Nga Ylli Prebibaj
Popullimi i Currajve të Epërm është një proces që ka kaluar nëpër disa dekada dhe shtimi i popullsisë ka shtruar disa nevoja të ngutshme për banorët. Një ndër to ishte fort e rëndësishme për ta, pasi kishte të bënte me ngritjen e një kishe.
Disa rituale fetare para funksionimit të kishës i ishin deleguar një banori të respektuar atje, në afërsi të kullës së të cilit ndeshet toponimi “Kodra e Priftit”. Mirëpo, mungesa e gërmimeve arkeologjike nuk na e mundëson lokalizimin e ndonjë kishe atypari. Delegimi i pjesshëm i kryerjes së ritualeve fetare ishte fenomen i kushtëzuar nga mungesa e meshtarëve, për shkak të presionit, deri në ekzekutime fizike, ndaj klerikëve në viset shqiptare përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Konkretizimi i kësaj praktike e ka zanafillën me Formulën e Pagëzimit të vitit 1462. Gjithsesi, fenomeni është i pranishëm vetëm në rastet e mungesës së famullitarëve dhe synonte mosshkëputjen e banorëve nga besimi katolik.
Besimtarët, si përpara ndërtimit të kishës, ashtu edhe pas ndërtimit të saj, kur mungonin famullitarët, janë orvatur të kryejnë shërbimet themelore fetare, duke marrë një rrugë shumëorëshe në këmbë për në kishën e Nikajve ose, sipas rastit, në kishat e Dukagjinit, në varësi të lidhjeve farefisnore kur mund të flinin një natë, të cilën ua kushtëzonte rruga e gjatë, për t’u kthyer të nesërmen.
Në shekullin XIX Perandoria Austro-Hungareze e intensifikoi mbështetjen për kishën katolike në veri. Kësisoj, Currajve iu premtua ndërtimi i një kishe e njëmend nisi ndërtimi i saj, i cili u përfundua në vitin 1897. Viti i mbarimit të punimeve të kishës është faktuar nga mbishkrimi në gurin e latuar në ballinë të saj, si një dokument i përjetshëm.
Mbishkrim në murin ballor të kishës së Currajve të Epërm
Në vijim të kësaj mbështetjeje, në vitin 1899, famullia Nikaj, në Ipeshkvinë e Pultit, kishte përfituar nga shoqata e Shën Mërisë (Zojës së Papërlyeme) 250 fl (florinjë/gulden) BN (monedhë bankare) për ndërtimin e qelës famullitare për degën Curraj[1].
Currajt, nga ana e tyre, i dhuruan kishës tokë në pozicionin më strategjik, ku të gjitha rrugët e lagjeve të çonin aty. Po ashtu, edhe dy varrezat ishin pozicionuar në vende shumë të përshtatshme e të arritshme në çdo stinë, pavarësisht kushteve klimaterike.
Interesimi i Perandorisë Austro-Hungareze konkretizohet nëpërmjet veprimtarisë së konsujve të saj. Letërkëmbimi i tyre me eprorët është barra e provës së kësaj platforme. Në vitin 1897 konsulli austriak në Shkodër Teodor Ipen (Theodor Ippen) viziton personalisht krahinat katolike, ku pa nga afër situatën.
Në dokumentin zyrtar, të cilin ua përcolli eprorëve, përshkruhen disa prej territoreve të Currjave (Tzuraj)[2]. Në të njëjtin dokument përmenden edhe bjeshkët e tokat e Currajve, si: Boshi, Piku etj.[3] Që nga këtu del e qartë shtrirja e Currajve bashkë me zonat kufitare.
Mirëpo, për shkaqe tashmë të trajtuara nga ekspertë të historisë kishtare, shërbimi fetar në periudha të caktuara nuk ishte i mundur, sidomos për një rajon kaq vështirësisht të arritshëm. Sipas relacionit të datës 26 nëntor 1893, në Curraj kishte rreth njëzet familje që jetonin në fajin publik të bashkëjetesës së pakurorë, ndër të cilat, dy prej shtëpisë së kryetarit të fshatit.[4] I gjithë shqetësimi vinte nga nevoja për një famullitar të përhershëm për kishën dhe kryerjen periodike të shërbesave fetare, me qëllim shmangien e fenomeneve të lartpërmendura.
Kisha e Currajve në gjysmën e parë të shekullit XX
Në dokumentin e përgatitur nga famullitari i Nikajve Pjetër Gjadri, më 29 qershor 1907[5], paraqiten pronat e kishës së Nikajve, si dhe çështje të tjera me interes për Perajt, Mserrin, Paplekajt, Vargun, Currajt e Poshtëm e Currajt e Epërm[6].
Katër vjet më vonë, në vitin 1911, Currajt e Epërm kishin 100 shtëpi[7] – një numër kaq i madh ekonomish familjare ishte sa disa fshatra të tjerë të Nikaj-Mërturit të marra së bashku. Kjo dëshmon për rolin e madh që luante katundi 100 oxhaqesh në zhvillimet krahinore.
Një provë e madhe përpara gjykatores së historisë u ra për hise si Currajve dhe kishës së tyre në 1915-n. Të dielën e 4 korrikut 1915, një trupë ushtarake malazeze, pasi kishin zaptuar malësinë e Gjakovës, përkatësisht të gjithë flamujt (bajraqet) e saj, arriti në qendër të katundit Curraj (Suka e Kishës).
Kërkesat ishin të njëjta si ngjeti, dorëzim armësh e njohje e autoritetit të pushtuesit. Mirëpo famullitari At Leonard Shajakaj me parinë Balec Gjonin, Nikë Musën, Gjon Balën, Syl Avdinë, Gjelosh Ramën etj, i refuzuan kërkesat e tyre.
Tundimi më i madh që u shfaq para Currajve nuk ishte as frika nga “shkiet”, as ndonjë çështje tjetër, por zakoni i mospërdorimit të armëve në kishë e rreth saj. Ndërhyrja e At Leonardit ua hoqi këtë peng, kur u drejtohet me fjalët “A po ndieni burra në këtë rasë nuk âsht mkat me qitë kundra kishës…, pse meshtarë aty s’ké, por ká hî aty ai qi kjoftë tretë, pse këta s’janë tjetër veçse të mallkuem, e prandej duen qitë jashta kishet.”[8].
Mbasi malazezët nuk u dorëzuan vullnetarisht, filloi përplasja e armatosur, gjatë së cilës mbeti i vrarë një ushtar malazez. Në këto kushte, ata u dorëzuan pa asnjë kusht. Me ndërhyrjen e Balec Gjonit, u vendos moslikuidimi i të dorëzuarve sipas zakonit të “ndores”, varrosja e kufomës së ushtarit dhe përcjellja e ushtarëve të tjerë deri në afërsi të Gucisë.[9]
Vendimi për të përzënë dërgatën e ushtrisë malazeze i shndërroi Currajt në të vetmen hapësirë të lirë në hartën e zaptimit ushtarak malazez të Malësisë së Gjakovës. Dëbimi i tyre, përzënia ceremoniale deri në kufi, si dhe përgatitja e Currajve për luftë në Qafë të Kolçit e më tej, sipas nevojës, u dha kurajë edhe luftëtarëve të flamujve të tjerë.
Dokumentet pronësore të kishës
Kisha ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm social e administrativ dhe, nga ky këndvështrim, dokumentet pronësore të kishës së Currajve janë me interes kishtar, por edhe historik. Në vitin 1916, At Pjetër Gjini sjell të dhëna për inventarin e kishës.[10]
Një periudhë me mjaft interes është periudha e shërbimit fetar në Curraj të At Bernardin Llupit (OFM). At Llupi, në një kuvend me burrat e Currajve, hartoi një dokument, ku janë fiksuar në formë të shkruar kufijtë e kishës e të varrezave. Në këtë praktikë dokumentare bie në sy dhe një skicë që përciptazi shfaq formën e ndërtesave të kohës, rrugët e tokat kufitare.
Në cilësinë e famullitarit të Currajve të Epërm, At Llupi shkruan se “… së bashku me pari e pleq të 100 shtëpive të Currajve të Epërm, u bashkuam, ndamë e caktuam kufijtë e tokave të kishës …”[11]. Ndarja iu besua më të moçmit të fshatit, Ali Abazit, si personi më i përshtatshëm për këtë detyrë. Bashkë me të ishin Sejdi Bala, Adem Brahimi, Mirash Gjoni etj.
Faksimile e dokumentit pronësor të kishës, 1918
Pjesë e këtyre dokumenteve është edhe skica e mëposhtme, ku paraqiten varret e Qokajve dhe tokat kufitare të tyre.[12]
Skica e At Llupit, Curraj i Epërm, 1918
Famullitarët e Currajve, përpos shërbimeve fetare, u përfshinë edhe në veprimtari edukative e arsimore. Disa prej të rinjve vullnetmirë arritën të marrin aty bazën fillestare të njohurive arsimore.
Sikurse e kemi trajtuar edhe në shkrime më të hershme[13], famullitarët ishin ndihmëtarët e parë të shkollimit. Ata u përfshinë vullnetarisht në radhët e mësuesve të Drejtorisë së Arsimit Shkodër dhe, e thënë pa ndonjë tepri, ishin dukshëm më të përgatitur se mësuesit e caktuar nga institucionet. Në listën e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit më 1918-n, në Curraj të Epërm, figuron si mësues At Nikolla Kolaj[14].
Njëkohësisht, famullitarët katolikë u orvatën t’i orientojnë malësorët në luftën e parë të përbotshme, pasi viset shqiptare u shkelën nga disa ushtri njëra pas tjetrës. Kjo synonte shmangien e konflikteve të panevojshme e jo të dakordësuara me flamujt e tjerë, pasi dihej që një gabim taktik do t’u kushtonte shumë jetë dhe ekonomi familjare banorëve të varfër. Sikundër do të prishte aleancat me fuqitë proshqiptare.
Autoritetet austro-hungareze, të cilat kishin përzënë kudo që kishin shkelur trupat serbo-malazeze, më 16 gusht 1918, organizuan një festë në Zhuri për ditëlindjen e perandorit. Ata u orvatën që festës t’i jepnin karakter shqiptaro-austriak, duke stolisur rrugët me flamuj të Shqipërisë dhe të Austro-Hungarisë. Aty ishte ftuar një pjesë e mirë e personaliteteve të Malësisë së Gjakovës etj. Ndër shumë të pranishëm spikati dhe prania e At Bernardin Llupit, i cili tashmë njihej si një eksponent i zhvillimeve të vitit 1915.
Në këtë eveniment At Llupit iu akordua dekorata e kryqit të artit me kurorë. Aty u dekoruan edhe personalitete të tjera dhe në emër të tyre përshëndeti At Llupi[15].
Më 24 maj 1919, në Nikaj mbërrin një përfaqësues shumë i rëndësishëm i kishës katolike, vizitori apostolik Dom Ernesto Cozzi, i cili kërkoi nga famullitari i Rajës dhe ai i Currajve të Epërm që të sillnin regjistrat e sendet e tjera të nevojshme.[16] Kërkesa në fjalë provonte mbikëqyrjen e autoriteteve kishtare përkundrejt punës zyrtare të famullitarëve në kishat respektive.
Në kishën e Nikajve në këtë kohë vepronte “Shoqëria e Shna Ndout”, e cila ishte themeluar me lejen e ipeshkvit të dioqezës dhe në të cilën ishin regjistruar disa besimtarë si anëtarë.[17] Interesimi i një titullari kaq të lartë dëshmon shtimin e interesimit për zonën.
Kleri kishte vështirësi të shumta në kryerjen e shërbimeve kishtare në Curraj, sidomos për shkak të rrugëtimeve të mundimshme. Një tjetër pengesë ishte mirëmbajta e ndërtesës së kishës, ku, me sa duket, kanë ndikuar varfëria e popullatës dhe mungesa e burimeve financiare nga ana e vetë kishës, megjithëse kjo situatë ishte e ngjashme edhe në famulli të tjera.
Vështirësitë e famullitarëve gjenden në letërkëmbimin e kohës dhe një prej këtyre rasteve gjendet në fondin dokumentar të At Shtjefën Gjeçovit në Arkivin Qendror të Shtetit. Në këtë dokument paraqitet gjendja e vështirë shëndetësore e famullitarit të Currajve të Epërm At Nikolla Kolaj, i cili ishte rrëzuar e kishte thyer këmbën dhe, për këtë arsye, kërkohej transferimi i tij në një famulli tjetër.
Situata e rënduar shëndetësore paraqitet nëpërmjet dëshmisë që mban datën 20 korrik 1920: “Unë i nënshkruemi po diftoj se mbas nji vizite qi bana sot te P. Nikolla Kolej famullitarë në Curraj t’Epër, emënpërmenduri qyshë do viet përpara asht rrëzue e i ka shkaktue me e thye ashtu qi i bashkon gjiniu e rrënakt e prej asaj së thyerjes kamba … prej kambës së djathtë e ka metë kamën e ka të smutë … të hiqet prej asaj famullie e t’i epet nji detyrë e nji famullie qi s’asht e nalt me kodra e me male e me bregje e me gur e naltë e teposhtë se kshu e do nevoja e mjekës, për me i sigurue shëndetin.”[18].
Ndërkohë, në dokumentet françeskane të vitit 1920 përmenden edhe paria e Currajve, e përbërë nga: Ded Ndreu, Lulash Ndreu, Sejdi Murreci, Gjelosh Rama, Grimc Dema e Mushak Baftia[19].
At Marjan Prelaj, në një libër me interes historik, shkruan se, në vitin 1920, vendasit ndërtuan hospicin e Sh’N. N në Curraj të Epërm, si dhe kishën[20].
Në maj të vitit 1922, nëpërmjet një letërkëmbimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Lidhjes së Kombeve, për objektet e kultit e çështje të tjera paraqiten të dhëna në rang kombëtar. Sa i takon Nikaj-Mërturit, përmenden kisha e Currajve, krahas asaj të Nikajve, Palçit e Rajës. Në kolonën “Vërejtje” të këtij raportimi cilësohet se këto kisha janë të katolikëve dhe ortodoks nuk ka asnjë frymë[21]. Ky informacion përmbysi një keqinformim të vazhdueshëm të palës jugosllave në mbledhjet e zhvilluara përgjatë punimeve të lidhjes, si dhe të disa mendjeve të liga në administratën shqiptare të kohës.
Ushtruesi i veprimtarisë fetare në vitin 1929 në Curraj figuron At Françesk Kqira[22]. Prania e tij në Curraj është e mbështetur dokumentarisht, së paku në vitet 1928 – 1929. Një kontribut shtetëror japin famullitarët në regjistrimin e popullsisë. Në maj të vitit 1930, ndër kontribuuesit për regjistrimin e popullsisë në Nikaj-Mërtur figuron edhe At Gaspër Suma, i angazhuar në Curraj të Epërm, Kuç, Qiresh e Mulaj[23].
Në këto vite, pavarësisht shumë debateve që zhvilloheshin në shoqërinë shqiptare, shteti kishte një parim themelor, angazhimin e njerëzve të ditur në veprimtari me rëndësi kombëtare. Kësisoj, ka pasur letërkëmbime, ku kishës i kërkohej vënia në dispozicion e përfaqësuesve të saj për çështje që kërkonin nivel të lartë profesional.
Infrastruktura e ndërtesave kishtare shpesh ishte në gjendje të rëndë. At Rrok Vataj, famullitar në Curraj, në vitin 1934, është orvatur maksimalisht për riparimin e saj. Ai ka pajtuar, nëpërmjet akteve kontraktore me shkrim e nënshkrim, disa vendali për transportimin e dërrasave dhe për mbulojën e kishës[24].
Në letrën e dërguar prej Zyrës Famullitare të Currajve të Epërm, më 24 prill 1936, evidentohet gjendja e vështirë. Sipas famullitarit, kur ai mori detyrën, kishte 16 gjynahqarë konkubinarë e katër kunora të pavëna, të cilët kishin një vit që jetonin ilegalisht. Si pasojë e punës, numri i konkubinarëve ishte ulur në katër, të cilët pritet të fashiten së shpejti, duke u dhënë njëherë e mirë fund gjynahqarëve të famullisë.
Ai informonte se “… si pasojë e punës me besimtarët, gati çdo të diel, kisha mbushet e shpesh mesha mbahet jashtë prej popullit të shumtë. Sakramentet janë frekuentuar mirë, sa nuk ka ditë të diele që nuk rrëfehen e kungohen së pakut dhjetë vetë. Katekizmi është frekuentuar dy herë në javë prej fëmijëve të famullisë, numri i të cilëve mund të shkojë deri në gjashtëdhjetë.”[25].
Famullitari i Currajve të Epërm e mbyll relacionin me kërkesën për të ndrequr kishën, për shkak të gjendjes së saj. Madje, më vonë, ai informon edhe provincialin për punën e bërë, si dhe pamundësinë e shlyerjes së detyrimeve kontraktore me punëtorët e sipërpërmendur. Shqetësimi i tij del qartë në letrën e mëposhtme:
“Curraj 22. VIII. 937
Zyra Famullitare Curraj
Fort i nderti atë provincial,
Kur para 4 vjetëve, erdh në vizitë P. Provincjali i athershëm, shkëlqesia e tij Emzot Prenushi, edhe e pau gjendjen e mjerueshme, në të cilën gjindej qela e Curraj, e sidomos mloja qi ishte tuej ra mrendë, më tha qi të bashe mlojen e re tuej më premtue njiheri ndimen e Provincës. Un mbas ati urdhri e ati premtimi ja hina punës, edhe e bana mlojen e re të qelës, për të cillën si kur ju kam lajmue edhe tjera herë me shkresë ka kushtue 25 napolona. Mjerisht por, deri tash jo vetëm se nuk kam pasë asnjë ndihmë prej provincet por për me la ato harxhimet e qelave tash tri vjet më duhet me u la faiden vjeta më vjet. Po shof se Provinca nuk asht tuej i ndejë premtimit të thanun për pagimin e këtyne borxheve me kët lutje me ju lypun mos tjetër nji uha, qi mund të lajë shekullarët e mos të kemi faide ndër ta e ti jes borsh Provincës, të cillat ja lajë tuej hjekë për gjithë vjetë ka nji pjesë të vogël prej subsidit qi më takon me marrë.
I sigurtë se lutjen t’eme keni me marrë parasysh.
Nënshkruhemi me shumë bindje.
- Rrok Vataj ofm
Famullitar”.[26]
Pavarësisht rrotacionit të famullitarëve, si pjesë e planifikimeve të administratës klerikale, platforma e tyre në shërbim të besimtarëve ishte e pandryshueshme. Gjatë pushtimit të Shqipërisë, kleri katolik ishte i shpërndarë në të gjitha famullitë, përfshirë dhe Currajt e Epërm. Në muajin shkurt të vitit 1943, në cilësinë e fratit të Currajve, paraqitet At Alfons Çuni.[27] Famullitarët i këshillonin banorët të distancoheshin nga propaganda politike.
Situata u rëndua me shpalljen e platformës komuniste, e cila ishte tepër ogurzezë për qasjen ndaj besimit fetar, klerit, familjes, parisë, pronës dhe mekanizmit të instalimit të pushtetit në famullitë katolike.
Famullitarët katolikë, për shkak të njohurive të tyre shkencore rreth teorisë komuniste, kishin kohë që e kundërshtonin ideologjinë në fjalë, si pasojë e eksperimentit të frikshëm në Rusi. Në fakt, ata nuk huqën në parashikimet e tyre. Shkelja e zonës nga repartet ushtarake partizano-komuniste u pasua me ushtrimin e një terrori kriminal të përmasave antikombëtare. Faktet provojnë se reprezaljen e kishin me shqiptarët autoktonë të këtyre viseve, kishën e parinë, se ushtri të huaja nuk kishte atypari.
Famullitari kryesor, i cili u angazhua në orientimin e popullatës në këtë situatë të rëndë ishte famullitari i Nikajve, At Dionis Makaj. Në letrën që ai i dërgon provincialit në tetorin e vitit 1944 shkruhet se komunizmi është armiku i fesë, i atdheut dhe i meshtarëve. At Makaj informon se u kishte çuar fjalë fratit të Rajës dhe atij të Currajve të Epërm të vinin për t’u bashkuar me qëndresën antikomuniste, duke i porositur të ruhen shumë[28].
Siç konstatohet nga proceset e pafundme e të montuara politikisht më pas, meshtarët katolikë, përfshirë ata që shërbyen në Curraj, ishin subjekt kryesor i goditjes kriminale komuniste. Ata u arrestuan, u burgosën dhe u eliminuan nëpërmjet metodave më të egra të manualeve torturuese komuniste.
Ish-famullitari i Currajve, At Bernardin Llupi, nuk kishte nga mbrapa veç komunistët shqiptarë, por edhe ata sllavë. Ai u arrestua së bashku me aktivistë të tjerë të çështjes kombëtare në Prizren. Sigurimi jugosllav u montoi procesin “Katoliçeskaja Banda” dhe gjyqi sllavotitist, shkruan Fritz Radovani, vendosi pushkatimin e At Bernardin Llupit, 60 vjeç. Vendimi u ekzekutua më 25 nëntor 1946, në Prizren, ku u ekzekutua me breshëri automatiku[29].
Proceset e montuara, burgosjet dhe ekzekutimet i provuan pa përjashtim të gjithë ish-famullitarët e Currajve që ishin gjallë. E gjithë kjo urrejtje e armiqësi ndaj këtyre kolosëve të fesë e atdheut, që kishin një jetë të përkushtuar ndaj kombit, e njollosi sistemin komunist. Sidoqoftë, kisha ishte e mbeti dhe veprat e famullitarëve janë të përjetshme në ndërgjegjen e besimtarëve të Zotit dhe sidomos të atyre të Currajve.
Simbolika e kishës si institucion dhe e rrethinave të saj
Kisha e Currajve mbart një simbolikë domethënëse fetare, kulturore dhe historike. Pak hapa larg saj ngrihet shkolla, poshtë saj “Pusi i Kishës”, bri saj, “Suka e Kishës” e “Blini i Kishës”, një memorial i kushtuar luftës së 1915-s e martirit të besës Gjelosh Rama, disa varre përreth saj e, disa hapa larg saj, varrezat e Prebibajve e Mrishajve, ku prehen figura në zë të katundit.
Kisha e Currajve shërbeu në ndonjë rast si një lloj “instituti kërkimor”; ajo u shndërrua në vatrën prej nga ku At Bernardin Palaj dhe At Donald Kurti mblodhën materialin më origjinal të Eposit të Kreshnikëve. At Zef Pllumi nënvizon se “Nga dy ekspedita që kam ndërmarrë këto vitet e fundit më del se vendet përshkruese nga rapsodët ma t’izoluem të botës si ato të Currajve të Epër, janë krejtësisht të sakta me të dhanat gjeografike.”[30].
Dijetarët e lartpërmendur mblodhën në Curraj të Epërm pjesët më themelore të Eposit, njëra syresh është Gjeto Basho Muji (Martesa e Halilit), për të cilën është lënë vlerësimi se “Kjo rapsodi, e përmbledhme mbas shqyptimit të tre rapsodëve të Curraj, mund të quhet bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të Homerit, nji ndër ma të bukurat e ma delikatet, qi kemi shqyp…”[31]. Dëftuesi i kësaj rapsodie ishte Mirash Gjoni, i cili u kishte deklaruar se “… kshtu e dijm prej të parësh.”[32].
Regjistrimi i shkruar i tyre drejtpërdrejt nga rapsodët dhe krahasimi deri në tri burime të ndryshme, siç e pohojnë vetë mbledhësit e folklorit, i pajis këto burime të Eposit me një metodologji profesionale.
Kohët e fundit janë ndërmarrë nisma joprofesionale, duke “mbledhur” e fabrikuar “këngë eposi” nga përfitues projektesh të huaja. Ky proces është i dëmshëm për kulturën kombëtare, ndaj dosja që pritet t’i dorëzohet një ditë UNESCO-s duhet të përmbajë me patjetër fondin autentik të Eposit, si dhe autorët e vërtetë të mbledhjes së tij, përfshirë dhe rrëfyesit ose rapsodët e krahinave përkatëse.
Shkolla në Curraj ka lidhje zanafillore me kishën e famullitarët e saj. Famullitarët ishin të parët që edukuan, nëpërmjet pedagogjisë dhe fesë të rinjtë e katundit, të cilët më pas u përfshinë në listat e personelit të arsimtarëve.
Pusi i Kishës mbart një simbolikë të fuqishme betimi, vazhdimësi kjo e traditës iliro-shqiptare. Në atë pus u mbytën “gurët e besë”, pas një betimi në kishë nga burrat e Currajve se toka e tyre dhe e katundit s’do të shitej, falej a tjetërsohej kurrë jashtë katundit.
Rilindasi i shquar Pashko Vasa, autor i disa librave çelës për identitetin e shqiptarëve, këtë lloj betimi e ka konsideruar pjesë të besimit të vjetër të pellazgëve, betim që në malësi shoqërohet me të njëjtin nderim e me të njëjtën madhështi, sikurse në kohën e lashtësisë[33].
Ndërkohë, njohësi më i mirë i botës shqiptare i këtyre veçorive, At Gjeçovi, në studimin “Bet e Shqyptarëve” konstaton se “Guri të hjek randë n’at jetë”. Në çdo pleqni a gjyq “kryet e vendit e xen guri.”[34].
Suka e Kishës ishte “oda natyrore e kuvendit”; aty mblidheshin burrë për shtëpi, ku diskutohej e vendosej për çdo tematikë. Edhe planvendosja e saj nuk i le shumë shteg imagjinatës – një livadh me në krye një rreshpore të dallgëzuar, pothuajse në formën e dy rreshtave me stola.
Suka e Kishës
Tërësia e veprimtarisë fetare, kulturore e patriotike, e zhvilluar qysh prej ngritjes së saj në vitin 1897, e shndërron kishën e Currajve të Epërm në një institucion të rëndësisë së veçantë për secilin banor të Currajve, për çdo besimtar të Zotit e vëzhgues të identitetit kombëtar.
Pa mëdyshje, dokumentacioni i nxjerrë nga kjo kishë ka vlera të paçmuara fetare, historike, etnologjike, demografike, gjenealogjike, administrative etj. Shfrytëzimi i këtij fondi dokumentar ndërmjet viteve 2006-2010, krijoi mundësi për zbardhjen e ngjarjeve të trajtuara deri në vitin 1945./drita.info
Bibliografia
Burimet arkivore:
- Fondet e Arkivit Qendror të Shtetit: F. 58; 78; F. 132; F. 132/A; F. 133; F. 195; F. 345;
- Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë: F. 151.
Revista dhe gazeta:
- Vëllazënija, nr. 110, Kremtimi i Lindjes së Perandorit në Zhuri, Wien, 1918;
- Hylli i Dritës, nr. 7-8, “Kangë Kreshnikësh, Martesa e Halilit”, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër 1924;
- Hylli i Dritës, nr. 11, Trashëgimi Thrako-Ilirjane, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1924.
Botime historiografike:
- At Bernardin Llupi (OFM), “Historija e Luftës Kundra Malit të Zi” (Kujtime të vitit 1915), Botimet Françeskane, Tiranë 2019;
- At Zef Pllumi, “Histori kurr e shkrueme”, 55, Tiranë, 2006;
- At Marjan Prelaj, OFM, “Misjoni shëtitës i françeskajvet nëpër Shqypni”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2019;
- Egelbert Deusch, Das k.(u.)k. Kultusprotektorat Österreich (-Ungarns) im albanischen Siedlungsgebiet, Böhlau Verlag, Wien Köln Weimar, 2008;
- GiuseppeValentini, “Ligji i maleve shqiptare, nga relacionet e misionit shëtitës jezuit në Shqipëri 1880-1932”, Plejad, Tiranë, 2007;
- Pashko Vasa, E vërteta, për Shqipërinë dhe shqiptarët, Naim Frashëri, Tiranë, 2008.
Uebe:
- https://www.radiandradi.com/nje-faqe-e-pashkruar-ne-historine-e-arsimit-te-nikaj-merturit-nga-ylli-prebibaj/;
- https://www.voal.ch/katoliceskaja-banda-maske-e-vrasjeve-komuniste-nga-fritz-radovani.
[1] Egelbert Deusch, Das k.(u.)k. Kultusprotektorat Österreich (-Ungarns) im albanischen Siedlungsgebiet, Böhlau, Verlag, Wien Köln Weimar 2008, fq. 174-175.
[2] AQSH, F. 78, V. 1878, D. 3, fq. 46.
[3] Po aty, fq. 87.
[4] Xh. Valentini, “Ligji i Maleve Shqiptare, nga relacionet e misionit shëtitës jezuit në Shqipëri 1880-1932”,
Plejad, Tiranë, 2007, fq. 201.
[5] AQSH, F. 132 V. 1909, D. 3, fq. 5.
[6] Po aty, fq. 2-9.
[7] AQSH, F. 132 V. 1911, D. 11, fq. 1.
[8] At Bernardin Llupi (OFM), “Historija e lufës kundra Malit të Zi” (Kujtime të vitit 1915), Botimet
Françeskane, Tiranë, 2019, fq. 110.
[9] Po aty, fq. 111.
[10] AQSH F. 133, V. 1916, D. 733, fq. 2.
[11] AQSH. F. 133, V. 1918, D. 766, fq. 8.
[12]Po aty, fq. 9.
[13]https://www.radiandradi.com/nje-faqe-e-pashkruar-ne-historine-e-arsimit-te-nikaj-merturit-nga-ylli-prebibaj/
[14] AQSH F. 195 V. 1918 D. 6, fq. 37.
[15]Vëllazënija, nr. 110, Kremtimi i Lindjes së Perandorit në Zhuri, Wien, 1918, fq. 2.
[16] AQSH F. 132/A, V. 1919, D. 13, fq. 1.
[17] Po aty, fq. 2.
[18]AQSH F. 58, Pa vit, D. 92, fq. 5.
[19]AQSH F. 133, V. 1920, D. 794, fq. 1.
[20]At Marjan Prelaj, OFM, “Misjoni shëtitës i françeskajvet nëpër Shqypni”, Botimet Françeskane, Shkodër
2019, fq. 141.
[21]AMPJ, F. 151, V. 1922, D. 101, fq. 30.
[22]AQSH. F. 133, V. 1930, D. 1027, fq. 2.
[23]AQSH F. 345, V. 1940, D. 81, fq. 2.
[24]AQSH F. 133, V. 1934, D. 1072, fq. 2.
[25]AQSH F. 133, V. 1936, D. 1112, fq. 15.
[26]AQSH F. 133, V. 1937, D. 1120, fq. 18-19.
[27]AQSH F. 133, V. 1943, D. 1245, fq. 8.
[28]AQSH. F. 133, V. 1945, D. 1265, fq. 1.
[29] F. Radovani, “Katoliçeskaja banda” maskë e vrasjeve komuniste”, në (https://www.voal.ch/katoliceskaja- banda-maske-e-vrasjeve-komuniste-nga-fritz-radovani/).
[30] At Zef Pllumi, “Histori Kurr e Shkrueme”, 55, Tiranë, 2006, fq. 214.
[31] Hylli i Dritës, nr. 7-8, “Kangë Kreshnikësh, Martesa e Halilit”, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1924,
- 258.
[32] Po aty, fq. 267.
[33] P. Vasa, E vërteta, për Shqipërinë dhe shqiptarët, Naim Frashëri, Tiranë, 2008, fq. 23.
[34] Hylli i Dritës, nr. 11, Trashëgimi Thrako-Ilirjane, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1924, fq. 503.