Më 26 prill në Klinë u kremtua festa e Pajtores së Famullisë “Zoja e Këshillit të Mirë”. Kësaj feste të bukur i parapriu nëntëditëshi përgatitor, që filloi ditën e Pashkëve. Në frymën e këtij gëzimi Pashkvor të Ringjalljes së Krishtit edhe më thekshëm përjetuam fjalët e Krishtit, të cilat ia drejtojë Gjonit nga Kryqi: “Qe Nëna jote” (Gjn 19, 27). Për më tepër, kur e kujtojmë këtë moment të shëlbimit tonë, por edhe nëse kthehemi te rrënjët e ungjillizimit të popullit tonë të lashtë, e shohim se jo vetëm në Personin e Krishtit e kemi njohur Zotin, por ai vend – fron shëlbimi, e kemi fituar edhe ndërmjetësuesen e mrekullueshme, Zojën e Bekuar, të cilën Krishti na e la për Nënën tonë.
Përgatitja për festë vazhdoi me përshpirtëri ndaj Zojës Bekuar në prag të festës së Saj gjatë treditëshit. Përveç lutjeve dhe kremtimit të meshëve, adhurimit dhe bekimit me të Shenjtnueshmin Sakramend, vlen të përmendet vizita e disa seminaristëve tanë nga Shkodra, të cilët gjatë misionit të tyre në Kosovë, në takimin me të rinjtë e famullisë sonë, e ku morën pjesë edhe të rinj nga famullia e Zllakuqanit, paraqitën para tyre dëshmitë mbi jetën në Seminar, si dhe rëndësinë e thirrjeve të shenjta, që janë fryt i ndërmjetësisë së Nënës së Këshillit të Mirë.
Prandaj, Zoja e Këshillit të Mirë, e cila që prej kohërave të lashta nderohet ndër ne, dhe historia e saj që është e lidhur me historinë e krishterimit shqiptarë, na shoqëron pa ndà dhe në çdo moment. Kështu, lidhja jonë shpirtërore me Të, na shtynë t’i kushtohemi çdo ditë e më shumë dhe ta ruajmë miqësinë e shenjtë me Të.
Ditën e festës, në bashkë celebrim me meshtarë të tjerë, me pjesëmarrje të një numri të madh të besimtarëve, meshën solemne e udhëhoqi Don Lenc Sopi, famullitar i Pejës.
Në pretkun e rastit, ai foli mbi rolin e Zojës Bekuar në jetën tonë shpirtërore. “Duke qenë Pajtorja e popullit tonë Shqiptar, ajo në rrethana të vështira ishte shtylla mbrojtëse e fesë sonë në Krishtin e Ringjallur. Është më se e natyrshme t’i kërkojmë Asaj këshilla për jetën tonë, sepse tek ajo është i gjithë thesari i urtisë dhe diturisë së Zotit…”
Ai i ftojë prindërit “të meditojnë jetën e Zojës Bekuar dhe sipas shembullit të saj të angazhohen për edukimin e fëmijëve, pastaj të rinjtë dhe fëmijët që t’i duan dhe nderojnë prindërit e tyre. Familjet tona kanë nevojë për burra e gra, të cilët do të jenë këshilltarë me fjalë dhe vepra për jetën e fëmijëve të vet. Ky vend ka nevojë këshillimi për çiftet bashkëshortore, për familje të cilët do të dëshmojnë dashurinë dhe besnikërinë dhe të cilët do të jenë të hapur për vlera dhe për jetën të cilën Zoti na e dhuron. Kisha jonë ka nevojë për djem dhe vajza të guximshëm, pavarësisht se ku jetojnë, të cilët do të dinë të zgjedhin të mirën, jetën e ndershme dhe të moralshme, duke kundërshtuar këtë hov të keq dhe joshje që ofron bota në forma të ndryshme që e kundërshton vullnetin e Zotit dhe degjeneron familjet tona.”
Në mbarim të meshës, famullitari i Klinës Don Agim Qerkini, në emër të Don Danielit, ndihmës famullitar, përshëndeti dhe falënderojë të pranishmit për pjesëmarrje në festën e Zojës. Ai falënderojë të gjithë ata që kanë ndihmuar në përgatitjet për festë, duke filluar nga motrat e nderit që shërbejnë në famulli, pastaj këshilltarët, korin, lexuesit e ministrantët si dhe stafin e Radio Marisë së Kosovës, të cilët mundësuan transmetimin e drejtpërdrejtë gjatë treditëshit dhe ditën e festës.
Ai i ftojë të pranishmit që të vazhdojnë ta lusin ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar, sidomos për të sëmurët, të moshuarit dhe të vetmuarit, për mbarë familjet që në to të mbretëroj shpirti i uratës dhe dashurisë.
Festa u përmbyll me drekën vëllazërore në sallën e kishës e shtruar për meshtarë, këshilltarët dhe mysafirë të tjerë.
O ZOJË E KËSHILLIT TË MIRË
Zoja e Bekuar, Nëna e Këshillit të Mirë, po të thërrasim Ty, që je Bija më e zgjedhur e Hyjit Atë, Nëna e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, tempull i Trinisë së Shenjtë. Silli sytë e tu, o Nënë e dashur, mbi të gjithë ne, bij e bija shqiptare, si brenda ashtu dhe jashtë atdheut. Vëre vulën e dashurisë sate në thellësinë e zemrave tona, në mënyrë që të jemi gjithmonë të Zotit. Zbraze për ne dashurinë tënde, dhe bëj që, duke jetuar si vëllezër, të gjithë bashkë të ndërtojmë, në këtë tokën tonë e dashur, Mbretërinë e Zotit, Mbretërinë e dashurisë, drejtësisë e paqes. O Nënë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e të gjithë Shqipërisë, mbroje jetën tonë. Amen./drita.info
[masterslider id=”12″]