Imzot Dodë Gjergji, bën aktin e kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë në Shenjtëroren e Letnicës

Në ditëfestën liturgjike të Zojës Nunciatë, më 25 mars 2022, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Dioqezës sonë, ka kryesuar meshën e shenjtë në Shenjtëroren e Letnicës, gjatë së cilës ka bërë aktin e kushtimit të Ukrainës dhe Rusisë Zemrës së Papërlyer të Marisë, sipas kërkesës së Atit të Shenjtë Papa Françeskut. Në këtë akt të nderueshëm, Kisha jonë është bashkuar me Kishën Universale në lutje për paqen në këto vende të luftës.

I njëjti akt është bërë edhe nëpër kishat tjera të dioqezës sonë, të bashkuar meshtarë e me popullin e Zotit.

Ipeshkvi Doda në homelinë e tij në Shenjtërore, e tregoi njetin e këtij kremtimi dhe shtegtimi, që është ftesë e Papa Françeskut dhe bashkim me Kishën Universale për t’u lutur për paqe.

“Sot kam ardhur bashkë me ju në këtë Shenjtërore, që sipas njetit të Papa Françeskut, të lutemi për paqen në botë, për paqen në Ukrainë dhe Rusi, dhe që këta dy popuj në konflikt, t’ia kushtojmë Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekume” – filloi kështu ipeshkvi për të treguar shtegtimin e tij në shenjtëroren e dioqezës, së bashku me meshtarë, rregulltarë e rregulltare dhe me popullin e Zotit.

“Jemi në një kohë lufte, konflikti të pamëshirshëm. Po jetojmë në një kohë kur popujt organizohen pro apo kundër njëri-tjetrit. Kurse ne, si kishë, nuk kemi tjetër fuqi, përveç ngritjes së britmës sonë drejt Qiellit, që e keqja, dhuna, padrejtësitë, ndasitë, përçarjet, konfliktet, vrasjet e çdo vuajtje e njerëzve të mos fshehën, por të denoncohen para Zotit e njerëzve vullnetmirë.

“Për atë arsye – vazhdoi ipeshkvi – jemi këtu për ta lutur Nënë e Zotit, Zojën e Bekume, Nënën tonë të përbashkët, që të ndërmjetësojë te Biri i Saj, Jezu Krishti, për ta risjell paqen dhe dashurinë mes popujve. Vendi ynë që e ka përjetuar luftën, e njeh mirë dhimbjen e popullit që padrejtësisht përjeton shkatërrimin dhe vuajtjen, dhunën dhe fuqinë e të fortit”

Ipeshkvi përfundoi me ftesën drejtuar të gjithëve për t’u bashkuar në lutje, sepse – theksoi ai – jemi të bindur në fe, që Zoti mund të ndryshojë zemrat e njerëzve që e kanë shkaktuar luftën dhe të ngushëllojë zemrat e të vuajturve, posaçërisht fëmijëve dhe pleqve./drita.info

[masterslider id=”7″]

Shpëndaje: