Me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës
Nga Zef Noka
Ministri i Jashtëm Pierre Aubert, i deleguar nga Qeveria Federale, me rastin e vdekjes së Titos, më maj 1980. Burimi: Thomas Bürgisser, WOZ Nr. 33 fq. 13-15.
1. Vdekja e Titos zbulon flluskën politike dhe ekonomike jugosllave
Vdekja e Titos më 4 maj 1980 e godit Jugosllavinë në një kohë jashtëzakonisht të vështirë. Vendi ndodhej – edhe një herë – në mes të një krize të thellë ekonomike. Ndërmjet viteve 1977 dhe 1981 borxhi i jashtëm i Jugosllavisë në formën e kredive financiare dhe tregtare ishte dyfishuar nga 9.5 në 21 miliardë dollarë. Përveç kësaj, kishte ende një borxh të madh të jashtëm.[1] Nga këtu shqiptarët do të fillojnë të organizohen nëpër klubet e tyre, jashtë atyre të përbashkëta jugosllave.
Për diplomacinë zvicerane të rëndësishme vlerësoheshin dy çështje: a do të jetë në gjendje Jugosllavia pas Titos që “të mbante nën kontroll forcat e hapura dhe të fshehura centrifugale“? Dhe, nëse Bashkimi Sovjetik e shihte vdekjen e Titos si një mundësi për të zbatuar “doktrinën e Brezhnevit” të sovranitetit të kufizuar të shteteve socialiste jashtë Traktatit të Varshavës, si dhe në të njëjtën kohë për të realizuar qëllimin strategjik të daljes së drejtpërdrejtë në detin Mesdhe? Analistët e ministrisë së jashtme zvicerane i gjykonin këto dy çështje si të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.[2] “Sa më mirë Beogradi të arrijë t’i nënshtrojë forcat centrifugale (përkatësisht kroatet) në një qëllim të unifikuar, për të rrafshuar hendekun e fortë ekonomik midis veriperëndimit (Slloveni) dhe juglindjes (Kosovë, Maqedoni) dhe për të kryer një politika e brendshme dhe e jashtme e drejtpërdrejtë, aq më të vogla do të jenë mundësitë e ndërhyrjes së BRSS.”[3]
Vdekja e Titos kishte ndikuar që ministri i jashtëm zviceran të vizitoj Jugosllavinë për të sqaruar disa marrëdhënie bilaterale mes dy vendeve dhe për të shprehur interesimin e palës zvicerane për një “Jugosllavi të pavarur, të qëndrueshme dhe ekonomikisht e shëndoshë”. Gjatë kësaj vizite, në tetorin e vitit 1980, me përfaqësuesit dhe drejtuesit e ri në Beograd bisedohet për çështjet e ndryshme ndërkombëtare të kohës. Kjo vizitë tregon se Jugosllavia dhe Zvicra ishin partnerë të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe të tregtisë së jashtme, që shprehej qartë me programi e ngjeshur të vizitës së ministrit të jashtëm zviceran në Jugosllavi.[4] Gjatë kësaj vizite u trajtuan tema të ndryshe mes dy vendeve. Flitet për “neutralitetin” e të dy vendeve në skenën ndërkombëtare që dallonin në të kuptuarit se, çka nënkuptonte ky neutralitet për vendet përkatëse.[5]
Pas vdekjes së Titos në Kosovë ndodhin demonstratat e vitit 1981. Kjo nuk do ju ikë vrojtimeve të ambasadës Zvicerane në Beograd. Meqë në atë kohë ishte ende e pasqaruar se si erdhi deri te këto demonstrata dhe kishte spekulime lidhur me organizimin e tyre. Një bashkëpunëtor i ambasadës Zvicerane në Jugosllavi e përmbledh në një shkresë dërguar ministrisë së jashtme zvicerane, vlerësimin e situatës dhe perspektivat e ardhshme pas trazirave në Kosovë.[6] Sipas vlerësimit që vjen nga ambasada helvetike në Beograd thuhet se trazirat kanë pas shtrirje në gjithë territorin e Kosovës, edhe pse disa prej nxitësve të këtyre protestave kishin kontakte me Shqipërinë, trazirat ishin “shtëpiake”, nuk ishin përgatitur nga jashtë. Si rezultat shtohen forcat e sigurisë, situata vlerësohet e pasigurt. Në këtë letër shtrohet pyetja retorike se, si do të reagojnë tash shqiptarët e Kosovës përballë represionit. Gjykohej si gabim taktik nga ana e Beogradit refuzimi për të biseduar me shqiptarët për kërkesat tyre politike. Fakti që ndjenjat nacionaliste kundër-serbe dhe shqiptare u ngritën gjatë demonstratave duket të jetë më shumë pasojë sesa shkak i trazirave, thuhet në letër.[7]
2. Kriza ekonomike jugosllave dhe Kosova
Më së voni deri në vitin 1981, do të kuptohet se huazimet e dhëna Jugosllavisë nuk ishin vetëm një zgjidhje për vështirësitë që kishte, por edhe një problem thelbësor. Borxhi i jashtëm kishte marrë përmasa dramatike. Jugosllavia nuk mund të shërbehej më me borxhin e saj të jashtëm. Kërcënohej një falimentim i shtetit. Në shkurt 1982, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte lejuar një hua afatshkurtër prej 700 milionë dollarësh. Në retrospektivë, kritikë të shumtë thonë se politika shtrënguese e imponuar ndaj qeverisë jugosllave nga FMN-ja kishte kontribuar ndjeshëm që kriza e brendshme politike në Jugosllavi ishte tensionuar më tej, mbase Fondi Monetar ndërkombëtar ishte pjesërisht përgjegjës për kolapsin RSFJ-së.[8] Intervenimet emergjente të asaj kohe nuk mjaftonin të mënjanonin krizën financiare të Jugosllavisë. Zvicra shprehet e gatshme të marr rolin si koordinatore e fushatës për ndihmë financiare 1983/84 për Jugosllavinë.[9]
Në anën tjetër kritika e hapur ndaj regjimit jugosllav vinin kryesisht tek autoritetet zvicerane nga shoqatat e mërgimtarëve jugosllav. Faktori i rëndësishëm ishte emigracioni politik kroat. Një nga përfaqësuesit kryesorë të saj, Jure Petriqeviq (1912–1997), drejtonte shtëpinë e tij botuese të quajtur “Adria” në Brugg të kantonit Aargau, në të cilën u botuan libra për çështjen kombëtare të Kroacisë. Në vitin 1978 ai botoi një studim të vetë-shkruar mbi Shkeljet e të drejtave të njeriut në gjermanisht në Jugosllavi.[10] Kritikohej qëndrimi zyrtar i Zvicrës në raport me Jugosllavinë se, ajo po i anashkalon shkeljen e të drejtave të njeriut që po ndodhnin atje.
Te Dokumentet Diplomatike të Zvicrës e gjejmë të arkivuar edhe një procesverbal të takimit ndërmjet Sekretarit të Shtetit helvetik dhe Zëvendëssekretarit Federativ për Punët e Jashtme të Jugosllavisë të zhvilluar në Bernë me dt. 17 dhe 18 shtator 1984.[11] Në kuadër të këtij takimi trajtohen temat e ndryshme që kanë prekur në atë kohë interesat bilaterale por edhe bashkëpunimin në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Pala jugosllave shprehet shumë e kënaqur me rolin që kishte marrë mbi vete Zvicra si koordinuese në ristrukturimin e borxheve të saja, dhe këtë rol Zvicra do ta luaj edhe më tutje. Udhëheqja jugosllave mëtonte që të bënte “modifikim” përkatësisht “ristrukturimin” shumëvjeçar të borxheve që kishte. Në aspektin politik, zëvendëssekretari jugosllav paraqet ankesat e tij palës zvicerane për “aktivitetet terroriste” të emigrantëve shqiptarë në Zvicër kundër Jugosllavisë. Ai jep konstatimet e tija se, që nga viti 1980, Jugosllavia ka regjistruar më shumë se 30 incidente të natyrave të ndryshme, por negative. Këtu përmendet arrestimi i “disa terroristë jugosllavë të arrestuan në Bazel në vitin 1981 me 500 kg eksploziv, municion dhe armë”. Se pala zvicerane nuk e kishte njoftuar asnjëherë organet jugosllave lidhur me hetimet e rastit në fjalë, mandej se një terrorist i të njëjtit grup u arrestua në vitin 1982 në Jugosllavi pasi shkaktoi një shpërthim, dhe se në këtë kontekst, në Gjermani janë zbuluar shumë armë dhe eksploziv nga Zvicra. Pala jugosllave ankohet për aktivitetet e “Lëvizjes për Republikën shqiptare të Kosovës në Jugosllavi” e cila shumë shpesh i kalon kufijtë e veprimtarisë politike dhe i gjithë veprimi i saj ka për qëllim shkatërrimin e Jugosllavisë. Pala zvicerane hedhë poshtë se po lejohen aktivitetet kundër jugosllave të shqiptarëve në Zvicër duke u lejuar atyre të organizojnë demonstrata. Jepet shpjegimi se, sistemi demokratik liberal zviceran e lejon të drejtën për demonstrata për të gjithë njerëzit që jetojnë në Zvicër, se marrja e lejes për të demonstruar është në kompetencat e kantoneve kështu që organet e konfederatës kanë mundësi të kufizuar për të intervenuar. Në anën tjetër delegacioni jugosllav kërkon intensifikimin e kontakteve mes organeve te të dy vendeve “kundër terrorizmit”, e këtu nënkuptohej kryesisht veprimtaria e shqiptarëve të Kosovës.
Një vit më vonë sekretari i shtetit zviceran e viziton Beogradin me dt. 15-17 shtator 1985.[12] Në kuadër të kësaj vizite trajtohen e diskutohen çështjet e ndryshme dypalëshe. Me këtë rast jepet konstatimi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë tradicionalisht të mira dhe se ato janë intensifikuar viteve të fundit. Një vëmendje i jepet sidomos “problemeve” mes dy vendeve që herë pas here i shqetësojnë marrëdhëniet dypalëshe lidhen kryesisht me praninë në Zvicër të një kontingjenti të madh të emigrantëve jugosllavë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin nga Kosova. Beogradin e kishin shqetësuar aktivitetet e “Lëvizjes për Republikën Shqiptare të Kosovës në Jugosllavi”, me qendër në Biel të Zvicrës dhe aktive në disa vende të Evropës Perëndimore, e cila që nga viti 1981 ka organizuar një sërë demonstratash në qytete të ndryshme të Zvicrës, në kuadër të kësaj vizite, përmendet demonstrata e fundit në Bernë në korrik të vitit 1984. Në fakt autoritetet jugosllave protestojnë vazhdimisht kundër asaj që ata e shihnin si tolerancë zvicerane të planeve të destabilizimit kundër vendit të tyre. Mirëpo qëndrimi i palës zvicerane ishte përherë se, autoritetet federale dhe kantonale kanë vëzhguar nga afër aktivitetet e emigracionit jugosllav dhe nuk kanë toleruar asnjë shkelje të kornizës ligjore zvicerane të cilës i përmbahen. Në anën tjetër pala zvicerane ankohej se autoritetet jugosllave po përpiqen të kontrollojnë dhe të spiunojnë emigracionin e tyre në Zvicër, ndonjëherë duke shkelur edhe sistemin juridik helvetik. Nga ana e tyre, autoritetet jugosllave natyrshëm hidhnin poshtë të kenë dalë përtej kornizës ligjore. Meqë pala jugosllave kishte kërkuar marrëveshje më të specifikuar bashkëpunimi lidhur me aktivitetet e diasporës jugosllave, e në rastin konkret edhe të asaj shqiptare-jugosllave, për të kontrolluar përkatësisht ndaluar këto aktivitete kundër jugosllave. Prokuroria publike zvicerane tregohet tejet e rezervuar ndaj këtyre propozimeve. Ajo besonte se mjetet ekzistuese të kontaktit (Interpoli) ishin të mjaftueshme dhe duhet të përdoren më mirë nga jugosllavët, që dyshohet se, në fakt, ata donin të fitojnë hapësirë në Zvicër në mënyrë që të kontrollojnë më zyrtarisht shtetasit e tyre. Nga ana tjetër, për sa i përket dëshirës jugosllave për të lidhur një marrëveshje dypalëshe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale, civile ose tregtare, zviceranët i konsideronin të mjaftueshme instrumentet ekzistuese dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Me ardhjen e Pierre Aubert në postin e ministrit të jashtëm të Zvicrës (2.1978 – 31.12.1987), do të ndryshojnë edhe prioritetet në politikën e jashtme. Aubert vendosi prioritete të reja në diplomacinë zvicerane. Ai fillon të mbroj një politikë “më aktive” të neutralitetit dhe një “dinamikë” të politikës së jashtme. Ai, përveç të tjerash, kishte prioritet kryesor mbrojtjen e të drejtave të njeriut si maksimë të politikës së jashtme.[13] Kjo vërehet edhe në dokumentet diplomatike që flasin për marrëdhëniet Jugosllavi-Zvicër ku, me fillimin e përkeqësimit të situatës në Kosovë në vitet 1980ta, pala zvicerane do të filloj të angazhohet për të drejtat e njeriut në Kosovë.[14]
Ndërmjet viteve 1980 dhe 1990, popullsia jugosllave në Zvicër rritet përsëri nga rreth 61.000 në mbi 172.000. Refugjatët politikë ende përbënin një përqindje jashtëzakonisht margjinale të emigrantëve. Numri i të përndjekurve politikë që gjetën strehim në Zvicër ishte rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga vitet 1960. Megjithatë, deri në fund të viteve 1980, për azil çdo vit aplikonin vetëm rreth 100 persona nga Jugosllavia. Në vitin 1987 shtrohen 128 kërkesa për azil; Në vitin 1989 numri rritet në 1351, në vitin 1990 madje shkon në 5434 dhe në vitin 1991 gjithsej në 13442 kërkesa të pranuara nga Zyra Federale për Refugjatë në Bernë. Ndryshe nga fazat e mëparshme, shumica e refugjatëve tani vinin nga Kosova, ku gjendja e sigurisë ishte jashtëzakonisht e tensionuar. Politika antishqiptare e iniciuar nga autoritetet e Republikës së Serbisë fillon të përshkallëzohet në mars të vitit 1989, kur parlamenti serb kishte rënë në pushtetin e Sllobodan Millosheviq, ku i heqë Kosovës statutin 1974rës dhe vendos gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë.[15] Shqiptarët ishin larguar nga Kosova për arsye politike që në vitet 1960, në numër tejet të vogël, dhe 1970ta. Mirëpo në atë kohë këta “saisonniers politiques” nuk kishin aplikuar të fitonin azilin, sepse gjykojnë që nuk ishte e nevojshme. Për disa eksponentë, si p.sh. pjesëmarrësit e lëvizjes studentore të vitit 1968, të cilët duhej të llogarisnin dënime drakoniane nëse do ktheheshin në Jugosllavi, sindikatat e punëtorëve në atë kohë ja dalin të marrin leje të posaçme, kështu që atyre ju lejuan të qëndronin në Zvicër gjatë pushimit tre mujor, edhe pse ata e kishin statutin që gjatë këtij pushimit të ktheheshin në vendlindjen e tyre.[16]
Kur fillojnë të politizohen “çështjet e kombëtare” në Jugosllavi, sidomos në vitet 1980, komuniteti i emigranteve në Zvicër u bë një qendër e vërtetë kundër-regjim, shpeshherë nacionalist. Në vitet 1980, Zvicra u bë një qendër e veprimeve sekrete nga ana e Jugosllavisë, mbi të gjitha për t`i kontrolluar shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe Serbia jugore. Për shkak të faktit se dhjetëra mijëra punëtorë të përkohshëm nga këto rajone kanë punuar rregullisht këtu për më shumë se dy dekada dhe kishin ngritur rrjetin e tyre. Pas protestave dhe trazirave studentore në Kosovë në vitin 1981, emigrantët radikalë themelojnë organizatën e fshehtë të majtë “Lëvizja Popullore e Kosovës” ku ishin të përfshirë shqiptarët nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë të Jugosllavisë së asaj kohe. Lëvizja për Republikën Shqiptare të Kosovës në Jugosllavi organizon demonstrata në Bernë, Cyrih dhe Gjenevë në fillim të viteve 1980, ku në ato demonstrata morën pjesë disa qindra njerëz. Për shkak të këtyre protestave kundër regjimit jugosllav autoritetet e Beogradit reaguan jashtëzakonisht me ndjeshmëri.[17] Pas një mitingu të madh në Bernë në korrik 1984 me rreth një mijë pjesëmarrës, ambasada jugosllave i dorëzon Këshillit Federal (qeverisë zvicerane) një notë të ashpër proteste ku demonstruesit shqiptarë akuzohen për “shkatërrim e rendit kushtetues” të RSFJ-së, “ndryshime territoriale mbi baza raciste“. dhe «krijimin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe». Nga dokumentet që po i trajtojmë këtu, thuhet se, sipas mundësive dhe mjeteve në dispozicion, policia dhe gjyqësori zviceran është përpjekur të mbanin nën kontroll këto aktivitete politike të emigrantëve shqiptarë dhe, ku ishte e nevojshme dhe e mundshme t`i ndjekin sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, Zvicra kundërshtoi ashpër aktivitetet spiunuese dhe hetimore të përfaqësuesve jugosllav në shtetin helvetik, të cilat tani më së shumti drejtoheshin kundër grupit të popullsisë shqiptare nga Kosova.[18] Kontrolli i autoriteteve jugosllave mbi qytetarët e tyre jashtë vendit në mënyrë të përsëritur çonte në trazira dhe konfrontime brenda komunitetit të emigrantëve. Lidhur me aktivitetet e shërbimit të zbulimit jugosllav për t`i kontrolluar aktivitetet e komunitetit shqiptar Zvicra proteston disa herë.[19]
3. Tensionimi e marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Jugosllavi
Me 24 qershor të vitit 1986 në Beograd mbahet një takim mes një delegacioni zviceran dhe jugosllav lidhur me aktivitetet të kundërligjshme të zyrtarëve konsullorë jugosllavë në Zvicër.[20] Ky takim kishte të bënte kryesisht me ç ‘tensionimin e marrëdhënieve dypalëshe për shkak të dëbimit të një punonjësi të ambasadës jugosllave në Bernë për veprimtari inteligjence sekrete në monitorimin e emigracionit jugosllav, përkatësisht atij shqiptarë në Zvicër, në fillim të vitit 1986. Tre ditë para zhvillimit të këtyre bisedimeve, 21 qershor 1986, në Bernë, ishte mbajtur demonstrata e radhës e shqiptarëve që kishte kaluar pa ndonjë incident. Këto bisedime kishin ndikuar në zbutjen e tensioneve mes dy vendeve.[21]
Interesant është përmbajta e protokollit të këtyre bisedimeve ku trajtohen disa aspekte interesante juridike-politike në shkallën e diplomacisë.[22] Eksperti juridik jugosllav e kishte vlerësuar dëbimin dhe ndali-hyrjen e diplomatëve jugosllavëve si të kundërligjshëm sepse ata kishin vepruar në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Se e drejta për komunikim të lirë me përfaqësinë konsullore të vendit të origjinës është një parim i përgjithshëm ligjor që është i përfshirë pozitivisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, më tutje se si konsujt ashtu edhe jugosllavët që kërkojnë këshilla nuk guxojnë më të kontaktojnë njëri-tjetrin për shkak të ndjekjes nga organet zvicerane për spiunim, se kjo paraqet shkelje të drejtave të njeriut.
Në akuzën e palës jugosllave thuhet më tutje, në kuadër të këtyre bisedimeve se, Zvicra është bërë qendra kundër-jugosllave e emigrantëve shqiptar, qëllimi i të cilit është të shkatërrojë integritetin shtetëror të Jugosllavisë. Armët, municionet dhe eksplozivët sigurohen nëpërmjet Zvicrës. Mandej këto aktivitete janë gjithashtu problematike juridikisht. Sipas ekspertit ligjor jugosllav, e drejta ndërkombëtare e ndalon Zvicrën t’i tolerojë këto aktivitete në territorin e saj. Në logjikën e interpretimit të asaj çfarë kishte ndodhur me dëbimin e diplomatëve nën akuzën e spiunimit, thuhet se nga njëra anë, autoritetet zvicerane janë shumë kufizuese në lidhje me komunikimin ndërmjet emigrantëve dhe përfaqësisë konsullore; nga ana tjetër, ata janë shumë tolerantë në trajtimin e forcave armiqësore ndaj Jugosllavisë. Kjo shkon deri aty, thotë eksperti ligjor jugosllav, sa ambasadori shqiptar i akredituar në Vjenë viziton klubet jugosllave dhe shprehet hapur për shkatërrimin e rendit kushtetues në Jugosllavi. Kjo sjellje e zviceraneve gjykohej si kundërthënës.
Ambasadori zviceran i përgjigjet ekspertit ligjor jugosllav me argumentet, nga perspektiva zvicerane për këtë që u tha më lart. Ai mendonte se duhet bërë një dallim nga njëra anë, mes veprimtarisë së funksionarëve jugosllavë në Zvicër dhe nga ana tjetër, atë të mërgimtarëve armiq. Ambasadori thotë se, e drejta për të kontaktuar përfaqësinë e vendit të origjinës, nuk është e prekur, sepse është parakusht për ushtrimin e detyrave konsullore. Ashtu si të gjitha të drejtat e përcaktuara në dy Konventat e Vjenës, edhe kjo është e lidhur me kuadrin e sistemit juridik të shtetit pranues; e njëjta gjë vlen edhe për detyrat konsullore. Pala zvicerane përfaqësonte mendimin e saj se, problemet zvicerane-jugosllave nuk janë shkaktuar nga kufizimet e komunikimit, por nga disa aktivitete të zyrtarëve jugosllavë. Janë aktivitetet e veçanta të zyrtarëve jugosllavë, përkatësisht vëzhgimi i emigrantëve armiqësorë (shqiptar, sic.), të cilat pala zvicerane nuk e konsideronte si “detyrë konsullore” e që ishin në kundërshtim me nenin 272 të Kodit Penal Zviceran. Pala zvicerane hedhë poshtë se ajo po procedon në mënyrë selektive në zbatimin e sistemit të saj ligjor. Ky nen ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit territorial të Zvicrës, gjykonte pala zvicerane, e që do të thotë se ishte i aplikueshëm në mbrojtjen jo vetëm shtetasve zviceran por edhe të të huajve që qëndrojnë në Zvicër për një periudhë të caktuar kohore.
Pala jugosllave ankohet për veprimtarit e shqiptarëve kundër-Jugosllavisë në Evropë dhe në Zvicër, jo vetëm për aktivitetet e tyre politike, por edhe për arsye të “akteve terroriste”, p.sh. më 21 qershor 1986, kishte shpërthyer një bombë, d.m.th. tre ditë para takimit, sipas palës jugosllave, në konsullatën jugosllave në Shtutgart. Dhe, ka të dhëna, sipas palës jugosllave, që autor ka qenë “Grupi për Republikën e Kosovës”, me seli në Zvicër, se autoritetet jugosllave mbajnë kontakte me Austrinë, Belgjikën dhe Republikën Federale të Gjermanisë, “qëllimi i të cilave është ndalimi i këtij terrorizmi”. Diplomati zviceran, në gjuhën e tij diplomatike, shprehet se, të gjitha këto fakte pasqyrojnë dhe ilustrojnë problemet serioze me të cilat përballet aktualisht Jugosllavia si shtet. Ne i dimë ato, thotë ai, dhe se Zvicra, si shtet federal, i kupton ato veçanërisht mirë. Mirëpo Zvicra nuk toleron akte subversive kundër shteteve të huaja që janë në kundërshtim me ligjin zviceran. Dhe se çështja e aktiviteteve të imigrantëve është një problem jugosllav, i cili, si i tillë, duhet të zgjidhet nga Jugosllavia në Jugosllavi.[23]
Çështja e aktiviteteve të shqiptarëve nga Jugosllavia do të jenë gjithnjë e më shumë në fokusin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kjo do të shqyrtohet edhe në vitin 1987 në rekomandimet e ministrisë së jashtme zvicerane dërguar ambasadës së sajë në Beograd.[24] Pas një demonstrate të organizuar nga shqiptarët e Kosovës në Gjenevë dhe një incidenti gjatë kësaj demonstrate “për sulmet ndaj diplomatit jugosllav Dragoljub Dimitrijevic”, pala zvicerane, merr një notë proteste nga Jugosllavia. Në shkresën zvicerane dërguar përfaqësisë së sajë në Beograd hidhen poshtë pretendimet e palës jugosllave se Zvicra po i lejon me qëllim demonstratat kundër-jugosllave në vendin e sajë. Këtu ajo e merr si shembull se si organet federale kompetente kanë ndërhyrë në mënyre efektive disa herë kundër aktiviteteve të qarta kundër-jugosllave në raste të ndryshme si në shpërbërjen e organizatës terroriste kroate Hrvatski Revolucionarni Pokret në vitin 1981 dhe në rastin e organizatës kosovare-shqiptare të Hasan Malaj dhe Co. në Biel (1985), ndaj të cilëve ishte një masë ndalimi kundër çdo veprimtarie politike.[25]
Në fund të nëntorit 1989 sekretari i shtetit zviceran viziton Beogradin. Edhe gjatë kësaj vizite, përveç temave tjera bilaterale, hapet për diskutim problemi i njohur i veprimtarisë politike të punëtorëve shqiptarë nga Kosova në Zvicër. Jugosllavia edhe kësaj radhe kërkon mbikëqyrje më të rreptë të punëtorëve jugosllav me origjinë shqiptare, veprimtaria politike e të cilëve drejtohet kundër interesave dhe institucioneve jugosllave dhe se këto aktivitete duhet të kufizohet nga autoritetet zvicerane.[26]
Ndërkohë, problemet u shumëfishohen në planin dypalësh. Në kontekstin e shqiptarëve në marrëdhëniet zvicerane-jugosllave rasti i Januz Salihit (*1958), nga Kosova, paraqiste një problem edhe në komunikimet diplomatike mes dy vendeve në kuadër të drejtave dhe lirive të njeriut sipas këndvështrimit helvetik.[27] Salihi që kishte kërkuar azil në Zvicër, e që i refuzohet, menjëherë pas kthimit nga Zvicra në Jugosllavi arrestohet nga policia, u torturua dhe u dënua me disa vite burg për veprimtari politike. [28] Çështja kishte bër bujë edhe në media dhe shpie në një ndërhyrje të parlamentit të kantonit të Gjenevës drejtuar qeverisë zvicerane.[29] Përfaqësuesi federal për çështjet e refugjatëve ishte përpjekur pa sukses për vite me radhë që të ndikonte në lirimin aktivistit shqiptar, që e ndjente si përgjegjësi pse atij ja kishte refuzuar kërkesën e azilit. Organizatat e shoqërisë civile si Aksioni i të krishterëve për heqjen e torturës (ACAT) gjithashtu ishte marrë me këtë çështjen. Gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit, Klaus Jacobi në Beograd në fund të vitit 1989 – kontakti i fundit midis personaliteteve të larta nga Zvicra dhe RSFJ – Jacobi ka ndërhyrë edhe në rastin Salihi te autoritetet jugosllave. Në vitin 1986 dhe 1988, takimet dypalëshe të nivelit të lartë ndërmjet Zvicrës dhe RSFJ-së anulohen me vetëm një njoftim të shkurtër për shkak çështjeve aktiviteteve të diasporës shqiptare në Zvicër dhe mosmarrëveshjeve lidhur me qasjen se si do duhej të trajtoheshin shqetësimet e shtruara nga Zvicra dhe Jugosllavia. [30]
4. Problemi jugosllav me mediat e lira zvicerane
Në dokumentet e përkthyera e të publikuara këtu, shohim edhe aspektin e raportimit të mediave të lira zvicerane që me kritikat në faqet e tyre drejtuar Jugosllavisë, kthehen gjithmonë si temë, si penguesë për përfaqësinë diplomatike jugosllave por edhe si temë në komunikimet diplomatike dypalëshe.
Kjo çështje në fakt i përcjell marrëdhënie dypalëshe që nga fundi i janarit 1946, kur dërguari i parë i Jugosllavisë socialiste në Bernë, ministri Milan Ristiq (1897–?), ishte ankuar vazhdimisht në ministrinë e jashtme zvicerane “për qëndrimin e shtypit katolik dhe liberal zviceran ndaj qeverisë së Marshallit Tito” ku paraqet mbase një notë përkatëse diplomatike. Carl Theodor Stucki (1889–1963), që në atë kohë ishte nënkryetari i departamentit për politikë të jashtme, jo vetëm që i shpjegon Ristiqit se autoritet federale nuk kanë asnjë mjet ligjor për të kufizuar lirinë e shtypit, porse ia kujton gjithashtu se, edhe gjatë luftës, kur Zvicra ishte ekspozuar përballë ankesave të dhunshme nga qeveritë autoritare nëpërmjet shtypit zviceran, ligji se lejonte ndërhyrjen.[31] Me këtë, Stucki merr shembull regjimet e atëhershme në pushtet në Itali dhe Gjermania dhe, pas kësaj analogjie, sa ai nuk mund të përmbahet të mos i përsëriste Ristiqit duke i thënë se, “duket se është një veçori e qeverive autoritare që të reagojnë veçanërisht me ndjeshmëri ndaj çështjeve të shtypit”. Krahasimi i Jugosllavisë së re me Gjermaninë naziste dhe Italinë fashiste nga ana e Stucki-t i bëhet përmes elegancës së gjuhës diplomatike por të kuptueshme.[32]
Bie në sy se, kur bëhej fjalë për kritikat jugosllave, diplomacia zvicerane e mbështet pa rezerva parimin e lirisë së shtypit, jo vetëm në këtë rast, porse kjo vërehet edhe në dokumentet tera të bashkangjitura e përkthyera këtu.
5. Kosova bëhet sfiduese në marrëdhëniet dypalëshe Zvicër-Jugosllavi
Dokumentet 9-15 të përkthyera janë të viteve 1990-1991. Vërehet një intensitet edhe më i shtuar i diplomacisë zvicerane për t`u vënë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Deri në vitin 1990 vërehet një reagim i përmbajtur i diplomacisë zvicerane përballë ngjarjeve në Jugosllavi dhe Kosovë, përderisa pala Zvicerane kryesisht ballafaqohej, sidomos nga 1980ta e këndej me presionin diplomatik jugosllav për shkak të aktiviteteve “kundër jugosllave” të emigrantëve shqiptarë në Zvicër.
Ministria e jashtme e Zvicrës, departamenti politik, e udhëhequr nga Rene Felber, në gusht të vitit 1990 vendos që Zvicra duhet të ndërhyjë në mënyrë bilaterale te qeveria jugosllave në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë.[33] Rreth një muaji më vonë, shtator 1990, nga ambasada Zvicerane në Beograd vjen një shkresë konfidenciale drejtuar ministrisë së jashtme zvicerane, ku përshkruhet rrethanat dhe situatën në Kosovë pas aneksimit të Autonomisë së Kosovës.[34] Dokumenti trajton aspektet e ndryshme të kohës për ngjarjet politike në Jugosllavi dhe Kosovë. Flitet për opozitën shqiptare të Kosovës të udhëhequr nga Ibrahim Rugova përballë politikës së Millosheviqit. Për t`iu ikur ri përsëritjeve, ne këtu do komentojmë dokumentin, pasi që përmbajta e sajë është e qartë dhe e kuptueshme.
Vazhdimësinë e interesimit të Ambasadës së Zvicrës në Beograd lidhur me tensionimin e situatës në Kosovë e shohim edhe në letrën e radhë, po ashtu konfidenciale, drejtuar ministrisë së jashtme Zvicerane, e fund prillit të vitit 1991. E veçanta e këtij komunikimi diplomatik, janë intervistat e bëra nga një punëtor i ambasadës helvetike me përfaqësues të ndryshëm politik, e kryesisht me Ibrahim Rugovën. Këtu Rugova paraqet programin e tij politik të Kosovës dhe qëndrimet e tija lidhur me ngjarjet e kohës. Shqiptarët e Kosovës shprehin keqardhje, përveç të tjerash, për mungesën e mbështetjes nga Sllovenia dhe Kroacia.[35]
Në shtator 1991, ambasada zvicerane i dërgon një raport konfidencial Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë dhe Entit Federal për Refugjatët të shtetit helvetik për situatën e shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë Kohë fillon rritja numrit të azilkërkuesve shqiptarë nga Jugosllavia, e sidomos nga Kosova, për çka organet përkatëse kishin nevojë për më tepër sqarime lidhur me situatën e përndjekjeve, pushimit nga puna etj..[36] Lidhur me krizën jugosllave flet edhe dokumenti i ministrisë së jashtme, përkatësisht sekretariatit politik të Zvicrës, për mbajtjen e një konference dt. 1 tetor 1991.[37] Këtu jepen fakte lidhur me situatën aktuale në Jugosllavi dhe qëndrimet e vendeve të ndryshme. Ky dokument trajton në aspektin analizues aktual dhe për të ardhmen, rreziqet dhe efektet e mundshme të ndryshme të krizës Jugosllave. Këtu lexojmë se mendohej ende në këtë kohë se, problemet në Jugosllavi mbase edhe do mund të tejkalohen.
Dokumenti nr. 14 dhe 15 kanë të bëjnë me situatën në Shqipëri. Arsyeja e vendosjes së këtyre dy dokumenteve ka të bëj me pasqyrimin e preokupimeve të ndryshme -pas kthesës politike të viteve 1990ta- të një populli të ndarë në disa shtete dhe që kishin prioritetet e tyre, nevojat dhe sfidat e ndryshme.
Përderisa në Jugosllavi shqiptarët fillojnë të intensifikojnë rezistencën e tyre politike për të drejtat e tyre e të ballafaqohen njëkohësisht edhe me procesin e kthesës politike nga komunizmi në demokraci, në Shqipëri kemi të bëjmë me kthesën nga izolimi i egër komunist drejtë një shoqëri të hapur demokratike. Shqipëria do ballafaqohet, pos të tjerash, edhe me një krizë ushqimore dhe bankrotonim e shtetit komunist. Zvicra do angazhohet edhe në Shqipëri duke u kujdesur me ndihmat e saja për t`iu ndihmoj shqiptarëve shqiptarë me ushqime esenciale dhe me mjete elementare emergjente në fushën e shëndetësisë.
Këtu i shohim se prioritetet e popullatës shqiptare-jugosllave dhe të Shqipërisë ishin krejtësisht të kundërta. Përderisa Shqipëria luftonte për ekzistencën ushqimore në kuptimin e ngushtë të fjalës, shqiptarët jugosllav fillojnë rezistencën e tyre politike. Shpresa e madhe e pritur nga shqiptarët e Kosovës për ndihmë nga “nëna Shqipëri” do të përfundoj me një dëshpërim për arsye të pritjeve të mëdha.
Në vazhdim keni dokumentet e përkthyera nga autori i këtij punimi që ndërmjetësojnë edhe më shumë informacione dhe e bëjnë edhe më të plotë pamjen e këtyre marrëdhënieve./drita.info
[1] Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgestaaten 1943–2011. Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen, Wien 2012, fq. 206 v.
[2] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 374.
[3] Shënim i shefit të sekretariatit politik në ministrinë e jashtme (J. Cuendet) an den Vorsteher des EDA (P. Aubert) vom 5.5.1980; BAR#E2001E-01#1991/17_1152 (B.15.81.Youg.2.).
[4] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 374, 375, 7376.
[5] Po aty, fq. 378 v.
[6] Shiko dokumentin nr. 2.
[7] Për më shumë lexo letrën e bashkangjitur si dokumenti nr. 2.
[8] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 417 v.
[9] Po aty, fq. 418 v. Pas bashkimit të paketës së ndihmës falë aftësive negociuese të përfaqësuesit të emëruar zviceran, më 18 dhe 19 janar 1983 u zhvillua Konferenca e shteteve kreditore në Bernë, ku morën pjesë përfaqësuesit nga Kuvajti, FMN dhe Banka Botërore dhe në të cilën ishte i ftuar edhe Janko Smole si përfaqësues i RSFJ-së. Në ditën e dytë të konferencës nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit. Me këtë të ashtuquajtur “Marrëveshje të Bernës” të janarit 1983, qeveritë e shteteve të ndryshme kreditore u angazhuan që t’i paguajnë Jugosllavisë një kredi totale prej 1.3 miliardë dollarësh. Megjithatë kushtet e dhënies së këtyre kredive duhej të negocioheshin në mënyrë dypalëshe me autoritetet jugosllave. Roli i Zvicrës si koordinatore do të vazhdoj edhe në vitet vijuese. Po aty, fq. 420 v.
[10] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 448 v.
[11] Shiko dokumentin nr. 3 të përkthyer e të bashkangjitur.
[12] Krhs. Dokumentin nr. 4 i bashkangjitur e i përkthyer.
[13] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 451.
[14] Khs. dokumentet e bashkangjitura.
[15] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 544.
[16] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 544-545.
[17] Khs. dokumentet e bashkangjitura këtu.
[18] Khs. në detaje dokumentet.
[19] Lexo dokumentet e bashkangjitura këtu.
[20] Khs. Dokumentin nr. 5.
[21] Po aty.
[22] Bëhet fjalë për pjesën e dytë të dokumentit nr. 5 të përkthyer e bashkangjitur.
[23] Për më tepër lexo dokumentin.
[24] Shiko dokumentin nr. 6.
[25] Po aty.
[26] Dokumenti nr. 7.
[27] Krhs, dokumentin nr. 6
[28] Krhs. dokumentin nr. 7.
[29] Gati në të gjitha dokumentet e dhëna këtu, lakohet emri i Salihut.
[30] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 455.
[31] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 625.
[32] Thomas Bürgisser, vep. cit., fq. 626.
[33] Krhs. dokumentin nr. 9.
[34] Dokumenti nr.10.
[35] Dokumenti nr. 11.
[36] Dokumenti nr. 12.
[37] Dokumenti nr. 13.