Kompozitori Vinçenc Gjini, krijuesi i thesarit muzikor me frymëzim shpirtëror

Homazh për ditën e kalimit në amshim të kompozitorit të mirënjohur Vinçenc Gjini (23 shtator 2022)

 

Nga Akil Mark KOCI

 

Në rrugën e qitjes në dritë të muzikës sakrale

Shqyrtimet e mia modeste të deritanishme për muzikën sakrale shqiptare, mendoj se janë të vlefshme nga shumë aspekte, sepse për të parën herë paraqiten një sërë artikujsh për kompozitorët, që në opusin e tyre kanë edhe muzikë sakrale, dhe e dyta, do të kemi një pasqyrë më të qartë se sa kompozitorë kanë kompozuar dhe sa vepra janë krijuar deri tash në universin e krijimtarisë muzikore sakrale shqiptare, në këtë sferë të pahulumtuar sa duhet, dhe, së fundit, cilat janë ato vepra dhe sa janë ato kualitative.

Deri tani në këto shkrime nuk kam bërë krahasime mes krijimeve dhe autorëve të tyre, por kam bërë vlerësime në kuadrin e veprës dhe opusit krijues individual të çdo autori, sepse reflektimet e mia kritike për veprat janë ngushtë të lidhura me mendimin tim estetik dhe artistik. Prandaj për të dhënë vlerësime të tilla, natyrisht do të duhet një analizë më e thellë muzikologjike, bazuar në kodet relevante shkencore. Kriteri estetik është i nevojshëm kur kemi parasysh edhe pluralitetin e mendimeve të kolegëve dhe të muzikologëve të tjerë, që paraqitet si strukturë komplekse në artin e përgjithshëm muzikor. Kjo gjini muzikore është lënë pas dore për një kohë të gjatë, për shumë shkaqe, të cilat i kemi përmendur disa herë. Porse ajo, s’ka dyshim, meriton një vështrim dhe studim më të gjerë dhe të gjithmbarshëm nga ekspertë të shumë të muzikologjisë, dhe jo vetëm në aspektin e muzikologjisë, por edhe në aspektin filozofik, artistik dhe estetik.

Nga studimet e mia për këtë fenomen kam ardhur deri te konstatimi se muzika sakrale nuk ka pasur ndonjë zhvillim sikurse në vendet e tjera me tradita të mëdha muzikore. Kjo ngecje ose moszhvillim është ndikuar për shkak të robërisë pesëshekullore otomane, e më vonë, edhe për shkak të regjimit komunist. Duket e natyrshme që ajo “mos” kishte merr përmasa më të gjera zhvillimore, që ka ndikuar dukshëm në moskrijimin e vlerave, jo vetëm muzikore, morale por edhe të atyre artistike, e aq më pak të vlerave shpirtërore që ndikojnë si faktorë nxitës përmes përsosmërisë shpirtërore, duke qitur në pah të vërtetën, të bukurën dhe të  mirën.

Prandaj, vështrimet e mia botuar në revistën “Drita”, ndoshta do të jenë edhe një kontribut i vogël duke synuar të jetë, si të themi, një qasje, një kujdes që duhet kushtuar kësaj gjinie aq deficitare muzikore ndër ne. Këto krijime mund të shkaktojnë ndonjëherë edhe përjetime të thella emocionale si përsosmëri jo vetëm krijuese, por edhe estetike, intelektuale dhe morale, duke bartë në vete forcën ekspresive, të cilat, në këtë kohë të detronizuar në çdo aspekt, mund të pastrojnë, t’i lartësojnë shpirtrat njerëzore ose, si do të thoshin shkrimtarët dhe filozofët,  “e ndihmojnë njeriun të kuptojë vetveten”.

Pasi deri tani s’i kemi kushtuar kujdes të duhur muzikës sakrale, na duhet bërë shumë që të angazhojmë gjithë potencialin krijues dhe interpretues e t’i animojmë për një kultivim sa më qenësor të trashëgimisë kulturore të muzikës sakrale dhe për një perspektivë më të qartë të saj, duke biseduar me kompozitorët dhe shkrimtarët, që kësaj gjinie të i kushtojnë kujdes më të madh se deri tani në krijimtarinë e tyre.

Në këtë drejtim kultivues veproi edhe kompozitori Vinçenc Gjini, i cili na solli dy botime me muzikë sakrale me vlera të pakontestueshme si krijime që do ta begatojnë  fondin e kësaj gjinie.

 

Kush është Vinçenc Gjini

Vinçenc Gjini u lind më 22 janar në Ferizaj. U diplomua në seksionin teorik të Akademisë muzikore të Beogradit, kurse në Shkup studioi kompozimin dhe është magjistër i harmonisë.

Ka një opus mjaft të madh dhe pos tri simfonive, simfonietës, 10 kantatave, sonatë për violinë dhe piano; ka edhe shumë vepra të tjera të gjinive dhe të formave të ndryshme, kurse gjuha e tij muzikore  është “e qartë, me simetri dhe ekuilibër klasik, me harmoni neo-romantike me përdorim të shpeshtë të bazës tonike modale dhe mjaftë herë me tingëllim të melosit popullor shqiptar”. Është gjithashtu autor i një numri të konsiderueshëm veprash të muzikës kishtare. Në vitin 2000 e boton veprën e tij kapitale të muzikës sakrale në dy vëllime “Ejani t’i këndojmë Zotit – I dhe II, botim i Misionit katolik Shqiptar në Zagreb, nën përkujdesjen e misionarit Don Ndue Ballabani. Siç shkruan në CV (cirricullum vitae) e tij, është  profesor i parë muzikor me kualifikime të larta dhe është kompozitori i parë në Kosovë që ka kompozuat meshën në gjuhën shqipe. Jeton dhe vepron në Buje të Kroacisë.

 

Opusi krijues

Tani kam në dorë dy librat voluminozë të Vinçenc Gjinit, profesorit dhe kompozitorit tonë të shquar shqiptar, me titull  “Ejani t i këndojmë Zotit I, II” me këngë sakrale, por nuk e kam pasur më lehtë të shkruaj dhe të rrëfej për opusin, më mirë të themi, për thesarin krijues të tij.

Shpesh jam takuar me krijimtarinë e tij, qoftë atë pedagogjike ose krijimtarinë muzikore, për të cilat  kam shkruar disa herë, duke u bazuar në prirjen e tij për të  krijuar vepra të reja me vlerë, përqendrimin dhe vëmendjen brenda strukturës muzikore, shkrirjen e ndjenjave të autorit në skematizmin krijues, konceptin artistik që e hasim në veprat e tija, të cilat vezullojnë para nesh si bukuri plotë domethënie të trupëzuara dhe të perceptuara si tipare qenësore, ngase ato shquhen gjithmonë me një kompozicion plotë melodi, ritme dhe me shumë harmoni, pse jo edhe me një arkitektonikë të qartë, vërtet mjeshtërore të përvetësuar estetikisht, bazuar në specifikat e artit. Kjo harmoni elokuente nuk është edhe i thjeshtë, sepse hasim në një lidhje logjike, fakte që konvertojnë mes veti, jo vetëm në fokus për ta paraqitur thelbin e idesë kryesore, por edhe universin edhe universalen e saj estetike si formë e shprehjes origjinale. Pra, ato nuk janë kompozime të krijuara në bazë të parimeve skematike abstrakte, por vepra me një imagjinatë të thellë, bazuar në përjetime estetike, vepra të mirëfillta artistike. Gjithmonë, si krijues, koleg dhe mik i tij, kam pasur një respekt dhe ndjenjë të thellë për krijimtarinë e këtij kompozitori, pavarësisht prej mendimit krijues estetik muzikor, divergjencave të tyre thelbësore që i takojmë thuaja dy stileve, ose më mirë te themi shprehjeve muzikore krijuese si dhe bisedave të shumta në lidhje me/për muzikën, shpesh edhe për çështje të artit, duke shkëmbyer mendime kontradiktore mes vete, por gjithnjë pa “zjarr” gjatë bisedave e diskutimeve krijuese, sepse “arti nuk është vetëm fotografim i ideve, por edhe vlerësim aksiologjik nga shumë aspekte” .

Vinçenc Gjini i takon gjeneratës së parë të pedagogëve shqiptarë me Akademi muzikore të kryer në Beograd. Ka qenë i veçantë jo vetëm për kah rezultatet e arritura gjatë studimeve, por edhe për kah krijimtaria e tij e madhe, e kompozuar me një profesionalizëm dhe me një imagjinatë, ku akti estetik ravijëzon formën, konceptin metafizik. Pra, në këtë kuptim e kam më lehtë të jap vlerësime, analiza për këto dy libra përplot krijime të bukura dhe të flasë për këto pjesë muzikore të mishëruara jo vetëm artistikisht, por edhe në aspektin estetik, duke e pasur të qartë krijimtarinë e tij të madhe, që bazohet në sintagmën se “artin për ta shijuar me ndjenja, duhet ta perceptojmë me shqisa”, gjë që më ka rastisur shumë herë, sepse kam pasur në dorë partiturat e tija si dhe kam dëgjuar mjaft muzikë të kompozuar, qoftë në ekzekutime të “galla-live”, qoftë edhe përmes incizimeve. Kompozimet e tij emitoheshin rregullisht përmes valëve të Radio Prishtinës, të cilat më kanë lënë mbresa të thella, sepse me sukses e lidh të bukurën me formën ta quajmë “klasike” në kuptime të  gjëra, të cilës me aq përpikni jo vetëm që e respekton, por edhe i përmbahet gati në të gjitha kompozimet e krijuara, dhe të cilat shquhen me melodikë të pasur, ritëm të gjallë dhe harmoni të bujshme. Kështu krijon një muzikalitet të spikatur që përcaktohet herë nga lirizmi i gjerë e herë edhe nga drama e thellë, duke shprehur dhe ngritur karakterin emocional si shkrirje e ndjenjave individuale të këtij krijuesi, të ndërthurura me lirizmin dhe introspeksionin si forcë shprehëse.

Kjo, pra ka qenë ndihmesë e madhe për ta parë, përcjellur dhe analizuar krijimtarinë e tij të pasur, kurse për këto dy libra që paraqesin një pasuri muzikore, jo vetëm në muzikën sakrale shqiptare, por edhe në tërësinë e krijimtarisë muzikore shqiptare si pjesë integrale e saj. Tek këto libra kam vërejtur vlerën tradicionale të krishterimit i frymëzuar nga Ungjijtë sipas Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit ku rrëfejnë, pos të tjerash, edhe një dashuri universale, pavarësisht, te të gjithë njerëzit pa dallim feje dhe kombi.

 

Libër i tingujve të gjallë

Për të pasur një njohuri më të madhe me siguri se do të më ndihmojnë shkrimet e tri personaliteteve të shquara muzikore të Kroacisë dhe sidomos fjala hyrëse e Don Ndue Ballabanit, misionarit të Misionit Shqiptar në Kroaci, i cili në rolin e botuesit na paraqitet në parathënie e vet të gjerë me një retorikë të qartë plotë elokuencë nga këndvështrimi i tij, i cili fokuson dhe sugjeron imazhin e përgjithshëm eterik që paraqet refleksin e një strumbullari estetik dhe etik, të këtyre dy librave, siç thotë “se këto dy libra do të jenë kontribut i madh për kulturën e përgjithshme gjithë kombëtare shqiptare, por, njëkohësisht edhe rrugë e hapur për krijime të reja”. Ai na njeh edhe me përvojën empirike dhe për pikëpamjet e para fetare ndër ne, pa mistifikime, por në emër të kujdesit për shpirtin, të lumturisë së amshuar dhe të shpëtimit të shpirtit, duke ringjallë dhe duke ngritur artistikisht këngën liturgjike dhe siç thotë “me tinguj të gjallë ta zgjojë dhe ta ngrit jetën shpirtërore përmes këngës, ceremonive fetare duke e gjallëruar dashurinë ndaj Hyjit dhe përjetimit të thellë i vetëdijes nacionale dhe religjioze e popullit shqiptar i cili është i shpërndarë nëpër botë por i cili është i lidhur me traditën e shenjtë të kishës katolike, si gurrë e së vërtetës që duhet besuar dhe normat e saja morale që duhet mbajtur”.  Pra, bazuar jo vetëm në doktrinat kishtare, por edhe ato artistike dhe estetike, këngës asaj solistike dhe korale liturgjike i është dhënë gjithnjë përparësi, sepse bartin elementet e rëndësishme për forcimin jo vetëm të këngës liturgjike, por edhe atë fetare, sepse në Ungjillin Shenjtë thuhet “ai kush këndon dy here i lutët Zotit”.

