Kosova në marrëdhëniet diplomatike Zvicër-Jugosllavi (IV)

Me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Nga Zef Noka

Imazhe nga Kosova nga një dokumentar televiziv i SRF-it Zviceran, 1973.

 

Dokumenti nr. 6.

Pas një demonstratë të organizuar nga shqiptarët e Kosovës në Gjenevë dhe një incidenti gjatë kësaj demonstrate “për sulmet ndaj diplomatit jugosllav Dragoljub Dimitrijevic”, pala zvicerane, merr një notë proteste nga Jugosllavia. Ministria e punëve të jashtme e Zvicrës pranon akuzat e ndryshme për ndjenja kundër-jugosllave në Zvicër dhe notën e protestës nga misioni jugosllav në Gjenevë me rastin e demonstratës së fundit në Kosovë e merr si një mundësi për të paraqitur pikëpamjen e saja.  Ministria e jashtme e Zvicrës i dërgon përgjigjet ambasadës së sajë Beograd, për njoftim, se cila ishte përgjigja e qeverisë zvicerane që i kishte dhënë ambasadës jugosllave në Gjenevë. Kë hidhen poshtë pretendimet e palës jugosllave se Zvicra po i lejon me qëllim demonstratat kundër-jugosllave në vendin e sajë. Këtu flitet edhe për rastin e ndalesës së aktiviteteve të organizatës së kosovarit (Hasan) Malaj dhe grupit të tij, për punëtorin e ambasadës jugosllave Spasojeviq, i cili ishte dënuar për spiunazhe nga një gjykatë zvicerane etj.

 

p.A.45.15-WS\SLU[1]

p.B.15.21.Youg.

Dërguesi: Departamenti politik l

Ambasadë së Zvicrës në Beograd

Për ambasadorin zviceran në Beograd

Bern, 24.04. 1987. 15:53. Urgjente

78-ta juaj:

Gjendja e marrëdhënieve tona dypalëshe

Duke marrë parasysh akuzat e ndryshme për ndjenjat kundër-jugosllave në Zvicër, të cilat ju është dashur t’i pranoni në MAE, dhe notën e protestës nga misioni jugosllav në Gjenevë të 13 prillit në lidhje me incidentin gjatë demonstratës së fundit kosovare, po ja paraqesim këndvështrimin tonë përfaqësimit të këtushëm jugosllav më 22 prill me theksimin e nevojshëm.

  1. Wyss i shprehu keqardhje të ngarkuarit me punë Tajmin ( më poshtë si: T) për sulmet ndaj diplomatit jugosllav Dragoljub Dimitrijeviq. Përveç këtij incidenti të izoluar, demonstrata, në të cilën morën pjesë jo më shumë se 150 deri në 200 shqiptarë të Kosovës, kishte kaluar e qetë dhe në mënyrë të rregullt, siç kërkonin autoritetet kompetente policore të Gjenevës si parakusht për zhvillimin e ngjarjes.Pos të tjerash T-së edhe një herë i është bërë e ditur se enti kompetent federal dhe DPJ[2] e ka vështirë të intervenoj në praktikat e miratimit kantonal të demonstratave, gjë që duhet kuptuar si rezultat i sistemit tonë federal.
  1. Duke pasur parasysh parimin e lirisë së tubimit që vlen për ne, është gabueshme të na atribuohet se, pas një demonstrate të lejuar duhet të kemi automatikisht edhe prapavijë kundër-jugosllave. Wyss shfrytëzoi rastin për t’i kujtuar T-në se, përkundrazi, entet federale kompetente tashmë kanë ndërhyrë në mënyre efektive disa herë kundër aktiviteteve të qarta kundër-jugosllave në raste të ndryshme (shpërbërja e organizatës terroriste kroate Hrvatski Revolucionarni Pokret (1981) dhe organizatës kosovare-shqiptare të Malaj dhe Co. në Biel (1985), ndaj të cilëve u lëshua një masë ndalimi kundër çdo veprimtarie politike). Përveç kësaj një gjest i vullnetit të mirë u bë nga ana e Zvicrës duke dërguar një delegacion në Beograd në vitin 1986 për të diskutuar këto dhe probleme të tjera në pritje.
  2. Lidhur me vendimin e kontestuar të Lozanës kundër Spasojeviqit (S) (të cilin për momentin nuk e kemi ende me shkrim), nga vendi përgjegjës mundëm të mësojmë se “Tribunal du District de Lausanne” më 31 mars 1987 ai është dënuar në mungesë me 18 muaj burg pa kusht dhe 10 vjet dëbim nga vendi për spiunimin e emigracionit kosovaro-shqiptar (shkelje e nenit 272 të KPZ). Wyss nënvizoi se duke pasur parasysh pavarësinë e gjyqësorit që vlen për ne – pas delegimit të kësaj çështjeje në lidhje me çështjen Iliç në gjykatën e Lozanës, autoritetet federale nuk kanë pasur asnjë mundësi për të ndikuar: Fakti që aktgjykimi në rastin S u shqiptua në një kohë të afërt me aktgjykimin jugosllav në rastin Salihi, pra ishte një rastësi e pastër. Se një referencë e drejtpërdrejtë është ndërtuar gabimisht nga një pjesë e disa mediave, pasi që kjo e fundit është mjaft e ashpër, u vetë-deklarua si avokate e Salihit. Në të njëjtën kohë, T-së ju rikujtua dënimi i Radojkoviqit një vit më parë, i cili,  si të thuash, nuk pati jehonë në mediat e atëhershme.
  1. Wyss është dashur t’ia pranonte T-së se komentet e fundit të shtypit zviceran mbi Jugosllavinë kanë qenë vërtet kritike. Kjo, megjithatë, ishte pothuajse ekskluzivisht në pjesën e Zvicrën frëngjisht-folëse përkatësisht në rajonin e Gjenevës, e që nga ana e saj ndoshta është kryesisht për shkak të çështjes Salihi. Në Zvicër ne thjesht duhet të jetojmë me të drejtën demokratike dhe të lirisë së shtypit, ku departamenti për punë të jashtme, si objektiv i preferuar, është shumë shpesh në shenjë të epshit për kritikë… Për më tepër T iu përgjigj kundërshtimit tonë,  sipas të cilit nuk kishim prova për të mbështetur pretendimin se një gazetë kishte akuzuar ish-ambasadorin jugosllav për spiunazh, se ky koment nuk ishte botuar në shtyp, por ishte bërë në televizionin francez.
  1. Wyss i vendosi të gjitha këto në kontekstin e përgjithshëm të marrëdhënieve tona të larmishme dypalëshe, të cilat pas një niveli të ulët të përkohshëm një vit më parë mund të cilësohen sërish si të mira (ftesë për AM Dizdareviq, bashkëpunim në kuadrin e N+N në KSBE, roli aktiv i Zvicrës në bashkëpunimin financiar dypalësh dhe shumëpalësh, takimi i fundit i 6-të i Komisionit të Përbashkët Ekonomik Zvicër-Jugosllavi si pjesë e MUBA, etj.). Prandaj Wyss u mbrojt kundër akuzës së pa diferencuar se në vendin tonë po fiton epërsi një fushatë kundër-jugosllave, e cila vështirë se lejon që marrëdhëniet të karakterizoheshin me epitetin të “mira”. Sipas mendimit tonë, një pamje e tillë e zymtë thjesht nuk korrespondon me realitetin.

  1. T e vlerësoi këtë Tour d’horizon, që u zhvillua me një ton të vërtetë e të matur, si “shumë i dobishëm”.

– Ai nuk e fshehu faktin se ambasada i vlerëson ngjarjet e ndryshme ndryshe nga autoritetet jugosllave, dhe se ajo do të vazhdojë të përpiqet ta informoj Beogradin në mënyrë sa më të nuancuar të mundshëm. Për shembull, bëhet një dallim midis këndvështrimit zyrtar zviceran dhe komenteve ndonjëherë me urrejtje të shtypit. Edhe në lidhje me këtë të fundit, T cilësoi se jo të gjitha masmediat duhet të gjykohen në të njëjtën mënyrë. Për shembull, ekspozita e skulptorit jugosllav Mestroviq në Kunsthaus Cyrih u vlerësua shumë pozitivisht në “NZZ” dhe “Bund” dhe u prit mirë edhe në televizion.

– Megjithatë, sipas T, nuk mund të mohohet se një pjesë e shtypit kohën e fundit ka nxitur një fushatë kundër-jugosllave. Në këtë kontekst, T përmendi “Journal de Geneve” dhe “24 Heures”. Për shembull, kritikohet mendimi i paragjykuar kur shkruhet për pozitën kinse pa të drejta të studentëve jugosllavë me origjinë shqiptare në krahasim me ata të republikave e tjera anëtare jugosllave në Universitetin e Prishtinës, pa u siguruar se 97% e studentëve të këtij universiteti janë shqiptarë dhe se përqindja e shqiptarëve në stafin pedagogjik është madje 99%.

– T u këshillua  që ambasada të bënte më shumë përpjekje për të sjell dëshmi për Jugosllavinë mundësisht në mënyrë faktike dhe pa ideologji.

– Lidhur me rastin e Dimitrijeviqit, T tha vetëm se diplomati jugosllav ra në kontakt me demonstruesit thjesht rastësisht pasi kishte tërhequr para nga një bankë afër, dhe se qëllimet e këqija të keqbërësve janë të qarta.

– T ka disa vështirësi për të kuptuar vendimin e gjykimin të shqiptuar kundër Spasojeviqit, pasi ai e njeh bashkatdhetarin e tij si dikë, që vështir se do t`ia lejonte vetit t`i spiunonte emigrantet jugosllav.

  1. Ju lutemi inspirohuni nga ky komunikim i shpejtë dhe nga nr. 56 kur t`i përgjigjeni notës jugosllave nr. 2366.

Pianca. [3]

Kopje për:

– Sekretari i Shtetit Brunner

-Sekretariatit të drejtuesit të departamentit

-Protokollit

-Shtypi dhe informacioni

-Misioni i Përhershëm i Zvicrës: pranë organizatave ndërkombëtare, Gjenevë

Dokumenti nr. 7.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, sekretari i shtetit Klaus Jacobi diskuton për çështje dypalëshe me zëvendësministrin e Jashtëm Milivoje Maksiq ku sugjerohen negociata për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Çështja e punëtorëve jugosllav bëhet temë e pandashme në të gjitha komunikimet dypalëshe e sidomos të aktiviteteve politike të shqiptarëve të Kosovës. Maksiq kërkon nga pala zvicerane që të ketë kontroll më të madh të aktiviteteve kundër-jugosllave të punëtorëve jugosllav-shqiptarë dhe mbase tyre t`iu ndalohen aktivitetet politike në Zvicër.  Nga pala zvicerane ngritët edhe situata e të drejtave të njeriut në Kosovë por edhe rasti i azilkërkuesit në Zvicër Janus Salihit, të cilit iu ishte refuzuar kërkesa,  e me t`u kthyer në Jugosllavi ai dënohet me burg. 

Origjinali: jac[4]

Kopje: BRF, SIN, KT, LA, SRU, WOK, GT, VY, KU

Beograd 1.12.1989

Ora 15:45

  • Zoti sekretar i shtetit Jacobi
  • Sekretarit të Sekretarit të Shtetit, z. Kupfer
  • Divizioni politike I
  • DFEEK[5], vendet e Evropës Juglindore
  • DDNP[6], Ministrit Godet + departamenti i të drejtave të njeriut

Vizitë zyrtare e Sekretarit të Shtetit K. Jacobson në Beograd.

27-28/11/1989

Marrëdhëniet Dypalëshe

(Biseda mes Jacobi[7]-Maksiq[8], zëvendësministër më 27 nëntor 1989)

Të përgjithshme

Në përgjithësi, marrëdhëniet dypalëshe mes Zvicrës dhe Jugosllavisë mund të cilësohen si të mira. Siç edhe pritej, kjo pikë e rendit të ditës u la më shumë në hije nga deklaratat e bëra për aktualitetin në Evropën Lindore dhe për afrimin e mëtuar të Jugosllavisë me institucionet e Evropës Perëndimore si EFTA, KE dhe Këshilli i Evropës.

Sipas dëshirës së Jugosllavisë, dialogu politik ndërmjet dy shteteve duhet të intensifikohet në të ardhmen dhe të planifikohen vizita në nivel ministror. Jugosllavia dëshiron të përfitojë politikisht dhe ekonomikisht nga përvoja zvicerane.

Një kontribut i duhur nga Zvicra pritet për themelimin e një shkolle të planifikuar për menaxhim në Beograd kryesisht në fushën e menaxhimit të kapitalit dhe atë financiar. Sipas Jacobi, kurset e trajnimit zviceran mund të synojnë kryesisht menaxhmentin e kuadrit të mesëm.

Të dyja palët vunë në dukje ngjashmëritë në strukturën shtetërore të dy vendeve, për të përmbushur interesimin e paraqitur nga ana e Jugosllavisë, Jacobi premton informacion më të mirë për Zvicrën (sistemi politik, federalizmi dhe “education civique”), p.sh. në formën e një zyre informacioni (siç është parashikuar për Poloninë) që synon të ilustrojë se si qeveriset Zvicra.

Maksiq ftohet për të vizituar Zvicrën.

Bashkëpunimi Ekonomik:

Sipas Maksiq, qasjet aktuale të reformës dhe “sistemi i ri ekonomik” i Jugosllavisë në zhvillim e sipër, i cili ofron liri më të madhe për investime të huaja dhe promovon pjesëmarrjen e kompanive të huaja në sipërmarrje të përbashkëta, nuk janë shumë të njohura në qarqet tregtare zvicerane. Mbështetja efektive nga Zvicra për modernizimin e ekonomisë jugosllave kuptohet më pak në formën e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare dhe më shumë në kuptimin e rritjes së transferimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojës. Jugosllavia propozon një takim dypalësh të ekonomistëve dhe menaxherëve.

Jacobi përfaqëson këndvështrimin zviceran, sipas të cilit marrëdhëniet më të ngushta ekonomike sigurohen kryesisht me kushte më të favorshme kornizë (me marrëveshje e tatimit të dyfishtë dhe mbrojtjes së investimeve). Propozimi për të marrë ndryshime në këtë drejtim (mbrojtja dhe promovimi i investimeve) ose për të rifilluar negociatat (tatimi i dyfishtë) – topi është ende në duart e palës jugosllav.

Në turizëm, pala jugosllave ka vërejtur një rënie të numrit të turistëve zviceranë në Jugosllavi (1988: 126,000). Qeveria shpreson me nxitje në turizmin zviceran efekt  anësore (prania e kompanive zvicerane në tregun jugosllav, investimet).

Punëtorët jugosllavë në Zvicër

U hap për diskutim problemi i njohur i veprimtarisë politike të punëtorëve shqiptarë nga Kosova në Zvicër. Jugosllavia kërkon mbikëqyrje më të rreptë të punëtorëve jugosllav me origjinë shqiptare, veprimtaria politike e të cilëve drejtohet kundër interesave dhe institucioneve jugosllave dhe se duhet të kufizohet nga autoritetet zvicerane. Shih takimin mes Godet-Mirosiq të dt. 11 maj 1989 në Bernë. Maksiq paralajmëron për një radikalizëm të mundshëm të aktivistëve shqiptarë (duke përfshirë edhe sulme terroriste).

Jacobi ripohon gatishmërinë e Zvicrës, me kërkesë të Jugosllavisë, për të marrë pjesë në një takim ekspertësh për çështjet e sigurisë (Prokuroria Federale) nga janari 1990 dhe në të njëjtën kohë kujton praktikën e zakonshme në lidhje me lirinë e shprehjes dhe aktivitetet politike të të huajve në Zvicër. Se punëtorët jugosllavë vlerësohen shumë në Zvicër (kontingjenti i tretë më i madh i punëtorëve të huaj).

Në këtë drejtim, Maksiq kërkon një rregullim me lidhjen e një marrëveshjeje (si me Portugalinë, Spanjën dhe Italinë). Zyra Federale për Industrinë, Tregtinë dhe Punën tashmë ka rënë dakord për një takim dypalësh ekspertësh.

Të drejtat e njeriut

Jacobi kujton disa intervenime nga ana e qeverisë zvicerane në favor të Janus Salihit, një shtetas jugosllav i cili ndodhet në burg që nga nëntori 1986 e që kanë mbetur pa përgjigje nga pala jugosllave, (intervenimi i fundit në takimin KSBE për të drejtat e njeriut në qershor 1989 në Paris). Azilkërkuesit pasi ju refuzua kërkesa (nga ana e Zvicrës vër. e përkth.) u dënua (në Jugosllavi vër. përkth. ) mbas kthimin të tij për arsye politike me gjashtë vjet e gjysmë burg. Maksiqi, i cili nuk e njeh personalisht rastin, pranoi një aide-memoire dhe premtoi se do të shqyrtojë dosjen. më pas Jacobi shprehu shqetësimin e tij për procesin aktual (politik) Vllasi, duke iu referuar marrëveshjeve të KSBE-së dhe të drejtave të përgjithshme të njeriut.

Maksiq foli për një proces të pavarur ligjor që qeveria dhe administrata nuk mund të ndikojnë aktualisht; një vendim, nëse është i nevojshëm edhe nga Gjykata e Lartë, duhet pritur. Ministria e punëve të jashtme jugosllave është angazhuar për një gjykim publik dhe (jo pa vështirësi) ka mundësuar qasjen për gazetarët e huaj dhe misionet diplomatike.

Simonin[9]

Ambsuisse

Dokumenti nr. 8.

Mbas trazirave të marsit 1989 në Kosovë, përpilohet një raport analizues më i kompletuar për dallim nga komunikimet diplomatike. Ky raport e analizon situatën në Jugosllavi me referencë të veçantë situatën në krahinën autonome të Kosovës. Këtu bëhet një përpjekje për të sqaruar  shkaqet e konfliktit serbo-shqiptar, fazat e zhvillimit politik në Kosovë, ekzistuese grupet politike, organizimin policor dhe autoritetet, praktika gjyqësore dhe të drejtat e njeriut. Jepet një histori e zhvillimit të ngjarjeve dhe raporteve shqiptaro-serbe. Referencat e dhëna në këtë dokument janë të përpiluesit të raportit, me përjashtim të referencës së burimit.

DEW – Dokumentacioni i shteteve[10]

3003 Bern, 26 qershor 1990 Bto/odm

8153/2

Ndikimi i trazirave në Kosovë në mars 1989 dhe janar-shkurt 1990 në situatën në Jugosllavi

Raporti i situatës së Jugosllavisë (me referencë të veçantë për situatën në krahinën autonome të Kosovës)

Bibliografia:

  • Fischer Weltalmanach, Zahlen, Daten, Fakten 1990.
  • Knaurs Weltspiegel, München 1989.
  • Von Kohl Christine, Jugoslawien, Beck‘sche Reihe, Aktuelle Länderkunde München 1990 (80.123).
  • Chalupa Gustav, Unbekannter Nachbar Jugoslawien, AT Verlag Aarau, 1989.
  • Weltgeschehen, Analysen und Berichte zur Weltpolitik, Verlag für Zeitarchive GmbH, Sankt Augustin, 1989.(80.130).
  • Internationale Politik, Dokumentation, Albaner in der SFR Jugoslawien, Nr. 939, 20. Mai 1989.
  • United Nations High Commissioner For Refugees, Some Facts About The Province Of Kosovo, 3 March 1989.
  • Country Reports On Human Right Practices For 1989, Washington 1990.
  • Antwort der Bundesregierung auf die Kleine Anfrage von Frau Trenz, Menses Vogl und der Fraktion DIE GRUENEN, Drucksache 11/6350, 5.2.1990.
  • Schweizerische Helsinki-Vereinigung, Pressemitteilung, Krise in Kosovo. Ein neuer Menschenrechtsrapport der Helsinki-Gruppen, Bern, 26.3.1990.
  • SOS KOSOVO, Bulletin d’ information Mr.2, Mars 1990.
  • Al, Jugoslawien, gewaltlose politische Gefangene, amnesty international publication, Mai 1985.
  • Al aktueller Lagebericht des internationalen Sekretariats in London vom 21.5.1990.
  • Schweizerische Zeitschrift für Soziologie, Sonderdruck, Die Albaner Jugoslawiens, 1, 1989.
  • Lagebeurteilung der Schweizer Botschaft in Belgrad, Belgrad, 12.4.1990.
  • Schweizerische Botschaft t in Norwegen, Norwegischer Bericht zur Lage in

Jugoslawien, Oslo, 30.5.1990.

Hyrje

Përveç fletë-informacioneve të vendeve dhe deklaratave të ndryshme të shkurtra mbi aspektet individuale të problemit të Kosovës, nuk ka një raport gjithëpërfshirës për situatën në Jugosllavin që merr parasysh zhvillimet më të fundit. Në këtë punim, në veçanti do të hulumtohen sfondi dhe efektet e konfrontimit gjithnjë në rritje ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës sllave në krahinën autonome të Kosovës, e cila është pjesë e Republikës së Serbisë. Në këtë kontekst, është me interes ndikimi i protestave në vjeshtën e vitit 1988 dhe në dimër/pranverë 1989/1990 – pas shtatë vitesh qetësie të brisht –  në gjendjen e përgjithshme në Kosovë, ku mund të merren informacione për vendimmarrje për kthimin e azilkërkuesve në Kosovë dhe – për shkak të tendencave të liberalizimit politik dhe shoqëror në dy republikat veriore të Sllovenisë dhe Kroacisë – për alternativat e ikjes brenda territorit (jugosllav).

Jugosllavia – pasqyrë e përgjithshme

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë – siç quhet zyrtarisht – përbëhet nga gjashtë republika dhe dy krahina autonome (Kosova dhe Vojvodina), të cilat – edhe pse autonome – i përkasin Republikës së Serbisë. E vendosur në Evropën Juglindore, Jugosllavia ka një sipërfaqe prej 255,804 km2 dhe një popullsi prej 23,553,000[11]. Shteti federativ socialist, rendi shtetëror dhe shoqëror i të cilit bazohet në parimet e vetëqeverisjes socialiste dhe të barazisë kombëtare të republikave dhe popujve, pas rënies së monarkisë austro-hungareze dhe rënies së Perandorisë Osmane në 1918 u krijua fillimisht si “Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve” (që nga viti 1929 me emrin Jugosllavi). Banorët e Jugosllavisë së sotme para kësaj nuk kanë  qenë asnjëherë më parë të bashkuar me një kufi të përbashkët shtetëror. Deri vonë – partia komuniste, që nga viti 1952 “Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë” ishte në krye të shtetit – në vitin 1989  u themeluan parti të pavarura dhe grupe partiake me origjinë të ndryshme politike në republikat e Sllovenisë dhe Kroacisë. Përveç konflikteve të kombeve, të zgjidhura vetëm sipërfaqësisht në Jugosllavinë e sunduar nga komunistët që nga viti 1945 janë, edhe kriza ekonomike dhe e sistemit po bëhet gjithnjë e më akute. Antagonizmi në rritje ndërmjet republikave dhe pakësimi i solidaritetit jugosllav e bëjnë më të vështirë në tërësi menaxhimin e krizës.

I. Shkaqet e konfliktit serbo-shqiptar në Kosovë

Kosova, Serbia e vjetër jugore, është e një rëndësie të madhe për të gjithë serbët pasi ishte qendra e Perandorisë Serbe mesjetare, e cila në kulmin e lulëzimit të saj shtrihej në pjesën më të madhe të Ballkanit. Tani, beteja vendimtare historike midis serbëve dhe turqve u zhvillua pikërisht në këtë Kosovë, në Fushëkosovën e famshme (Kos = Amsel;  fusha e zugut t`zi). Me gjithë disfatën serbe, nga beteja në Fushëkosovë doli një mit i fuqishëm që është i pranishëm edhe sot, që i kapërcen lehtësisht kohërat dhe për këtë arsye nga serbët nuk perceptohet si anakronizëm. Pas përpjekjeve serbe në Kosovë qëndron brenga e humbjes së përhershme e Serbisë jugore historike, “djepit të Serbisë”[12], që ka një rëndësi të madhe për vetëdijen kombëtare. “Emocionet dhe pasionet që ngjall te shumë serb çështja e Kosovës, që mbështeten nga disa ekzagjerime dhe njëanshmëri, duhen parë në sfondin e lidhjeve të forta të popullit serb me vetëdijen historike për Kosovën”[13].

Por edhe shqiptarët, të cilët vendosen gjithnjë e më shumë në këtë zemër serbe, me shekuj kanë pasur lidhje të forta me Kosovën. Nga 8% e shqiptarëve të popullsisë së përgjithshme jugosllave, rreth 1,700,000 jetojnë në Kosovë (88% e popullsisë së krahinës autonome). Grupi i dytë më i madh i popullsisë janë serbët me rreth 10%[14].

Kosova, “e lënë pas si një djerrinë ekonomike nga osmanët dhe mbretëria jugosllave”[15], ka mbetur një nga zonat më të varfra edhe nën sundimin socialist, dhe situata është përkeqësuar edhe në krahasim me Slloveninë dhe rajonet e tjera jugosllave[16]. Ndërsa grupi i popullsisë serbo-malazeze ka reaguar ndaj këtyre kushteve dëshpëruese dhe të pashpresë që nga vitet 1960[17]  – dhe në një masë të rritur  që nga trazirat e vitit 1981 – duke shitur tokat dhe pronat dhe me emigracion, pakënaqësia e ndrydhur e shqiptarëve me kushtet shoqërore dhe ekonomike, e përzier me ndjenjën e shtypjes kombëtare nga serbët, u kthye vazhdimisht në protestë politike. Si rrjedhojë, interpretimi i fenomenit të emigracionit serb dhe kërkesave politike të opozitës shqiptare dhe objektivave të tyre janë kthyer në çështje të mosmarrëveshjeve më të ashpra dhe më mospajtuese.

II. Kosova: fazat e zhvillimit politik[18]

1946-1966

Autonomia e Kosovës është më shumë e natyrës teorike sesa konkrete dhe vazhdimisht po humbte “substancë”. Në vitin 1965 Tito shkarkoi ministrin e brendshëm Aleksandër Rankoviq, i cili nuk ishte i pëlqyer nga shqiptarët dhe që vepronte me pamëshirshmëri të madhe në Kosovë dhe zbatonte pozicionet e tija serbe.

1966-1981

Shqiptarët përjetojnë një “rilindje” kulturore dhe politike, kultura dhe arsimi shqiptar përkrahen, ndër të tjera në vitin 1971 themelohet Universiteti i Prishtinës[19]. Janë pikërisht masat shoqëruese që i bëjnë të dukshme mangësitë e së shkuarës dhe të qarta deficitet e së tashmes. Në vitin 1974 kushtetuta e re i dha krahinës së Kosovës një autonomi të konsiderueshme. Kjo “politikë pro-kosovare” e Titos është pikënisja dhe parakushti për emancipimin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe temë e polemikave të nxehta në vitet në vijim.

1981-1990

Që nga vitet e 1960ta në Jugosllavi kishte trazira që kanë shpërthyer, më seriozet ishin ato në Kroaci dhe në provincën e Kosovës. Protestat e mëdha në Kosovë në mars/prill 1981 që zgjatën deri në vitin 1982, bënë bujë edhe ndërkombëtarisht. Arsyeja fillestare,  kërkesa për kushte më të mira jetese, mori shpejt dimensione më të mëdha politike. Në fund të vjeshtës së vitit 1988, shqiptarët dolën përsëri në rrugë kur autonomia e tyre u kërcënua, e cila gjatë trazirave të vitit 1981 ishte perceptuar si (autonomie) e kufizuar.

Më 23 mars 1989, presioni serb dhe politikat e pushtetit bënë që në parlamentin e provincës autonome të Kosovës të votohet për një kufizim të madh të vetëqeverisjes rajonale të dhënë në vitin 1974. Serbia e lidh Kosovën pas vetes dhe kontrollon në mënyrë qendrore fushat e policisë së shtetit – duke e paraqitur në interes për sigurinë e përgjithshme jugosllave.

Për shkak të pozitës së veçantë të Serbisë në shtetin jugosllav, çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën marrin menjëherë dimensione politike, që do të thotë se ato rezultojnë me ndërhyrje politike dhe policore serbe dhe nuk mbeten pa pasoja për shtetin jugosllav në tërësi. Me fjalë të tjera çështja e Kosovës çon në një luftë për dominim politik dhe fundja ajo (çështja e Kosovës) është një nga shkaqet qendrore të krizës së përgjithshme jugosllave.

  1. Gjendja ekonomike

Kosova është sinonim i varfërisë jugosllave, dobësive strukturore dhe moszhvillimit në të gjithë sferën ekonomike. As fermat e vogla dhe ato edhe më të vogla në bujqësi, as kombinatet industriale të kufizuara në nxjerrjen e burimeve minerale – zejtaria tradicionale ka humbur dhe industria e lehtë intensive e punës është lënë pas dore – nuk janë në gjendje të absorbojnë çdo vit numrin e madh të të rinjve që hyjnë në tregun e punës. Shkalla jashtëzakonisht e lartë e papunësisë në Kosovë është kryesisht për shkak të shpërthimit të popullsisë (shqiptarët kanë shkallën më të lartë të lindjeve në Evropë). Pavarësisht këtij zhvillimi demografik, politika familjare dhe kontrolli i lindjeve hasin në rezistencë tek shqiptarët, sepse ata nuk i besojnë as përparimit mjekësor dhe as mjedisit të tyre serb. Në këtë sfond, fakti që një pjesë relativisht e gjerë e popullsisë në Kosovë kanë qasje në arsimin e mesëm dhe të lartë, e që, megjithatë, tregu i punës nuk u ofron atyre një mundësi përkatëse pune, strehon në vete potencialin për trazira dhe konflikte. Situata e pashpresë, pa perspektivë do të thotë se dëshira për t’u larguar, veçanërisht në mesin e të rinjve shqiptarë të Kosovës, të paktën për të shkuar në qytete, mbetet gjithkund e pranishme.

Ashtu si në rajonet e tjera të “Botës së Tretë”, kreditë për zhvillim ekonomik nga fondi federal janë përdorur në mënyrë joefikase dhe pa koncept, ose nuk kanë arritur fare në destinacionin e tyre. Ndihma e deritanishme edhe pse bujare, por e “gabuar” e qeverisë federale nuk ka sjellë përmirësim të situatës ekonomike në Kosovë, por ka intensifikuar armiqësinë tashmë tradicionale mes republikave veriore dhe jugore. Sot, të ardhurat mesatare në Kosovë janë tre herë më të ulëta se në Slloveni, madje edhe atje kostoja e lartë e jetesës po shkakton probleme për shtresat e gjera të popullsisë.

III. Statusi autonom i Kosovës dhe potenciali i saj për konflikt

Në vitin 1974, pas një vale trazirash dhe grevash shqiptare, Tito vendosi statusin e Kosovës në një kushtetutë të re. Krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës ishin planifikuar për pakicat e rëndësishme shqiptare dhe hungareze, të cilat i përkisnin republikës serbe dhe në të njëjtën kohë duhet të jenë anëtarë të pavarur të federatës. Pjesëmarrja e barabartë në pushtet nga republikat dhe krahinat autonome – pavarësisht nga madhësia e tyre – sigurohej nga përfaqësimi i tyre i barabartë në parlamentin dhe qeverinë federale. Krahina autonome tani kishte mundësi  të vendoste për juridiksionin dhe ekonominë e saj e madje edhe për vetëmbrojtjen territoriale. Për shkak të kësaj kushtetute të re, serbët nuk kishin shumë për të thënë në këtë pjesë të republikës së tyre, ndërsa ato pjesë, në të kundërtën, e kishin të drejtën e sajë të fjalës në Serbi. Nën këto kushte, për shembull, nuk ishte më e mundur ndryshimi i kushtetutës serbe pa pëlqimin e krahinës autonome. Në fakt, kushtetuta jugosllave që në fillim, jo vetëm ajo e vitit 1974, e ka kufizuar Serbinë. Vetëm në Serbi i kemi këto krahina autonome, të cilat janë pothuajse po aq të pavarura sa edhe republikat e tjera. Kjo paraqet një anomali në krahasim me republikat tjera përbërëse. Në veçanti, lideri i partisë serbe Sllobodan MILLOSHEVIQI, që ka qenë në detyrë nga viti 1986[20], dhe i cili është zgjedhur më 14 nëntor 1989 me shumicë të madhe për një mandat të dytë si President i Republikës së Serbisë, e kupton këtë situatë si një “ndarje faktike të trefishtë” të Serbisë që duhet të përmirësohet me një korrigjim. Ky projekt u zbatua përfundimisht në mars të vitit 1989 – pavarësisht protestave të ashpra të shqiptarëve dhe trazirave përkatëse të përgjakshme në Kosovë.

As kushtetuta e vitit 1974 nuk ishte në gjendje të pengonte aspiratat kombëtare të popujve në Kosovë, të cilët ishin shumë të ndryshëm në aspektin gjuhësor, trashëgimisë kulturore, fesë dhe mentalitetit. Edhe shqiptarët u ndjenë të “kufizuar” nga statusi i autonomisë së Kosovë dhe kërkesa për “Republikën e Kosovës” e ngritur gjatë trazirave të vitit 1981 – të cilat “filluan si demonstrata normale studentore për ushqimin e keq në mensën e universitetit”[21] – nuk u hesht më kurrë. Kësaj kërkese shqiptare i qëndron përballë refuzimi kokëfortë serb, i cili arsyetohet me konceptin jugosllav të shtetit (shteti i sllavëve të jugut)[22] dhe qëndrimin se një Republikë e Kosovës do të thotë një fazë pararendëse e bashkimit me Shqipërinë. Kërkesat shqiptare janë etiketuar nga pala serbe me mbiemrat sulmues “armiqësore”, “nacionaliste”, “shoviniste” ose “irredentiste”, gjë që shpiu që antagonizmi serbo-shqiptar, i cili ishte thelluar edhe më shumë që nga viti 1981, arriti, deri më tani, shkallën më të lartë me heqjen  e gjerë të garancive kushtetuese në mars 1989 dhe trazirave shoqëruese në dimër/pranverë 1989 dhe 1990.

IV. Kronologjia e ngjarjeve nga tetori 1987 deri në maj 1990

10/20/1987:

Fadil HODZA, një bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit Tito dhe udhëheqës politik i rajonit të Kosovës, përjashtohet së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë nga Partia Komuniste e Jugosllavisë për neglizhencë të luftës kundër separatizmit shqiptar. HODZA ishte objektivi më prominent i një komisioni të ngritur nga Plenumi i Komitetit Qendror në fillim të verës për të hetuar përgjegjësinë e politikanëve kryesorë shqiptarë për ngjarjet e pranverës 1981[23].

26.10.1987:

Presidenca shtetërore jugosllave vendos të dërgojë njësitet speciale policore, të cilat janë në dispozicion të autoriteteve federale, në Kosovë, e cila karakterizohet nga konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve që sërish rishfaqen. Misioni justifikohet me “situatën e jashtëzakonshme dhe ruajtjen e sigurisë”.

24.07.1988:

Në Serbi vazhdon, pavarësisht tërheqjes së vërejtjes nga udhëheqja qendrore e partisë, mosmarrëveshja publike për autonominë e krahinave të Vojvodinës dhe Kosovës. Në Paçevo të Vojvodinës, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, më shumë se 4000 serbë kërkojnë heqjen e autonomisë së krahinave. Në fund të korrikut, parlamenti i bënë thirrje autoriteteve federale që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ndalur eksodin e serbëve nga krahina e Kosovës. Ndërkohë, minoriteti serb, i cili ndihet i kërcënuar nga 1.7 milionë shqiptarët, kërcënon me protesta.

08/08/1988:

Në rrjedhën e një reforme kushtetuese jugosllave, Serbia vazhdimisht kërkon të njëjtat kompetenca ligjore si republikat e tjera dhe në këtë mënyrë po përkeqëson kontradiktat kombëtare në qeverinë federale. Kriza kushtetuese në përgjithësi është simptomë e një krize të vazhdueshme në Jugosllavi.

24.10.1988:

Serbët dhe malazezët në krahinën jugosllave të Kosovës lëshojnë një ultimatum për dorëheqjen e udhëheqjes lokale të partisë dhe kërcënuan me marshim në Beograd.

18.11.1988:

Sipas raportimeve të dëshmitarëve okularë, më shumë se 80 mijë shqiptarë protestojnë kundër Serbisë në krahinën e Kosovës. Ata kërkojnë anulimin e vendimit, të marrë një ditë më parë nga partia serbe, për largimin e detyrueshëm të kryetares së partisë së komunistëve në Kosovë, Kaqusha JASHARI dhe të paraardhësit të saj Azem VLLASIT. Në të njëjtën kohë, lideri i partisë serbe MILLOSHEVIQI kërkon në Beograd se duhet të burgosen përgjegjësit e vërtetë për “gjenocidin dhe terrorin” në Kosovë. Më 23 nëntor 1988, qeveria e Kosovës vendos ndalimin e demonstratave.

02/07/1989:

Në krahinën autonome të Kosovës, të gjitha kompanitë e mëdha janë të prekura nga aksioni i grevës, i cili filloi më 3 shkurt 1989. Punëtorët po protestojnë kundër përjashtimit të Azem VILASIT nga Komitetit Qendror i Lidhjes së Komunistëve.

21.02.1989:

Greva e minatorëve të Trepçës në Kosovë, të cilët një ditë më parë u mbyllën në një tunel të minierës, u përhap në miniera dhe fabrika të tjera më 21 shkurt 1989. Vala e protestave është drejtuar kryesisht kundër shkarkimit të popullarizuar në Kosovë, Azem VLLASIT, dhe kundër ndryshimeve kushtetuese për krahinën autonome për të cilën po përpiqej Serbia.

03.03 1989:

Arrestohen mbi 20 “organizatorë shqiptarë” të grevës së përgjithshme, mes të cilëve edhe disa anëtarë të Komitetit Qendrorë të Partisë Komuniste të Kosovës.

03/12 1989:

Në lidhje me grevat në Kosovë, 27 mijë punëtorë shqiptarë janë të detyruar të punojnë. Situata e zjarrit është ligji për “mbrojtjen e përgjithshme të njerëzve”. Baza është ligji për “mbrojtja e përgjithshme popullore”.

23.03.1989:

Në qytetin e Ferizajt, afër Prishtinës, popullata proteston kundër miratimit të kufizime të ashpra të vetëqeverisjes rajonale nga Kuvendit i Krahinës Autonome të Kosovës. Sipas informacioneve zyrtare, 21 persona kanë humbur jetën gjatë trazirave të rënda të vazhdueshme. Në fund të marsit, autoritetet vendosën ndalimin e daljeve natën dhe ndaluan tubimet. Prezenca e fortë e forcave të policisë sjell qetësi në masë të madhe. Fillon një valë spastrimesh në Partinë Komuniste të Kosovës.

21.05.1989:

Hiqet ndalesa e daljes natën në Kosovë.

06/02/1989:

Sipas studentëve, policia ka arrestuar rreth 60 studentë të universitetit gjatë trazirave të fundit në Krahinën e Kosovës.

28.06.1989:

Mbi një milion serbë përkujtojnë 600 vjetorin e Betejës së Fushëkosovës afër qytetit jugosllav të Prishtinës. Kreu i partisë MILLOSHEVIQI bën thirrje për unitet serb. Ditën e përkujtimit të “ripushtimit të Kosovës” shqiptarët e perceptojnë si provokim.

11/03/1989:

Në lidhje me fillimin e gjykimit kundër Azem VLLASIT, i cili filloi më 30 tetor 1989 në Mitrovicë e Titos, pati trazira të reja. Në Prishtinë, katër persona të barrikaduar në një ndërtesë të lartë, vriten nga policia. Demonstrata zhvillohen edhe në Podujevë dhe Ferizaj.

24.01.1990:

Në Prishtinë, një demonstratë prej rreth 20,000 pjesëmarrësish, të cilët u shprehën kundër kufizimit të autonomisë, shpërndahet nga policia.

02/06/1990:

Viktimat e trazirave përkujtohen me marshime të heshtura dhe ndërprerjeve të shkurtra në punë.

15.02.1990:

5000 shqiptarë protestojnë sërish në Podujevë.

17./18.2.90:

Pas një qetësie sipërfaqësore, shpërthejnë sërish demonstratat dhe incidentet. 66 persona plagosën në përleshjet mes demonstruesve dhe njësive të milicisë.

19.02.1990:

Njësitet e ushtrisë, të cilat janë në Kosovë që nga 2 shkurti 1990, dhe policia janë angazhuar për të parandaluar “të martën e përgjakshme”. Autoritetet krahonore po përpiqen të vënë nën kontroll trazirat në Kosovë me një prani masive të forcave të sigurisë dhe futjen e një shtetrrethimi gjatë natës.

21.02.1990:

Vendoset shtetrrethimi gjatë natës.

22.03.1990:

Në Prishtinë dhe Podujevë shfaqet një valë misterioze helmimesh dhe raste misterioze sëmundjesh.

27.03.1990:

Qeveria e Republikës së Serbisë dërgon edhe 2500 policë serbë në Kosovë dhe njofton se do të shkarkojë 70% të shqiptarëve. Kjo pasi thuhet se nuk kanë vepruar përballë trazirave të shqiptarëve që lidhen me epideminë e helmimeve. Ata akuzohen edhe për sjellje të gabueshme në konfliktin mes kombësive që vazhdon prej kohësh.

23.05.1990:

Të gjithë ministrat shqiptarë largohen nga qeveria e krahinës së Kosovës në shenjë proteste kundër presionit që vinte nga pakica serbe.

V. Ngjarjet e dimrit/pranverës të vitit 1989 dhe prapavija e tyre

Për dallim nga viti 1981, kur, sidomos te studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, “pakënaqësia e akumuluar me kushtet sociale dhe ekonomike e përzihej me ndjenjën e shtypjes kombëtare nga serbët”[24], shkaqet e trazirave në dimër/pranverë të vitit 1989 lidhen me ringjalljen e nacionalizmit serb nën udhëheqjen e presidentit të partisë serbe MILLOSHEVIQ, si dhe kërkesa e masave politike dhe kushtetuese të lidhura me këtë. Që kur ai e mundi paraardhësin e tij në krye të “Lidhjes së Komunistëve të Serbisë” në vjeshtën e vitit 1987 me një “grusht shtet i ngjashëm me puçin”[25], i cili kërkonte një zgjidhje organike në Kosovë që do merrte parasysh interesat serbe dhe shqiptare, Serbia është në “ethet nacionaliste”[26]. Nën udhëheqjen e MILLOSHEVIQIT, Republika e Serbisë nga njëra anë refuzon çdo ndryshim të pozitës kushtetuese të krahinës autonome dhe nga ana tjetër të këqijat politike të rajonit i mbështet vetëm në atë se, se Serbia nuk është një “republikë e plotë” si pesë republikat e tjera. Një slogan kombëtar sot përdor termin “Serbia e ngushtuar” e perceptuar  si përçmim, kjo do të thotë se për shkak të kushtetutës së re të vitit 1974, Serbisë iu desh t’i dorëzonte aq shumë pushtete dy krahinave autonome të Vojvodinës dhe Kosovës, saqë në fakt duhej të shihej si një shtet trepalësh. Si rrjedhim i sugjerohet popullatës serbe, me përpjekje të mëdha propagandistike, se Serbia do t’i merrte lehtësisht të gjitha problemet nën kontroll nëse si një republikë e barabartë me ndryshimet kushtetuese do të shtrinte kompetencat e saja në të dy krahinat. Në këtë kontekst, çështja shpërthyese e emigrimit serbo-malazez nga Kosova nuk i referohet varfërisë dhe prapambetjes së Kosovës, që padyshim konsiderohet si shkaku kryesor dhe si një rast i rëndë i zhvillimit brenda-jugosllav, por i atribuohet ekskluzivisht presionit dhe frikës (së shkaktuar prej shqiptarëve). Nën këto shenja, udhëheqja serbe gradualisht filloi t’i konsideronte politikanët krahinor shqiptarë që nga vjeshta 1987 përgjegjës për nacionalizmin shqiptar dhe trazirat e vitit 1981 dhe t’i akuzonte ata për pabesi.

Si rezultat, politikanë të ndryshëm të merituar e të lartë, të popullarizuar në popullatën shqiptare, u detyruan të largoheshin nga zyrat e tyre politike e funksionet partiake dhe u zëvendësuan nga shqiptarë besnikë ndaj Serbisë. Qëllimi përfundimtar dhe kulmi i masave të ristrukturimit serb ishte anulimi i gjerë i të drejtave kushtetuese të dhëna në vitin 1974, të miratuara nga parlamenti i krahinës autonome të Kosovës në mars 1989. Përderisa protestat e shqiptarëve në vitin 1981 kulmuan me kërkesat për Republikën e Kosovës, sloganet e mitingjeve të marsit 1989 nuk përmbanin elemente anti-jugosllave. Këto ishin një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kufizimeve të të drejtave të shqiptarëve të arritura në vitin 1974 nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

VI. Ndikimi i trazirave të dimrit/pranverës 1989 në situatën në Kosovë

Trazirat dhe demonstratat që shpërthyen në qytetin e Ferizajt për disa ditë më 23 mars 1989 arrihen të qetësohen dhe të vihen nën kontroll vetëm me operacione masive policore dhe vendosjen e masave të ndryshme emergjente (ndalimi i daljes natën, ndalimin e tubimeve dhe demonstratave). Që nga kjo kohë në Kosovë ka pasur një gjendje të jashtëzakonshme, e cila herë ishte më ashpër e herë më lirshëm. Kontrollet e llojeve të ndryshme dhe mbyllja e përkohshme e zonave tashmë janë pjesë e jetës së përditshme në Kosovë, edhe pse këto vazhdimisht indinjojnë popullatën. Për shkak të politikës së vazhdueshme të represionit serb, krizës ekonomike të vazhdueshme dhe të thelluar, akteve të dhunës në rritje dhe mungesës së vullnetit për kompromis nga të dyja palët, situata në Kosovë është përkeqësuar që nga pranvera e vitit 1989[27]. Hidhërimi i shqiptarëve në Kosovë dhe pasiguria e përgjithshme në popullatë është në rritje të vazhdueshme, si dhe ka një konstatim të radikalizimit te pakica serbo-malazeze. Trazirat që shpërthyen përsëri në janar/shkurt 1990 dhe ishin më të rëndat deri më sot, që kushtuan, sipas të dhënave zyrtare, me 30 jetë[28], paraqesin një pikë kulmore të deritashme dhe kanë vënë në pah edhe një herë rrezikun e një lufte të mundshme civile. Rritja e numrit të demonstruesve të plagosur dhe të vdekur në krahasim me pranverën e vitit 1989 është për shkak të “veprimeve masive dhe brutale të njësive policore (policisë speciale)[29].

VII. Grupet politike në Kosovë

  1. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë

Që nga ndryshimi i kushtetutës në vitin 1974, shqiptarët kanë qenë të përfaqësuar në të gjitha organet qeveritare dhe partiake si dhe në funksionet më të larta shtetërore. Ndër të tjera, Fadil HOXHA dhe Sinan HASANI kanë qenë nënkryetarë të Kryesisë së RSFJ-së në vitet 1981 dhe 1985. Po kështu, shqiptarët kanë kryer funksione në fushën e mbrojtjes popullore dhe kanë përfaqësuar Jugosllavinë si ambasadorë në 15 vende[30]. Zyrtarët partiak shqiptare janë gjetur gjithmonë në një pozitë të vështirë personale-politike. Kjo do të thotë se ose popullata shqiptare i akuzoi për miqësi me serbët ose u fajësuan/shkarkuan nga drejtuesit serb për sjellje të padëshiruar në çështjen e kombësive ose madje akuzoheshin për mbështetje të “nacionalistëve”, “separatistëve” dhe “irredentistëve” shqiptarë. Shembulli më i njohur këtu është ish-lideri i partisë në Kosovë, Azem VLLASI, i cili u konsiderua fillimisht nga shqiptarët si një “qen serb”, është ngritur në një nga eksponentët politikë më të adhuruar dhe në tetor 1989 u akuzua si “kundërrevolucionar” dhe “nxitës” i trazirave “nacionaliste dhe separatiste”. Më në fund, në fund të majit 1990, të gjithë ministrat shqiptarë u larguan nga qeveria e krahinës së Kosovës në shenjë proteste kundër presionit të ushtruar nga pakica serbe. Në këtë drejtim, duhet theksuar se funksionarët që pranuan presionin serb nuk e patën asnjëherë mbështetjen e nevojshme në popullatën shqiptare, kohëve të fundit nuk kanë qenë pothuajse fare aktivë dhe, sipas kryeministrit ZEJNULAHU, “kanë mundur të zbatonin vetëm vendimet që janë pritur prej tyre”[31]. Përveç kësaj, Lidhja e Komunistëve të Jugosllavi ka shkallën më të ulët të shtrirjes organizative ndër shqiptarë dhe ka humbur rëndësinë për shkak të shumë largimeve nga partia.

  1. Organizatat shqiptare të formuara në dhjetor 1989

Dallimi më domethënës ndërmjet trazirave të dimrit/pranverës 1989 dhe janarit/shkurtit 1990 është shfaqja e grupeve alternative shqiptare, ndër të cilat më e madhja dhe më me ndikim është ‘Lidhja Demokratike i Kosovës’. Grupi alternativ, i formuar në dhjetor 1989, ka tashmë më shumë se 300 000 anëtarë, kryesisht me kombësi shqiptare, sipas udhëheqësit të saj, Ibrahim RUGOVA[32]. Të tjerët si “Organizata për të Drejtat e Njeriut në Kosovë” luftojnë kryesisht mbi bazën e të drejtave të njeriut. Si rezultat, të prekurit në rrethet shqiptare shtruan kërkesa të qarta si të drejta të barabarta për kombësitë e ndryshme, sistem shumë partiak, zgjedhje të lira, heqjen e proceseve politike, lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe tërheqjen e njësive speciale nga Kosova, dhe se rezistenca shqiptare është më mirë e organizua. Kjo shkon paralelisht me përfshirjen e grave dhe fëmijëve në mitingje – për të parën herë  kjo u tentua më 23 mars 1989 në Ferizaj – informimi qëndrueshëm i mediave perëndimore dhe përdorimi i formave pasive të rezistencës me efekte në media në mitingje paqësore (ndezja e qirinjve, minuta heshtje, etj.). Intelektualët shqiptarë kanë shfrytëzuar me mjeshtëri demokratizimin që po fillonte edhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë dhe krijuan platforma politike kundër të cilave autoritetet serbe nuk mund të ndërmarrin më veprime të dhunshme në kushtet aktuale. Në fund të janarit 1990, për shembull, grupet opozitare shqiptare mblodhën nënshkrime për një peticion që kërkonte zgjedhje të lira dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, pavarësisht nga prania masive e policisë[33].

  1. Grupet e ndaluara shqiptare

Pas trazirave në pranverën e vitit 1981 dhe në vitet që pasuan, për herë të parë u dënuan në masë të madhe njerëz, të akuzuar se i përkisnin organizatave me qëllime “nacionaliste” dhe “irredentiste” që ishin “të paligjshme” nga këndvështrimi jugosllav. Në periudhën nga marsi 1981 deri në fund të vitit 1983 “u zbuluan 72 organizata me rreth 1000 anëtarë”[34]. Qëllimi kryesor i kësaj morie “grupesh” të mëdha e të vogla, të strukturuara dhe të organizuar ndryshe, shpesh pa emër, vetëm në nivel lokal e joformale, pa statut e pa program, është republika e Kosovës në kuadër të federatës jugosllave ose bashkimi i një republike të tillë me Shqipërinë. Meqenëse këto grupe shpesh ekzistonin vetëm për një kohë të shkurtër, shpërndaheshin ose duhej të shpërbëheshin për arsye të ndryshme, bashkoheshin me të tjerët me emër të ri dhe duhej të punonin plotësisht në nëntokë dhe “ilegalisht” për shkak të ligjeve të mbrojtjes së shtetit jugosllav, për këto ka pak informacion të besueshme. Emrat e katër organizatave të zbuluara në vitin 1981/82 “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”, “Grupi i Marksist-Leninistëve të Kosovës” “Partia Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi dhe “Fronti i Kuq” me bazë “jashtë vendit”[35], kanë prioritete pjesërisht të ndryshme “programore”, por me një objektiv pothuajse identik brenda kornizës së atëhershme politike (komuniste) të shtetit jugosllav në tërësi. Aktualisht, si organizata më të mëdha të njohura dhe domethënëse janë  “Lëvizja popullore për Republikën e Kosovës” (“LPRK”) dhe “Lidhja Demokratike Kombëtare e Besës Shqiptare”, e cila është kryesisht aktive nga Republika Federale. Në lidhje me këtë duhet theksuar se, pavarësisht nga madhësia, njohja ose rëndësia e një organizate, anëtarësimi i thjeshtë jo i dhunshëm, aktual ose i supozuar në njërin prej këtyre grupeve “të paligjshme” do të rezultojë në një akuzë të ngritur sipas Neni 136 i Kodit Penal të SFRJ-së (“Shoqata për Veprimtari Armiqësore”). Nuk është ende e mundur të thuhet se, deri në çfarë mase anëtarët e këtyre shoqatave “ilegale” i janë bashkuar grupeve “të reja” opozitare – edhe pse ende të pa regjistruara zyrtarisht – dhe se a janë “tejkaluar” nga programi i tyre i modernizuar gjithëpërfshirës.

  1. Grupet serbe

Ndërsa minoriteti serb sundoi për një kohë të gjatë me apati, indiferencë dhe migrim ndaj ndjenjës së diskriminimit dhe shtypjes në këtë pjesë të shtetit të tyre, në fund të vitit 1985 ajo shfaqet për herë të parë me anë të një peticioni. I ashtuquajturi “Peticioni 2011” përmbante një apel të serbëve dhe malazezëve drejtuar Asamblesë Federale Jugosllave për t’i dhënë fund dëbimit të pakicës serbo-malazeze nga Kosova. Në muajt në vijim, 60,000 banorë të Kosovës e nënshkruan atë[36]. Me rastin e demonstratave të 24 tetorit 1988 në Prishtinë, “Komiteti për vetëmbrojtje dhe mbijetesë të serbëve dhe malazezëve” lëshoi ​​ultimatum për dorëheqjen e udhëheqjes vendore shqiptare të Lidhjes Komuniste. Shoqata nacionale-serbe “Bozhur”, me selinë e saj në Fushëkosovë, një periferi e kryeqytetit të Prishtinës, paraqitet më militante. Anëtarët e saj janë përkrahës të flaktë të politikave intransigjente dhe të rreptë të liderit të partisë serbe MILLOSHEVIQ[37].

VIII. Policia dhe Autoritetet në Kosovë

  1. Policia

Deri në mars të vitit 1990, shumë shqiptarë kanë punuar në polici, dhe aq shikuar në sfondin e papunësisë së madhe, bëhet fjalë për një punë të sigurt shtetërore. Nuk mund të përjashtohet që të paktën disa anëtarë të korpusit policor të kenë kuptuar shqetësimet e opozitës shqiptare apo edhe fshehurazi e kanë simpatizuar, ndonëse aty kishte edhe “karrieristë” dhe “ekzekutues” të politikës serbe. Edhe pse shqiptarët kanë mbajtur edhe pozita udhëheqëse në këtë fushë, serbët tradicionalisht janë gjetur në pozitat më të rëndësishme. Edhe përpara se qeveria serbe të merrte vendimin në mars 1990 për të shkarkuar 70% të policëve shqiptarë për sjellje të kundërligjshme në konfliktin mes kombësive dhe për mosdhënie të ndihmës për qytetarët serbë gjatë epidemisë së helmimeve[38] kanë nisur përpjekje të qëllimshme për të (ri)fituar dominimin mbi policinë dhe gjykatat. Pavarësisht nga përbërja e personelit të trupit të policisë, duhet pasur parasysh se për faktet e gjykuara si politike, një pjesë e konsiderueshme e hetimeve kryhen nga sigurimi i shtetit (shërbimi sekret).

  1. Forcat Speciale

Që nga tetori i vitit 1987 përsëri në Kosovë ndodhen njësit speciale të Policisë Federale, të cilat gradualisht janë shtuar në numër. Fillimisht ato u vendosën në lagje jashtë qyteteve ose vendeve përkatës dhe pothuajse nuk shfaqeshin në jetën e përditshme. Ndërsa në vitin 1989 kjo polici ishte ende e kufizuar kryesisht në mbrojtjen e pronës, patrullimet dhe parandalimin/shpërbërjen e tubimeve, të cilat nuk kalonin gjithmonë pa gjakderdhje, këto njësi në veçanti akuzohen gjithnjë e më shumë për sulme dhe akte arbitrare. Kështu, ndoshta për hakmarrje, njësia e policisë speciale thuhet se kanë hapur zjarr më 30 janar 1990 në qytetin e Malishevës pa paralajmërim nga të gjitha anët dhe kanë vrarë disa persona[39] ose në mars të vitit 1990 “vranë një vajzë dhe një djalë në fshatin Podujevë, të cilët as nuk kishin marrë pjesë në demonstrata”[40]. Po kështu, rritja e madhe e numrit të demonstruesve të plagosur dhe të vdekur në mitingjet e janarit 1990 krahasuar me dimër/pranverë 1989 “është për shkak të veprimeve masive dhe brutale të njësive speciale të policisë”[41]. Megjithatë, autoritetet zyrtare serbe dhe jugosllave e kundërshtojnë këtë duke thënë se policia speciale dhe milicia përdorën forcë të armatosur kundër demonstruesve vetëm kur ata vetë kërcënoheshin ose sulmoheshin. Po kështu, gjatë incidenteve të janarit 1990, demonstruesit thuhet se kanë gjuajtur gurë, kanë shkaktuar dëme materiale dhe kanë hapur zjarr ndaj policëve në raste të ndryshme[42].

  1. Ushtria

Gjatë trazirave të vitit 1981, ushtria jugosllave luajti një rol qendror në shtypjen e tyre, edhe pse sipas versionit zyrtar, ajo është përdor vetëm për mbrojtjen e objekteve[43]. Si rezultat, njësitë e Ushtrisë Popullore Jugosllave u dërguan në mënyrë të përsëritur në Kosovë në kohë tensionesh të shtuara. Por veprimet e tyre u paraqitën si masa të veçanta ose mbrojtëse me karakter parandalues. Njësitë u kufizuan në marrjen e pozicioneve “në vend”, me praninë e tyre dhe duke patrulluar dhe qarkulluar në vende të ndryshme dhe duke fluturuar ulët mbi Kosovë. Shpesh nuk është e mundur për popullatën ose vëzhguesit e jashtëm të dallojnë ushtrimet që thuhet se zhvillohen në periudha të caktuara nga aktet e pastra të frikësimit. Ushtria nuk u përdor më drejtpërdrejt kundër demonstruesve dhe grevistëve, edhe pse opinionet ishin të ndryshme në lidhje me doktrinën e dislokimit të saj.

IX. Praktika gjyqësore dhe të drejtat e njeriut

Në Kosovë është e ndaluar shqiptimi dhe përpilimi i parullave të caktuara, prodhimi dhe shpërndarja e fletëpalosjeve, organizimi i demonstratave, mitingjeve dhe formave të tjera të protestës, të tilla si bashkimi në “grupe” të çfarëdo strukture me një shtytje faktike ose të supozuar “nacionaliste” ose “irredentiste”. Rregulloret e mbrojtjes shtetërore të Kodit Penal të Jugosllavisë përbëjnë bazën e masave shtetërore të vendosura në rastin e aktiviteteve përkatëse. Paragrafët më të përdorur janë si më poshtë:

 

Neni 114: “Rrezikimi kundërrevolucionar i rendit shoqëror”

Neni 131: “Pjesëmarrja në veprimtari armiqësore”

Neni 133: “Propaganda armiqësore”

Neni 134: “Thirrje për urrejtje kombëtare, racore, fetare, grindje dhe jo tolerancë”

Neni 136: “Bashkimi me qëllime armiqësore”

 

Këta artikuj përdoren individualisht ose në mënyrë kombinuese, këtu haset shpesh kombinimi i nenit 114 me 136 që shpesh kombinohen.

Ka rrethana të tjera që lehtësojnë ose rëndojnë dënimin dhe përcaktohen në paragrafë shtesë. Dënimi është nga disa muaj deri në disa vite, ku mbizotërojnë dënimet me burgim të gjatë. Dënimet shpesh drakoniane në Kosovë – përveç Republikës së Maqedonisë – janë jo proporcionale me dënimet për vepra të ngjashme në pjesë të tjera të vendit: Sipas shifrave zyrtare, midis janarit 1981 dhe shtatorit 1988 më shumë se 8500 shqiptarë janë dënuar me burg për krime politike në Jugosllavi. Kështu ata përbejnë numrin më të madh të të burgosurve politikë ndër të gjithë popujt e Evropës”[44]. Vendimet e gjykatave të shqiptuara në çështjet politike zakonisht mbesin në fuqi edhe në apel, edhe pse mund të ndodhë ulja apo edhe rritja e dënimit. Gjatë trazirave të viteve 1989 dhe 1990, njerëz të panumërt u dënuan me burgim deri në 60 ditë ose gjoba, u pushuan nga vendet e tyre të punës ose janë marra masa disiplinore në procedurë të shkurtuar. E njëjta gjë vlen edhe për studentët. Po kështu, sipas informacioneve zyrtare, një masë e njohur si “izolim” në Jugosllavi, d.m.th., paraburgimi pa urdhër-arresti gjyqësor, e pa një afat kohor apo të drejtën për avokat, ka qenë në fuqi vetëm nga fundi i shkurtit deri në korrik 1989. Personat e prekur nga “izolimi” zakonisht dërgoheshin në burgjet serbe jashtë Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës ndërkohë ka pranuar se në burgun e Vranjës dhe Leskovcit janë keqtrajtuar të burgosurit “e izoluar”[45].

Si rezultat i një amnistie, në prill të vitit 1990 u liruan 224 persona, përfshirë këtu edhe disidentin e njohur shqiptar nga Kosova Adem DEMACI, i cili vuante dënimin me 28 vjet burg, pasi u dënua tre herë për krime politike[46]. Po ashtu në muajin prill, Azem VLLASI dhe 13 të bashkëpandehur u liruan nga gjykata e qarkut të Mitrovicës së Titos nga akuza për “rrezikim kundërrevolucionar të rendit shoqëror”. Në maj të vitit 1990, Parlamenti Federal jugosllav miratoi një ligj amnistie që lironte cilindo që ishte dënuar ose akuzohej për “propagandë armike” sipas nenit 133(1) të Kodit Penal Jugosllav. Përkundër këtyre rrethanave, gjyqet politike në Kosovë janë duke vazhduar dhe njerëzit vazhdojnë të dënohen me burgim deri në 60 ditë, ndër të tjera, për arsye të thirrjes së parullës si “Republika e Kosovës” apo për arsye të ngritjen së gishtave në formën “V”.

Të burgosurit politikë nga Kosova shpesh mbahen në pjesë të tjera të vendit. Përkundër disa masave të modernizimit, shumë prej burgjeve të ndërtuara para Luftës së Dytë Botërore janë shumë keq të ndërtuara dhe u mungojnë objektet adekuate sanitare dhe ngrohëse. Qelitë ndryshojnë në madhësi, por janë jashtëzakonisht të mbipopulluara, shujta e burgut është e pamjaftueshme dhe e njëanshme dhe e cilësisë dhe sasisë së dobët. Rojet e burgut shpesh shqiptojnë dënime arbitrare dhe raportohet se ka pasur keqtrajtime në disa burgje. Niveli i ulët i kujdesit mjekësor çon në sëmundje kronike dhe periudhat zakonisht të gjata të burgimit shpesh çojnë në përkeqësimin e shëndetit fizik dhe mendor.

X. Përmbledhje

Për sa i përket problemit të Kosovës, gjithmonë duhet të merren parasysh këto aspekte: Në Jugosllavi nuk ka çështje më të ndjeshme etnike sesa marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve nga njëra anë dhe serbëve, malazezëve, maqedonasve dhe turqve nga ana tjetër. Të gjithë këtyre të prekurve u mungon kryesisht ndjenja për ekuilibër dhe proporcionalit. Në diskutime mbizotërojnë elemente irracionale, shumë pyetje nuk marrin përgjigje ose vetëm pjesërisht. Deklaratat përkatëse ndërthuren me thashetheme, të vërteta dhe gjysmë të vërteta.

Ndërsa burimet serbe tentojnë të ekzagjerojnë për arsye propagandistike politike, shqiptarët priren t`i zvogëlojnë për të mos u dhënë serbëve një justifikim për sulme propagandistike. Sie dukuri sociologjike është për t’u theksuar se, “paragjykimet kolektive triumfojnë mbi gjykimet individuale” dhe se “një homogjenizim i opinioneve sipas origjinës kombëtare bëhet pa një sfond të vërtetë përvojë”[47].

Kosova është shembull i një konflikti shumë shtresor ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, i cili ka vazhduar tash e shumë vite, me argumente historike dhe mitike, me sfond ekonomik dhe me implikime në gjithë Jugosllavinë -për shkak të pozitës së veçantë të Serbisë. Në këtë sfond, rivalitetet politiko-ekonomike rrisin tensionet etnike, mosmarrëveshjet e përhapura fqinjësore dhe grindjet e zakonshme familjare zgjidhen shumë shpejt në nivel brenda kombëtare. Me gjithë emigracionin serb, ka gjithmonë dhe mbahet një fluks drejt qendrës së dikurshme historike të stilizuar si “djepi i Serbisë” dhe një “shqiptarizimi” tashmë 90% i Kosovës -për shkak të nivelit më të lartë të lindjeve në Evropë, çojnë në konflikte interesi që vështirë se mund të pajtohen. As shqiptarët, të cilët kanë të gjitha karakteristikat e një kombi, as serbët, të cilët ndihen të shtypur dhe të diskriminuar në republikën tyre shtet përbërëse serbe, nuk e kanë mbështetur kurrë pa rezerva statusin e autonomisë të parashikuar në kushtetutën e vitit 1974. Kjo zgjidhje kompromisi nuk arriti të parandalonte aspiratat kombëtare, nuk solli asnjë konsensus dhe çoi në trazira masive për herë të parë në pranverën e vitit 1981.

Nacionalizmi serb i ri fuqizuar që kur Sllobodan MILLOSHEVIQI mori pushtetin, dhe përpjekjet e njëpasnjëshme serbe për të rifituar ndikimin e humbur kulmuan në pranverën e vitit 1989 me heqjen e statutit të autonomisë dhe likuidimin e gjerë të të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, që iu dhanë dikur. Pas një ndërprerjeje disavjeçare, ndaj këtyre masave serbe shqiptarët reaguan me tubime të shumta, të cilat mund të shtypeshin vetëm me ndërhyrje masive të policisë dhe që morën të paktën 30 jetë. Ndërsa vdekjet në vitin 1989 kishin ndodhur  kryesisht gjatë shuarjeve të demonstratave, në dimrin e vitit 1990, thuhet se në disa raste janë vrarë njerëz që ishin krejtësisht të pa përfshirë në protesta. Megjithëse represioni nga ana e policisë që është rritur në sfondin e radikalizmit të gjithanshëm, nuk mund të supozohet për sulme sistematike dhe shkelje që ndodhin rregullisht ose në rritje nga forcat e sotme kryesisht serbe të sigurisë.

Në sfondin e problemeve ekonomike, mungesës së lirive demokratike dhe të drejtave politike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe po ndikojnë, revoltës kundër rendit politik serb nuk i duket fundi, që po mbështetet nga pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare. Radikalizimi në rritje i pakicës serbo-malazeze, protestat gjithnjë e më të dhunshme shqiptare, si politika represive serbe, e cila dështoi pa kompromis dhe megjithatë u ndje përgjegjëse për integritetin e shtetit jugosllav, bëjnë që shpërthimet e reja të dhunës të jenë të mundshme në çdo kohë, edhe pas shtypjes së përgjakshme të trazirave në pranverën e vitit 1990 dhe normalitetit që dukej se ishte kthyer. Zgjidhja e konfliktit dhe e problemeve ekonomiko-politike shihet më pak se kurrë në horizont dhe politika serbe për Kosovën në masë të madhe duhet të konsiderohet si e dështuar.

Të inkurajuar nga zgjimi i demokracisë në Evropën Lindore, e ka ndarë edhe shtetin shumë-etnik jugosllav në aspektin kushtetues dhe institucional.

Duke ecur me kokë mbrapa pothuajse tërësisht dhe duke u marrë me të kaluarën, politika serbe bie në kundërshtim me futjen e sistemi demokratik, pluralist në republikat e Sllovenisë dhe Kroacisë. Komunistët e atjeshëm e panë të vetmen shanse të mbijetesës në këtë ndryshim, edhe sikur të ishin vetëm në opozitë. Kështu, në Jugosllavi ekzistojnë dy rende të ndryshme krah për krah, një sistem shumë partiak pothuajse antikomunist në veri, i legjitimuar nga zgjedhjet demokratike dhe në jug, republikat e karakterizuara kryesisht nga strukturat demokratike popullore. Për shkak të kësaj gjendjeje, Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në maj të vitit 1990 hoqi dorë nga pretendimi për rolin udhëheqës në shtet dhe shoqëri.

Pavarësisht  tensioneve të “bashkëjetesës” së pakicave fqinjësore, të mbushura me konflikte, të paktën për momentin nuk mund të flitet për një luftë civile apo një situatë të ngjashme me luftën civile. Njerëzit që nuk janë të përndjekur politikisht apo nga policia mund të kthehen lehtësisht në provincë ose të largohen nga ky rajon. Një qëndrim në republikat veriore të Sllovenisë dhe Kroacisë është gjithashtu i mundur. Për shkak të fluksit të fortë të jugosllavëve nga zonat e pazhvilluara të Jugosllavisë jugore, veçanërisht në Slloveni, e cila ka kushte atraktive për punë e për jetesë, ka edhe atje një rezistencë në rritje ndaj këtyre “të huajve” apo “punëtorëve të përkohshëm”.

Dokumentacioni i shteteve të Evropës

Tony Buehler, referent i shteteve

Ignaz Civelli,[48]

Koordinator i dokumentacionit të shteteve


[1] BAR, CH-BAR#E2010A#1996/397#6167*, dosja: Allgemeines (1985 –1987), po ashtu edhe në: BAR CH-BAR#E2010A#1996/397#256*, dosja: Aktivitäten jugoslawischer Flüchtlinge in der Schweiz (1985 –1987), edhe në: dodis.ch/56791.

[2] Departamenti për punë të jashtme – vër. e përkthyesit: ministria e jashtme e Zvicrës.

[3] Kurt Wyss (18.7.1939 † 14.1.2019),  nga viti 1985 – 1987 ka qenë Zëvendës shefi i departamentit, DPJ/Sekretariati Shtetëror/Drejtoria Politike/Departamenti Politik I; nënshruar nga: Francis Pianca  29.5.1931-2002, gjatë viteve 1984 – 1987 asistent drejtor në DPJZ/Sekretariati Shtetëror/Drejtoria Politike.

[4] BAR, CH-BAR#E2010A#1999/367#593*, Titulli i skedarit: Besuch in Belgrad von Staatssekretär K. Jacobi in November 1989 (1989–1989), edhe në: dodis.ch/56778.

[5] Departamenti Federal i Ekonomisë, Edukimit dhe Kërkimit

[6] Drejtoria e të Drejtës Ndërkombëtare Publike

[7] Klaus Jacobi, 12.11.1929 – 13.7.2004, 1989–29.2.1992 sekretar shteti, DPJZ.

[8] Milivoje Maksic, 19.1.1928 – 2.3.2003, 10.1988 – 1989 zëvendësministri i Jugosllavisë/ministria e punëve të jashtme.

[9] Pierre-Yves Simonin, i lindur me 15.8.1937, prej 1.10.1987–31.12.1989 ambasador zviceran në Beograd, I akredituar edhe për Shqipërinë.

[10] BAR, CH-BAR#E4010A#2000/265#1259*, Titulli i dosjes: FLÜCHTLINGE AUS JUGOSLAWIEN / ALLG.+A (1989–1996).

[11] Knaurs Weltspiegel ’90, fq. 236.

[12] Von Kohl Christine, Jugoslawien, Beck’sche Reihe, Aktuelle Länderkunde, München 1990, fq. 135.

[13] NZZ dt. 29.3.1989.

[14] TAZ dt. 22.9.1988.

[15] Weltgeschehen, Analysen und Berichte zur Weltpolitik, Verlag für Zeitarchive GmbH, St. Augustin, 1989, fq. 40.

[16] TAZ dt. 22.8.1988.

[17] Von Kohl, vep. cit., fq. 137.

[18] Schweizerische Zeitschrift für Soziologie, Sonderdruck, 1 (1989), fq. 118.

[19] Von Kohl, vep. cit., fq. 142.

[20] Weltgeschehen, vep. cit., fq. 130.

[21] Von Kohl, vep. cit., fq. 134.

[22] Referati i Cyrill Stieger, Bern 22.8.1989, fq. 3.

[23] Raporti i ambasadës zvicerane ne Beograd (Bericht der Schweizer Botschaft in Belgrad) dt. 30.10.1987, fq. 2.

[24] Weltgeschehen, vep. cit., fq.  46.

[25] Tagesanzeiger dt. 9.8.1988.

[26] Tagesanzeiger dt. 9.8.1988.

[27] Lagebeurteilung der Schweizer Botschaft in Belgrad (Vlerësimi i situatës nga ambasada zvicerane në Beograd) i dt. 12.4.1990, fq. 1.

[28] Po aty, fq. 2.

[29] Po aty, fq. 2.

[30] Internationale Politik. Dokumentation, Albaner in der SFR Jugoslawien, Nr. 939, 20.5.1989, fq. 16.

[31] FAZ dt. 4.4.1990.

[32] NZZ dt. 8.3.1990.

[33] NZZ dt. 30.1.1990.

[34] AI, Jugoslawien, janar 1988, fq. 17.

[35] Osteuropa, Zeitschrift für Gegenwartsfragen des Ostens, Stuttgart

Dezember 1982, A679.

[36] Weltgeschehen, vep. cit., fq. 160 – 169.

[37] NZZ dt. 16.3.1990.

[38] Welt dt. 29.3.1990.

[39] AI, Urgent Action, 48/3/90, 1.2.1990.

[40] SZ dt. 8.3.1990.

[41] Lagebeurteilung der Schweizer Botschaft (Vlerësimi i situatës nga ambasada zvicerane) dt. 12.4.1990, fq. 2.

[42] AI, Urgent Action, 48/2/90, 31.1.1990.

[43] Weltgeschehen, vep. cit., fq. 35.

[44]Antwort der Bundesregierung auf eine kleine Anfrage über die Menschenrechtssituation der Albaner in Jugoslawien (Përgjigjja e qeverisë federale në pyetjen e vogël për gjendjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Jugosllavi, fq. 1.

[45] Po aty, fq. 1.

[46] AI, Lagebeurteilung Jugoslawien v. 21.5.1990.

[47] Die Zeit dt. 24.2.1989.

[48] Ignaz Civelli, nëpunës civil.

Shpëndaje: