Dimensioni dituror në veprën e shkrimtarinë e Pjetër Bogdanit

Nga Evalda Paci

 

Dimensioni kulturor e dituror në personalitetin e Pjetër Bogdanit përbën një prej argumenteve qenësore që orientojnë ndaj kontekstualizimit të shekullit në të cilin ky i fundit jetoi, i shënuar në historinë e shkrimit shqip prej veprës madhore të tij, të titulluar Cuneus prophetarum.

Si një vepër që del nga shtypi falë mbështetjes së një prelati të kishës së Romës, që ka një emër të shquar për kohën e vet, por dhe një simbologji domethënëse e mjaft motivuese për autorin tonë, Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) ka marrë në dekada të tëra një sërë vlerësimesh dhe emërtimesh që e rendisin këtë të fundit ndër realizimet më të rëndësishme të letërsisë kishtare të shkruar në gjuhën tonë.

Në të vërtetë, vetë letërsia e vjetër shqipe shënohet ndjeshëm nga një kulmim i mirëfilltë me një vepër të tillë, që me një sërë kushtesash e dedikimesh, me krijime që evokojnë modele të kortezisë së kohës, por dhe të kulturës përkatëse, me një aparat mbështetës të cilit i është kushtuar vëmendje e kujdes nga vetë autori, me një artikulim të arsyetuar në pjesë e kapituj, u afrohet ekzemplarëve të kohës, të ngjashëm me veprën tonë në jo pak elemente.

Për Bogdanin shkruhet gjerësisht në dokumentacionin e kohës e ajo që mund të receptohet pa ndonjë vështirësi të madhe është pikërisht fakti i një jete mjaft të vështirësuar, të gërshetuar me rrethana jo përherë të favorshme, që hedhin dritë mbi një kontekst aspak të lehtë në të cilin do të duhej të merrte udhë ungjillëzimi dhe forcimi i hallkave të hierarkisë kishtare. I përfshirë ndjeshëm në zhvillimet e kohës, i gjendur para zgjedhjesh të ndërlikuara, prelati ynë u tregua qëndrestar dhe i vendosur ndaj thirrjes baritore e meshtarake, së cilës i shërbeu deri në përmbyllje të jetës së tij.

Vetë vepra e Bogdanit, me pjesët që e ndërtojnë, me ndarjet që ndjekin një linjë studimore që rreh nga teologjia e krishterë dhe historia e librave më të rëndësishëm biblikë, përbën një gurrë vështirësisht të shterrueshme, duke parë dhe përkushtimin e këtij të fundit për ta përmbyllur atë në mënyrën më të denjë të mundshme.

Tipografia e Seminarit, e cila ndërmendet në pjesët përfaqësuese të veprës së sipërcituar, duke u evokuar dhe në imazhet që introduktojnë brendinë e saj, në të vërtetë gëzon një historik të pasur të ekzistencës së vet (me zanafillë në vitin 1684), të shënuar si nga zhvillimet e kulturës librore në qendra të rëndësishme të lëvrimit të kësaj të fundit në Gadishullin Italik, si dhe nga vetë veprat që do të dilnin prej saj, ndër të cilat duket qartë që ajo e Bogdanit ishte ndër të privilegjuarat. Ka një lidhje të qartë mes motivimit të prelatit tonë, Bogdanit për të realizuar një vepër me një tematikë të orientuar nga kanonet kishtare dhe nocionet e teologjisë së krishterë dhe mbështetjes që ky i fundit gëzoi në kohën kur u strehua dhe kaloi kohë të mira të jetës së tij pranë kardinalit Barbarigo (1625-1697), themelues i tipografisë në fjalë, mecenat, ipeshkëv i qytetit të Padovas, reformator aktiv në gjirin e kishës së Romës dhe ideator i një platforme të mirëfilltë botimesh e programesh edukative.

Interesimi i kardinalit Barbarigo nuk ishte i lidhur me zhvillime të ngushta që do të merrnin udhë në pak vite, por me një projekt afatgjatë që do të shihet se më tej do të orientohej ndaj shtrirjes në qytete të afërta me librari funksionale, si dhe me ndërmarrje që do të konkretizoheshin me leksikone të rëndësishme për nga autorësia, si dhe nga përmbajtja, por dhe me traktate që përfshinin librat kishtarë dhe vetë mësimin e gjuhëve të rëndësishme në të cilat tradicionalisht ishte shkruar e ishte transmetuar Shkrimi i shenjtë. Konteksti në të cilin u përmbyll vepra e Pjetër Bogdanit ka të bëjë ngushtësisht me çka u përshkrua më sipër dhe më tej, me vetë interesimin e një prelati si Barbarigo, emri i të cilit do të shfaqet në jo pak dedikime a letra kushtimi që introduktojnë veprat e kohës. Figura të këtij formati kanë qenë themelore për një sërë rrugëtimesh që lidhen me formimin individual të klerikëve, të forcimit të vatrave të një edukimi kishtar specifik, që në kushtet e Reformave kishtare kishte nevojë dhe më shumë për një bazë të mirë që tekste e programe të veçanta mund ta bënin të mundur. Motivimi i themeluesit, por dhe i vijuesve seriozë të mbajtjes së kësaj tipografie ndaj përhapjes së librave me një tematikë sa të specializuar, aq dhe të afërt me edukimin e formimin meshtarak në Seminarin e Padovas do të mund të gjurmohet konkretisht dhe në sigla tipike në gjuhën latine(e.g., curis Seminarii Patavini; In usum Seminarii Patavini; ad usum Seminarii Patavini ), të vendosura në pjesë të caktuara të botimeve me destinacion specifik e që evokojnë orientimet edukative të kësaj selie aq të nderuar.

Programet e Barbarigos, më saktë projektet e tij në lidhje me një tipografi seminari nuk kufizoheshin vetëm me shtypjen e disa teksteve, por me një panoramë të gjerë që do të kërkonte dhe një suport të mirëfilltë në pikëpamje të teknologjisë së shtypshkrimit, karaktereve e kulturave të veçanta gjuhësore, me të cilat lidhej historia e librave më të kërkuar të botës së bibliofilisë së kohës. Njohja e këtij konteksti rikonfirmon faktin që Bogdani pati fatin e mirë të ishte ndër të parët autorë që u renditën me vepra në realizimet e tipografisë së sipërcituar, e përuruar shpejt dhe e përmendur si një nga entet më me rëndësi për botën librore të asaj kohe.

Njohja e historikut të kësaj tipografie mbetet në të vërtetë një prej rrugëtimeve më interesante kulturore që përtej vështirësive të kuptueshme në kushtet e zhvillimeve teknologjike të Gjashtëqindës, por dhe mëdyshjeve që ushqeheshin dhe nga pamundësi të natyrës financiare, ofron të dhëna të vyera dhe mbi tematikat e librave që dilnin prej saj. Angazhimi i kardinalit Barbarigo mund të ndiqet në itineraret e ndërmarra në vatra të tjera të edukimit në trevat italike, disa prej të cilave kontribuan drejtpërdrejt në pasurimin e tipeve dhe të mjeteve të tjera teknologjike të punëtorisë së tij. Një hartë e tërë kërkimesh, një pjesë e të cilave rezultoi mjaft fatlume për kardinalin tonë, do të mund të gjurmohet dhe falë biografëve të tij, të cilët rendisin përkushtimin për forcimin e një qendre tipografike në Padova krahas angazhimeve të këtij të fundit për t’i shërbyer doktrinës dhe dijeve teologjike në katedra dhe kontekste të edukimit seminarial.

Regestet e disponueshme mbi arritjet e kësaj të fundit, bashkë me të dhënat që hedhin dritë mbi orientime në fusha të dijes dëshmojnë që kjo tipografi ishte një ent i rëndësishëm që ndikonte në zhvillimet kulturore të kohës e që do të vijonte të ishte i tillë në krejt ekzistencën e vet. Një ndikim i tillë përforcon faktin që trevat italike qenë pararojë në përurimin e teknologjisë së shtypshkrimit jo vetëm në lidhje me libra e tekste që shkruheshin në gjuhë si latinishtja, por dhe në të tjera idioma, fakt që dëshmohet nga vetë tipet e shkronjave që ruhen në dokumentacionin përkatës arkivor mbi këtë tipografi. Mbi të gjitha, në vetë hapat e parë të themelimit të kësaj tipografie, orientimet konkrete të kardinalit Barbarigo janë një dëshmi dhe më e qartë e një perspektive që kishte në thelb të vet instituimin e një hallke të rëndësishme që do të luante në këtë seminar një rol të rëndësishëm edukativ dhe didaktik.

Në një vështrim analitik të historikut të kësaj tipografie, për studiuesin e historisë së librit e të shtypshkrimit përbëjnë ndërmarrje të një përmase të qartë lapidare përpjekjet për të sjellë e vënë në përdorim karaktere të traditave më të largëta shkrimore, por që ishin të rëndësishme në proceset e ungjillëzimit në atë kohë. Njohja e perkursit biografik të kardinalit, për të cilin do të flitet gjatë e gjerë në vepra e sprova të karakterit biografik, por dhe analitik e sociokulturor, ndihmon për të kuptuar më mirë orientime që shfaqen që në hyrje të veprës së Pjetër Bogdanit, të shprehura në një masë të konsiderueshme dhe në gjuhën latine.[1] Vëmendja ndaj orientimeve të tij diturore, por dhe ndaj veprash që do të kujtohen e përmenden në tekste dedikatore apo në punime të posaçme që i kushtohen pikërisht atij, do të mund të gjindet e reflektuar qoftë në studime mbi vetë tipografinë e sipërcituar e titujt që do të dilnin prej saj, ashtu dhe në ato që kanë objekt pikërisht lartësimin e figurës së Barbarigos si klerik i lartë i kishës së Romës.[2]

Padija, mosnjohja e shkrimit, e kulturës së të jetuarit, rrezikimi i humbjes së vlerave identitare në kushtet e një sundimi përherë e më shtypës për popullsitë arbërore shpinte drejt një abisi që cilësohet krejt qartë në përmbajtjen e Prefationës së veprës së prelatit tonë, i cili shkrin krejt energjitë e mendjes e të diturive në arsyetimin e parashtresës para Letërarit. Modeli i parashtresës së përzgjedhur prej autorit tonë përbën një tekst ekzemplar për t’u rimarrë dhe në ditët e sotme, në kushte të nënvizimit të rëndësisë së njohjes së teksteve në të cilat dëshmohet një kulturë e spikatur e lëvrimit të gjuhës sonë e të mjeteve të saj.

Përtej një formimi të thelluar kulturor, të nënvizuar që në krye të herës nga studiuesit e veprës, ideja e bashkëlidhjes së fesë, besimit e të dijes mbetet një fill tematik themelor që gjen hapësirë shprehjeje që në hyrje të kësaj parashtrese.

Formimi kompleks i një autori si Pjetër Bogdani, rrugëtimi jetësor që shpesh u shoqërua me vështirësi që përbënin sprova të një natyre serioze, dijet e përforcuara dhe gjatë qëndrimit pranë figurave më me peshë në zhvillimet kulturore të kohës mund të gjinden të reflektuara në krerët e veprës së tij, për nënndarjet e së cilës është folur gjerësisht nga studiuesit e shkrimtarisë, por dhe të teksteve që përmbahen në këtë të fundit. Ka tekste të përveçme në të cilat përgatitja kulturore e teologjike e Bogdanit receptohet qartë; ka fjali e fraza me një referencë të qartë biblike që dëshmojnë njohjen dhe pasqyrimin e pjesëve nga Vulgata latine në kapitujt e veprës; ka autorë e vepra që bëjnë të mundur që ai të paraqitet dhe si analist i një historie të mendimit filozofik nga antikiteti në përpilimet më me emër të patrologjisë.

Me gjithë kohën që i kushtoi autorit tonë përgatitja përfundimtare deri në daljen në dritë të shtypit dhe arsyetimi në krerë i një pune që cekte fushat më të rëndësishme të mendimit teologjik e të çështjeve të doktrinës, vepra e tij paraqitet si ndër më fatlumet, krahasuar me të tjera realizime të traditës shkrimore e letrare së cilës natyrshëm i përket. Për të mund të evidentohen e krahasohen ribotime, rreth saj mund të flitet qartësisht për çështje të ndërtimit, historikut të jo pak fjalëve e përveçimeve, veçanërisht duke u nisur nga vetë përmbajtja e veprës.

Kjo përmbajtje flet shumë dhe për autorin e saj e për orientimet e tij, për një formim dituror që e reflekton në çdo pjesë e hollësi të saj, por dhe për një motivim bindës të cilin ai e dëshmon qartësisht që në hyrjen e veprës së vet. Me krahasimin me një prej autorëve të kohës së Augustit, që mbyll jetën në vise të largëta (P. Ovidius Naso), në të vërtetë Bogdani dëshiron të evokojë dhe një tjetër arsye për të cilën veprën e vet e përmbyll në një vend tjetër e jo në selinë e vet. Rreshtat e fundit të Prefationës së tij në të vërtetë përafrojnë me një admonitio de erroribus, që shfaqet koncize dhe e përmbajtur dhe në veprën paraardhëse në kohë, në Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit (Romë, 1635).

Dedikimet (në një pjesë të konsiderueshme dhe në gjuhën latine, të përpiluara nën skema metrike e artistikisht të kujdesuara, me citimin e vendndodhjes së dedikuesve) që kanë marrë shkas nga dalja në dritë të shtypit e kësaj vepre rinënvizojnë çka u tha më sipër në lidhje me motivimin e Bogdanit për të vënë në shërbim të një kauze madhore dijet dhe energjitë e tij krijuese, si dhe trajtesa origjinale që cekin çështje të doktrinës dhe të reflektimit përkatës në krerët e saj.

Me botimet më të fundit që lidhen si me vetë veprën, si dhe me leksikun themelor të vjelë prej saj, institucionet albanologjike shqiptare kanë rikonfirmuar përkatësinë intelektuale e shpirtërore të kësaj të fundit, si një dëshmi nga më të hershmet mbi vlerat e trashëgiminë kulturore e letrare të gjuhës sonë në shekullin XVII, në një kohë kur dhe kultura e librit, e shtypshkrimit dhe e përhapjes së tij po kalonte një fazë të re në kontekstin evropian.[3] Modelin e letërarit, por dhe të xgedhësit, ashtu siç e percepton autori në kohën e vet nuk është dhe aq e lehtë ta rigjesh në ditët e sotme, dhe pse dija e kultura e të jetuarit me të janë përherë mjeti më i mirë dhe më i afërt në përditshmërinë e aktualitetit tonë.[4]/drita.info

 

———————-

[1] Për falënderimet dhe mirënjohjen e Bogdanit ndaj kardinalit Barbarigo shih në veçanti Të Primitë përpara Letërarit, në Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik e filologjik i përgatitur nga A.Omari, ribotim i përmirësuar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2015, f.XLIX.

[2] Do të gjinden cilësime mirënjohjeje të skajshme ndaj mbështetjes së këtij të fundit dhe në botime që shohin dritën e shtypit pas largimit të tij nga jeta, në të cilat shprehimisht do të emërtohet dhe si amplissimus cardinalis; liberalissimus litterarum omnium Maecanas…shih në veçanti Sorgato G., Della Stamperia del Seminario di Padova (Memoria del direttore Ab.Gaetano Dr.Sorgato), Padova, 1843, f.10. Cilësime të ngjashme do të mund të gjejmë dhe në Të Primitë përpara Letërarit, në veprën e sipërcituar të Pjetër Bogdanit, Patavii, 1685, cituar këtu nga botimi kritik e filologjik i përgatitur nga A.Omari, Tiranë, 2015, f.XLIX: Kurraj nukë ka të kallëzuem me sa të dashunë me priti fort i ndriçimi e fort i nalti zot për ndēr, zoti Kardinal Gërgur Barbarigu, em zot, qi për fat tem të fortinë janë njizet vjet se e shërbeva mb’Romë, posikur të më thoj engjëlli shtrazëtār se ky shpirt i Tinëzot nji herë fort ka me të vëjyem.

[3] Omari A., Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2016.

[4] Për trajtimin dhe evidentimin e zërit xgedhës (lexues), ndeshur në tekstet e veprës Cuneus prophetarum, Patavii, 1685, shih në veçanti Omari A., Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2016, f.699.

Shpëndaje: