Në festën e Kryeengjëve, më dt. 29 shtator 2022, u bë bekimi i kishës në Deiç, e cila është filial i Famullisë së Klinës. Në bashkëmeshim me meshtarë, meshën e udhëhoqi ipeshkvi ynë Mons. Dodë Gjergji. Ceremonia filloi me bekimin e ujit në hyrje të kishës si dhe lutjeve të caktuara për bekim të kishës. Pas spërkatjes me ujë të bekuar të besimtarëve dhe mureve të kishës, solemnisht u këndua “Lavdia”, duke i paraprirë shërbesës së Fjalës.
Pretkun e rastit, ipeshkvi e filloi duke përshëndetur të pranishmit, pastaj, ndër tjera foli mbi rëndësinë e “Kishës – Bashkësi, duke thënë se aty ku bashkohemi për të kremtuar sakramentet, atë vend e quajmë kishë. Kur e ndërtojmë një objekt, në atë vend ku bashkohemi për të adhuruar Hyjin tonë, atëherë edhe atë ndërtesë e quajmë kishë. Duke u angazhuar për të mirën e të afërmit tonë, ne bëhemi engjëj për njëri-tjetrin. Ceremonia vazhdoi me lutjet përkatëse të bekimit të altarit.
Në mbarim të meshës, famullitari Don Agimi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ditë feste, si ipeshkvin, meshtarët, pastaj kryetarin e Komunës, Z. Zenun Elezin, nënkryetaren, Marqe Tanushi – Selmanaj dhe bashkëpunëtorët tjerë, si dhe të gjithë të pranishmit.
Në fjalën e rastit, Don Agimi theksoi se: “Siç e dini, kjo kishë u ndërtua në vitin 2016, kur në Klinë famullitar ishte Don Lenc Sopi. Ai me bashkëpunëtorë, qoftë të famullisë, si dhe të tjerë, kryetarin e atëhershëm të Klinës dhe përgjegjës në nivele të ndryshme komunale, janë angazhuar shumë që ky vend i qëlluar të caktohet për ndërtimin e kësaj kishe. Zoti jua shpërbleftë atyre dhe donatorëve që kontribuuan në ndërtimin e saj. Tani, në Deiç e kemi një kishë solide për të zhvilluar e zgjeruar jetën pastorale. Duke e ditur rëndësinë e këtij vendi dhe të kësaj kishe, pasi që këtu gravitojnë sidomos Përlina, Deiçi dhe Polcja, që nga fillimi e kemi vlerësuar se ky objekt duhet të rregullohet sa më shpejt për ceremonitë fetare, pasi që sidomos do të jetë në shërbim të të moshuarve të kësaj zone, të rinjve dhe fëmijëve, qoftë për aktivitete me të rinjtë, qoftë për mësim feje për fëmijët. Krejt çka shihni në këtë kishë, truporet e shenjtërve, mbajtëset e bukura prej guri, altarin, ambonin, ulëset, mjetet e zërimit, këmbana elektronike që presim të vijë këto ditë, janë dhurata që i kanë bërë besimtarët tanë. Një falënderim të përzemërt të gjitha familjeve që kontribuuan për koktejin pas meshe. Me ndërmjetësinë e Shën Mihillit, Zoti ju shpërbleftë të gjithëve.
Me një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe Don Lenc Sopi dhe Kryetari i Komunës, Z. Zenun Elezi, të cilët i uruan besimtarët që të vazhdojnë ta kultivojnë jetën shpirtërore në këtë tempull të ri fetar.
Më pas, u be edhe bekimi i kryqit të bukur prej druri, i vendosur në oborrin e kishës, dhuratë kjo e familjes së Pren Palush Dedajt. Festa vazhdoi në oborrin e kishës gjatë koktejit të begatë të përgatitur nga vet besimtarët./drita.info
Teksti dhe fotografia: Famullia e Klinës