Papa letër ipeshkvijve: të gjithë të bashkuar në këtë orë të errët të kërcënimeve për paqen botërore

I gjithë populli i Zotit, ipeshkvinjtë, priftërinj, fetarë, besimtarë laikë, të bashkuar në lutje për përfundimin e luftës. Pothuajse një muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, “e cila po i shkakton vuajtje më të tmerrshme asaj popullsie të torturuar, duke kërcënuar edhe paqen botërore”, Papa Françesku dërgon një letër ku fton Kishën e botës të bashkohet në aktin e shenjtërimit të Rusisë dhe Ukrainës për Zemrën e Papërlyer të Marisë që do të realizohet pasditen e së premtes 25 mars në Bazilikën e Shën Pjetrit. Letra u drejtohet ipeshkvijve të çdo vendi, së bashku me të Papa bashkëngjit tekstin e lutjes së shenjtërimit të bërë për këtë rast”.

 

Letra

 

I dashur vëlla,

Ka kaluar pothuajse një muaj qysh prej fillimit të luftës në Ukrainë, e cila po i shkakton vuajtje çdo ditë e më të tmerrshme atij populli që po heq kaq shumë, duke kërcënuar edhe paqen në botë. Në këtë orë të errët, Kisha është e thirrur fuqimisht që të ndërhyjë pranë Princit të paqes dhe t’iu qëndrojë afër atyre që po i paguajnë mbi lëkurën e tyre pasojat e këtij konflikti. Prandaj, iu jam mirënjohës të gjithëve atyre që po iu përgjigjen me shumë bujari thirrjeve të mia për lutje, agjërim dhe dashuri.  

Tani, duke pasur parasysh edhe kërkesat e shumta të Popullit të Hyjit, dëshiroj t’ia besoj në mënyrë të veçantë Zojës së bekuar, Kombet në konflikt midis tyre. Sikurse e kam thënë dje në mbarim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, dëshiroj që me datë 25 mars, të Kremten e Zojës Nunciatë, të përmbush një Akt solemn kushtimi të njerëzimit, veçanërisht të Rusisë dhe Ukrainës, Zemrës së papërlyer të Zojës. Ky Akt kushtimi do të bëhet gjatë një Kremtimi pendestar në Bazilikën e shën Pjetrit, në orën 17:00 me orën e Romës, pasi është e nevojshme që të jemi të përgatitur mirë për të kërkuar paqen, të përtërirë nga falja e Hyjit. Akti i kushtimit parashikohet të bëhet rreth orës 18:30.

Ky Akt dëshiron të jetë një gjest i Kishës së Gjithmbarshme, që në këtë moment dramatik çon para Zotit, nëpërmjet Nënës së tij e tonës, klithmën e dhembjes së të gjithëve atyre që vuajnë dhe lypin përfundimin e dhunës, duke ia besuar të ardhmen e njerëzimit Mbretëreshës së paqes. Ju ftoj pra t’i bashkoheni një Akti të tillë, ditën e premte me datë 25 mars, duke thirrur meshtarët, rregulltarët dhe të gjithë besimtarët e tjerë në lutje komunitare nëpër vendet e shenjta, në mënyrë që Populli i shenjtë i Hyjit t’ia lartësojë bashkarisht dhe me zemër të dhembshur përgjërimin Nënës së tij. Për këtë qëllim, po ju përcjell tekstin përkatës të lutjes së kushtimit, në mënyrë që të thuhet përgjatë asaj dite në bashkim vëllazëror.

Ju falenderoj për pranimin dhe bashkëpunimin. Ju bekoj me gjithë zemër ju dhe besimtarët që i janë besuar kujdesit tuaj baritor. Jezusi ju mbrojttë dhe Virgjëra e bekuar ju ruajttë. Lutuni për mua,

Vllazërisht

Françesku

Nga Shën Gjoni në Lateran, 21 mars 2022

(nga kish.al)

Shpëndaje: