Kosova në marrëdhëniet diplomatike Zvicër-Jugosllavi (I)

Fejton me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Nga Zef Noka

 

Autori ka studiuar drejtësi dhe shkenca politike në Prishtinë, Graz (Austri) dhe St. Gallen në Fern Universität Hagen (Gjermani) në Fakultetin Juridik për procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së konflikteve. Bashkëthemelues dhe bashkdrejtues i Albanisches Institut në St. Gallen. Anëtar i Institutit për Ndërmjetësim në  Zürich. Fitues i çmimit promovues të Institutit Contarini për Ndërmjetësim (2007). Fitues i çmimit që ndanë Centrale for Mediation për risi për tezën e magjistraturës (2010). 2016 merr diplomë në Psikologjinë e Orientuar në Zgjidhje (ILP). Certifikatë për mbajtjen e kurseve me mosha të rritura SWEB 1 (Pädagogische Hochschule in St. Gallen), është autor librash dhe i punimeve të ndryshme shkencore.

Gjimnastët Sepp Scheidegger (Zvicër) dhe Nada Spasic (Jugosllavi) në 1952 në Cyrih. Burimi: Thomas Bürgisser, WOZ Nr. 33 fq. 13-15.

 

1. Parathënie

Ky punim këtu është pjesa e tretë e hulumtimeve dhe analizave të dokumenteve diplomatike zvicerane që kanë të bëjnë me shqiptarët. Studimi i parë, në gjuhën gjermane, trajton rrugën e gjatë të ngritjes së marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri, i përfunduar me rastin 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë (2012),[1] mandej për të vazhduar e me punimin  mbi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane (2017).[2]

Ky trinitet i punimeve nxjerr në dritë perspektivën e diplomacisë zvicerane për zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. Janë hulumtime të reja që nuk janë trajtuar deri më tani në këtë nivel.

Leximi i këtyre punimeve studimore ndërmjetëson një fotografi më të kompletuar të perspektivës vrojtuese të diplomacisë zvicerane përballë rajonit, e në veçanti edhe përballë shqiptarëve. Në raport me shqiptarët Zvicra nuk e kishte të njëjtin interesim sikur e kishin austriakët, gjermanët, italianët, anglezët apo francezët.  Mirëpo bie në sy se, shteti helvetik ishte saktë i mirinformuar se çfarë po ndodhte në rajonin e Ballkanit mirëpo atë nuk e lidhnin interesa të veçanta me rajonin. Kjo do të ndryshoj ngadalë pas LDB në raport me shtetin e ri të Jugosllavisë, e, në kontekstin e Kosovës, sidomos që nga vitet 1960 e këndej kur do të fillojnë frekuentimet e njerëzve nga ky rajon drejt Zvicrës.

 

2. Nga simpatia e solidariteti drejt dëshpërimit

 

Kreu i shtetit të Jugosllavisë Josip Broz Tito (në mes) bisedon me ambasadorin zviceran Hans Keller (djathtas.) në Panairin e Vjeshtës së Zagrebit në vitin 1967. Burimi: Thomas Bürgisser, Eine Schaffhauser Uhr für Jugoslawien Schaffhauser Nachrichten, 4 janar 2018

Ishte vera e vitit 1945 kur përfundon Lufta e Dytë Botërore. Rrethanat e reja të pasluftës ri dizajnojnë në rajonin e Evropës Juglindore jetën e njeriut, në ngritjen e kufijve të ri dhe rrethanave të reja të orientimeve politike. Zvicra, e cila e kishte tejkaluar luftën pa u dëmtuar, fillon edhe ajo të ri-gjej rolin e saj përballë kritikave se, si u bë që ajo u kursye nga lufta e dytë botërore. Te dy vendet përballen me një fillim të ri të vështirë.

Në Jugosllavi pushtetin e merr marshalli Josip Broz Tito me partinë komuniste dhe partizanët e tij. Zviceranët kishin treguar simpati për rezistencën antifashiste të jugosllavëve që në fillimet e saja.[3] Dhe menjëherë, ende pa u formuar plotësisht pushteti jugosllav, pala zvicerane tregon interesin e sajë të vazhdoj me marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e pasluftës. Në atë kohë Zvicra e emëron të dërguarin e saj diplomatik në Beograd, juristin dhe avokatin Eduard Zellweger. Zellweger, një avokat i specializuar në të drejtën ndërkombëtare, mori postin e tij në Beograd në fillim të majit 1945.[4]

Pas përfundimit të luftës në skenën politike të Zvicrës ndodhin po ashtu ndryshime që shpijnë në ndryshimin e qeverisë. Kështu detyrën e ministrit të punëve të jashtme e merr, ministri i ri, Max Petitpierre (1899–1994), që në atë ndodhej para një sfide të madhe që po e priste – për arsye të neutralitetit të Zvicrës gjatë luftës dhe kritikave të ashpra të asaj kohe – e që duhej të bënte rinovimin e marrëdhënieve diplomatike me shumë vende pas rendit të ri që po lindte. Në anën tjetër fakti që Petitpierre emëroi një person pa karrierë diplomatike si ambasador pranë pushtetit  komunistë në Jugosllavi, del të mos jetë i rastësishëm. Me sa duket ministri i jashtëm zviceran besonte se, i emëruari i ri, socialdemokrati dhe antifashisti i dëshmuar Zellweger do të kishte më shumë gjasa sesa një diplomat karriere që të hynte në bisedime me revolucionarin Tito dhe shoqëruesit e tij. Në të njëjtën kohë, Zellweger në Beograd kishte edhe një detyrë delikate që lidhej me detyrën e rivendosjes së kontakteteve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, të cilat si rezultat i Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, këto marrëdhënie ishin ndërprerë dhe nuk ishin rivendosur ende deri në kohën.[5] Falë punës së Zellweger nga Jugosllavia në vitin 1946 arrin Zvicra të rivendos këto marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik.[6]

Zvicra fillon ta ndihmoj Jugosllavinë menjëherë pas përfundimit të luftën në forma të ndryshme. Shpërndarja e ndihmave në vitet e parat të mbas luftës, shoqërohet me probleme e afera të ndryshme sie dhe shtypjes nga qarqet politike komuniste jugosllave.[7] Euforia dhe gatishmëria e madhe fillestare për ta ndihmuar RSF të Jugosllavisë, pas përvojave me pushtetin  e ri,  me kohë do fillojnë të zbehen. Në fakt që në tetor të 1945, gazeta e njohur zvicerane Neue Zürcher Zeitung, kishte paralajmëruar për “fashizmin e kuq” në Jugosllavi.[8]

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, komunistët jugosllavë u përpoqën të integronin pjesë të gjera të shoqërisë në lëvizjen e rezistencës. Karakteri revolucionar i lëvizjes u tërhoq në favor të qëllimit të përbashkët të luftës për liri dhe ideologjisë së të drejtave të barabarta për të gjitha kombësitë jugosllave nën formulën e “vëllazërim e bashkimit” (bratstvo i jedinstvo). Por rindërtimi i vendit të shkatërruar nga lufta nga viti 1945 u shoqërua me një ndryshim rrënjësor në sistemin politik, ekonomik dhe social nën drejtimin e PKJ-së. Pluralizmi politik në “Jugosllavinë Federale Demokratike” ishte jetëshkurtër. Komunistët, të cilët shumë shpejt morën poste kyçe në të gjitha organet, kufizuan në masë të madhe të drejtat civile që në verën e vitit 1945.[9]

Përpjekjet e sllavëve të jugut për liri, vëzhguesit e ndryshëm zviceranë i kanë  lavdëruar duke vlerësuar trimëritë dhe vetëmohimin e ushtarëve fshatarë serbë e malazezë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Ndërsa sistemi i mëvonshëm jugosllav i mbrojtjes do të zgjoj herët interesimin e ushtrisë zvicerane për të analizuar luftën partizane guerile dhe suksesin e sajë por dhe pas LDB, që lidhej edhe me reformat në ushtrinë zvicerane pas LDB.[10] Zvicrën e lidhin në vitet vijuese me Jugosllavinë edhe kreditë e hapura jugosllave.[11] Edhe pse ndarja e kredive për Jugosllavinë nuk kishte kaluar pa debate paraprake në parlamentin zviceran dhe në mediat, pos të tjerash, edhe për arsye të sjelljes së pushtetit jugosllav përballë të drejtave të njeriut.[12] Për shumë vëzhgues të bindjeve të ndryshme politike në Zvicër, që nga vitet e 1960ta Jugosllavia shihej si udhërrëfyes në rrugën e saj, si vend i pa inkuadruar, që rrezatonte vlera pozitive në botën e mbyllur të bllokut lindor dhe ushqeu kështu shpresën se një zhvillim i ngjashëm do mund të shpërthente edhe në pjesën tjetër të Evropës Lindore.[13]

Që nga fundi i luftës, Jugosllavia socialiste ishte zhvilluar në një diktaturë partiake staliniste të bazuar në modelin sovjetik. Eduard Zellweger kishte vërejtur shpejt se, se Jugosllavia e re demokratike dhe federale dhe e gjithë jeta politike në këtë shtet dominohen nga PK.[14] Euforia fillestare për të ndihmuar Jugosllavinë pas LDB do të zbehet  me përforcimit e pushtetit nga komunistët.

Politika e jashtme e pushtetit të ri jugosllav do të testohet e sfidohet edhe pas ndarjes së Titos dhe Stalinit në verën e vitit 1948. Në vitet e para, ndarja e Titos me Stalinin pati si rezultat një valë të represionit hapur kundër kujtdo që dyshohej se simpatizonte ish-aleatin rus. Terrori masiv kundër “kominformistëve” mori qindra jetë dhe dërgoi mijëra në burgje dhe kampe pune të detyruar për vite me radhë.[15] Diktatura një partiake jugosllave nuk e humbi asnjëherë plotësisht këtë element represiv. Edhe pse persekutimi masiv i kundërshtarëve aktualë apo të imagjinuar të regjimit u qetësua shpejt pas vitit 1950, edhe pse dhuna shtetërore kundër “kundërrevolucionit” riaktivizohej vazhdimisht, veçanërisht në vitet 1970 dhe 1980 me konfliktet kombëtare në Kroaci dhe Kosovë.[16]

Largimi i Jugosllavisë nga internacionalja komuniste, do të ndikojë që Zvicra të rishikoj pozicionin e saj të ftohur nga përvoja e saj e pas LDB me Jugosllavinë. Jugosllavia do të shihet me sy ndryshe, fillon të përmirësohet imazhi i saj.[17] Mirëpo përbrenda regjioneve të ndryshme jugosllave, edhe pse shihej një zhvillim ekonomik në disa pjesë të sajë në vitet e 1950 deri në vitet e 1970, vërehet gjithnjë e më shumë nga diplomacia zvicerane, por edhe nga vizitorët e ndryshme, pjesa veriore e zhvilluar dhe pjesa jugore e sajë “primitive” ku hynte sidomos Kosova.[18]

Ne këtu nuk do të hyjmë në historinë e Kosovës për arsyen e vetme se, ky punim kufizohet kryesisht në temën e specifikuar, shqiptarët, përkatësisht Kosova si çështje mes diplomacisë jugosllave-zvicerane, dhe se këtu do integrohen çështje përcjellëse vetëm sa për të plotësuar fotografinë e temës bosht. Në dokumentin nr. 8  e kemi dhënë një analizë të përkthyer për Jugosllavinë ku flet edhe për historinë e Kosovës dhe marrëdhëniet e saja brenda Jugosllavisë.

 

3. Lëvizja e popullatës jugosllave drejt Zvicrës: mes mundësisë dhe rezistencës

Për të hedhur në dritë në marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Jugosllavisë socialiste dhe të shqiptarëve në ketë relacion nuk mund të shmanget aspekti i emigrimit. Para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore diku reth 350 – 400 zviceranë jetonin në mbretërinë pararendëse jogosllave – ndërsa rreth 1000 jugosllavë jetonin në Zvicër. 200 prej totalit të zviceranëve jetonin në Kroaci.[19] Numri i jugosllavëve në Zvicër, si refugjatë, në vjeshtën e vitit 1943 kishte arritur numrin 3000. Pas përfundimit të luftës ky numër do të ulet shpejt në disa qindra. Paralelisht me kthimin e këtyre refugjatëve, vinin emigrantë të rinj në Zvicër. Disa funksionarë jugosllav që kishin bashkëpunuar me regjimeve paraprake, në fund të luftës përdorën gjithashtu Zvicrën si vend transit për arratisjen e tyre. Zvicra kishte një rëndësi të veçantë, p.sh. për ustashët, pasi ata kishin transferuar sasi të mëdha ari dhe parash për të siguruar vetën në Zvicër kur vërejnë se humbja ishte e afërt.[20] Një shembull tjetër, në shkurt 1945, Radomir Petrović (1917–2006), komandanti i një brigade çetnike, i cili kishte arritur të shpëtonte nga robëria gjermane, kalon kufirin për në Zvicër afër Chiasso (kufiri Itali-Zvicër). Petroviq pranohet dhe atij i njihet statuti i refugjatit politik si një “serb besnik i mbretit dhe rrjedhimisht një kundërshtar i regjimit komunist të Titos”.[21] Ai  vendoset në Gjenevë dhe në vitin 1966 e merr edhe nënshtetësinë zvicerane. Forcat e rendit të ri jugosllav e akuzojnë në atë kohë, ish-udhëheqësin çetnik, për krime lufte të shumta si dhe për agjitacion kundër-jugosllav. Ndërsa hetimet e ndryshme policore zvicerane e autoriteteve tjera zvicerane nuk gjejnë ndonjë arsye për t`ia refuzuar apo t`ia vejnë në pikëpyetje dhënien e azilit Petroviqit. Në përgjithësi, qeveria në Beograd në vitet 1960 ankohej për qëndrimin e rreth dhjetë refugjatëve jugosllavë në Zvicër, të cilët ata besonin se ishin kriminelë lufte.[22] Pra, fluksi i azilkërkuesve nga Jugosllavia vazhdon edhe pas vendosjes së regjimit komunist të figurave të rëndësishme, apo edhe si ajo e familjes së Karagjorgjeviqëve.

Nga vitet 1960 e tutje, migrimi jugosllav ishte pjesë e tre faktorëve, krahas strukturës së brendshme të RSFJ-së dhe politikës së jashtme të vendit, renditeshin si tiparet më të rëndësishme në çdo vlerësim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve.[23]

Përfundimi i luftës së dytë nuk nënkuptonte njëkohësisht se, dhuna kishte përfunduar për jugosllavët. Jo vetëm kundërshtarët e luftës, por edhe të gjithë ata që nuk u solidarizuan pa kushte me regjimin e ri dhe pretendimin e tij për plotfuqishmëri, u kërcënuan edhe një herë me represion dhe persekutim e pushtetit të ri. Në rrjedhën e mosmarrëveshjeve politike që pasuan shkëputjen me Bashkimin Sovjetik, komunistët që më parë konsideroheshin besnikë, ranë viktimë e paranojës së sistemit. Deri në vitet 1950, kur fillojnë të shfaqen gradualisht tendencat liberale, regjimi jugosllav ishte jashtëzakonisht represiv ndaj kujtdo që nuk ndiqte vijën e saj. Veçanërisht kundër prirjeve “nacionaliste” do përdorë dhunë.[24] Në aspektin e ngjarjeve të brendshme, Kosova ishte pjesë e këtyre vrojtimeve nga diplomacia zvicerane, që del nga dokumentet diplomatike zvicerane të dhëna në fund të këtij shkrimi.

Komuniteti i emigrantëve kroat në Zvicër, pas LDB u bë gjithnjë e më dominues faktor politik dhe pati një ndikim jo të vogël në mënyrën se si Jugosllavia socialiste perceptohej nga publiku zviceran. Figura qendrore ishte ati françeskan Lucijan Kordiq (1914-1993) nga Hercegovina. Ai arriti të arratisej nga partizanët në Itali në maj 1945. Në vitin 1951 Kordiq vjen në Zvicër, ku fillimisht u vendos në Friburg. Ky në vitin 1955 themelon edhe misionin katolik kroat në Zvicër.[25] Në vitin 1957, komuniteti i mërguar jugosllav përbëhej nga rreth 600 refugjatë politikë të të gjitha bindjeve politike, kryesisht sllave.[26] Me sa shihet, në Zvicrën vjen menjëherë mbas LDB një numër i madh i kundërshtarëve politik të Jugosllavisë komuniste gati nga të gjitha kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë komuniste, që do ta luftojnë atë, në fakt, deri në shpërbërjen e sajë. Shqiptarët në këtë kohë nuk ceken fare në raportet diplomatike, por do të ndryshoj në vitet vijuese.

Në vjeshtën e vitit 1971, këshilltari Eugen Klöti (1918–2009), zëvendësi i ambasadorit të atëhershëm në Beograd, Hans Keller, i cili ishte kryesisht përgjegjës për çështjet ekonomike, ndërmori një udhëtim studimor nëpër vende të ndryshme të Jugosllavisë rreth zhvillimet ekonomike. Gjashtë muaj më parë, Klöti kishte bërë një shënim lidhur me udhëtimin e tij zyrtar në Kosovë. “Bujqit në Kosovë ende jetojnë dhe punojnë si në mesjetë” thotë shkurt Klöti.[27] Për vëzhguesin zviceran, grupi i popullsisë shqiptare në Kosovë, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, gjithnjë e më shumë kristalizohen si simbole të “jugut të pazhvilluar” të Jugosllavisë.[28]

Zvicra pas LDB kishte rekrutuar një numër të madh të punëtorëve nga Italia, që me kohë ngritët në “problem me italianët”. Kështu politika zvicerane vendos që të rekrutoj punëtor po ashtu edhe nga Spanja, Portugalia, e më vonë, edhe nga Jugosllavi, pasi që të parët tashmë kishin filluar në organizoheshin në sindikata dhe kërkonin gjithnjë e më shumë të drejta.

Në fillim të emigrimit të punëtorëve jugosllavë, në vitet 1950ta lidheshin me masa për ndihmë zhvillimore, aftësimin profesional sipas kërkesës nga shteti Jugosllavisë. Nëpërmjet marrëdhënieve që u zhvilluan ndërmjet kompanive zvicerane dhe praktikantëve jugosllavë, në vitet në vijim u rekrutuan punëtorë të shumtë me kontrata të përhershme pune. Vendosja e praktikantëve me punë në Zvicër, hapi kanale për imigrimin individual të punëtorëve të kualifikuar, i cili nuk kontrollohej më nga shteti apo shoqatat e biznesit, por bëhej tërësisht sipas nevojave të firmave individuale. Ndryshe nga rritja e ngadaltë e vazhdueshme e numrit të refugjatëve që vinin nga Jugosllavia për të kërkuar azil politik, Zvicra do të përjetoj një fluks të jashtëzakonshëm të shtetasve jugosllavë nga fundi i viteve 1950, që hynë në Zvicër për të punuar me dokumente të rregullta udhëtimi. Emigrimi tashmë kishte marrë  karakterin e një “migrimi zinxhiror”. Ky migrim i hershëm jugosllav i viteve 1950 dhe fillimi i viteve 1960 ishte kryesisht individual dhe preku një pjesë të madhe të inxhinierëve dhe teknikëve, por edhe një numër të madh punëtorësh dhe akademikësh të tjerë të kualifikuar si mjekë, dentistë, kimistë dhe nga sektori i arsimit kryesisht serbokroatishtfolës. Këtu lidheshin interesat e tregut të punës në Zvicër por edhe interesi i shkallës së papunësisë së madhe në Jugosllavi. Një rol luajtën edhe motivet politike për ikje nga Jugosllavia.[29]

Në këtë fazë të hershme shqiptarët ishin shumë të rrallë. Mirëpo me të filluar ardhja e tyre, që nga vitet e 1960ta, rrjetet familjare luajtën një rol parësor në familjet e gjera tradicionale të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, që numri i shqiptarëve në Zvicër të rritet gjithnjë e më shumë. Lidhjet e ngushta familjare bënë që banorët e një fshati të vendoseshin në numër të madh në të njëjtin vend në Zvicër.[30] Për shembull, familjet nga rrethet rurale të Gjilanit, dhe Vitisë, nga jugu i Serbisë u vendosën kryesisht në rajonin e Gjenevës, ose ata të fshatrave  Stubëll e Epërme, Kabash e Binçë vendosen kryesisht në kantonin e St. Gallen dhe Thurgau, ndërsa njerëzit nga Peja dhe Gjakova u vendosën në zonën e Lozanës. Në përgjithësi, periudha rreth vitit 1970 shënon rritjen më të madhe të përqindjes së jugosllavëve në Zvicër, kështu edhe të shqiptarëve. Në vitin 1969, ambasada zvicerane në Beograd, duke u mbështetur në artikujt e ndryshëm të publikuar në gazetat jugosllave, vlerësoi numrin e punëtorëve të përkohshëm jugosllavë në Zvicër në 15.000, rreth gjysma e të cilëve ishin “intelektualë”.[31] Nëse krahasohen numrat nga viti 1960 dhe 1970, shohim se numri i emigrantëve rezident jugosllav në Zvicër ishte rritur për njëzet fish vetëm brenda një dekade. Për vitin 1973, kontingjenti i punëtorëve të përkohshëm u rrit sërish në mënyrë masive për 50 % nga 10.000 në 15.000 vetëm për sektorin e ndërtimtarisë. Që nga fillimi, shumica e punëtorëve fshatarë jugosllavë ishin shqiptarë nga rajonet ekonomikisht më të dobëta të Maqedonisë dhe Kosovës, shumica e të cilëve vinin nga rrethanat shumë të varfra. Jugosllavia si duket në atë kohë, për arsye të rritjes së madhe të emigrimit shqiptar, emëron shqiptarin Elhami Nimanit (1917–1998) si ambasador jugosllav në Bernë (1974–1978).[32]

Në një letër të dt. 15 maj 1972 të ambasadorit zviceran në Jugosllavi drejtuar Zyrës Federale për Industrinë dhe Tregtinë në Bernë,[33] njofton për iniciativën e Beogradit për një delegacion për kujdes  gjithëpërfshirës të punëtorëve të përkohshëm gjithnjë në rritje në vendet e ndryshme të perëndimit. Këtu vërehet se, në këtë delegacionin, me përjashtim të përfaqësimit të ambasadorëve jugosllav të vendeve përkatëse, nuk ka të përfshirë asnjë përfaqësues nga autoritetet federale përveç përfaqësuesve të republikave, që lexohet si një decentralizim i çështjes nga ambasadori, pra si një shenjë e palës jugosllave për t`i ikur burokracisë federative dhe çështjen e punëtorëve të përkohshëm për t`ia bartur institucioneve përkatëse të republikave. Këtë iniciativë ambasadori zviceran e vlerëson si të dobishme edhe për Zvicrën pasi kjo fushë do të jep mundësi më të madhe për t`i zgjidhur pyetjet më afër realitetit se deri më tani. Ambasadori zviceran potencon se: “aktualisht jemi duke rekrutuar punëtorë ndërtimi pothuajse ekskluzivisht nga Kosova, gjë që ndoshta herët a vonë do të paraqesë probleme që pothuajse nuk kanë ekzistuar në marrëdhëniet me rajonet e tjera të origjinës jugosllave deri më tani.” Në anën tjetër thuhet po ashtu se, interesimi për bashkimin familjar i punëtorëve shqiptarë të Kosovës, nuk do jetë çështje që do të shtrohet “sepse për fat të mirë këta njerëz nuk po mendojnë t’i marrin familjarët e tyre me vete në Zvicër.”[34]

Rreth një viti më vonë, në letër shëmimin e po të njëjtit ambasador, të 6 shkurtit 1973,[35] dërguar autoriteteve zvicerane, jepen informacione interesante për rekrutimin masiv të punëtorëve nga Jugosllavia, e sidomos shqiptarë nga Kosova, për sektorin e ndërtimtarisë. Këtu analizohet kualifikimi punëtorëve që kishte rekrutuar Zvicra nga Jugosllavia deri në vitin 1971, që vlerësoheshin si kryesisht të kualifikuar, edhe pse jo në standardin zviceran.  Këta punëtorë, vlerëson diplomati zviceran, kanë bërë punë të “kënaqshme” e “shpesh herë të shkëlqyer” në sektorë të ndryshëm. Jepet supozimi “se në mesin e shumë jugosllavëve në Zvicër ka edhe njerëz që u kërkohet të bëjnë shërbime speciale për Beogradinduke pasur parasysh  faktin se “emigrojnë pikërisht ata elementë që janë të ngopur me regjimin këtu ose kanë vështirësi të gjejnë punë me pagesë të denjë ose punë interesante në vendlindje.”  Diplomati Keller në Beograd konstaton në letrën e tij faktin që zhvillimet deri në vitin 1971 ishin, në përgjithësi të kënaqshme për të dy palët, kurse viti 1972 ka sjell diçka “rrënjësisht” të re kur Zvicra fillon të rekrutoj në masa punëtorë jugosllavë për ndërtimtari. Zakonisht të tillë, vëren diplomati,  kryesisht gjenden vetëm në “zonat e prapambetura jugore të Jugosllavisë”, përkatësisht në Maqedoni, Bosnjë, Hercegovinë dhe Kosovë. Diplomati kritikon këtë mënyre të rekrutimit masiv pa kritere edhe për faktin e “primitivizmit” të këtyre njerëzve e që “nuk është çudi që numri i jugosllavëve në konflikt me ligjet dhe rendin publik është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar dhe vazhdon të rritet.” Ambasadori ankohet pse ambasada zvicerane në Jugosllavi nuk është informuar paraprakisht nga qeveria zvicerane për planin e rekrutimit të 15.000 punëtorëve jugosllav. Në anën tjetër, me gjithë vështirësitë, ambasadori nuk e përjashton mundësinë që punëtorët e ndërtimit nga Kosova, Maqedonia, Serbia etj., mund të bëjnë punë të dobishme dhe në këtë mënyrë të japin një kontribut të çmuar në zgjidhjen e problemeve në ndërtimtari. Ai te këta “primitiv” sheh edhe anën pozitive, se kanë një përparësi në faktin që nuk mendojnë t’i marrin gratë ose familjet e tyre, se kanë më pak kërkesa se sa punëtorët e tjerë të huaj. Megjithatë, shprehet ambasadori i karrierës, “një minimum përzgjedhjeje dhe përgatitjeje për atë që i pret këta njerëz në Zvicër, të cilët shpesh janë primitivë, por gjithsesi simpatik në mënyrën e tyre, do të ishte me vend dhe do të ishte mirë edhe për vendin tonë, sepse vendet e tjera të emigracionit të Evropës Perëndimore dhe punëdhënësit e tyre procedojnë më me kujdes...”

            Me numrin e madh të fuqisë punëtore shqiptare nga Jugosllavia në fillim të viteve të 1970ta, kryesisht për sektorin e ndërtimtarisë, do të fillojnë të fusin rrënjët e tyre në shtetin helvetik, por që në atë kohë ende nuk mendohej e as nuk kishte asnjë shenjë se një ditë ky numër  jo se do të rritet, porse do të reduktohet. Në mesin e këtyre punëtorëve kishte edhe shqiptarë që për arsye politike vinin në Zvicër prej ku mandej veprojnë, në mënyra të ndryshme, dhe organizohen kundër Jugosllavisë. Nga këta punëtorë “primitiv” 50 vjet më vonë do të rritet numri i tyre në 300 mijë. Gjeneratat e reja të lindura e rritura në Zvicër do t`ia dalin të integrohen në të gjitha sektorët e jetës politike, ekonomike e shoqërore zvicerane, jo vetëm që nuk do të jenë vetëm punëtorë në sektorin e ndërtimtarisë, porse do bëhen edhe faktor me ndikim me avancimet dhe profesionalizmin e tyre në sektorë të ndryshëm.

Më vonë emigrantëve në Zvicër fillojnë të organizohen në klube kroate, serbe, shqiptare dhe boshnjake. Për shembull nën ombrellën e “Shoqatës së Qytetarëve Jugosllavë në Cyrih” në vitin 1979 themelohet një seksion shqiptar. Pas trazirave në Kosovë në vitin 1981, shqiptarët u bënë të pavarur pas dy vjetësh duke themeluar një komunitet të pavarur shqiptar të quajtur “Përparimi”.[36]/drita.info


[1] Zef (Ahmeti) Noka, Der lange Weg zur Errichtung diplomatischer Beziehungen zwischen der Schweiz und Albanien, St. Gallen 2012, në: http://albanisches-institut.ch/wp-content/uploads/2012/12/Zef-Ahmet-SChweiz-Albanien.pdf?msclkid=82a0a783a75d11ec97ace69d42afb1eb. Tetë vite më vonë një punim i ngjajshëm si bashk-autorë: Dr. Franziska A. Zaugg, Samantha Guzman, Zef Ahmeti (Noka), 50 Jahre Diplomatische Beziehungen Schweiz-Albanien, September 2020.

[2] Publikuar në vazhdime në www.drita.info në vitin 2017.

[3] Mes Zvicrës dhe mbretërisë së Serbisë kishte një Marrëveshja konsullore që nga viti 1887. Krhs. dok. Nr. 3. Nga vitet 1860ta deri në LPB në universitetin e Cyrihut e kishin vijuar 160 student nga mbretëria e Serbisë. Ndër emrat e shquar ishte edhe politikani Nikola Pašić (1845–1926), i cili studioi inxhinierin e ndërtimit nga viti 1868 deri në 1872 në Politeknikun e Cyrihut, pararendëses së Universitetit teknik federal (Eidgenössischen Technischen Hochschule, ETH). Pas kthimit të tij, Pashiq bëhet lider i Partisë Popullore Radikale në Serbi, shërben për shumë vite si ministër i jashtëm i Serbisë për t`u bërë më vonë kryeministër i Serbisë në vitin 1891 dhe mes viteve 1904 dhe 1918 me ndërprerje. Prezenca e studentëve serbë ishte arsyeja për lidhjen e një marrëveshjeje konsullore ndërmjet Mbretërisë së Serbisë dhe Konfederatës zvicerane në vitin 1888, dhe në vitin vijues hapet një konsullatë serbe në Cyrih. Shih për këtë: Thomas Bürgisser, Wahlverwandtschaft zweier Sonderfälle im kalten Krieg; Schweizerische Perspektive auf das sozialistische Jugoslawien 1943-1991, Bern 2017, fq. 50-51. Këtu kemi një mospërputhje lidhur me vitin e lidhjes së marrëveshjes konsullore mes mbretërisë Serbe dhe Zvicrës. Në dokumentin nr. 3, flitet për vitin 1887 kurse studiuesi Bürgisser thotë se marrëveshja eshët lidhur në vitin 1888. Për fillimin e marrëdhënieve diplomatike mes Jugosllavisë dhe Zvicrës në detaje, krh. vep. e cit. të Thomas Bürgisser edhe në: https://www.dodis.ch/res/doc/QdD-Bd8.PDF.

[4] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 111 v. Nëse e krahasojmë politikën e jashtme të Zvicrës dhe qasjen e saj përballë pushtetit të ri komunist në Shqipëri dhe pushtetit komunist të vendosur në Jugosllavi, kemi një dalim jashtëzakonisht të madh. Përderisa diplomacia e jashtme zvicerane vepron shpejt për të marrë kontakte me pushtetin  e ri në Beograd, në të njëjtën kohë ajo do refuzoj për 25 vite ta njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës deri në ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1970, për herë të parë, 48 vite pas njohjes së shtetit shqiptarë. Këtu vlen të potencohet fakti se, Shqipëria komuniste e pas LDB përpiqej që nëpërmes Jugosllavisë të fitoj njohje për pushtetit të ri në Tiranë nga shtetet e ndryshme. Jugosllavia do i përfaqësoj interesat diplomatike të Shqipërisë në Zvicër deri në përplasjen ideologjike mes Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik dhe Shqipërisë, në vitin 1948. Më gjerësisht khrs. studimin e Zef (Ahmeti) Noka, Der lange Weg zur Errichtung diplomatischer Beziehungen zwischen der Schweiz und Albanien, St. Gallen 2012, në: http://albanisches-institut.ch/wp-content/uploads/2012/12/Zef-Ahmet-SChweiz-Albanien.pdf?msclkid=82a0a783a75d11ec97ace69d42afb1eb.

[5] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 115.

[6] Po aty, fq, 116.

[7] Po aty, fq. 146 v., 170 v.

[8] Po aty, fq. 620.

[9] Po aty, 175.

[10] Po aty fq. 380 v.

[11] Kështu, bie fjala, në fund të vitit 1940, institucionet bankare zvicerane kishin siguruar pothuajse 20 për qind të gjitha huave të huaja në Jugosllavi. Në atë kohë, investitorët zviceranë mbanin aksione në 76 kompani jugosllave – në 50 prej tyre si aksionarë të shumicës. 12,4 për qind e të gjithë kapitalit të huaj në Jugosllavi vinte nga Zvicra. Më së shumti ishte me financat e saja e inkuadruar në investime Shoqata e Bankave Zvicerane në Bazel, e cila tashmë kishte dhënë dy hua për shtetin serb rreth vitit 1900. Po aty, fq. 254, 255, 256.

[12] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 403 v.

[13] Po aty, fq. 411 v.

[14] Po aty, fq. 171, 177.

[15] Po aty, fq. 192.

[16] Po aty.

[17] Po aty, fq.191 v.

[18] Po aty, fq. 218.

[19] Po aty, fq. 275.

[20] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 508.

[21] Po aty, 508 v.

[22] Po aty, 512.

[23] Po aty, fq. 499 v.

[24] Po aty, fq. 500.

[25] Po aty, fq. 515.

[26] Po aty, 518.

[27] Po aty, fq. 220, krhs. edhe: Raporti i Sekretarit të Ambasadës në Beograd (Bericht des Sekretärs der Botschaft in Belgrad) E. Klöti i dt. 24.9.1971; BAR#E 2001E01#1982/58#7419* (C.41.111.0).

[28] Po aty.

[29] Po aty, 1920 v.

[30] Hans P. von Aarburg, Sarah B. Gretler, Kosova-Schweiz. Die albanische Arbeits- und Asylmigration zwischen Kosovo und der Schweiz (1964-2000), 2008, fq.  55

[31] Shënim i ambasadorit në Beograd (H. Keller) i datës 1 tetor 1969; DDS, Vëll.24, Dok.170, dodis.ch/32381.

[32] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 536. Krhs. Letra e ambasadorit në Beograd (H. Keller) drejtuar kreut të APA të EPD (E. Thalmann) e datës 12 dhjetor 1972; dodis.ch/35163.

[33] Bundesarchiv (BAR) në Bernë, CH-BAR#E7175B#1979/156#145*, Titulli i dosjes (25.50.00) (1970–1972)

referenca e dosjes 255.05, komponenti shtesë: Jugosllavia.

[34] Po aty.

[35] Dokumenti nr. 1 i bashkangjitur këtu e i përkthyer në shqip.

[36] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 541.

Shpëndaje: