FJALORI FISHTJAN I FRANO KULLIT: Nji fjalor-urë, lexues-vepër?

Nga Ernest MARKU

 

“Fjalori i veprës së Fishtës”, me autor Frano Kullin, asht nji tjetër vepër serioze që i shtohet skedarit të leksikografisë të së ashtuquejtunës “Biblioteka e Letrave Shqipe”, duke sjellë edhe një vlerë të re e të çmueshme në pasunimin e shqipes, sidomos me një lëndë të saj të “harruar”, a më saktë të nxjerrë përdhunshëm e të tretur qëllimshëm në skutat e harresës. Është e njohur e gjithëpranuar se vepra e At Gjergj Fishtës, ngërthen brenda vetes nji pasuni të pashtershme gjuhësore, me një larmi trajtash e formash, që i kanë dhënë posë të tjerash edhe profilin e epërm letrar e dominues për së paku katër dekada, autorit. E njohur dhe e pohuar tashmá kjo e dhënë, ç’ka përbën edhe veçorinë e spikatur të korpusit të veprës së autorit shënon një sipërmarrje jo të lehtë, medjé (madje) të guximshme siç është hartimi i nji fjalori të saj. Në përgjithësi, fjalorët e veprës së autorëve të traditës letrare, janë një kontribut i vlertë dhe i spikatur për gjuhën shqipe. Për më tepër fjalori i veprës së një autori të një formati si Fishta sidomos, me nji pasuri e larushi leksikore, të dallueshme i vendosun në “kryet e vendit” të bashkëkohësisë së vet. Megjithatë, mendoj se autori Kulli ia ka dalë me sukses nji pune të tillë të mundimshme, gërmuese e hulumtuese, në radhë të parë, por edhe të parashtruar, në respekt të rregullave të mirëfillta akademike, duke na dhanë kështu nji vepër të parametrave të kënaqshëm shkencorë. Dhe po aq lehtësisht të përdorshëm. Fjalori na jep informacionin e duhun për secilën fjalë a shprehje, kuptimësinë në përdorimin e sotëm, në një a më shumë forma të tij, por sjell për secilën fjalë a shprehje edhe veprën në të cilën ajo fjalë a shprehje gjindet, apo kontekstin në të cilin asht përfshi e kuptimin që merr në vargje. E për më tej, në përmbushje të kësaj kërkese sillen si shërbesë ilustruese edhe shprehje apo idioma që e përmbajnë atë fjalë.

Natyrisht qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori, siç ai vetë e pohon që në krye të herës asht rivendosja e urave të komunikimit midis lexuesit dhe veprës së Poetit Kombëtar, nevojë kjo që evidentohet që në parathanien e tij ku shprehet: “Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues, padyshim që ka krijuar një përthyerje, në mos te kuptimi, te shijimi i veprës së Fishtës”

Kulli ka zgjedhur të ndërtojë një fjalor, brenda të gjitha rregullave leksikore, siç do ta kërkonte nji punë profesionale e akademike, pavarësisht vështirësive të reja që dalin në këtë drejtim. Shumë idioma apo vargje të tana të Fishtës, asht ma e letë me i shpjegue të plota, ashtu siç bahet rëndom në botimin e veprave poetike të Tij; por autori i këtij fjalori ka zgjedhë rrugën ma të vështirë, që asht edhe ma profesionalja në të njëjtën kohë, duke na zberthye fjalen në fillim dhe pastaj tuj na prezantue shembujt e përdorimit të saj në veprën e Poetit Kombtar. Për shembull: para se me shpjegue vargun fishtjan: “ia lnuren zemren”, Franoja në fillim shpjegon foljen “l’nur” dhe pastaj e paraqet vargun e masipërm si nji figuracion dhe e shpjegon edhe até. Në këtë kontekst, ky fjalor, përveçse asht nji çelës për leximin e Fishtës, asht edhe nji vepër shkencore, e konceptueme me kjartsi dhe mprehtsi akademike.

Në fakt, pararendës të një nisme të këtillë për të hartuar një fjalor të veprës së Fishtës janë Benedikt Dema, që në vitin 1941 me “Fjalori i fjalëve të rralla shqipe e i fjalëve të hueja të përdoruna në vepren e At Gjergj Fishtës “Lahuta e e Malcís “ e Tahir Kolgjini me 1969, me “Shpalime rreth Lahutës”, Istanbul 1969. Kurse në këtë fjalor, më  i ploti fjalor i veprës integrale të Poetit Kombëtar, vijohet puna e bërë nga Tonin Çobani, Ndue Zef Toma, Tefë Topalli, Stefan Çapaliku e Hamit Boriçi me fjalësin shpjegues, të veprës së plotë të Fishtes, përgatitur nën redaksinë e tyre dhe botuar nga “Enti Botues Gjergj Fishta”. Kurse Profesor Topalli, ka edhe nji kontribut direkt në hartimin e këtij fjalori, kjoftë me orientimet e me këshillat e tij të vyeme, si specialist i spikatur gjuhe, kjoftë me punën e kujdesshme redaktoriale që ka ba. Por, përtej kësaj sa më sipër, “ena” leksikore e fjalorit ka mbrenda edhe “të vjelat” nga burime të tjera fishtjane, përposë korpusit të plotë të veprës letrare. Në fjalor zënë vend edhe një numër jo i paktë fjalësh, që janë vjelë nga letërkëmbimi i Fishtës, të cilat nuk gjinden në veprën letrare, por edhe një buqetë fjalësh nga fusha e arkitekturës, gjithashtu, hulumtuar nga dorëshkrime arkivore të Fishtës, duke synuar kështu në një vjelje sa më shterruese të gjithë asaj lënde-thesar për gjuhën shqipe. E gjitha kjo kerkon nji punë të mundimshme filtruese, investiguese dhe konverguese, të cilën Franoja e ka përballue me sukses. Vite ma parë, autori i ktij shkrimi, pati ndermarrë nji punë për hartimin e nji fjalësi, si nji çelës për veprat e Fishtës, Camajt, Koliqit dhe e korifejve të tjerë të letërsisë gege të shekullit XX, tue tentue me ruejtë e me sjellë në kujtesë, mjaft fjalë e shprehje që po rrezikojnë të humbin; por i gjithi ky arsenal fjalësh e shprehjesh, mbeti pa u kornizue brenda rregullave të leksikografisë dhe metodave të trajtimit etimologjik të nji fjalori shkencor. E solla két shembull, për me tregue vleren e punës së autorit Kulli, me két vepër dinjitoze, me t’cilen ai e ka pasunue bibliotekën e admiruesve e lexuesve të veprave të Fishtës në veçanti, si dhe të letërsisë gege në përgjithësi. Kudo ku qofshin, jo vetëm në veri, po edhe në jug të Shqipërisë e kudo ku janë dashamirë të leximit të saj, përreth nesh e në diasporë.

Natyrisht që, në konceptin e ndërtimit të këtij fjalori, janë të pashmangshme turqizmat, arabizmat e sllavizmat, po ashtu edhe forma autentike të fjalorit fishtjan të huazueme nga latinishtja, italishtja, frengjishtja apo gjermanishtja. Fjalët me origjinë lindore apo si me thanë fjalët e huazueme nga popujt brenda Perandorisë Osmane, janë përdorë shpesh prej Fishtes, në zhargonin e kohës kur asht shkrue vepra; gja e cila asht pasë parasysh prej z. Kulli dhe asht respektue gjatë shpjegimit të tyne, sipas kontekstit. Neologjizmat e autorit të “Lahutës së Malcis”, apo edhe fjalë të tjera të fjalorit fishtjan, të cilat janë përdorë apo ngërthejnë kuptime të pashpjegueme ma parë; janë trajtue me kujdes nga ana e autorit të këtij fjalori, duke i shplalue mjaft mirë kuptimet e nënkuptimet, kontesktet e nëntekstet; me nji gjuhë të zhdervjellët interpretative, por edhe me ilustrime të larmishme nga teksti. Respekti që Frano Kulli ka ndaj paskajores dhe gjuhës gege në tanësi, e shtyn atë që, gjatë shpjegimit të foljeve me fjalë të fjalorit të sotëm, ai i vendos ato sërish në mënyrën paskajore.

Tue e shfletue két fjalor, ndeshesh me fjalë e shprehje që ta ka andja me kenë pjesë e të folmes s’perditshme, që do ta kishin pasurue e rivitalizue gjuhën shqipe, në perballjen e saj me ndërkalljen e fjalëve teknologjike apo t’atyne mediatike. Fenomen ky i gjithëpohuar si një shqetësim i madh që po e rrudh shqipen, krejt përkundër rrjedhës, që do të kishte nevojë të ndiqte cilado gjuhë, e vogël a e madhe. Po nuk është rendi i kësaj trajtese në këto radhë. As qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori nuk ka qenë ky. Por të merresh me fjalorin fishtjan dhe t’mos e kesh két pritshmëri, asht e pamujtun. Nji lexuesi të censhëm, a mundet mos me ia ndezullue leximin fjalë si: i amshtë, animirë, ma ka anda, perbind, çukurmoj, gurrojshin, gjakim, gjallon, knellet, ia kande, kacagjelas, kulihum, lazdrues, mbamendje, mirakande, mirgjendje, mungullojshin, prujshem, pamashtri, e patranshme, pretare, papajambajtas, ryset, qanderr, t’lemje, trupoj, e thukët zhgjanderr e plot e plot të tjera?

Padyshim që ky fjalor asht nji hap i randsishëm përpara në két terren linguistik, ku enigmat shtohen sa ma thellë që të futesh dhe ku nderkohë, rriten edhe mundësitë për me zbulue thesare të reja gjuhësore, si edhe për me rizbulue rrajët tona etno-kulturore të mbarsuna në két skelet të pavdekshem gjuhësor.

Fjalorthi i emnave të njerezve e vendeve, zanave, hyjnive e personazheve mitologjikë” që i bashkanjitet fjalorit si shtojcë, asht nji vlerë e shtueme e k’tij botimi. Emna zanash, perëndish pellazgo-ilire apo emna heronjsh të mitologjisë greke apo romake, apo edhe personazhe të letersisë botnore, që nga latinët e helenët e deri te Dantja apo Shekspiri; krah për krah me emnat e herojve dhe të vendeve-arenë të ngjarjeve heroike, t’permenduna kryesisht në ”Lahuten e Malcis”; vijnë n’kët’ fjalor, t’shtjellueme me profesionalizëm, por edhe me erudicion, fantazi e koherencë kontekstuale, si dhe atë të nëntekstit fishtjan.

Në fakt, ky fjalor, ma shumë se sa Fjalori Veprës së Fishtës, siç e ka emnue autori; do ta quejsha edhe unë siç e pagëzoi profesori e akademiku i asociuar, Stefan Çapaliku, si Fjalori i Gjuhës Shqipe në gjallje të Fishtës. Me kët’ përcaktim, po duem me thanë se gjuha e Fishtës asht gjuha e popullit shqiptar, popull mes të cilit e për të cilin ai gjalloi e punoi; popull i cili i kuptoi, i shijoi dhe shkoi deri atje sa i mësoi përmendësh vargjet e Tij, prej Shkodret e n’Gjirokastër. Ndoshta, ma shumë se bukuria e vargjeve, ma shumë se ndjenja e atdhedashunisë që ato ngjallën në shpirtnat e shqiptarëve; vlera ma e naltë e veprës së Fishtës, qëndron te fakti se Ai shkroi e krijoi mjaft bukur shqip. Katër janë shtyllat mbi të cilat e ndërtuen Rilindjen Kombtare, françeskanët me Fishtën në krye, por edhe jezuitët e Mjedës dhe plot patriotë të tjerë, nga Jugu në Veri: “Gjuha, E Drejta Zakonore, Folklori dhe Prralla Shqipe”. Në kët’ kontekst duhet ta shohim veprën e fraçeskanëve të papërsëritshëm të gjysës së parë të shekullit XX, në két kontekst duhet ta njohim e ta vlerësojmë Poetin tonë Kombëtar, si dhe në két kontekst duhet ta mirëpresim daljen e këtij fjalori të Frano Kullit./drita.info

Shpëndaje: