Imzot Zef Gashi: Shën Nënë Tereza është dhurata me e çmuar e popullit dhe kishës sonë për njerëzimin

Homelia e plotë e Sh. T. Imzot Zef Gashit, argjipeshkëv i Tivarit në pension, në Festën e Shën Nënë Terezës, me rastin e 6-vjetorit të shpalljes shenjtreshë, 25-vjetorit të kalimit të saj në amshim dhe 5-vjetorit të shugurimit të Katedales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator 2022.

 

 

Fort të nderuar vëllezër në episkopat, është kënaqësi e veqantë  të kremtoj këtë meshë shenjte së bashku me ju. Përzëmersisht Ju përshendës.

Të dashur  vëllezër meshtarë, të nderuara motra të nderit, të dashur vëllezër e motra besimtarë,

pjesëmarrës në këtë kremtim euharistik.

Në mënyrë të veqantë përshëndes përfaqësuesit fetarë të pranishëm në këtë ceremoni, si edhe autoritetet e vendit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, civil e ushtarak.

Vëllazërisht përshëndes ipeshkvin tuaj, Sh. T. Imzot Dodë Gergjin, bariun dhe prijësin e kësaj Kishe, dhe njëkohësisht e falënderoj për ftesën që ta udhëheqi këtë kremtim të festës së gëzueshme të Shenjtëreshës sonë  Shën Nënë Tereza.

Fort të dashur të pranishëm,

sot me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Nënë Terezës  shenjtreshë, me rastin e 25-vjejtorit të kalimit të saj në amshim, dhe me 5-vjetorin e shugurimit të kësaj Katedraleje, më lejoni t’ju përkujtoj se e gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës ishte dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe dinjitetit të çdo njeriut, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri dhe dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, burimin dhe themelin e të gjitha të mirave hyjnore. Për ne si shqiptarë, e posaqe si të krishtrë, sot në kuadër të këtryre tri datave të rëndësishme, konstatojmë se figura-portreti shpirtëror i Nënës sonë Tereze shkëlqen me rrezatime ngrohtësie e admirimi.

Nënë Tereza, fatbardhësisht, në botën e sotme është bërë simbol i dashurisë së Zotit. Përmes saj, Zoti u ka folur zemrëve të të gjithëve për dashurinë e tij të thellë, për etjen e dashurisë ndaj njerëzimit, për dëshirën e zjarrtë që të duhet edhe Ai nga të gjithë njerëzit e botës. Dashuria e pakufishme për të varfërit e botës, në fytyrat e të cilëve e shikonte Jezusin e vuajtur, e ngriti Nënën Tereze në lartësi të paimagjinueshme në rrugët e hirit  e në kujtesën univerzale të historisë  së njerëzimit. Në të vërtetë, Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfërit ndër më të varfërve – njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë së saj të  jashtzakonshme për të mjerët, ishte dhe mbetet dhuratë e veçantë për Kishën dhe  botën.

I ndjeri Bujar Nishani, ish kryetari i Shqipërisë, për shën Nënë Terezën, shprehej kështu: “Me veprën e saj të pavdekshme, me vullnetin e saj të pafund, me dashurinë e saj të pakufishme, Shën Nënë Tereza është një gjeniale universale sa shqiptare dhe botërore, sa tokësore dhe qiellore. Ajo është drita e qiriut që rrëfen rrugën udhëtarit të vetmuar nëpër natë, fjala që ngushëllon fukarain, këshilla që sensibilizon pasanikun, durimi që  zbut të pandjeshmin, arsyeja që  largon urrejtjen dhe afron dashurinë. Nënë Tereza është një fenomen unikal i atij lloji aq të lartë  dhe i atyre përmasave aq të mëdha sa nuk mund të matet apo krahasohet, por vetëm pranohet dhe respektohet. Nënë Tereza është dhurata më e vyer që Kombi ynë Shqipërisë ia fali njerëzimit”.

Nënë Tereza e ka përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve më tepër se gjithkush tjetër. Në të gjjitha nivelet e në të gjitha pikëpamjet. Me efekte maksimale. Në stilin më të lartë. Në mënyrën më sublime.

Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë se Zotit për njeriun, sidomos për me të varfërin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe  dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisië e të harresës nga bota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit tonë të Gjithpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi  Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për me të varfërit, duke merituar në vitin 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Kudo shkoi, ajo u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjoni Pali II e quajti “dhuratë e Zotit për Kishën e për botën”, për të ju kujtuar kështu të gjithëve se dashuria  ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçerisht kur gjen shprehjen e vetë në shërbimin që i bëhet me të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshem i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar.

Në homelinë e meshës së shenjtërimit Papa Françesku pati thënë: “Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur  dhe e  frytshme, sa vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza”, dhe vazhdoi: “Gjatë gjithë jetës së saj, Nënë Tereza qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, mikëpritëse e mbrojtëse e jetës njerëzore, jetës së braktisur e të përbuzur. U përkul mbi njerëzit e lodhur e të këputur nga jeta, që vdisnin buzë rrugëve, duke ua njohur dinjitetin,që ua kishte dhuruar vetë Zoti”.

Në meshën solemne të  shugurimit të kësaj Shenjtëroreje të Nënë Terezës më 5 shtator 2017, një vjet pas shpalljes shenjtëreshë, Delegati i Papës, kardinali shqiptar Ernest Troshani, u shpreh: “Nënë Tereza, një grua e përvutjë, e vogël, e thjeshtë prej rrënjeve tona është shndritur prej Shpirtit Shenjt, e mbushur me dashurinë e madhe të Krishtit, u bë shembull e pasqyrë tërheqëse e miliona e miliona njerëzve në botë me humanizmin  e vet. Në të njëjtën ditë, në fund të meshës, presidenti i atëhershëm i Kosovës, në fjalën e vet  përshendetëse pati deklaruar se “kjo katedralë është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.” Ai uroi që “kjo katedralë për sot e përjetë të qëndroi si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, të ju përkujtojë fëmijve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Nënë Tereza.”

Në këtë kontekst të këtij festimi-manifestimi dhe të gjitha përjetimeve të bukura e shpresëdhenëse për Kishën dhe popullin tonë në rrethanat dhe mundësitë e reja që na i ka përgatit dhe dhurua Provania dhe mirësia e të Madhit Zot, më lejoni ta bëjë një retrospektiv shumë të shkurtër të së kaluarës gjysëmshekullore të historisë dhe zhvillimit të kryeqytetit tonë Prishtinës dhe rëndësisë së saj në dë gjitha pikpamjet.

Kur para 52 viteve (1970 kamë ardhur si  famullitar i Famullisë së Shën Ndout në Prishtinë, ku kam qëndruar për 22 vite), Prishtina kishte një pamje krejtësisht tjetër në krahasim me atë që ka sot. Pa dashur të bëja një analizë më të gjërë të këtyre ndryshimeve, më shumë kënaqësi do të doja ta theksoja  faktin që në këtë periudhë kohore gjysëmshekullore, Prishtina u bë qytet-kryeqytet me rëndësi kulturore, fetare, arsimore e administrative. Pa kurrëfarë ngurrimi lirisht mund të thuhet se Prishtina është edhe qyteti i Pjetër Bogdanit dhe Nënë Terezës. Për të dyja këto realitete kontribut  të pazavendësueshëm ka pas dhënë i madhi Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i parë i Republikës së Kosovës, si njohës i mirë i jetës dhe veprës së Pjetër Bogdanit dhe, nga ana  tjetër, si ai që përkrahi ngritjen e katedrales së Nënë Terezes pikërisht aty ku është sot. Në këtë hark kohor 50 vjeçar Prishtina ka përjetuar një Renesansë të vërtetë. Vet jam dëshmitar okular i këtyre përparimeve. Në start të kësaj periudhe  hov të madh Prishtinës i dha hapja e disa shkollave të mesme e profesionale e sidomos themelimi i Univerzitetit të Prishtinës viteve të shtatëdhjeta. Ato ditë shikoja rrugët e qytetit ishin përditë e më plotë me fëmijë e rini. Sidomos në mengjes kur fëmijtë dhe të rinjët shkonin në shkollë e të rritur në punë vërehej një gjallëri e vërtet në qytet. Ashtuqë një mysafir i imi i ardhur nga jashtë më pyeti: Don Zef, ku hanë bukë more gjithë këta njerëz? Viti 1974 ishte viti i Kushtetutes së re me të cilën Kososva nisi një rrugëtim fatlum drejt Pavarësisë që pas tri dekadave u bë realitet. Këtij rrugëtimi  ju bashkangjit  levizja  e guximshme e të rinjve me  Demonstratat studentore të vitit 1981 nga qendra e studentëve. Në arën ndërkombëtare viti 1989 ishte vit i rënies së murit të Berlinit të cilit i kontribuoi levizja Solidarnot në Poloni në krye me Leh Valensen, i përkrahur fuqimisht nga bashkvendasi i tij Papa Gjon Pali  II. Po në të njëjtin vit për popullin tonë shqiptar dhe kishën tonë ishin disa gjera tjera shumë të rëndësishme. Në atë vit Nënë Tereza hyri  në Shqipëri, u hapën objektet fetare atje. Ndërsa këtu në Kosovë, më konkretisht në Prishtinë, u përkujtua 300-vjetori i vdekjes së të madhit  argjipeshkvit dhe shkrimtarit Pjeter Bogdanit me një meshë për shpirtin e tij të kremtuar nga Imzot Nikë Prela, pastaj me një  program solemn në kishën e famullisë dhe me zbulimin e bustit të Pjetër Bogdanit në oborrin e kishës që e bëri kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, shkrimtar Dr.Ibrahim Rugova. Mos të harroj ta përmendi edhe  një rrethanë të bukur që  me 15 gusht, kur hyri Nënë Tereza në Shipëri, në famullinë e Zymit ishte shugurimi i dy meshtarëve: Tashmë i ndjeri  Imzot Lucjan Avgustini dhe ipeshkvi Juaj, Imzot Dodë  Gjergji, të cilit kamë pas nder t’ju predikoj në meshën e parë në Ferizaj.

Në vit më vonë, në vitin 1990, këtu në Prishtinë u themelua shoqata humanitare “Nënë Tereza”. Besoj se ishte ky një gjest evident i Provanisë së Zotit në favor të popullatës së Kosovës, që në atë kohë përjetonte ditë të vështira dhe dramatike për shkak të dëbimit nga puna, mbylljes së shkollave dhe enteve shëndetësore. Me të gjitha vëshirësitë dhe mosmarrveshjet rreth çështjes së emrit të Shoqatës, qysh atëherë  si  antar  i grupit themelues, në saje të rolit të famullitarit të Prishtinës, kam pas mendue se kjo do të jetë vepër e Provanisë së Zotit, që një ditë do të kurorëzohet me ngritjen e një shenjtore-katedrale kushstuar Shenjtreshës sonë e humanistes botërore, pikërisht këtu ku edhe po ndodhim ne sot. Po atë vit  lind lëvizja me emërtim: Pajtimi i gjaqeve në krye me “Plakun e Kosovës” Prof.Anton Çettën, Don Lush Gjergjin, Dr.Zekeria Canen etj. Ishte ky një hapë tjetër fatlum drejt një të ardhme të dëshiruar që pritej të ndodhë për brezat e rinj çka edhe ndodhi, por pas një lufte të përëgjakshme të fund shekullit 20.

Të gjitha këto ndodhi me peshë historike ishin dhuratë e madhe e hirit të Zotit që është derdhur në vendin dhe popullin tonë. Ato duhet çmuar e përqafuar me dashuri për të vazhduar me përkushtim këtë vijë të drejtë sot e në të ardhmen!

Në përfundim, duke ju uruar me gjithë zemër të gjithëve festën e Shenjtëreshës sonë, i lutem Zotit të mëshirshëm për bekimin e tij që të zbres mbi të gjithë ju dhe familjet tuaja. Po ashtu në emër tuajin i drejtohem Nënës sonë shën Tereze për ndermjetësimin e saj  për banorët  e Prishtinës, Kosovës dhe  mbarë njerëzimin. Amen./drita.info

Shpëndaje: