më të dashura, më të drejta, në kushtet e reja të shoqërive moderne? Për gjyshërit, një pjesë e rëndësishme e thirrjes të tyre është të mbështesin bijtë e tyre në edukimin e fëmijëve. Të vegjlit mësojnë forcën e butësisë dhe respektin për brishtësinë: mësime të pazëvendësueshme, të cilat me gjyshërit janë më të lehta për t’u dhënë dhe për t’u marrë. Gjyshërit, nga ana e tyre, mësojnë se butësia dhe brishtësia nuk janë vetëm shenja rënieje: për të rinjtë, ato janë hapa që e bëjnë të ardhmen njerëzore.

Judita shpejt mbetet e ve dhe nuk ka fëmijë, por, si një grua e moshuar, është në gjendje të jetojë një stinë plotësie dhe qetësie, me vetëdijen se e ka jetuar deri në fund misionin që Zoti ia kishte besuar asaj. Për të është koha të lërë trashëgiminë e mirë të urtisë, butësisë, të dhuratave për familjen dhe komunitetin: një trashëgimi e të mirës dhe jo vetëm e të mirave. Kur mendojmë për trashëgiminë, ndonjëherë mendojmë për të mirat [materiale], dhe jo për të mirën që është bërë në pleqëri dhe që është mbjellë, ajo e mirë që është trashëgimia më e mirë që mund të lëmë pas.

Pikërisht në pleqëri, Judita “e la të lirë shërbëtoren e saj të preferuar”. Kjo është shenjë e një vështrimi të kujdesshëm dhe njerëzor kundrejt asaj që ka qëndruar pranë saj. Kjo shërbëtore e kishte shoqëruar në momentin e asaj aventure për të fituar mbi diktatorin dhe për t’ia prerë fytin. Kur je i moshuar, humbet pak shikimin, por vështrimi i brendshëm bëhet më depërtues: sheh me zemër. Bëhesh i aftë të shohësh gjëra që më parë s’i kapje. Të moshuarit dinë të shohin e dinë të vështrojnë… Është kështu: Zoti nuk ua beson talentet e veta vetëm të rinjve dhe të fortëve: ai ka për të gjithë, sipas masës së secilit, edhe për të moshuarit. Jeta e bashkësive tona duhet të jetë në gjendje të gëzojë talentet dhe karizmat e shumë të moshuarve, të cilët tashmë janë në pension për zyrën e gjendjes civile, por që janë një pasuri për t’u vlerësuar. Kjo kërkon, nga vetë të moshuarit, vëmendje krijuese, vëmendje të re, disponueshmëri zemërgjerë. Aftësitë e mëparshme të jetës aktive humbin pjesën e tyre detyruese dhe bëhen burime dhurimi: edukim, këshillim, ndërtim, përkujdesje, dëgjim… Mundësisht për më të pafavorizuarit, të cilët nuk mund ta përballojnë asnjë nxënie ose që janë braktisur në vetminë e tyre.

Judita e liroi shërbëtoren e saj dhe nuk harroi askënd. Si e re ajo kishte fituar vlerësimin e bashkësisë me guximin e saj. Si një grua e moshuar, ajo e meritoi atë për butësinë me të cilën stolisi lirinë dhe afektet e saj. Judita nuk është një pensioniste që jeton me melankoli boshllëkun e saj: ajo është një e moshuar e apasionuar që e mbush me dhurata kohën që Zoti i jep. Po ua lë porosi: merrni Biblën, ndër këto ditë, dhe lexoni Librin e Juditës: është i vogël, lexohet lehtë, janë 10 faqe, jo më shumë. Lexojeni këtë histori të një gruaje guximtare që përfundon kështu, me butësi, me zemërgjerësi, një grua në lartësinë e duhur. Dhe kështu do të doja që të ishin gjyshet tona. Të gjitha kështu: guximtare, të urta dhe që na lënë trashëgiminë, jo të parave, por trashëgiminë e urtisë, të mbjellë te nipërit e tyre. (kish.al)

Shpëndaje: