Nga Frano KULLI
Një syth monografik i Fishtës , përmendur më rallë prej biografëve të tij, është edhe dimensioni projektues i tij. Vetëm, tani së fundi, ka zënë vend në një projekt kulturor:” Itinerari kulturor gjurmët fishtiane”. Nën hijen e rëndë të veprës së vet madhore letrare në të gjitha gjinitë e krijimtarisë; epikë, lirikë, dramatikë, satirë, publicistikë, thua ka qenë e arsyeshme të ndodhte kështu ?
“Opera omnia”
Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me: “I dashuni shok dhe vijon– Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v[të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.” Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika,proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori:I-Sociologji, II-Polemikë, III Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera].Në mbarim do të shtohet epistolari…
Siç shihet ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thella për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia” ?
Pasë parasysh se jemi, jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme. Jemi gjithashtu, dy vite e do muaj para se me zbritë pushteti i “të ardhunve prej malit”, kur nis ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij.
…dhe Arkitektura
Simbas të dhënave të derisotme, rezulton se janë njëmbëdhjetë objekte, kryesisht kishtare në Shqipëri ku, në mënyrë tërësore apo të pjesshme, ato janë edhe produkt i vizatuar prej dorës së tij, çka ndërkohë paraqesin edhe një profil të tij në këtë gjini të krijimtarisë. Kisha e Shëlbuemit Rubik, Kuvendi Françeskan “Zoja Nunciatë” Lezhë, Kuvendi i Troshanit Lezhë, Kuvendi i Motrave Karmelitane – Ipeshkëvia e Sapës Nenshat-Shkoder, Kuvendi Françeskan Gjuhadol Shkoder, Kisha e Zojës Rruzare “Arra e Madhe” Shkoder , Kisha e Shën Kollit Rus-Shkoder , Kisha e Motrave Stigmatine Gjuhadol-Shkoder, Kisha e Shën Mhillit Laç-Kurbin, Kisha e Prekalit-Postribë, Shkolla “Illyricum” Gjuhadol-Shkoder. Po, a e “diplomon” ky produkt projektues arkitekturor, Fishtën edhe si arkitekt ?
At Leon Kabashi,[1] (25.03.190611.11.1998), nxënës e mandej edhe koleg mësuesie i Fishtës në liceun “Illyricum”, i vetmi ndër françeskanët e kohës, i cili, përposë studimeve teologjike në Siena Itali, kryen më pas atje edhe ciklin e plotë të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, shkruan: Tue njoftë cillsít e tija artistike, Provinçja françiskane shqyptare e Arqipeshkvija e Shkodres e Dioçezi i Dukagjinit e zgjodhen A. Fishten si arkitekt zyrtar, por pse kû nevojët financiare, kû pamundsija e realizimeve prej anës së kryepuntorëve, arkitektit tonë iu desht sa herë me u kufizue në të endun të pjaneve…” Për Kishën e Rubikut, ai përmend si vizatime (projekte) të Fishtës “balli i guri s’dhenun i Kishës Monumentale të Rrbigut”, për Kuvendin e Lezhë shkruan “ndertesa e bukur qela[Kuvendi] e Lezhës, ku dritore të mdha të hiejshme grishin udhtarin...”. Për kishën e Prekalit (Dukagjin), “A. Fishta në bashkëpunim me xansin e mikun e vet Z. Ingjinier L.[Ludovik] Zojsi sajuen, rrealizuen pjanin e ri…në vjetin 1938.
Kurse për Kishën e Motrave stigmatine ajo që vjen e shkruar është kumt më i prerë: “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”.
Nga kjo dëshmi që na vjen e shkruar prej një bashkëpunëtori krejt të afërt të Fishtës, i vetmi në fushë të arteve të bukura, ku përngjitas me to, han arsye të shënojmë edhe arkitekturën, dy kumtet e fundit na e hapin horizontin e arsyetimit për me arrit në një përfundim përreth definicionit nëse Fishta, përposë se gjithçka tjetër, aq i madh sa ishte, qe edhe artkitekt. Marrim të parin; bashkëpunimin me inxhinierin Ludovik Zojsi, “xansi [nxënësi] dhe miku i vet… Ludovik Zojsi, inxhinier i zoti, mjaft i njohur asokohe në Shkoder e më përtej, projektuesi i Kishë-kapelës në varrezat e Rr’majit, në formën e një akropoli, e cila u inaugurua e bekua në vitin 1937 nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gasper Thaçi.[2] Unike dhe e pangjashme me ndonjë tjetër vepër në Shqipëri. Ftesa për bashkëpunim me inxhinierin, që mendja ta thotë se vjen nga vetë Fishta, pa mëdyshje është shprehje e egzigjencës (kërkesës) së tij të lartë, e dallueshme në rendin e punëve që ai merr përsipër. Dhe shembujt ilustrues këtu janë të shumtë. Pa u hallakatë shumë, por vetëm në fushë të arteve po të rrimë, na vjen të kujtojmë ofertën bashkëpunuese që e dëshmon piktori Simon Rrota (1887-1961)[3] në kujtimet e veta. I pari piktor shqiptar i lauruar në Akademinë “Brera”. I ri, para se të nisej për studime, Fishta e fton për të bashkëpunuar në skenografinë e shfaqjeve që përgatiste aty në teatrin e françeskanëve. Sigurisht, mbasi kishte pikasë talentin e djaloshit ëndërrimtar. Një përvojë kjo që lë gjurmë te artisti i ardhshëm e që ai i përkujton me veneracion…Punë të përvetçme, pra këto, por edhe bashkëpunuese, me mjeshtra që i çmonte, si konfermë për sipërmarrjen e për produktin e saj.
Siç është e ditur, Fishta nuk kishte formim skolastik(shkollor) për arkitekturën, përveçse dijeve të përgjithshme për kulturën e artin klasik, që i kishte marrë në ciklet e studimeve të veta teologjike, të filluara që në bankat e mësojtoreve të para të mirëformuara të Shkodres, simotra me ato të Europës e deri në përfundimin e tyre në Livno të Bosnjes. E gjithë ajo çfarë ai intelektualisht prodhoi në këtë fushë është rrjedhë e përftimit autodidakt, të një personi, profili i begatë i të cilit do të shpërfaqej në vijim, shkon në hullinë e cilsive e dallesave që shfaqen, kryesisht te gjenitë. “Ndiqëshe kursin e III t’Akademís së pikturës në vjetë 1933– kujton prap At Leoni4[4] – kur rá rasa me vizitue muzejt e disa pinakoteka t’Italis’ bashkë me tê; jam bindë si me dijtë ai, pa ndjekë Akademí, me dhanë gjyqe[gjykime], me bâ krahasime aq t’imta ndermjet shkollave të ndryshme, me shijue bukurít e shprehjet e mbrendshme t’artit…Blète libra, riprodukcione arkitekturet e pikturet autorësh me famë…e, nuk e lëshoi kurr doret traktatin e arkitekturës Vignola”[5]. Këmbëngulja e tij në sipërmarrjen krijuese, sikurse edhe në krejt veprimin e vet publik e atdhetar do të shfaqej me të njëjtin temp e nerv edhe këtu. Përposë projekteve konkrete të hartuara e aplikuara prej tij, ai mori përsipër dhe hartoi edhe tekste mësimore të kësaj fushe. Njëri prej tyre është edhe “Permbi pêsë rende t’arkitekturës marë”[6], projekt tekstor i përgatitur për kurset e shkollës “Ilyricum” ku si bazë për këtë punë, autori shërbehet prej botimeve më serioze të shkollës europiane të arkitekturës, “duke mos e lëshuar asnjiherë doret traktatin Vignola”, vlera dhe rëndësia e të cilit është e njohur mirë prej shkollës së arkitekturës edhe sot. Kurse në kreun e dytë të punimit (Leksikologjië Arkitekturet, kryy i Dytë), radhiten disa terma profesionalë të arkeologjisë, për të cilat sillet kuptimi dhe shqiptimi i tyre në dy gjuhët, shqip dhe italisht. Shembull: Lpizëcornicione (Lpizë quhet sergjia, qi asht njajo drrasë të shumen e herës e dhenun e qi tuj u endë krees s’murit t’odës, del jashta penit të murit. Cornicione, godië gursh, qi buzës s’pullazit a strehës del jashta pênit t’murit). Ose Kryyth- capitello; Krytraa- architráve; Cirkë goccia, etj.
E bën këtë, siç edhe vetë pohon nga nevoja për të njësuar kërkesën teorike të njohjes së kësaj terminologjie, por edhe me kuptimin e përdorimin praktik të tyre. Duke ruajt e shfaq atë merakun e tij të gjithhershëm për gjuhën, për shqipen.
“Udobisht [kollaj,lehtësisht] mundet me ndollë qi êmnat e fjalët teknike n’ket veperz, nuk i pergjigjen krykput natyrës s’gjuhës shqype,por megjith kta nuk do t’qiten poshtë e do t’perdorohen dersa nevoja me kohë t’mos ketë xjerrë prej palcit të gjuhës fjalë kryekput shqyptare.[7] E përkitas me shpjegimin vjen krahasimi elegant, nëpërmjet të cilit del në krye “meraku” për gjuhen shqipe: “Deti, të gjitha njato sende qi nuk bahen nji me natyrë t’tij, a i l’shon n’fund a se, tallaz mbas tallazit, me kohë i qet n’breg. Kshtu asht edhe gjuha; t’tana fjalët, qi nuk pelqejnë me natyrë t’sajë, me kohë i len mas doret…”[8]
Kurse, Kisha e Motrave Stigmatine, “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”, pra projekt autentik, fillim e mbarim i tij, është joshëse edhe sot, pas gati një shekulli, jo vetëm për fasadën, por edhe për elementë të tjerë funksionalë utilitarë, të detajuar si prej një profesionisti të shkallës së epërme. E kam dëgjuar vite më parë dhe, më vjen për mbarë ta rikujtoj, konsideratën e muzikantit të njohur shkodran Gjon Shllaku se: salla e atyshme ka akustikën më të mirë prej sallave që gjinden sot në Shkodër e ndoshta edhe në Shqipëri./drita.info
———————————-
[1] Leon Kabashi: At Gjergj Fishta në arte.”At Gjergj Fishta, numer perkujtimuer, botue neper kujdes t’At Benedikt Dema ofm.”, Shkoder 1941, fq.54.
[2] Stefan Çapaliku:”Një antologji e vogël e vdekjes”, Botimet Fishta, 2020,fq 40.
[3] Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren”, Botimet Fishta, 2018.
[4] Leon Kabashi, Po aty.
[5] Giacomo da Vignola ,(1507-1573), arkitekt i stilit barok, arkitekti kryesor në Romë, pas Mikelanxhelos, hartues i atij që quhet:Traktati Vignola me Pesë urdhërat e arkitekturës.
[6] Arkivi i shtetit, F.17 (Gjergj Fishta),D. 2-7, Projekte shkollash e kishash, hartuar prej vetë Gjergj Fishtës(dorshkrime).
[7] Arkivi i shtetit, F.17 (Gjergj Fishta),D. 2-7,”Permii pêsë rende t’arkitekturës marë”
[8] Po aty.