Pjetër Bogdani, lëvrues i shquar i gjuhës dhe i kulturës shqiptare

Nga Anila Omari

 

Përpjekjet e autorëve tanë të vjetër për ruajtjen e fesë, dhe bashkë me të, të trojeve të të parëve, përqendroheshin në nevojën e ngutshme për përhapjen e dijes dhe, lidhur ngushtë me të, për lëvrimin e gjuhës së vendit si mjeti i vetëm i përhapjes së dijes në një popullsi të pashkollë. Këto motive gjejnë pasqyrim në të gjitha veprat e para në gjuhën shqipe, në të cilat njihemi me shtysat njëherit fetare e atdhedashëse që i nxitën këto nisma.

Në veprat e shekullit XVII këto shtysa i gjejmë të artikuluara gjithmonë e më qartë nga autorët e tyre, të cilët kishin një formim më të plotë intelektual duke qenë të shkolluar në kolegjet e Italisë, mes të cilëve spikat Pjetër Bogdani, doktoruar në filozofi e teologji në Kolegjin e Loretos dhe në Kolegjin Urban të Propagandës Fide në Romë.

Që në periudhën e studimeve shfaqet dëshira e Pjetër Bogdanit për të ndriçuar mendjen e njerëzve të vendit të tij me përhapjen e dijes, përmes kërkesës për të studiuar edhe pak mjekësi në mënyrë që të mposhten bestytnitë e dëmshme për trupin dhe shpirtin. Ashtu si dhe paraardhësit e tij intelektualë, ai e kishte të qartë se armiku kryesor i kombit tonë ishte padituria, kjo plagë shekullore, të cilën ata e shihnin edhe si shkakun themelor të gjendjes së robëruar të vendit dhe të ndërrimit të fesë së të parëve. Në këtë luftë kundër padijes ai nuk i reshti përpjekjet gjatë gjithë jetës. Gjatë kohës së shërbimit të tij në Rrjoll të Malësisë së Madhe (1671-1677) ai hapi një shkollë për arsimin e të rinjve të asaj krahine. Në letërkëmbimin e tij me Propagandën Fide në Romë dëshmohet përkujdesja e tij për mbarëvajtjen e shkollës duke propozuar misionarë të ndryshëm që të shërbejnë si mësues atje ose duke miratuar punën e tyre. Ai u kujdes për botimin me shpenzimet e veta të Doktrinës së Krishterë në gjuhën shqipe, të përkthyer nga misionari Atë Bernardo da Verona, e cila do të shërbente si tekst mësimor në shkollë dhe në ndihmë të priftërinjve duke u shpërndarë atyre 500 kopje të librit.

Gjuha ishte mjeti kryesor për përhapjen e dijes, dhe kjo duhet të ishte gjuha amtare (“për të marrë vesht dijenë nierī ndë giuhë të vet”, P. B.). I shqetësuar për mungesën e librave në gjuhën shqipe dhe për rrezikun që i kërcënohej asaj nga presioni i gjuhëve të tjera fqinje, Bogdani do t’i përvishet punës për hartimin e një vepre të gjerë në gjuhën shqipe. Një nga qëllimet e rëndësishme të shkrimit të veprës së tij është gjallërimi i gjuhës shqipe, e cila “duke u gjendur kombi mes turqve, grekëve e serbëve, <gjuha> po shkon vazhdimisht duke u bjerrë”. Për ndërmarrjen e një vepre me përmasa të konsiderueshme e përmbajtje shumëpërmasore si “Cuneus Prophetarum”, Pjetër Bogdani hasi në vështirësi të mëdha për sa i përket mjeteve shprehëse që zotëronte shqipja e asaj kohe, siç e tregon vetë në parathënien e veprës së tij. Kështu ai u vu përpara nevojës për të përpunuar më tej një gjuhë letrare, bazat e së cilës ishin hedhur nga shkrimtarët paraardhës, Buzuku, Budi e Bardhi. Tematika e veprës së tij, mjaft e gjerë dhe e larmishme, kërkonte përdorimin e një leksiku gjithashtu të pasur e të larmishëm, që përfshin një numër të madh fushash kuptimore, që nga ato të jetës materiale, të jetës shoqërore e deri te leksiku abstrakt dituror e terminologjia shkencore. Për ndërtimin e gjuhës letrare të veprës së tij dhe për pasurimin e leksikut të shqipes ai bëri një punë të mirëfilltë krijuese e shkencore, sidomos në krijimin e leksikut abstrakt. Në punimin tonë mbi leksikun e Bogdanit kemi paraqitur rrugët e mjetet që shfrytëzoi Bogdani për pasurimin e leksikut të gjuhës letrare shqipe, si nga burimet e brendshme të gjuhës ashtu dhe nga të jashtmet. Në radhë të parë ai përdori fjalëformimin nga brumi i gjuhës amtare, me mënyrat e fjalëformimit që ishin aktive në atë fazë të shqipes, dhe që në pjesën më të madhe janë aktive edhe sot, si konversioni, ndajshtesimi, kompozimi e përngjitja. Në shqipen e vjetër ishte shumë e përhapur si mënyrë krijimi fjalësh të reja konversioni i mbiemrave asnjanës në emra abstraktë prejmbiemërorë e prejfoljorë. Me anë të kësaj mënyre fjalëformimi, në shqipen e vjetër mund të formoheshin pafundësisht emra abstraktë të gjinisë asnjanëse. Bogdani përdor në veprën e tij rreth 260 emra abstraktë prejmbiemërorë e prejfoljorë asnjanës, nga të cilët rreth 150 për herë të parë në letërsinë shqipe. Në kohën e sotme kjo mënyrë fjalëformimi nuk është më aktive, pasi sot nuk përdoren më mbiemrat asnjanës, ndërsa emrat prejfoljorë asnjanës janë rrudhur mjaft në përdorim. Por Bogdani përdor edhe mënyrat e tjera të fjalëformimit si parashtesimin e prapashtesimin, kompozimin e përngjitjen, ku spikat zgjerimi i përdorimit të prapashtesës -im në formimin e emrave abstraktë që tregojnë veprim por edhe rezultat veprimi, në një masë shumë më të madhe se autorët paraardhës, si edhe të prapashtesave të tjera -esë, -imë, -ī, -nī, etj., që janë edhe sot aktive në fjalëformim dhe i japin gjuhës së Bogdanit pamjen e një gjuhe moderne, të afërt me gjuhën e sotme. Një tipar që e dallon një gjuhë të përpunuar letrare është edhe përdorimi i mbiemrave, që te Bogdani përdoren shumë më gjerësisht se në letërsinë pararendëse, për t’u dhënë emrave kuptime të reja përcaktuese, kuptime dytësore apo ngjyrime kuptimore.

Nga leksemat e formuara me mjetet e shqipes një pjesë e mirë janë neologjizma të tij, të krijuara nga nevoja për t’iu përgjigjur pasurisë leksikore e semantike të lëndës në gjuhët e huaja që ai shfrytëzoi për hartimin e librit të tij. Disa nga neologjizmat më të spikatura të Bogdanit janë rruzullim “univers”, bashkërī/ bashkarī “bashkim, lidhje”, bijënī, kërthinjënī “fëmijëri”, ndoroj “trajtoj, drejtoj, kontrolloj, administroj”, rrezmëtar “trashëgimtar” (nga rrezm “trashëgimi”) etj. etj. Nga Bogdani kemi dhe fjalën Hyj me derivatet e tij Hyjëneshë, hyjënī, i hyjënuem dhe i hyjënueshim. Autorët e tjerë kanë Zot, Zotynë. Krijimin e Bogdanit e morën shkrimtarët e Rilindjes dhe e bënë prodhimtare në gjuhë.

Një burim i pasurimit të gjuhës letrare të Bogdanit ishte dhe rigjallërimi i fjalëve të vjetra të gjuhës popullore që kishin rënë në harresë. Këtë fakt ai e përmend në parathënien e veprës së tij, edhe si një mënyrë për të mbajtur gjallë gjuhën e të parëve (të mos harrohej e të dvarej gjuha). Sa për një ilustrim po përmendim një fjalë që mendojmë se Bogdani e ka marrë nga gjuha e folur e krahinës së tij, Prizrenit. Për termin italisht concavo Bogdani ka përdorur mbiemrin zgjue, që përndryshe nuk haset në këtë përdorim në literaturën e vjetër. Me siguri është një fjalë popullore, pasi e jep F. Rossi në fjalorin e tij 1865 si zxhuem “i zgavërt, fyl”. Por është interesante që Bogdani këtë fjalë e përdor në tekst me kuptimin e kundërt “i mysët”: e disa male tue kjanë fort zgjue e fort të hollë ndë majët I 36 17, dhe për këtë kuptim na njofton Kolë Ashta se përdoret në të folmen e Prizrenit ku i zgjirë ka kuptimin “konveks, i mysët”.

Nga burimet e jashtme për pasurimin e gjuhës letrare të veprës së tij, Bogdani shfrytëzoi edhe huazimin, sidomos për terminologjinë e shkencës e të kulturës, duke i marrë këto të gatshme nga gjuhët e përkthimit, italishtja e latinishtja, e duke ia përshtatur shqipes. Por këtu duhet theksuar se, megjithëse vepra e tij ishte më e vëllimshme dhe me një nivel më të lartë shkencor e kulturor sesa tekstet pararendëse, ajo ka numrin relativisht më të vogël të italianizmave, rreth 230 njësi leksikore. Kjo tregon se Bogdani, duke qenë i shqetësuar për huazimet e shumta të gjuhës sonë (“gjuha jonë për të pakëtë vet të madhe pjesë huan gjuhëshit konfinjëtare”) u angazhua në mënyrë të vetëdijshme për pasurimin e gjuhës me fjalë me burim vendi. Në studimin tonë, nga një paraqitje joshteruese e leksikut abstrakt të përdorur nga Bogdani del një numër prej rreth 600 leksemash të formuara me mjetet e shqipes ose 2.6 herë më shumë se italianizmat në tërësi.

Pasuria leksikore e veprës së Bogdanit, si pasqyrë e erudicionit të autorit, është një nga vlerat më të mëdha të veprës, që e bën atë monumentin ndoshta më të rëndësishëm gjuhësor të shqipes së vjetër (shek. XVI-XVII). Pasurinë leksikore të veprës së Bogdanit e kanë vlerësuar të gjithë albanologët që e kanë njohur dhe studiuar atë, si Norbert Jokli që në studimin e tij të parë monografik mbi shqipen. Por vlen të theksohet edhe vlerësimi i akademikut, historianit e shtetarit serb Čedomir Mijatović (1842-1932), i sjellë nga dr. Ibrahim Rugova në veprën e tij kushtuar veprës së Bogdanit: “Gjykuar në bazë të tekstit në italisht, vepra është e shkruar me një qartësi dhe pasuri detajesh interesante, çfarë është e pabesueshme se një vepër e tillë ka mundur të shkruhet në shekullin e XVII… kjo vepër flet shumë për pasurinë e gjuhës shqipe, mbasi ka qenë e mundur të thuhet shqip e gjithë ajo që për asofarë temash abstrakte thuhet në italisht.”

Kultura e gjerë dhe erudicioni i Pjetër Bogdanit shfaqen edhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij, siç del nga relacionet që i dërgon Selisë së Shenjtë, ku spikat vëmendja për monumentet kulturore e arkeologjike si dëshmi të historisë së vendit. Një vëmendje të veçantë ai i kushton kishës së Shirgjit e Bakut në breg të Bunës, në të cilën ai kreu shërbesat fetare në tetor të vitit 1656. Mbishkrimi i kësaj kishe të famshme është regjistruar për herë të parë nga Bogdani gjatë vizitës së tij në këtë fshat dhe ka rëndësi pasi mbetet edhe për kohën e sotme burimi më i besueshëm, për arsye se guri ku gjendet mbishkrimi ka qenë dëmtuar pas vitit 1880 pikërisht në vendin ku ndodhej i gdhendur viti i ndërtimit të kishës.

Kjo veprimtari e gjerë kulturore e Bogdanit, puna e gjerë lëvruese e krijuese në lëmin e shqipes së shkruar, ngritja e shkallës së përpunimit të shqipes dhe zgjerimi i kufijve të gjuhës letrare shqipe, krahas veprimtarisë së gjallë për ngritjen shpirtërore dhe arsimore të popullsisë, e jo më pak edhe veprimtarisë dhe përpjekjeve të tij politike në shërbim të atdheut të vet, e rendisin atë ndër pararendësit më të shquar të rilindasve./drita.info

(Ligjëratë e mbajtur në “Ditët e Bogdanit”, Prishtinë-Shkupt, 5-6 dhjetor. Botohet me shkurtime)

Shpëndaje: