Të dielën, më 24 prill 2022, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, gjashtë (argj)ipeshkvijtë nga Kosova kremtuan meshën e shenjtë, për ta falënderuar Zotin për thirrjet e shenjta në Dioqezën tonë e për t’u lutur për thirrje të reja. Në meshë morën pjesë edhe seminaristët nga seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, bashkë me eprorët e tyre.
Me iniciativën dhe dëshirën e bariut tonë, Imzot Dodë Gjergji, që të bashkohen ipeshkvijtë nga Kosova në Katedralen e Prishtinës për të shprehur falënderimin ndaj Zotit për këtë dhuratë të madhe që ai ia ka dhënë Kishës sonë në kohët e fundit, si një shenjë e dashurisë ndaj popullit tonë.
Në fjalën e tij të hyrjes në fillim të meshës së shenjtë, Imzot Dodë Gjergji tha se “Sot, e falënderoj Zotin për meshtarë e murgesha, e në veçanti për ipeshkvijtë, që e ka begatue kishën tonë të vogël, të vuajtur e të lashtë, me gjashtë ipeshkvij. Dikur nuk kishim asnjë. Le ta lusim Zotin për thirrje të reja, për seminaristët”. E pastaj vazhdoi t’ju paraqes ipeshkvijtë besimtarëve të mbledhur në katedrale, nga më i riu e deri te më i vjetri:
“Imzot Roko Glasnović, ipeshkvi i Dubrovnikut, nga Janjeva; Imzot Pero Palić, ipeshkvi i Mostarit, i lindur në Janjevë pastaj ka jetuar në Prishtinë; Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, nga famullia e Velezhës; Imzot Hil Kabashi, ipeshkëv administrator në pension i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut, nga famullia e Velezhës; Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv në pension i Tivarit, nga famullia e Peshterit, dhe Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, nga famullia e Stubllës/Ferizajit.
Në mesin e ipeshkvijve janë edhe dy të ndjerë, që kanë kaluar në amshim në vitet e fundit: Imzot Mark Sopi, ipeshkëv ynë, nga famullia e Binçës, dhe Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës, nga famullia e Ferizajit.
Meshës solemne në orën 11:00, i priu argjipeshkvi më i vjetër në moshë, Imzot Zef Gashi, argjipeshkvi në pension i Tivarit, kurse homelinë e mbajti ipeshkvi më i riu, Imzot Roko Glasnović, ipeshkvi i Dubrovnikut.
Në homelinë, që ishte në gjuhën kroate, Imzot Roko, theksoj se sot jemi të mbushur me ndjenjën e falënderimit dhe të gëzimit: “Sot është ditë e diele – tha predikatari – e dua të falënderohem, së pari Zotit të gjithëpushtetshëm e pastaj ipeshkvit tuaj Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë (argj)ipeshkvit, që ipeshkvi i juaj i përmendi në fillim të meshës. Jam falënderues për të gjitha familjet tona, e jemi të ftuar të lutemi për thirrje meshtarake dhe rregulltare, por edhe për familjet ku lindin këto thirrje. Përveç falënderimit, – vazhdoi ai – ajo që dua të theksoj është gëzimi, sepse jemi së bashku me Zotin e Ringjallur, jemi të bashkuar në eukaristi.” Pasi bëri një prezantim të jetës së tij dhe të familjes prej nga vjen, imzoti bëri një reflektim të leximeve të së dielës, për të nxitur bashkësinë në ndjekjen e Zotit të Ringjallur.
Kurse argjipeshkvi Zef Gashi në fund të meshës e përmbylli me një falënderim Zotit dhe bariut të Kishës në Kosovë, për mundësinë e kësaj përvoje të veçantë, që barinjtë të bashkohen si vëllezër në falënderim për dhuratën e thirrjes dhe të episkopatit. “Në këtë moshë që e kam, është gjithnjë një dhuratë të mund të të udhëheq një meshë solemne të këtillë, prandaj nuk mund të mos e shpreh falënderimin e madh drejtuar Zotit dhe ipeshkvit të juaj që e ka organizuar.” – përfundoi imzoti.
Me këto dy ndjenja ungjillore dhe bashkësiore – falënderim dhe gëzim – Kisha jonë e përjetoi këtë takim të veçantë në historinë tonë të re, si shenjë e dhuratave të Zotit për bashkësinë tonë Katolike në Kosovë. Dashtë Zoti që të kemi thirrje të shenjta të reja, djem dhe vajza, që do ta vazhdojnë me guximin e fituar prej të Ringjallurit, ungjillizimin e popullit tonë të martirizuar për fe e atdhe./drita.info
[masterslider id=”11″]