 

Qëndisje e përvojave më të mira të kompozimeve evropiane

Pra, pos këtij teksti në margjinat e kopertinave  kemi dy ekstraktet e dy recensioneve të dy profesionalistëve të njohur kroatë, të Dr. Miho Demoviq, Regens kori i katedrales së Zagrebit dhe  Mr. mo Mirosllav Martinjak, profesor në fakultetin  Teologjik katolik në Zagreb.

Në ekstraktin e Dr. Miho Demoviq thuhet: “Kantuali i kompozimeve kishtare në gjuhën shqipe “Ejani t i këndojmë Zotit, libri I dhe II i prof. mr. Vinçenc Gjini-t duhet theksuar si risi që shkakton “habi” me vëllimin e tij. Autori në kompozime sikur t’i kishte qëndisë të gjitha përvojat më të mira të kompozimeve evropiane gjatë shekujve. Kjo vepër monumentale mund të konsiderohet edhe si punim pionier në fushën e muzikës kishtare në gjuhën shqipe. Në secilin kompozim autori manifestohet si njohës i përsosur i stilit vokal, i harmonisë, i drejtimit dhe konstruktimit natyral të vijës melodike. Duke vëzhguar në tërësi V. Gjini ka krijuar opus të rëndësishëm të këngëve kishtare të vrullshme, të këndshme dhe të përzemërta dhe me veprën e vet e ka pasuruar Kishën Katolike me thesar të kompozimeve shpirtërore.”.

Pra një shkrim në pikëpamje profesional shumë të qëlluar, por do të bënim një vërejte se nuk është punë pionieri e këtij krijuesi, por edhe në muzikën sakrale shqiptare në përgjithësi, ngase nuk e njeh sa duhet krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë, se përpara gjeneratës tonë muzikë sakrale kanë kompozuar At Martin Gjoka, Kardinali Mikel Koliqi dhe shumë të tjerë, kurse për Kosovë mund të jetë pionier i muzikës sakrale Lorenc Antoni, Vinçenc Gjini, Akil M. Koci, Zeqirja Ballata, Rruf Dhomi, Gjon Gjevelekaj  dhe të tjerë.

Kurse në ekstraktin e Mirosllav Martinjak, është tejet pozitiv: “Çdo thesar muzikor i një populli shfaq kulturën e tij, veçmas thesari muzikor i inspirimit shpirtëror-religjioz është shprehje e fesë dhe e pjekurisë shpirtërore të atij populli. Mund të thuhet: ”si këndon populli ashtu edhe beson, sepse kënga fetare buron nga thellësia më e madhe e ndjenjës njerëzore, nga atje ku njeriu takohet me Zotin. Kantuali “ Ejani t’i këndojmë Zotit” dëshmon forcën e fuqishme krijuese të muziktarit shqiptar, kompozitorit Vinçenc Gjinit, i cili bëri përpjekje të madhe për t’i dhuruar popullit të vet një pasuri që nuk paguhet. Pasuri e inspirimit shpirtëror që do t’i përcjellë ceremonitë dhe të kremtet në gjuhën shqipe. Shpirti që shkëlqen nga këto kompozime vërteton gjendjen e V. Gjinit në kulturën muzikore katolike të civilizimit evropian dhe njohjen e të kompozuarit të teknikës së motetit për koret dhe nevojat liturgjike. Fjalët liturgjike, në kompozimet e Gjinit i është dhënë përparësi dhe muzika i shërben fjalës e jo anasjelltas. Kompozimet e dedikuara koreve janë të krijuara në teknikën e përshtatshme, me pretendime jo të tepërta, por prapë mjaft efektive dhe melodike. Gjithsesi kjo vepër është pasurim i madh i liturgjisë muzikore shqipe e trashëgimit të krishterë dhe përpjekje e madhe e kompozitorit Gjini është dhuratë e madhe e popullit të vet, i cili me anë të atyre kompozimeve në liturgji e lavdëron Zotin dhe e shuguron në jetën e vet të krishterë.”

Kurse në parathënie Don Ndue Ballabani thotë: “Me nxitje për krijimtarinë e muzikës sakrale, si sintezë e jetës shpirtërore, më se të nevojshme për ne, përmes së cilës adhurohet dhe lartësohet Hyji, e besimtarët të përshkruar me fuqinë e saj magjike e njohin bukurinë dhe dashurinë shpirtërore, prof. mr. Vinçenc Gjini iu përvesh punës serioze dhe krijoi një opus të konsiderueshëm kompozimesh të reja origjinale kishtare në gjuhën amtare shqipe, të cilën do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit  e Kishës sonë. Për arsye se libri është voluminoz, ai është ndarë në dy vëllime: “Ejani t’i këndojmë Zotit I” dhe “Ejani t’ i këndojmë Zotit II”, ku janë përfshirë 312  kompozime. Në librin –vëllimi i parë, këngët renditen si vijon: Lutjet themelore, Meshë të kënduara, Këngë eukaristike, Këngë për të cilat gjatë vitit kishtar dhe Këngë për kremte të Shenjtërve. Në vëllimin e dytë: Të   Ardhurit  (Adventi), Krishtlindja, Kreshmët, Pashkët, Jezu Krishti, Zojës së Bekuar (Virgjirës Mari) dhe Këngë rasti.

Për shkak të mungesës së teksteve  të reja, autori gjatë kompozimeve ishte i kufizuar kryesisht në tekstet e librave: ”Të lëvdojmë Zotin së bashku” (p. Hil Kabashi), Shujtja shpirtërore” (Dr. don Gasper Gjini), “Kantuali kishtar shqiptar” (Mons. N. Mini),,”Meshari”dhe Bibla (përkthim i mons. Simon Filipaj). Shihet se shqipërimi i shumë teksteve është marrë nga imzot Hil Kabashi. Njëkohësisht hasim edhe në tekste të reja. Kjo është vepër e parë origjinale e pavarur e këtij lloji e prof. mr.Vinçenc Gjini .

Kjo vepër do të jetë kontribut i madh për kulturën gjithëkombëtare shqiptare, por njëkohësisht,edhe rrugë e hapur për krijime të reja.

Tendenca e autorit ka qenë ringjallje dhe ngritja artistike e këngës liturgjike tek ne. Kurse dëshira dhe qëllimi primar i këtyre kompozimeve, është që besimtarët me këngë liturgjike dhe me tingull të “gjallë” ta zgjojnë e ta ngritin jetën shpirtërore dhe bashkërisht të marrin pjesë në ceremonitë fetare, si dhe të mbërrihet ripërtëritja dhe identiteti shpirtëror e kulturor. Përveç kësaj, qëllimi është që sa më shumë pasurohet dhe të zgjerohet fondi i raportit të muzikës sonë korale kishtare, kështu që të gjallohet dashuria ndaj Hyjit dhe përjetimi i thellë i vetëdijes nacionale dhe religjioze e popullit shqiptar, i cili është shpërndarë  nëpër botë. Populli shqiptar është ngushtë i lidhur me traditën e shenjtë të kishës katolike, si gurrë e së vërtetës që duhet besuar dhe me normat e saj morale që duhet mbajtur.”

Dhe për fund, të më lejohet të shtoj se Misioni Katolik Shqiptarë në Kroaci, me misionarin Don Ndue Ballabni, zhvillon një aktivitet të madh në mbajtjen e tubimeve shkencore, t♪7 simpoziumeve dhe manifestimeve, jo vetëm kishtare, por edhe të aktivitete të tjera nga historia jonë kombëtare. Veçanërisht Misioni shquhet me botimin e shumë veprave të studiuesve shqiptarë nga të gjitha sferat, qofshin ato shkencore, artistike, estetike, filozofike fetare, por edhe nga ato laike. Edhe këto dy vëllime të muzikës sakrale janë kontribut i madh i këtij Misioni e sidomos i angazhimit shumë të madh të meshtarit dhe misionarit Don Ndue Ballabanit./drita.info

(Titulli dhe nëntitujt janë të redaksisë)

Shpëndaje: