Më 5 shtator 2022, në orën 11:00 Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë ka kremtuar solmenisht pajtoren e saj, shenjtëreshën shqiptare Shën Nënë Terezën, që sivjet përkujton disa përvjetore të rëndësishme: 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, 6-vjetorin e shenjtërimit dhe 4-vjetorin e shugurimit të Katedrales.
Me procesion solemn filloi kremtimi i ditëfestës liturgjike të Shën Nënë Terezës në Katedralen e Prishtinës, kushtuar asaj. I ftuar i posaçëm për kremtimin e festës, ishte Sh. T. Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, i cili e kryesoi meshën. Kurse në fillim të meshës ipeshkvi i vendit, bariu i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, përshëndeti të pranshmit (argj)ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë e miqë, për pjesëmarrjen në këtë meshë solemne, në mënyrë të veçantë vëllezërit në episkopat: Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit. Kurse kryecelebrantin e meshës e presentoi si ish delegatin e posaçëm të Selisë së Shenjtë, që ishte dërguar në vitin 2010 në kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës në këtë Katedrale. Edhe sivjet, në 25-vjetorin e kalimit të Nënë Terezës në amshim (2010), në 6-vjetorin e shenjtërirmit (2016) dhe në 4-vjetorin e shugurimit të Katedrale (2017), u ftua për t’i prirë meshës solemne.
Sh. T. Imzot Zef Gashit në homelinë e tij u përqëndrua në personin e shenjtës shqiptare Shën Nënë Terezës duke e cilësuar jetën dhe veprën e saj si “dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe dinjitetit të çdo njeriut, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri dhe dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, burimin dhe themelin e të gjitha të mirave hyjnore. Për ne si shqiptarë, – thekësoi argjipeshkvi – e posaqe si të krishtrë, sot në kuadër të këtryre tri datave të rëndësishme, konstatojmë se figura-portreti shpirtëror i Nënës sonë Tereze shkëlqen me rrezatime ngrohtësie e admirimi. Ajo fatbardhësisht, në botën e sotme është bërë simbol i dashurisë së Zotit. Përmes saj, Zoti u ka folur zemrëve të të gjithëve për dashurinë e tij të thellë, për etjen e dashurisë ndaj njerëzimit, për dëshirën e zjarrtë që të duhet edhe Ai nga të gjithë njerëzit e botës. Dashuria e pakufishme për të varfërit e botës, në fytyrat e të cilëve e shikonte Jezusin e vuajtur, e ngriti Nënën Tereze në lartësi të paimagjinueshme në rrugët e hirit e në kujtesën univerzale të historisë së njerëzimit. Në të vërtetë, Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfërit ndër më të varfër – njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë së saj të jashtëzakonshme për të mjerët, ishte dhe mbetet dhuratë e veçantë për Kishën dhe botën.” – tha ndër të tjera kryecelebranti i meshës solemne, Imzot Zef Gashi. Homelinë e plotë të tij mund ta lexoni në këtë lidhëse: http://www.drita.info/kisha/kisha-ne-kosove/imzot-zef-gashi-shen-nene-tereza-eshte-dhurata-me-e-cmuar-e-popullit-dhe-kishes-sone-per-njerezimin/
Në mbarim të meshës, (argj)ipeshkvinjt dhe meshtarët u drejtuan te Altari i Reliktit të Gjakut të Nënë Terezës për t’u lutur e për të falënderuar Zotin për praninë e saj përmes kësaj dhurate të madhe që e ka Katedralja.
Pas meshe, në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet nën Katedrale, besimtarët u ftuan në hapjen e ekspozitës me fotografi ekskluzive të Shën Nënë Terezës “E kam në zemër popullim tem Shqiptar”, të përzgjedhura nga arkivi i Don Lush Gjergjit dhe Imzot Zef Gashit, e të përgatitura nga Sh. B. “Drita” dhe Instituti i Trashëgimis Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptareve – Shkup (ITSHKSH). Festa mbario me një koktej rasti për të gjithë të pranishmit për të bashkëndarë këtë ditëfestë liturgjike të Kishës sonë në Kosovë./drita.info
[masterslider id=”17″]