Historiku i Famullisë së Binçës

Nga Don Mikel Sopi

 

Famullia e Binçës

Për çfarëdo teme që flitet mbi Binçën, nëse përkufizohet vetëm nga këndvështrimi i ditëve tona do të jetë vështrim i cunguar dhe joreal. Prezantimi i famullisë se Binçës kërkon qasje shumëdimensionale: sa historike po aq edhe arkeologjike, sa teorike po aq edhe praktike. Kështu edhe nga këndvështrimi kishtar, medoemos na imponohet një qasje sado e shkurtër e historisë se këtij vendi.

Me lejoni që para se t’i dëgjojmë disa të dhëna mbi famullinë e ditëve tona, në pika të shkurta të hedhim një vështrim të disa elementeve më të rëndësishme të Binçës.

Të dhënat historike, pozita gjeografike dhe begatitë natyrore, dëshmojnë se ky vend ishte dhe është i pëlqyer nga gjitha gjeneratat me mijëra vite. Kalaja-qyteza e vjetër e Binçës me artifaktet e shumta (shtiza, monedha, gurë dhe qeramika të përpunuara,si dhe elementet tjera arkeologjike) tregojnë se në këtë vend, që nga kohërat antike (koha romake) është zhvilluar një jetë e bujshme qytetare, kulturore, fetare, etj.

Binça, përveç se nga banorët e saj, ajo ishte e pëlqyer edhe nga shumë përfaqësues shtetërorë e ushtarakë; ndërsa në ambientin kishtar të Mesjetës, janë gjetur raporte e relacione kishtare të cilat flasin për një famulli të organizuar dhe vend simpatik. Raporti i Arqipeshkvisë së Manastirit (Bitol) pjesë e së cilës arqipeshkvi ishin edhe këto treva, flet për ketë vend te pëlleshëm me dy lumenj dhe me tri kisha.

Referimi i njësisë kishtare Binçë në dokumentin e perandorit Basilit të II nga vitit 1019, tregon rëndësinë e këtij vendi edhe në këtë periudhë. Kur Binçës i shtohen edhe të dhënat tjera historike dhe arkeologjike me kalanë-qytezën e saj, jo vetëm se atë e bëjnë vendbanim interesant, por na bën kureshtarë dhe krenarë për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore iliro-shqiptare.

Megjithatë, mbrojtja e kësaj pasurie enorme në këtë vend ka një çmim tejet të lartë me dëshmi të dhimbshme nga popullata vendore! Brezat e tërë me dinjitet dhe heroikisht janë përballur me shumë grabitqarë të huaj të organizuar dhe me stuhi ideologjike të dhunshme, ku për qëllim kishin kryesisht tjetërsimin kombëtar apo fetar (varësisht nga periudhat historike) shtrembërimin dhe asgjësimin shpirtëror, kulturor etj. Po e kujtojmë kohen e martireve, energjinë e tyre vullkanike te viteve 1846-1848 për mbrojtjen e identitetit te vendit dhe te kombit. Siç është ajo shprehja: Lisin e fuqishëm gjithnjë e rrahin erërat e forta dhe era të ndryshme.

Pra kur flasim për Binçën duhet te kemi parasysh dy gjëra themelore:

  • Lashtësinë historike të pakontestueshme të vendbanimit Binçë, duke filluar nga Kalaja e vendit dhe ekzistencë aktive të njësisë kishtare (famullisë)
  • Ruajtjen e origjinës shqiptare, kristiane dhe të trashëgimisë kulturore nga banorët e Binçës gjatë shekujve të tërë

Në këtë kohë të thyerjeve politike dhe ideologjike në nivele më të larta botërore, ku hov të madh kanë marrë propagandat kundër vlerave, të organizuara në struktura politike dhe duke u kamufluar pas proceseve demokratike dhe korruptive, vlerat dhe faktet historike le të na shërbejnë si rrëmim i ndërgjegjes kombëtare për një rreshtim te drejte kombëtar, shpirtëror dhe shoqëror.

Andaj, nga ky këndvështrim, historia e kësaj famullie na rikujton të vërtetën e kësaj toke me kulturë dhe me dinjitet, ndërkaq luftërat e pareshtura te brezave të tërë për liri (shpirtërore dhe politike) dhe për dinjitet, ushqejnë ndjenjat tona për liri dhe atdhedashuri me përmasa dinjitoze dhe vlera te dëshmuara me shekuj.

Binça e cila gjendet ne periferi te qytezës se Vitisë, cilësohet si vendbanim me natyrë karakteristike: lumin Morava e Binçës dhe një degë e paemërtuar e këtij lumi, fushat e pëlleshme, kodrinat e buta dhe të gjelbra që si tërësi krijojnë një klimë shumë të veçantë. Në famullinë e Binçës jetojnë dy kombësi (shqiptare dhe serbe) dhe tri bashkësi fetare (katolike, islame dhe ajo ortodokse krishtere). Bashkëjetesa ndëretnike dhe ndërfetare me shekuj ishte e qëndrueshme dhe mjaft e mirë.

Rreth emërtimit të fshatit ka disa mendime, disa thonë se emri Binçë rrjedh prej fjalës Bis apo Binekses, sipas dy lumenjve që ka ky vendbanim. Por ka edhe mendime të tjera se emri Binça rrjedh prej qytetit të lashtë Romako-Ilirë Arribantium

 

Historiku i ri i famullisë së Binçës

Para se të themelohet famullia e Binçës se ditëve tona, ajo ishte filial i Famullisë së Letnicës. Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit Imzot Smiljan Franjo Çekada në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e fillimit të martirizimit të martirëve të Karadakut (1846-1848), martirëve të Binçës, Stubllës, Vërnakollës dhe Terziajve. Famullitari i parë i famullisë së Binçës ishte Don Dedë Ramaj.

 

Ndërtimi i Kishës së Shën Ndout 

Ndërtimin e Kishës aktuale e filloi Don Luka Cirimotiq, më 1963 pastaj e vazhdoi Don Vjekoslav Ivanoviq dhe e përfundoi Don Nikola Duçkiq. Kisha e Binçës i është kushtuar Shën Ndout, edhe pse Imzot Smiljan Franjo Çekada në bekimin e gurë themelit Kishën ia kushtoi Shën Gjon Maria Vianney, që kremtohet më 4 gusht, si pajtor i meshtarëve. Mirëpo populli me shekuj e nderonte Shën Ndoun e për këtë kjo kishë më vonë i është kushtuar Shën Ndout, ndërsa si pajtor i dytë mbeti Shën Gjon Maria Vianney.

Shenjti i familjeve të Binçës është Shën Elia Profet, shenjt që është njet dhe kusht i martirëve tanë. Të parët e Binçës e kishin bërë këtë njet të trefishtë: Nëse mbesim gjallë, shqiptarë dhe të krishterë, atëherë do ta kremtojmë Shën Elinë Profet si pajtorë të familjeve tona. Përveç Kishës në Binçë është ndërtuar edhe shtëpia aktuale e famullisë në vitin 1975-1978.

Përndryshe, kisha e Shën Ndout është një monument i trashëgimisë kulturore. Ky monument është i kategorisë “arkitekturor”, i miratuar me numër. Objekti, i ndërtuar prej betonarmesë, filloi të ndërtohet në vitin 1968, ndërsa përfundoi në vitin 1972. Muret e jashtme janë fasaduar me gurë të përpunuar nga banoret e vendit dhe te rrethit.

Në mars te vitit 1961, te prira nga m. Otilia Kramer (motër ikonë e Kosovës), është themeluar Kuvendi i Shën Palit të Motrave të Dashurisë Hyjnore, të cilat deri me sot shërbejnë në këtë famulli.

Në kuadër të famullisë së Binçës hyn edhe Kabashi dhe Vitia. Gjate viteve ’60-ta deri ne vitet ’80-ta dukshëm është shtuar popullata në Kabash. Kështu në Kabash në vitet e ’80-ta është ndërtuar Kisha kushtuar Shën Nikollës, ndërsa në vitin 2003 ka filluar ndërtimi i Kishës kushtuar Zemrës së Krishtit në Viti, ku në kuadër të saj është edhe Qendra Multifetare. Famullia e Binçës gjithsejtë i ka afër 3000 besimtarë, këtu janë rreth 1000 besimtarë.

 

Thirrjet meshtarake dhe rregulltare 

Kjo Bashkësi famullitare ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare. Meshtari i parë i njohur është Don Mark Sopi, i lindur në vitin 1838. Kjo famulli ka dhënë edhe shumë motra të nderit (të gjitha nga familja Sopi gjatë shekullit XVIII e XIX) të cilat kanë shërbyer në SHBA, Francë, Turqi dhe gjetiu. Ne kohen e re, famullia numëron me dhjetëra meshtarë, një ipeshkëv të Kosovës, Imzot Mark Sopi. Sot famullia numëron mbi 10 meshtarë të gjallë dhe mbi 20 motra të nderit.

Famullitarët në famullinë e Binçës prej themelimit të saj:

  1. Don Dedë Ramaj (1946-1960), 2. Don Luka Cirimotiq (1960-1967), 3. Don Vjekoslav Ivanoviq (1967-1970), 4. Don Nikola Duçkiq (1970-1974), 5. Don Pjetër Berisha (1974-1975), 6. Don Ndue Gjergji (1975-1993), 7. Don Lush Gjergji (1993-2007), 8. Don Albert Demaj (2007-2010), 9. Don Aleksander Kola (2010-2018) dhe 10. Don Meriton Dedaj (2018- ).

 

Famullia shembull i bashkëjetesës dhe integrimit

Binça me përvojën e lashtë të bashkëjetesës multietnike dhe multifetare është një shembull dhe mesazh i mire edhe për ditët tona. Duke filluar nga kjo përvojë e gjatë dhe të vetëdijshëm për kushtet e volitshme për jetesë, pas Luftës së Dytë Botërore, krerët e Binçës i kanë stimuluar dhe përkrahur miqtë dhe familjet e ndryshme që jetonin në vendbanime dhe kushte më të vështira, që të vijnë dhe të vendosen në famullinë e tyre të Binçës.

Pas ardhjes-vendosjes se tyre, kryesisht në Kabash, integrimi ishte i lehte: nga një anë ishte respekti dhe përkrahja nga vendoret dhe nga ana tjetër falënderimi për bamirësi nga ana e të vendosurve nga viset tjera të Kosovës. Ky raport i shëndosh mes vendorëve dhe ë ardhurve ka krijuar një atmosfere shumë të mirë mes familjeve në famulli./drita.info

 

(Kumtesë me rastin e shugurimit të Kishës së Shën Ndout në Binçë, më 4 gusht 2022)

Shpëndaje: