Motrat Engjëllore të Shën Palit në Prizren, me moton “Ne edukojmë vetveten duke edukuar të tjerët… ku angazhimi ynë është ta bëjmë shkollën një familje autentike, që jeton vlerat më të larta njerëzore…” kanë kremtuar 20-vjetorin e hapjes së kopshtit të fëmijëve “Nëna Kabrini”, me një program të pasur artistik para një audiencë të madhe të përbërë nga personalitete kishtare e civile.
Në kremtimin e festës së 20 vjetorit të hapjes së kopshtit të fëmijëve “Nëna Kabrini”, të Motrave Engjëllore, ishin të pranishëm mysafir të ndryshëm, si fëmijë, ishe fëmijë, prindër e ish prindër, personel dhe ish personel, etj. Por në festë nuk munguan as mysafir dhe personalitete të ndryshëm si: Shkëlqesia e tij, Mons. Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, Shkëlqesia e tij, Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension,Vikarin gjeneral, Dr. Don Shan Zefi, Gjenerali i Bazës së KFORIT në Pejë, Colonnello Marco Javarone, me bashkëpunëtor, Bashkësia e Motrave Engjëllore të Shën Palit në Prizren, në krye me Motër Jana Topalli, Eprore e bashkësisë, Bashkësia e Motrave Engjëllore nga Shkodra, Eterit Barnabit nga Miloti, Meshtarë dhe Motra të Nderit. Nuk mungojë prania e disa anëtareve të kuvendit komunal.
Sot më shumë së kurrë, ne Motrat Engjëllore të Shën Palit, i jemi mirënjohëse dhe falënderuese Zotit për dhuratën e çmuar që na ka dhënë në këto 20 vite të fundit, ku 20 breza të fëmijëve kaluan nëpër duar të Motrave dhe edukatorëve duke pranuar edukim më shumë dashuri dhe butësi. Kjo edukatë e përcjell tek fëmijët, sot, reflektohet në fytyrat dhe sukseset e tyre, ku më shumë mall dhe nostalgji kujtojnë ditët e kaluara brenda mureve të shtëpisë së tyre të dytë, që është kopshti.
Hapja e këtij Institucioni edukativo arsimor, ishte ëndërr e shumë dëshiruar nga Motrat Engjëllore, ku për qëllimi kishin investimin e edukimit dhe të krijimit të personalitetit të gjeneratave të reja.
Falë Caritasit Italian, Sicilian dhe Motrave Nëna Kabrini, më 26 prill të vitit 2002, kopshti i fëmijëve “Nëna Kabrini”, kopsht privat dhe pronë e Administratës Apostolike të Prizrenit, por dëshirë dhe kërkesë e Motrave Engjëllore të Shën Palit, filloi të frymojë në të mirë të fëmijëve dhe familjeve të qytetit tonë.
Motrat në realizimin e këtij qëllimi kishin mbështetje edhe të disa personave që sot nga lart festojnë së bashku me ne. Këmbëngulësja e parë që të hapej ky institucion ishte Motër Grazia Muzzi, e cila i deshi më shpirt dhe zemër kopshtin dhe fëmijët. Përkrah kësaj kërkese nuk mungoi edhe mbështetja e Ipeshkvisë së Kosovës që në atë kohë Ipeshkëv ishte Imzot Mark Sopi tashmë i ndjerë, e vikarit Gjeneral të Ipeshkëvis së Kosovës Dr. Don Shan Zefit dhe Don Tomë Karrices, famullitar i asaj kohe.
Kopshti është hallka e parë e sistemit jetësor dhe arsimor ku në qendër të veprimtarisë është fëmija. Gjithashtu është për t’ju siguruar (ofruar) një edukim sa më të lartë dhe të shëndosh të gjithë fëmijëve. Kopshti ju ndihmon që të jenë të lumtur dhe të aftë për t’i përballuar sfidat e jetës si dhe në socializim me bashkëmoshatarët.
Kopshti ka tri qëllime primare: pjekurinë e identitetit të fëmijës, arritjen e autonomisë dhe zhvillimin e kompetencave. Këto qëllime realizohen përmes pesë fushave të hartuara sipas strukturës kurrikulare, që nxisin formimin integral të personalitetit të fëmijëve duke u ofruar atyre mundësitë mësimore që synojnë përfitimin e aftësive e të kompetencave të tipit:
- komunikativ (fjalë dhe bisedë),
- të shprehurit logjik,
- njohja e vetës dhe e tjetrit,
- njohja e botës,
- njohja e trupit dhe lëvizjes.
Ashtu siç fëmijëria e një personi nuk ka çmim edhe puna dhe përkushtimi me fëmijë është mision i shenjtë që nuk mund të paguhet. Prandaj, duke shikuar se si rrjedhin vitet duke pritur dhe përcjell breza të shumtë, kështu dhe kopshti po rritet jo si strukturë por si institucion që mbart në vete vlera të larta edukative, shoqërore, morale dhe njerëzore. Për këto 20 vite, pa dallim kopshti ka hapur dyert të gjithë atyre që kanë pasur fatin të jenë pjesë e tij, në të cilin është krijuar një fole edukimi e një familje të madhe ku fytyra e secilit fëmijë është vulosur në mendjen tonë.
Puna e një edukatoreje me fëmijë është punë e cila me shumë vështirësi përshkruhet dhe matet me fjalë. Arritjet e fëmijëve janë ato të cilat i japin çmimin e merituar një edukatoreje. Fëmijët janë ata të cilët e mbushin jetën me butësi, dashuri dhe thjeshtësi. Një ditë e kaluar në shoqërinë e fëmijëve, është gjëja më e bukur që mund ta përjetojë një i rritur. Fëmijët, me pafajësinë e tyre, dhurojnë paqe dhe dashuri pa kusht. Prandaj, sot më shumë se kurrë i gëzohemi misionit tonë edukues duke falënderuar Zotin për atë që na ka besuar.
Falënderoj prindërit për besimin, respektin dhe bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtyre viteve dhe secilin fëmijë që me pafajësinë e tyre kanë mbushur jetën tonë me bekime që vetëm ata mund të na dhurojnë. Zoti e bekoftë çdo ditë të jetës suaj!/drita.info
Për Dritën: Motër Amanda Shkoza
[masterslider id=”13″]