Takimi i Rinisë Dioqezane në Prishtinë 2022

Siç është bërë traditë tashmë, takimi i Rinisë Dioqezane në Kishën tonë, mbahet në të shtunën para të Dielës së Larit.

Takimi i sivjetëm u nda në dy pjesë, në atë të paradites që iu kushtua adhurimit dhe meshës, dhe ai i pasdites me programin e përgatitur nga baritorja rinore dioqezane.

Pjesa e parë: Adhurimin e kryesoi përgjegjësi i baritores rinore në Dioqezë, Don Afred Sokoli, i animuar nga të rinjtë e famullisë dhe kori i studentëve, i cili zgjatë 45 min.

Meshën e shenjtë në orën 11:00 e kryesoi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët.

Në homelinë e tij, ipeshkvi i quajti të rinjtë shpresa dhe e ardhmja më e bukur e Kishës dhe e shoqërisë sonë. Duke komentuar leximet e përzgjedhura enkas për këtë ditë, ipeshkvi i ftoi të rinjtë të përgjigjen thirrjes së Zotit për të shkuar pas tij, për të shpallur dhe dëshmuar vlerat ungjillore, e t’i ikin varësisë nga pasuritë e botës që i largojnë nga Zoti. Dy figurat biblike, përgjigja e Samuelit nga Besëlidhja e Vjetër, dhe i riu pasanik nga Besëlidhja e Re, ishin shembuj konkret të reflektimit dhe të (mos)përgjigjes së zërit të Zotit.

Sot kërkohet – shtoi ipeshkvi – që të jemi të guximshëm për t’i thënë po Zotit, sepse vetëm kjo jep gëzim dhe të ardhme të lumtur që ju e kërkoni në jetën tuaj. Asnjë gjë jashtë Zotit, nuk arrin ta mbush zemrën juaj.

Në fund të meshës, u bë bekimi i rremave të ullirit nga ipeshkvi dhe ju dorëzua secilit përfaqësues të famullisë, që ta bartë si shenjë e procesionit kremtor të shtegtimit të tyre për t’i dhënë lavdi dhe dëshmi Shpëtimtarit.

Pjesa e dytë: Pas Meshës, të rinjtë zbritën në Qendrën “BogdaniPolis” për drekën e përbashkët dhe shoqërimin. Kurse pas drekës dhe pushimit të shkurtër, vazhdoi pjesa e dytë në sallën e madhe të Qendrës “BogdaniPolis”. Tema e këtij takimi rinor dioqezan ishte “Pjesëmarrje, Bashkim dhe Mision” në kuadër të ecjes sinodale.

Kishte një ligjëratë të shkurtër, e përbërë nga njoftime në lidhje me ecurinë dhe mbarëvajtjen e Sinodit, të cilën e mbajti Don Pal Tunaj. Pastaj u bën dëshmi të ecjes sinodale nga të rinjtë e famullive (Novosella dhe Binça), dhe këngë nga kori i studentëve.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji bashkëbisedojë me të rinjtë, përkatësisht u përgjigj në pyetjet e të rinjve, që ishin kërkesa pastorale në kuadër të ecjes sinodale. Kurse Don Marjan Topalli, mbajti një ligjëratë mbi rënien e përgjegjësisë së njeriut – si një krizë e ditëve tona./drita.info

Fotografitë: Leonard Gjokaj

[masterslider id=”9″]

Shpëndaje: