Udha e Kryqit në Stubëll në Kohë të Kreshmës

Stubëll, e shtunë, 02.04.2022: Tashmë është bërë traditë e bukur, që gjatë Kreshmeve, në Stubëll të organizohet Udha e Kryqit në kodrën e Stubllavaqes, në majë të së cilës është Kryqi, si dëshmi e Martirëve të Karadakut, dhe ku ka filluar të ndërtohet edhe kapela kushtuar Martirëve. Sivjet morën pjesë përveç famullive për rreth Stubllës edhe besimtarët nga famullia e Prizrenit, Klinës, Budisalcit, Novosellës, Pjetroshanit, Peshterit, Doblibarës, dhe shumë të tjerë me makina private nga tërë Kosova.

Sipas programit që është përgatitur nga famullitari i Stubllës, Don Jeton Thaqi, kjo ditë e bukur filloi me meshën shenjte në kishën famullitare kushtuar Shën Jozefit, të cilën e udhëhoqi Don Albert Demaj, në bashkëmeshim me meshtarët shtegtarë. Në predikim ndër të tjera, theksoi:

 “Jemi në Stubëll për të përkujtuar orët e fundit të Krishtit mbi tokë dhe rrugën e Tij të fundit në tokë, që ne e quajmë Udha e Kryqit. Dhe sa herë vijmë këtu, ne duhet të përkujtojmë Kalvarin që përjetuan banorët e këtij fshati dhe të fshatrave për rreth. Faji i tyre i vetëm ishte pse donin të jetonin si shqiptar dhe katolik. Kalvarin e tyre të ndodhur në v 1846 nga turqit, në mënyrë të mrekullueshme e përshkruan ipeshkvi ynë në trilogjinë e tij rrëfimore “Kthimi”.

Udha e Kryqit është një përshpirtëri shumë e dashur për popullin tonë. Këtë e dëshmon edhe prania juaj e madhe sot. Por historikisht për këtë përshpirtëri duhet të falënderojmë Shën Françeskun e Asizit, i cili, ashtu siç i pari e punoi Betlehemin duke dashur figurativisht të përshkruaj lindjen e Krishtit, e bëri edhe Udhën e Kryqit. Megjithatë Udhën e Kryqit me 14 pushime e hasim për herë të parë në Spanjë në shek. XVII.

Dhe tani më të drejtë ju është shtuar edhe shenja e XV-të sepse, Krishti, njeriu më i jashtëzakonshëm që ka jetuar në botë, nuk kishte shërbëtorë, por e quanin Zotëri, nuk kishte diplomë por e quanin Mësues, nuk jepte ilaçe por shëronte më mirë se çdo mjek, nuk kishte ushtri, por i frikoheshin mbretërit, nuk bëri asnjë betejë, por e pushtoi botën, nuk bëri kurrë keq, por e vranë, e kryqëzuan, e varrosën, por Ai jeton. Prandaj shenja e 15 është ajo e ringjalljes së Krishtit.

Çka përjetoi Krishti në Udhën e Kryqit? Puthjen e ftoftë dhe tradhtare të Judës. Gjykimin e padrejtë të Pilatit; përbuzjen e popullit të Jerusalemit, mohimin e trefishtë të nxënësit tjetër Pjetrit; shikimin e ëmbël të Nënës së vet, solidaritetin e Simon Cirineut, guximin dhe dashurinë e Veronikës, ngushëllimin e grave të përshpirtshme të Jerusalemit, besnikërinë e nxënësit të dashur Gjonit, dëshminë e Centurionit, pendimin e cubit nga ana e djathtë e kryqit të tij.

Çka na mëson Krishti nga Kryqi? Duhet të dimë të flijohemi për ideale, për Zotin dhe familjen. Mbi të gjitha na mëson të dimë të falim. Ai jo vetëm që na fal, por edhe na arsyeton: Fali, o Atë se nuk dinë ç’bëjnë. A i fal ti armiqtë e tu?

Pas meshës, vazhdoi me Udhën e Kryqit. Kryqin dhe shenjat i lexuan të rinjtë të ardhur nga famullitë e ndryshme të Kosovës. Pjesëmarrja e besimtarëve ishte shumë e madhe. Edhe pse koha, jo e mirë, shi dhe erë, besimtarët nuk ankoheshin, por me dashuri e përkushtim përjetonin  Udhën e Kalvarit të Shëlbuesit tonë, e me plotë gëzim bashkoheshin në këtë mënyrë vuajtjeve të Krishtit. Ishte një ditë e mbushur me përshpirtëri kreshmore e besimtarëve të dioqezës sonë, që duan me zemër të përgatitën për festën e madhe të Pashkëve!/drita.info

[masterslider id=”8″]

Shpëndaje: