Në atmosferën e gëzimit të festës së Pashkëve, famullia e Stubllës ka kremtuar soleminsht festën e Shën Gjergjit martir, pajtorin e kishës së vjetër, në të cilën objekt është edhe Shkolla e Parë Shqipe Legale në Kosovë, tani e shpallur edhe muze.
Mesha solemne u kremtua në orën 11:00, në altarin e oborrit të kishës së vjetër, në prani të një numri të mirë të besimtarëve, jo vetëm nga Stublla, por edhe nga famullitë përreth. Meshën e kryesoi Don Marjan Ukaj, bir i famullisë së Stubllës, që momentalisht shërben si famullitar në Pjetërshan, bashkë me famullitarin e Stubllës Don Jeton Thaqin, famullitarin e Binçës Don Meriton Dedaj dhe Don Leonardon, rektorin e seminarit në Shkodër.
Në pretkun e rastit Don Marjan Ukaj u fokusua në figurën e Shën Gjergjit, në vendosmërinë e tij dhe dashurinë për Jezusin, si dhe në martirizimin e tij për ta dëshmuar Jezusin Zot, ashtu siç kanë bërë edhe martirët e Stubllës, paraardhësit tanë, ishin fjalët krahasuese të Don Marjani. Shenjti i dashur i kësaj bashkësie nderohet me shumë devocion, pasi në figurën e tij e shohin fuqinë e Hyjit që vjen e bëhet e pranishme në momente të vështira të jetës kur duhet të dëshmohet feja. Besimtarët e Stubllës janë bijë e bija të martirëve dhe e çmojnë shumë sakrificën dhe e shenjtërve, duke e ndjerë në qenien e tyre këtë dinamikë krishterore të besimit.
Festa e Shën Gjergjit është një nga tri festat e famullisë së Stubllës, pas asaj të Shën Jozefit dhe të Zojës së Lurdit. Shën Gjergji, lutu për ne.
Për Dritën: Anton Gjergji Koliqi