Shugurimi i Kishës së Shën Ndout në Binçë

Të enjten, më 4 gusht 2022, në fshatin Binçë, u kremtuar solemnisht Mesha e Shugurimit të kishës së Shën Ndout. Në këtë ngjarje morën pjesë besimtarë të Famullisë së Binçës, Stubllës, Letnicës, Ferizajit edhe disa besimtarë nga famullitë tjera si: Klina, Zllakuqani, Novosella, Gjakova, Llapushniku etj.

Meshën solemne e udhëhoqi ipeshkvi i Dioqezës sonë Sh.T. Imzot Dodë Gjegji, në bashkëkremtim të pranishëm ishin Sh.T. Imzot Zef Gashi, argjipeshkvi i Tivarit në pension, dhe meshtarë tjerë të dioqezës sonë.

Binça është vendi i historisë, i kulturës dhe të traditës, është vendi i Karadakut të martirëve të kombit dhe të fesë. Ne jemi bashkuar në ambientin të bukur të kishës sonë për të shuguruar altarin e ri dhe njëherit për t’iu dëshiruar mërgimtarëve tanë mirëseardhje në vendlindjen e tyre të dashur dhe për të ndarë me ne këtë gëzim. Me këtë rast organizatori i këtij eventi solemn, Don Meriton Dedaj, famullitar, kishte paraparë dy kumtesa dhe një program modest artistik.

Ashtu siç e donë tradita në fillim të kësaj ngjarje të madhe për kishën tonë, fjalën përshëndetëse e kishte i zoti i shtëpisë Sh. T. Imzot Dodë Gjergji. Ipeshkvi shprehi gëzimin e tij për këtë event, duke ritheksuar se historia e kishës së Binçës është e mbushur dhe e pasur me ngjarje të mëdha, duke kujtuar gjakun e martirëve të Karadakut e duke i nxitur njerëzit të marrin si shembull martirët e të sakrifikojnë për kishën dhe për fenë.

Pastaj për një fjalë përshëndetëse e mori fjalën famullitari i Binçës Don Meriton Dedaj. Famullitari bëri një përshëndetje për të gjithë të pranishmit, ndër të tjera theksoj: “Famullia e Binçës është një familje e madhe, me zemër të madhe e cila të gjithëve ju pranon me krah hapur. Prandaj, mirë se keni ardhur të gjithë. Po e bëjë një historik shumë të shkurtër të Famullisë dhe të kishës së Binçës: Famullia e Binçës është themeluar në vitin 1946. Mbrojtësi apo pajtori i saj është Shën Antoni i Padovës. Ndërtimin e kishës famullitare të Shën Antonit të Padovës e filloi Don Luka Cirimotiq, e vazhdoi Don Vjekoslav Ivanoviq, ndërsa e përfundoi Don Nikollë Duçkiq. Kisha u bekua dhe u hap për shërbesa liturgjike në vitin 1972.

Famullitarët që kanë shërbyer në këtë Famulli, që nga themelimi i saj janë: Don Dedë Ramaj, Don Luka Cirimotiq,  Don Vjekoslav Ivanoviq, Don Nikolla Duçkiq, Don Pjetër Berisha, Don Ndue Gjergji, Don Lush Gjergji, Don Albert Demaj, Don Aleksandër Kola, Don Kastriot Idrizi, dhe unë i tanishmi Don Meriton Dedaj. Famullia e Binçës i ka dy filiale, kishën e Shën Nikollës në Kabash dhe kishën e Zemrës Krishtit në Viti”.

I pranishëm ishte edhe i pari i Komunës së Vitisë, zotëri Sokol Halitin. Ai tha se Binça e ka dhënë gjithmonë kontributin e saj në atdhedashuri, duke kujtuar kontributin e meshtarëve dhe motrave ndër vite e sidomos periudha e viteve të 90-ta, në kohën e helmimeve.

Pas përshëndetjeve të tyre ishte kumtesa e parë nga prof.dr. Blerim Latifi, me titull: “Kontributi i Kishës Katolike në ruajtjen e identitetit Kombëtar”, të cilën mund ta lexoni të plotë në këtë link: http://www.drita.info/opinion/kontributi-i-kishes-katolike-ne-ruajtjen-e-identitetit-kombetar/.

Pastaj, ishte kumtesa e dytë nga Don Mikel Sopi me temën: “Historiku i Famullisë së Binçës”, të cilën, po ashtu, mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/opinion/kontributi-i-kishes-katolike-ne-ruajtjen-e-identitetit-kombetar/.

Në pjesën e dytë, është mbajtur një program i shkurtër artistik, të cilin e kanë hapur të rinjtë e Binçës me dramën “ Famullitari i Arsit”.

Këtë ngjarje e pasuroj edhe këngëtarja e njohur e këngës së bukur shqipe zonja Edmonda Bushi, e cila na argëtojë me zërin e saj të bukur.

Një poezi e ka recituar edhe djaloshi i vogël Robin Stublla. Pastaj, të rinjtë e famullisë së Binçës janë prezentuar me një valle.

Ky program kulturor dhe artistik është përmbyllur me një koktei rasti dhe me shërbime të mira tradicionale.

(shkrimi është përgatitur nga Famullia e Binçës)

[masterslider id=”15″]

Shpëndaje: