KRISHTLINDJET, NJË FESTË QË FRESKON KUJTESËN PËR SHKUPIN E NËNË TEREZËS

Nga Prof.dr. Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH, Shkup

 

Të dashur miq, kaloi një vit dhe ne sërish po mblidhemi këtu në ITSHKSH , në këtë ceremoni solemne për të kremtuar festën e Krishtlindjeve në Shkupin tonë, për të dërguar një mesazh se atë që premtuam vitin e kaluar, po e mbajmë dhe po e kujtojmë një traditë që dikur ishte pjesë e jetës sonë urbane këtu në Shkupin e Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës, Gaspër Gjinit.
Kaloi një vit, por festa e Krishtlindjeve sërish na fton të jemi më afër njeri tjetrit, sidomos në një kohë kur globi ndodhet i kapluar nga trazirat, uria dhe dyndjet e popujve.
Nëse i marrim për bazë edhe mesazhet e Papa Françeskut, i cili disa herë bëri thirrje që arsyeja njerëzore të dominojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, atëherë edhe këto Krishtlindje do të duhej t’i shfrytëzojmë si një rast i volitshëm për të shpërnda frymën e këtyre mesazheve, sidomos sa i përket edhe luftimeve në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus atje. Gjenerata e tanishme e cila më herët nuk kishte përjetuar efektet shkatërruese që sjell lufta, do ta sheh se çka mund të ndodhë kur mungon arsyeja e shëndoshë njerëzore. Prandaj lutemi që populli i Ukrainës të gjejë sa më shpejt paqen e nevojshme, në mënyrë që edhe fëmijët e këtij vendi bashkë me prindërit e tyre Krishtlindjet e ardhshme t’i presin pa frikën që sjell lufta. Kjo është e domosdoshme të ndodhë, sepse pasojat e kësaj lufte u reflektuan edhe përtej zonave të konfliktit, duke shkaktuar kriza ushqimore, energjetike e mbi të gjitha duke sjellë pasiguri kolektive në mes të njerëzve, qofshin ata në Evropë apo edhe në kontinentet tjera.
Betejat njerëzore për më shumë liri dhe dinjitet, kanë qenë gjithmonë gurë peshoreje që kanë matur vlerat dhe jovlerat, që kanë determinuar kufijtë në mes të mirës dhe të keqes.  Dhe një festë si kjo që po e shënojmë sot, është një dritë më shumë në tunelin e gjatë të mosmarrëveshjeve në mes të njerëzve. Kjo është edhe arsyeja që ne si Institut kemi zgjedhur pikërisht rrugën e dritës për ta bërë më të dukshme rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një mirëkuptimi shoqëror, pa dallim përkatësive fetare e kombëtare.
E gjithë kjo kauzë nuk ka mundur të zhvillohet pa i pas parasysh dhe disa porosi të Nënës Tereze e cila çelësin e mirëkuptimit njerëzor e shihte te dashuria dhe respekti për njeri tjetrin. Nisur nga ky fakt, ne si Institut po mundohemi që pikërisht mbi këto porosi të ndërtojmë edhe diskursin tonë publik, madje edhe atëherë kur trashëgimia e Nënës Tereze cenohej dhe dëmtohej, siç ndodhi me shkatërrimin e bredhit që ajo e kishte mbjellë në sheshin e Shkupit. Megjithatë ne zgjodhëm një rrugë krejt tjetër për ta kompensuar këtë dëm, pikërisht në frymën e porosive të Nënës Tereze, duke shpërnda dashuri dhe ngrohtësi, aq shumë të munguara,  në mes të njerëzve përmes boçave që kishin ngelë nga bredhi i shkatërruar. Për rrjedhojë, tani në vend të një bredhi kemi parqe të tëra në Tiranë e Prishtinë që lindën nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Tereze në Shkup.
Tani kur po festojmë Krishtlindjet, ne si Institut duam të theksojmë edhe një herë fuqishëm se më e fortë se fara e urrejtjes e keqkuptimit, është fara e dashurisë dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, dhe apelojmë që secili nga ne të mbjell nga një bredh dashurie në zemër, sepse vetëm kështu i bëjmë të ndjehen më mirë ata që janë pranë nesh. Vetëm duke i mbrojtur të tjerët nga vetvetja, mund të themi se kemi arritur ta kuptojmë esencën e filozofisë paqësore të Nënës Tereze.

Krishtlindjet që po i shënojmë sivjet, si vazhdimësi e një tradite të filluar nga viti i kaluar, do të donim të sjellin edhe një qasje krejt tjetër sa i përket trajtimit të problemeve me të cilat ballafaqohet aktualisht  Komuniteti katolik shqiptar në Shkup dhe më gjerë. Këto Krishtlindje përpos që janë edhe një kujtim për të gjithë ata që u larguan nga Shkupi, ato janë edhe një alarm për gjithë ne që Komuniteti i Nënës Tereze në forma të ndryshme ta rikthej shkëlqimin e dikurshëm, sepse pa këtë shkëlqim duket e zbehtë edhe festa e Krishtlindjes. Një përpjekje modeste në rikthimin e këtij shkëlqimi po bëjmë edhe ne si Institut, bashkë me Departamentin për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, duke sjellë në vëmendje nevojën për rigjallërimin e Komunitetit katolik shqiptar në Shkup, proces ky që duhet të fillojë me rikthimin e meshës në gjuhën shqipe, një kërkesë kjo e jona e kahershme dhe veprimet tjera përcjellëse që do ta bënin këtë Komunitet të dinjitetshëm në të gjitha pikëpamjet.
ITSHKSH do të vazhdojë  mbetet një adresë e kauzave dhe ideve që shoqërisë sonë do t’i sjellin sensin e të kuptuarit të tjetrit me gjuhën njerëzore të dashurisë e respektit, dhe me këtë rast uroj që edhe Krishtlindjet e sivjeme të flasin me këtë gjuhë, kurse gjithë juve që ishit sot në këtë ceremoni festive ju uroj paqe, ngrohtësi e begati në familjet tuaja. Gëzuar!/drita.info

Fjala përshëndetëse në Pritjen Solemne për Krishtlindje, Shkup, më 23 dhjetor 2022

Shpëndaje: