ZBULIME TË REJA NË NAZARET: SUPOZIME PËR ZBULIMIN E SHTËPISË SË JEZUSIT

Sipas informimit të disa agjencive të lajmeve botërore, arkeologët e University of Reading në bashkëpunim me arkeologët e izraelit dhe me përkrahjen e Association Maria of Nazareth kanë arritur zbulime të raja në qytetin e Nazaretit, të cilat do të mund të çojnë drejt zbulimit të shtëpisë së Jezusit, në vendit ku Ai i ka kaluar vitet e para të fëmijërisë, shkruajnë shumë agjenci të lajmeve.

Supozime për të lokalizuar shtëpinë e Jezusit ka pasur që në mesjetën e hershme, dhe pikërisht në vitin 670 murgu irlandez Adamnano pat shkruar veprën De Locis Sanctis, (sh. Vendet e shenjta) në të cilën pati sjell dëshmitë e tija rreth vendit ku supozohej se ishte shtëpia e Jezusit, shkruante: duket se ajo gjendet mes dy varreve dhe nën një kishë. E kishin vendosur brenda saj gjatë kohës bizantine dhe gjatë kryqëzatave me qëllimin për ta ruajtur nga dëmtimet e mundshme.

Duke u bazuar në këto të dhëna të murgut Adamnano, një grup arkeologësh nga University of Reading, i udhëhequr nga Prof. Ken Dark, anglez, kanë gërmuar në atë vend dhe kanë arritur të zbulojnë të reja të rëndësishme arkeologjike, pikërisht një shtëpi tipike hebreje të kohës së Jezusit.

Shtëpia gjendet në Nazaret afër Bazilikës së Lajmërimit të Zojës. Është e përbërë prej një seri dhomash dhe një shkalle. Të gjitha këto kanë mund të arrihen pas 9 vite gërmimesh. Që nga viti 2006 Prof. Ken Dark ishte fokusuar në këtë vend, i cili konsiderohej si lokacion i mundshëm për ta identifikuar vendbanimin e Jezusit, meqë një kohë të gjatë njerëzit e kanë mbajtur si vendin e shtëpisë së Jezusit në kohën e fëmijërisë.

Edhe pse duket të jetë herët për të vërtetuar me saktësi se këto gjetje i përkasin shtëpisë së Jozefit të Marisë, pra prindërve të Jezusit dhe si një shtëpi ku ai do të kish kaluar fëmijërinë e tij, megjithatë me saktësi mund të thuhet se është një vendbanim tipik i një familje hebreje të kohës së Jezusit: “Jezusi me siguri se e ka njohur këtë vend e ndoshta edhe këtë shtëpi”, kanë deklaruar Association Maria of Nazareth, institucion i cili e ka të drejtën e pronësisë së vendit të gjurmimeve. Edhe Prof. Dark, në një shkrim të tij në revistën Biblical Archaeology Review ka pohuar se ende është herët për të pohuar një gjë të këtillë, por as nuk e përjashtojmë, se ky vendbanim mund të ketë qenë shtëpia e Jezusit.

Edhe prof. Yardenna Alexandre, nga Israel Antiquieties Authority, që është pjesë e këtyre gjurmimeve, pohon se kemi të bëjmë e gjetje të rëndësishme të një vendbanimi të shek. I, që jep shumë të dhëna të jetës së nazarenasve në këtë periudhë: “këto gjetje kanë një rëndësi kapitale, sepse zbulojmë për herë të parë një shtëpi të popullit hebre të Nazaretit dhe në bazë të këtyre të rejave mund të arrijmë njohje për stilin e jetës në kohën e Jezusit.”

Pamje nga gërmimet e reja arkeologjike

 

“Ndërtesa që e kemi zbuluar është e vogël dhe modeste – shpjegon Alexandre – dhe gati se është e sigurt që kemi të bëjmë me një shtëpi tipike të Nazaretit të asaj kohe. Sipas të dhënave historike që i posedojmë, ne kuptojmë se Nazareti ka qenë një vend i vogël hebraik i vendosur në një luginë. Deri më tani kemi gjetur edhe disa varre të kohës së Jezusit, por nuk kemi pasur mbetje arkeologjike tjera që do t’i përkasin kësaj periudhe.”

Kështu mund të imagjinohet një shtëpi e shek. I në Nazaret.

 

Sipas raportimeve të disa agjencive në atë shtëpi janë gjetur edhe disa objekte, pjesë qeramike të kohës romake (shek. I dhe II), objekte që janë përdorur nga hebrejtë e kohës.

 

Foto nga puna e gjurmimeve arkeologjike në Nazaret

Bazilika aktuale e Nazaretit, që është krejt afër gjurmimeve, është e ndërtuar në vitin 1969 mbi mbetjet e tri kishave të mëparshme, më e vjetra prej tyre është e periudhës bizantine (shek. IV).

Kështu duhet të ketë qenë Nazareti në kohën e Jezusit

 

Në këtë vend gjendet një shpellë që në antikitet mendohej të ketë qenë në pronësi të familjes së Jezusit.

 

 

 Këto fotografi tregojnë për vendin e gërmimeve afër Bazilikës së Lajmërimit të Zojës dhe një sit arkeologjik i gërmimeve në kohëra të ndryshme.

 

Teksti është huazuar nga disa agjenci lajmesh, i përpunuar nga redaksia jonë, kurse fotografitë janë marrë nga http://www.gesustorico.it/htm/archeologia/casa-nazareth.asp

 

Shpëndaje: