Nga Don Fatmir Koliqi
Më 11 korrik, kalendari liturgjik katolik shënon ditëfestën e Shën Benediktit (480-547), atit të rregulltarisë perëndimore dhe pajtorit të Europës. Festat e të mëdhenjve janë kohë e volitshme për ta kthyer shikimin tonë drejt jetës dhe veprës së tyre që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët tona. Edhe këta rreshta vijnë si fryt i “shikimit tim”, meditimit tim në ditëfestën e këtij gjiganti të kulturës eurpoiane.
Në vitin 540 pas Krishtit, kur Shën Benedikti e përfundoi së shkruari Regula-en e tij në manastirin famëmadh Montecassino, s’do t’ia kishte marr mendja se kishte shkruar një magna carta të kulturës shpirtërore europiane.
Regula Benedicti, siç quhet në origjinalin latinisht, është rregulla më e famshmja, më e kompletuara dhe më metodikja për jetën murgjërore në krishterimin perëndimor, e jo vetëm, përmes së cilës përcaktohen mënyrat e jetës në një manastir. Për shkak të kompozimit gjithëpërfshirës, ajo pati jehonë të jashtëzakonshme dhe qe adaptuar në të gjithë manastiret në zë të Europës Mesjetare. Përveç varfërisë dhe dëgjesës, që janë kushte ungjillore të rregulltarisë, Shën Benedikti kërkonte prej murgjve të tij të bashkohen në lutje dhe në punë: nga punëtoritë e fushave deri tek laboratorët e shkrimeve të quajtura scriptorium, për të ruajtur përmes rishkrimeve (dorë)shkrimet e lashta, e për të shkruar të rejat.
Ai, në këtë mënyrë, kishte bashkuar me mjeshtëri përvojën e murgjërisë lindore, përvojën e tij personale dhe botëkuptimin e njeriut të kohës së vet, këto tri komponente të gërshetuara natyrshëm, prej të cilave lindi në sintezë motoja “ora et labora” (shq. lutu e puno), që do të bëhet kodi i shpirtit të njeriut europian, e nga i cili është formësuar kultura dhe shpirti i përbashkët i Europës.
Papa Pali VI, me letrën apostolike Pacis nuntius, të lëshuar pranë Selisë së Shën Pjetrit, më 24 tetor 1964, e shpall Shën Benediktin Pajtor të Europës, duke e njohur veprën e shenjtit, mjeshtër i kulturës, si rregull për formimin e qytetërimit dhe kulturës europiane.
Papa kështu e përshkruan intencionin e tij: “Në perëndim të Perandorisë Romake, tashmë të rraskapitur, derisa disa pjesë të Europës dukeshin se po binin në humnerën e territ, tjerat ishin ende të pa prekura nga qytetërimi dhe vlerat e shpirtit, ishte ky, i cili me një angazhim të zellshëm dhe të vazhdueshëm bëri të lind në kontinentin tonë një erë e re. Parimisht, ai dhe të bijtë e tij e sollën me kryq, libër dhe parmendë progresin e krishterë te popullsitë e shpërndara që nga Mesdheu deri në Skandinavi, nga Irlanda deri në fushat e Polonisë.” (Pali VI, Letra apostolike “Pacis nuntius”).
Në këtë logjikë rreshtohet edhe vlerësimi i medievalistit të njohur Jaques Le Goff, kur thotë se çfarë rrjedhash do të mund të kishte njeriu i mesjetës europiane, po mos të ishte Shën Benedikti, i cili u shfaq në atë kohë si “një zë i madh dhe i butë”.
Shën Benedikti është quajtur me të drejtë “Yll shndritës” (Shën Gregori i Madh), “Ati i Europës” (Papa Piu II), “kasnec i paqes, realizues i bashkimit, mjeshtër i kulturës” (Pali VI), sepse qe vërtetë mësues i shpirtit, i cili ia dhuroi kontinentit paradigmën e të jetuarit dhe progresit, e prej të cilit mund të mësojmë edhe sot artin e humanizmit të vërtetë, që Europa po e kërkon përsëri, pas një tronditje të rëndë që e ka përjetuar në shekullin e kaluar që ia shkaktuan dy luftërat botërore, ideologjitë e mëdha utopike e aventurat antinjerëzore (të brendshme e të jashtme).
Pse Shën Benedikti është mjeshtër i kulturës?
Shën Benedikti e ka krijuar një bashkësi të njerëzve autentik, prej të cilës ka lind një rrymë e humanizmit. Këtë e ka bërë me kombinimin e dy komponentëve thelbësore të ekzistencës së njeriut: lutjes dhe punës. Mund ta quajmë këtë një paradigmë benediktine e humanizmit dhe kulturës, sepse shenjti e mendonte se pa lutje (aktive e soditëse) s’bëhet punë e frytshme dhe puna pa lutje është mund i pakuptimtë.
Lutja është elementi shpirtëror dhe hapja drejt transcendencës, mbrujma e njeriut. Homo orans – njeriu është qenie që lutet, cilësi kjo autentike e njeriut për ta lartësuar shpirtin e tij drejt Qiellit. Njeriu lutës/që lutet i ka (para)pri njeriut poet, njeriut këngëtar, njeriut artist. Kjo përmasë e tij është themel i padiskutueshëm ontologjik i ekzistencës së tij. Fryti i njeriut që lutet (aktiv dhe kontemplativ) është veprimi solidar dhe relacional. Nga kjo komponent rregulla e shenjtit sjellë këtë grishje: “Ndihmoj të varfrit, vizito të sëmurit, ndihmo atë që është prekur nga fatkeqësitë, ngushëllo të pikëlluarit, asgjë mos vë para dashurisë së Krishtit. Zbato përditë urdhrat e Zotit, duaje çiltërsinë, mos e urre askënd, mos u ushqe me hidhërime të fshehta, mos ji xheloz, largohu nga ngatërresat, shmangu nga lëvdatat, për dashurinë e Krishtit lutu për armiqtë, pajtohu me kundërshtarin para se të praron dielli. Kurrë mos u e humb shpresën në mëshirën e Zotit” (Rregulla, IV, pasim).
Puna është përmasa materiale dhe empirike, kultura materiale, kultivim i arteve humane. Benediktinët njihen si ruajtësit e shkrimeve të lashta, të kodekseve – trashëgimisë shkrimore botërore – janë ruajtësit e kujtesës së të parëve, të etërve të njëmendësisë europiane. Falë tyre (dorë)shkrimet janë ruajtur nga shkatërrimi dhe janë tejçuar nëpër gjenerata deri në kohën e sotme. Vërtet, mos të ishte ky “zë i madh dhe i butë” , siç e thotë Le Goff, a do të kishin pasurinë e madhe të shkrimeve nëpër biblioteka benediktine, këto vatra shkrimesh e tempuj të kujtesës. Kuvendet benediktine u shndërruan në qendra të kulturës, përmes të cilave është ruajtur antikiteti i përbotshëm.
Benediktinët, jo vetëm se ishin të mbyllur në biblioteka, por ata mësonin njerëzit të kultivonin (lat. cultūra, ae ) tokën, të thanin kënetat e të punonin veglat e punës. S’është e çuditshme që nëpër kuvende bëheshin artizanë të ndryshe, nga zdrukthëtaria deri te skulptura dhe piktura.
Modeli benediktin dhe fryma e tij “infektuese” e kishte rrënjosë një unitet shpirtëror te popujt e kontinentit, edhepse në dallueshmëri gjuhësore e etnike, ata e ndjenin se i përkisnin njëri-tjetrit – sensus communis – ndjeja se i përkasin një trualli e një kulture të përbashkët europiane. Në fakt, atë që në dhjetëvjetëshat e fundit – Europa dhe tjerët – po kërkojnë ta bëjnë përmes botës virtuale globale, një bashkim të përbotshëm me emrin globalizimi. Vetëm se ky nuk ka mbërri ta krijojë sensus-in e përbashkët të përkatësisë, përkundrazi, ka imponua një paradigmë kontroverse të fshirjes së shpirtërores, përkatësisë, identitetit. Globalizimi nuk e njeh personalizmin bashkësior të krishterë, por individin, subjektin pa bashkësi, një subjekt i shkrirë në anonimitetin e turmës.
Vizioni i Shën Benediktit – përmes lutjes dhe punës – ka krijuar persona të (ndër)lidhur në bashkësi, të hapur për dialog dhe të mbushur me shpesën e të ardhmes së përbashkët. Nuk është bashkësi e tipit të mbyllur në vetvete, as e grupit që i lidhin interesat vetjake, por sipas paradigmës ungjillore, është bashkësia e tipit të hapur, ku jetohet me tjetrin dhe për tjetrin – vatër e kulturës së takimit me tjetrin. Shtrirja tek tjetri dhe takimi me tjetrin – sipas shenjtit – është e pamundur të bëhet vetëm në aspektin e thjeshtë të interesit ekonomik (ekspansioni i sotëm ekonomik global) i shtyrë vetëm nga logjika e tregut, pa një shtrirje shpirtërore e kulturore e takimit dhe e dhurimit (ekonomia sociale dhe vullnetarizmi falas). Ekspansioni tregtar pa shpirt e vret indin social, pushton hapësirat e dhurimit falas, shkëput marrëdhëniet familjare dhe miqësore, nga të cilat vuan globalizmi bashkëkohor.
Sot, Europa ka nevojë për një ripërtëritje e rilindje etike dhe shpirtërore, të nxjerra nga themeli i saj i krishterë, të tipit benediktin. Përndryshe, nuk do të kemi më Europë të vërtetë. Pa paradigmën e saj zanafillore (si kod ekzistencial), njeriu europian do të mbetet i ekspozuar tundimeve të vjetra për të kërkuar shpëtimin nga utopi që ia kanë plogështua shpirtin, e sot nën petkun modern e ngashënjejnë të rrëshqas në humnera të reja të errëta, që sikur në shekujt e kaluar do t’i shkaktonin “një regres të paprecedan në historinë e njerëzimit” (Papa Gjon Pali II).
Europa nuk është një kontinent jetim, pa mësues e pa referenca, por është një tokë shenjtërish, burrash e grash që e kanë formësua shpirtin dhe rrinë natyrshëm në themelet e saja. Ashtu si dikur ata e kanë bashkuar, e kanë ringjallë nga rënie të shumta, edhe sot, të bijtë e të bijat e tyre, të grishur me po të njëjtin shpirt, munden dhe duhet t’i japin përsëri jetë kontinentit tonë të vjetër, që duket i lodhur nga pesha e rëndë që e ka bartur gjatë historisë dhe nga aventurat utopike të bijve e bijave plëngprishës. Megjithatë, siç shprehet në mënyrë profetike Kardinal Angelo Scola, përkundër lodhjes së saj “për faktin se ajo me shekuj ka bartur mbi supet e saja problemet tejet komplekse (botërore), Mens europian (mendësia europiane) do të vazhdojë të ketë edhe më tej një peshë të fuqishme në krijimin e një qytetërimi të ri dhe të rendit botëror”./drita.info
Marrë nga: Fatmir Koliqi, Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare, Drita, Prishtinë 2021, f. 94-100.