At Shtjefën Gjeçovi – si referim kulturologjik identitar i botës shqiptare

Nga Kastriot Marku

 

Më 12 korrik e kujtojmë ditën e lindjes së njërit prej personaliteteve më të spikatura kulturore dhe shkencore të botës shqiptare, At Shtjefën Konstandin Gjeçov O.F.M.

At Shtjefën Konstandin Gjeçovi u lind më 12 korrik të vitit 1874 në Janjevë, në një fshat të vogël në periferi të Kosovës, por me një kontribut domethënës në historinë dhe kulturën shqiptare, bash aty ku edhe takohej popullsia shqiptare me elementin sllav. Familja e tij (stërgjyshërit) kishin ardhur nga fshati Kryezi i Pukës, mbiemër të cilin e ruajtën për disa kohë. Prindërit e tij Mati dhe Ana në pagëzim ia kishin venë emrin Mhill e që shkurt e thërrisnin Hilë. Duke parë zellin dhe interesin për dije, prindërit e dërguan në shkollën e fshatit për të mësuar shkrim dhe lexim. Në shkollë ai u dallua për zgjuarsi, karakter e vullnet të fortë, dhe ngaqë ishte nxënësi më i mirë e me dhunti të veçanta, këto cilësi i ranë në sy priftit të Janjevës, i cili u propozoi prindërve që ta dërgonin djalin në një shkollë më të mirë, siç ishin në atë kohë kolegjet fetare të sapohapura nga françeskanët. Kështu, në verën e vitit 1884, pasi përfundoi klasën e tretë, Gjeçovi 10-vjeçar u nis për në Shkodër, për të vazhduar më tej mësimet në kolegjin françeskan të Troshanit, në veri të Lezhës, duke qenë kështu ndër nxënësit e parë të këtij kolegji së bashku me At Gjergj Fishtën, At Severin Lushajn, At Zef Mesin, At Lorenc Mitroviqin, At Engjëll Paliqin, At Pjetër Gjadrin, At Zef Hajmelin, At Bonë Gjeçajn dhe At Frano Koliqin, kolegj të cilin e mbaroi në vitin 1888. Po atë vit, atë e dërguan të kryejë studimet në Bosnje. Më 15 gusht 1888, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, së bashku me At Pashk Bardhin dhe At Françesk Koliqin hyri në kuvendin françeskan në kuvendin e Fojnicës, pranë Sarajevës, ku, pasi kaloi suksesshëm vitin e provës, iu mundësua vijimi i mësimeve liceale e filozofike në kuvendin françeskan të Dërventes e të Banja Llukës, (1893), ndërsa studimet teologjike i kreu në kuvendin françeskan të Kreshevës të Bosnjës e Hercegovinës së bashku me kolegun e tij At Pashko Bardhin (1870-1948), një i njohur françeskan në revistën Hylli i dritës. Gjatë kohës së studimeve, veçmas në kohën e lirë, Gjeçovi u kujdes që të mësonte sa më shumë mbi lëvizjen Kombëtare Shqiptare për liri e pavarësi e sidomos të njihet me letërsinë shqipe të traditës dhe atë bashkëkohore. Në vitin 1893, ndërsa ishte në kuvendin e Banja Llukës, shkonte në Kreshevë për të ndjekur leksikonet e Talotcit, të cilat sillnin njoftime mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Këtu u njoh me poetin kroat Gërga Martiq. Pasi përfundoi studimet më 29 korrik 1896, më 25 korrik 1896 shugurohet meshtar në Troshan, ku edhe celebron meshën e parë më 2 gusht të po këtij viti, për të shërbyer më pas si famullitar e mësues nëpër famulli e kuvende të ndryshme, një listë e gjatë kjo transferimesh si: Troshan 1896, Troshan-Rubik (Malësia e Lezhës) 1896-1897, Pejë 1897-1899, Laç-Sabaste (Kurbin) 1899-1905, Troshan, (Borgo Erizzo) Zarë 1905-1906, Shkodër 1906-1907, Gomsiqe (Mirditë) 1907-1915, Troshan, Sapë 1915-1916, Theth 1916-1917, Prekal 1917-1918, Rubik, Pejë, Troshan 1919-1920, Vlorë, Rubik 1920-1921, Shkodër 1921-1926, Gjakovë 1926-1928, në Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e së fundi në katundin Zym të Hasit të Thatë të Kosovës në vitet 1928-1929. Ishte pikërisht veprimtaria e tij studimore, e cila tërhoqi zilinë nacionaliste serbe, që në mënyrën më të pashembullt dhe ekstreme derdhi mllefin mbi trupin e tij. At Gjeçovi u vra në mënyrën më mizore dhe barbare nga serbët në Zym të Hasit më 14 tetor 1929, në orën tre mbasdite ndërsa po kthehej nga Prizreni. Vrasja e tij shkaktoj një tronditje të thellë në opinionin publik shqiptar, duke qenë kjo gjithashtu një humbje e madhe për kulturën shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX. Më 26 tetor 1929 në Kishën Françeskane në Shkodër u kremtua mesha mortore në nderim të tij, ndërsa Parlamenti shqiptar e përkujtoi vdekjen e tij në një seancë të veçantë të mbajtur më 11 nëntor të atij viti me disa ligjërime mjaft prekëse.

Fillimet e aktivitetit kulturor dhe atdhetar, mund të themi se Gjeçovi i nisi në Laç-Sabaste të Kurbinit, kur u emërua si famullitar i fshatit Laç në vitet 1899-1905. Ishte kohë e vështirë, pasi pushtimi osman bënte të tijën. Pikërisht në këtë kohë Shtjefën Gjeçovi njohu për së afërmi gjendjen e popullsisë së kësaj krahine dhe kështu krahas aktivitetit të përditshëm pastoral, ai ndërkohë nisi hulumtimin, kërkimin, mbledhjen dhe studimin e legjendave, gojëdhënave, dokeve, gjuhës, frazeologjisë, këngëve dhe fjalëve të urta. Gjithashtu ai u vu menjëherë në kontakt me eprorët kishtarë zonalë të Arqipeshkvisë së Durrësit me seli në Delbnisht, sikurse ishin Imzot Primo Bianki dhe Dom Nikollë Kaçorri të cilëve u bëri me dije interesimet e tij kulturore. Kontakti me familjet autoritare në zonë bënë që të ideohej edhe Kryengritja e Kurbinit midis viteve 1906-1912, në të cilën At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Kaçorri së bashku me patriotin Gjin Pjetri u bënë zëri kryesor i saj që çoi në shpalljen e Pavarësisë. Me mjaft rëndësi janë ligjet e bëra (kanunet) nën kryesimin e Gjin Pjetrit në kuvendin e Delbnishtit afër Pallatit të Kryeipeshkvisë, me 5, 6 e 7 të Gushtit 1906, ku si dëshmues janë Imzot Nikollë Kaçorri dhe At Shtjefën Gjeçovi.Mjaft interes paraqet dokumentimi i protokollit të mbledhjeve të mbajtura nga Gjeçovi nën titullin:“Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive. 1903, 1904, 1905, 1906” në dorëshkrimin prej 114 faqesh që ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me indeks. Drs 1/2c.

At Shtjefën Gjeçovi, personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit, por gjithashtu edhe një kulturolog i klasit të parë, i cili para së gjithash ishte meshtar françeskan, u lind dhe u rrit në shtratin kulturor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai u formua në udhën e të varfërisë të Shën Françeskut të Asizit, krahas bashkëvëllezërve të tij si At Gjergj Fishta, At Pal Dodaj dhe At Pashko Bardhi, të cilët ishin njëkohësisht miqtë e tij personal, e jo kundërshtarë sikundër janë paraqitur në ndonjë rast. Duhet ditur tashmë mirë se kultura shqiptare është e lidhur pazgjidhshmërisht me françeskanizmin shqiptar, prej urdhërit të të cilit dolën një plejadë e shkëlqyer intelektualësh dhe kulturologësh të tillë si: At Leonardo de Martino (1830-1923), At Gjergj Fishta (1871-1940), At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), At Pal Dodaj, (1880-1951), At Pashko Bardhi (1870-1947), At Ambroz Marlaskaj (1884-1939), At Vinçenc Prennushi (1885-1949), At Anton Harapi, (1888-1946), At Bernardin Palaj (1894-1947), At Donat Kurti (1903-1983), At Marin Sirdani (1885-1962), At Justin Rrota (1889-1964), At Martin Gjoka (1880-1940), At Gjon Shllaku (1905-1946), At Benedikt Dema (1904-1960), At Viktor Volaj (1928-2000) e deri tek i fundmi At Zef Pllumi (1924-2007), të cilëve kombi shqiptar iu detyrohet shumë.

Gjeçovi u bë guardian i shqiptarizmës, atdhedashurisë, arsimit dhe kulturës shqiptare, duke vënë në fokus të interesimeve të tij pothuajse gjithçka që kishte lidhje me etnokulturën shqiptare.

Atë Shtjefën Gjeçovi la gjurmë në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë letrare si: prozës, poezisë, dramaturgjisë si dhe përkthimit. Vetëm në fushën e arsimit, ndihmesa e tij është e jashtëzakonshme, mjafton të cekim se në njëmbëdhjetë shkolla ku ai shërbeu si mësimdhënës, pesë prej tyre i kishte hapur ai vetë së pari me nismën e tij personale. Ruajtja dhe afirmimi i identitetit kulturor kombëtar shqiptar, si element qenësor i qytetërimit evropiano-perëndimor, qe edhe përpjekja e vazhdueshme dhe sistematike që ai bëri gjatë gjithë jetës së tij. Një kontribut të madh Gjeçovi ka dhënë edhe në fushën e arkeologjisë. Si takon kontributit të françeskanëve në grumbullimin e vlerave arkeologjike dhe etnologjike, si dhe paraqitjen e tyre te sistemuar në mënyrën e duhur muzeale ai si pakkush tjetër qëndrimin me njerëzit në mjediset famullitare por edhe në rrugë apo mjedise të ndryshme, e shfrytëzonte për të marrë informacionn për gjithçka: dëshmi gojore, (rrëfime, tregime e biseda të ndryshme), të cilat më pas u bënë subjekt dhe objekt i kërkimit dhe i trajtimeve të mëtejme nga ana e tij. Nisma e Gjeçovit bëhet e dallueshme dhe konceptuale kur emërohet famullitar në Laç (të Kurbinit. Aty nis veprimtaria e tij shkencore e mirfilltë. Gërmimet e para i fillon aty rreth vitit 1902 Kodër Bogëz). Më pas gërmimet a i vijoi në Troshan, Koman, Shtoji etj. Gjeçovi do të gërmonte, mblidhte, të pajiste me skedën përkatëse të gatshme për ekspozim një koleksion të çmuar arkeologjik. Kur Faik Konica i bën një vizitë në vitin 1913 në Gomsiqe, na kujton mes të tjerash se “ Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rallë dhe me një shie të mbaruar nga dora vetë e atë Gjeçovit.” Gjeçovi themeloi koleksionin e parë arkeologjik në trojet shqiptare, duke ngritur kështu më pas muzeun françeskan, në të cilin sistemoi me kritere shkencore sipas një nënndarje të bërë prej tij në 48 grupime, rreth 500 objekte arkeologjike, si dëshmi materiale me objekte si sëpata bronxi, përkrenare, armë heshta, sëpata, enë balte, monedha, vathë, unaza, varëse të siguruara këto nga një varg gërmimesh arkeologjike të kryera nga ana e tij në një periudhë 26-vjeçare nga Laçi, Troshani, Komani, Shtoji e deri në Has, ku ai zbuloi objekte të ndryshme prej guri, metalike, qeramike, të tilla si vegla pune, enë të ndryshme, pajime luftarake, objekte dekorative zbukurimi etj. Të gjitha vizitat e tij studimore ai i gdhendi në shkopin që e merrte ngado me vete, duke na lënë kështu një kalendar etalon unikal në llojin e tij, kushtuar kombit të tij. Shkopi i At Shtjefën Gjeçovit, (që gjendet në Muzeun Historik të qytetit të Shkodrës), është dhe mbetet një referim biografik dhe kulturologjik përmasor unik dhe mjaft domethënës për të kuptuar këtë shkencëtar dhe atdhetar të pashoq të kombit shqiptar.Një pjesë e mirë e vlerave arkelogjike të koleksionit të muzeut të ngritur nga françeskanët sot janë pjesë e eksponateve të Muzeut Arkeologjik në Tiranë. Shtjefën Gjeçovi është pa dyshim “…arkeologu i parë i mirfilltë shqiptar dhe themelimin i arkeologjisë shqiptare.” si disiplinë. Gjeçovi e nisi arkeologjinë si një lloj tërheqje personale, si pasion, pra si diletant, pa përvojën e duhur shkencore, por me sigurinë e tij se historia shqiptare gjendet e mbuluar nën dhè. Në Ekspozitën Misionare Botërore të Françeskanëve të hapur në Vatikan në Vitin e Shenjtë 1925, Provinca Françeskane Shqiptare u përfaqësue aty me eksponatet e koleksionit arkeologjik të Shtjefën Gjeçovit, i cili u vlerësua mjaft si i tillë. Po ashtu një vlerësim të posaçëm për punën e tij arkeologjike bënë Pal Traeger, Leon Rey, Theodor Ippen dhe veçanërisht Luigi Ugolini. Në artikuj të ndryshëm Gjeçovi vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka në këtë pikëpamje Shqipëria dhe revoltohej kundër konçensioneve që u jepeshin të huajve për gërmime arkeologjike, të cilët edhe grabisin pasuritë arkeologjike; kundërshtonte tregtarët dhe matrapazët që tregtonin vlerat e kulturës sonë. Ruajtja dhe afirmimi i identitetit kulturor kombëtar shqiptar, si element qenësor i qytetërimit evropiano-perëndimor, qe edhe përpjekja e vazhdueshme dhe sistematike që ai bëri gjatë gjithë jetës së tij. Gjeçovi ishte ndër të parët folkloristë shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në mënyrë sistematike dhe shkencore. Ndihmesën më të rëndësishme Gjeçovi e dha në fushën e shkencave albanologjike, kryesisht etnologjisë, përmes një pune të gjatë kërkimore dhe studimore, nga e cila doli vepra unikale e trashëgimisë tradicionale juridike e botës shqiptare: Kanuni i Lekë Dukagjinit(Vepër postume). Përmbledhë e kodifikue prej At Shtjefën Kostandin Gjeçov O.F.M. Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1933, e cila e bëri të njohur në botën shkencore. Në këtë fushë ai u dallua si historian, arkeolog dhe si etnografi i parë shqiptar. Në fillim ai e nisi punën si amator, për t’u bërë më pas një profesionist i vërtetë. Ai grumbulloi aq njohuri mbi traditat e popullit, sa u bë “një arkiv i gjallë etnografik”, përmes të cilit shqiptari njohu vetveten. Në të gjitha nyjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit fjala është boshti i referimit përmes së cilës vihet në peshore raporti i njeriut me të, ngaqë ajo ishte institucion nderimi dhe zgjedhja e saj në përdorim apo e kundërta moskujdesja, abuzimi me të përgjatë komunikimit merrte përmasa ekstreme, ku për shkak të mospërdorimit të saj me vend, kërkohej zgjidhje me armë. Kuvendi i burrave dhe oda e miqve ishin arena e konkurrimit të ligjërimit të bukur dhe komunikimi gojor që vërtitej rreth shenjtërisë së fjalës. Fishta në parathënien e veprës „Kanuni i Lekë Dukagjinit“, është i pari ndër dijetarët shqiptarë që jo vetëm guxon të ndërtojë hipotezën se aristokracia shqiptare përgjatë periudhës mesjetare kishte pasur një rend juridik sipas statuteve të republikave qytetare evropiane të kohës, por edhe se drejtpeshon kënvështrimin përmbajtësor dhe juridik të të drejtës statutore dhe asaj zakonore gojore që sipas Shaban Sinanit Fishta na “…jep më shumë informacion e vlerësime se thuajse të gjitha tekstet e mëvonshme të historisë së Shqipërisë për këto statute…”. Gjeçovi na paraqitet gjithashtu edhe si etnografi i parë shqiptar. Edhë në këtë disiplinë ai e nisi fillimisht punën si amator, për t’u bërë një profesionist i vërtetë. Ai grumbulloi aq njohuri mbi traditat e popullit shqiptar, sa u bë “një arkiv i gjallë etnografik”, përmes të cilit shqiptari njohu vetveten. Paraqet interes e dhëna se në Arkivin e qytetit të Livnos në Bosnjë gjendet një fotoalbum me veshje (kostume popullore na trevat e ndryshme shqiptare) si dhe armë të punuara nga mjeshtër artizanë shqiptare të gjitha të përgatitura e të kataloguara nga Gjeçovi.

Në fushën e historisë ai hartoi disa punime të vogla mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun si: ‘Përkrenarja e Skanderbeut (I. Leka i Madh i Maqedonas 356-323 para Krishtit-II. Pirri i Epirit 319-272 para Krishtit-III. Gjergj Kastrioti 1404-1467 mas Krishtit)”, botuar në revistën Hyllin e dritës në vitin 1914, mbi arbëreshët e Italisë botoi, “Mbas 433 vjetësh”, punim i cili u botua në revistën Zani i Shna Ndout, studime këto që kanë një vlerë të madhe, por veçohen studimet: ”Trashëgime pellazge në tradita të popullit shqiptar”, 1919, “Trashëgime thrako-iliriane në popullin shqiptar”, 1924 dhe 1936, si dhe një punim i gjatë dorëshkrim prej 350 faqesh mbi Metropolinë e qytetit të Tivarit përshatur nga Illyricum Sacrum Vol. VII nga Daniel Farlati me titull: Metropolis Antibarensis et Ecclisiarium Episcopalium in Albania Turcica sitarum, eidem metropoli subsunt vel olim subjectae fuerunt Historia quam ex Illyrico sacro R.P. Danielis Farlati ad suum usum in compendium redegit Carolus Pooten archiepiscopus Antibarensis et Dioclensis, Albania Metropolit AC Regni Servia Primas. Emolumento diligentia instiussuisque fratibus proprio pugno transcropsit P. Stephanus Constandinus Geciov O.F.M. filius Hujus Almae Provinciae Albano-Epiroticae tunc temporis guardianus nostri vonventus de Gjuhadoli-Scodrae, die 5 octobris 1906. Këto kanë qenë studime të thella krahasuese, që ruajnë ende edhe sot vlerën e tyre. Gjeçovi dallohet për stilin e tij shkencor, mbasi formimi i tij kulturor vihej mbi baza të mirëfillta shkencore bazuar mbi materiale dokumentare burimore mbështetur në faktografi. Mjafton të themi se ai vetë bëri kërkime sistematike në arkiva të ndryshëm, sa herë qi i binte rasti si Firence, Raguzë etj., objekt i të cilave ishte krijimi i një baze të mjaftueshme arkivore, e cila do të shërbente më pas si premisë për studime të thelluara mbi historinë shqiptare. Me të tilla dokumente ai krijoi një arkiv historik i cili shërbeu më pas si bazë për krijimin e Arkivit të Provincës Françeskane, i cili pasi u konfiskua nga regjimi komunist në vitin 1946, u kalua dhe gjendet pothuajse i plotë në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.Gjeçovin e çmuan dhe e nderuan pa masë At Gjergj Fishta, Faik Konica, Imzot Prend Doçi, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani etj,. si dhe shumë personalitete të albanologjisë nga Evropa si Franc Nopça, Luigj Ugolini, Zef Valentini, Ana Desniskaja etj. Për kontributin dhënë afirmimit të vlerave kombëtare fitoi admirim në nivel kombëtar dhe nga qarqet shkencore ballkanike dhe evropiane, për çfarë edhe u nderua me titullin Doctor Honoris Causa në Universitetin e Lajpcigut të Gjermanisë. Atë Shjefën Gjeçovi dhe Dom Ndre Mjedja, dhe deri diku edhe Anton Xanoni dhe Dom Ndoc Nikaj çuditërisht gjetën njëfarë kërkimi nga studimet shqiptare të periudhës 1945-1990. Për Atë Gjeçovin si folklorist dhe etnograf shkruan Anton Çetta, Mark Krasniqi, Rrok Zojzi, Aleks Buda, Ruzhdi Mata, Syrja Popovci, Ramiz Kelmendi, ky i fundit përgatiti në vitin 1985 edhe bibliografinë e tij. Pas vitit 1990 pati interesime nga Don Viktor Sopi, Jaho Brahaj dhe ndonjë tjetër. At Shtjefën Gjeçovi na ka lënë si trashëgim në dorëshkrim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale, ndër to shtatë pjesë teatrale dhe disa tregime. Ai realizoi një krijimtari me rreth 10 mijë faqe dorëshkrimore të tjera të fushave të ndryshme, por rreth 90 për qind e saj nuk e ka parë ende dritën e botimit. E gjitha kjo dëshmohet në shkrimet e tij të botuara, si dhe në shumë prej tyre që kanë mbetur në dorëshkrim, shumica prej të cilave gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranës në fondin At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Nr. 58. Në këtë fond, por edhe në fondet e Bibliotekës Kombëtare etj., janë një numër i konsidrueshëm letrash të shkruara me dorën e tij, të cilat na shpërfaqin një përmasë reale të atit françeskan që pritet të rizbuloeht. Këto letra (rreth 100 sosh), u drejtohen emrave dhe personaliteteve të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave të huaja në vendin tonë, sivëllezërve të Urdhërit Françeskan, albanologëve të huaj, klerikëve dhe institucioneve kishtare. Veçanërisht paraqet interes letërkëmbimi me personaliteteteve të njohura të kohës si At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mithat Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Lef Nosi, Simon Shuteriqi, Dom Nikollë Kaçorri etj.

Botimet e para të Gjeçovit janë dymbëdhjetë poezi, të cilat u publikuan në revistën Albania të Faik Konicës në vitet 1901-1902, nën pseudonimin Lkeni i Hasit. Ai shkroi gjithashtu tregime, novela, studime etnografike si dhe një sërë veprash, të cilat vijojnë të mbeten në dorëshkrim. Gjeçovi shkroi prozë, kryesisht në prozën e shkurtër dhe më pak atë të gjatë sikurse romani historik, por më voluminoz është në zhanrin e dramës.Veprat kryesore: Dashtunija e atdheut 1901, Paitorja e Durzit a se Sc’ Luçia V.e.M. N’kreme gatsctmdhetcinnore t’veten. Jetsckroje, e scurt. Cit per kujdes t’P, Sctiefnit Kost. Ghecov OFM. Sctypsckroje t’Zojs pa mkat t’rriedhscem, Shkodër, 1902, 1904, 36 ff.Agimi i qytetnis, Shtypshkroja Nikai, Shkodër, 1910, 144 ff, Një argtim arkeologjik (Zani i Shna Ndout, 1920), Trashigimì Thrake-Illire (Hylli i dritës, 1924 dhe 1936), Shpërblesa e botës ase jeta e Jezu Krishtit 1993, 1997, Sebaste s’Armeni apo në Arbëri (1921 dhe 1922), Trashëgime pellazge në traditën shqiptare (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933), Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit (1997). Në këtë fushë përgatiti për shtyp nga shkrimet e tij të për doke dhe zakone të lindjes, të martesës dhe vdekjes, për mikpritjen dhe besën shqiptare për rite dhe besime popullore pagane, fjalë të urta, dhe më së shumti për të drejtën zakonore të cilat gjenden në dorëshkrim si: Trashëgime ilire në traditën shqiptarePërrallat popullore (1903), Doke dekësh (1907), Rrnesa e kombit shqiptar në Malci (1908), Doke darsmore në kanu (1910-1911), Vajtorëja (1917-1920), si dhe përkthimet e shumë veprave të autorëve botëror të botuara si dramat: Atil Reguli. Dramë me trii pamje. Shqyptimi i lirë mas Pjeter Metastasit (1905) prejë A Shtjefen Konstandinit Gjeçov, OFM. Shtypshkroja Nikai, Shkodër, 1912, 64 ff,sipas Pjeter Metastazit,Vajza Orleans’it asè Lumja Joana d’Ark, shqypnue mas A.F. prej Bergamos. Vepra pijore, N. 17. Shtypshkroja e Zojës s’ Paperlyeme, Shkodër, 1915, 174 ff,romanin “Ku vete? Quo vadis (1923) të Sienkieviçit etj, që i la të pa përfunduara, Shna Ndou i Padues. Shqyptue mas A.N. Dal-Gal, O.F.M. prejë A Shtjefen Konstandinit Gjeçov, OFM. Shtypshkroja Nikai, Shkodër, 1912, 166 ff, si dhe pesë drama:Dashtnija e atdheut (1901), Kushtrimi ose Mark Kuli Kryeqitas, (1903), Shqiptari ngadhënjyes, (1904),Princi i dy Dibrave, apo Mojz Golemi (1904),Tradhti gjakësoreNgreh Shqipnin”, Katër të lumtun, ose Edipi i Shqipnis” (1926) e shumë e shumë të tjera, dy romane: Mnera e Prezës, (1902) dhe Ravgime, (1903). Të gjitha këto vepra Gjeçovi i la të mbledhura, të sistemuara, mirëpo kanë mbetur në dorëshkrim sikurse edhe një pjesë e letërkëmbimit të tij të pasur.

Ndër veprat më të rëndësishme të Atë Shjefën Gjeçovit që ka lënë gjurmë në letërsinë shqipe dhe përgjithësisht në kulturën tonë shqiptare, por edhe atë botërore është mbledhja dhe kodifikimi i veprës monumentale të të drejtës zakonore shqiptare: Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili fillimisht u botua në revistën Albania të Faik Konicës më 1898 dhe 1899, pastaj vijoi të botohej në 36 numra të revistës së njohur Hylli i Dritës në periudhën 1913-1914 dhe 1921-1924, për t’u botuar i plotë pas vdekjes në vitin 1933, shoqëruar me një parathënie të At Gjergj Fishtës. Kanuni i Lekë Dukagjinit,është një përmbledhje rregullash unikale në fushën e së drejtës zakonore të popullit shqiptar, pra kulturës juridike të tij, strukturuar në 12 libra, ndarë në 24 krerë, 159 nyje me gjithsej 1263 nene. Me anë të normave etike, të kultivuara brez pas brezi, shprehje këto të etnosit specifik kombëtar, njeriu ynë i pat vënë në ujdi marrëdhëniet e veta të brendshme lidhur me aspektet e ndryshime jetësore duke zbatuar për shekuj me radhë nenet e tij dhe duke qeverisur kështu vetveten. Kjo vepër është një vepër më rëndësi të jashtëzakonshme në fushën e të drejtës në të cilën janë specifikuar çështje të rëndësishme të së drejtës mbi marrëdhëniet e pronësisë, trashëgimisë, të drejtës familjare, martesës etj, prandaj edhe është është përkthyer në italisht me titullin: Codice di Lek Dukagjini ossia diritto consuetudinario delle montagne d’Albania. Tradotto dal At Paolo Dodaj, A cura di P. Giorgio Fishta e Giuseppe Schirò. Introduzione di Federico Patetta, Reale Accademia d’Italia, Centro studi per l’Albania, Roma,1941, 327 ff; Il kanun di Lek DukagjiniLe basi morali e giuridiche della società albanese. Traduzione di Padre Paolo Dodaj. Introduzione e cura di Patrizia Resta, Besa, Lecce, 1996, gjermanisht nga Maria Amelie Freiin von Godin (1953 – 1956)) ribotim, Pejë 2001, në serbokroatisht nga Halit Tërnavci, nën titullin; Kanon Leke Dukadjinija djelo. Sakupio i kodificirao Stjefen Konstandin Djecovi, Zagreb 1986 203 ff, në anglisht; Kanuni i Lekë Dukagjinit. The code of Lekë Dukagjini. Albanian text collected and arranged by Shtjefën Gjeçov. Translated ëith an introduction by Leonard Fox, Gjonlekaj, Neë Jork, 1989, 269 ff; në maqedonisht; Kanot na Lek Dukagini. Posthumno dele. Sobral i kodificiral. Ured J. Milcin. Prevel od albanski jazik Kim Mehmeti, Fi & Ga, Tetovë 1994, 266 ff. dhe në frëngjisht nga Christian Gut, Pejë 2001. Kanuni i Lekë Dukagjinit është bërë objekt mjaft interesant studimi nga studiues brenda dhe jashtë vendit, ku dallohet veçanërisht At Giuseppe Valentini S.J. në veprën; Il diritto della comunità nella tradizione giuridica albanese. Universita di Palermo. Facoltà di Lettere. Generalità, Firenze, Vallecchi, 1956. 445 ff. HASLUCJ, Margaret., Kanuni Shqiptar, (Ligji i pashkruar shqiptar). Bleu I. Përktheu nga anglishtja, Leka Ndoja, Enti botues Lisitan, Lisitan, 2005: YAMAMOTO, Kazuhiko, The ethical strukture of kanun and its cultural implicationsStruktura etike e kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore. Përktheu dhe përgatiti për botim Dr. Selajdin A. Velaj, Printed in the United States of America, 2005, 289 ff: YAMAMOTO, Kazuhiko., Struktura etike e të drejtës zakonore shqiptare. (The ethical strukture of the Albanian customary law). Botimi i 2-të i plotësuar, Almera, Tiranë, 2008, 416 ff.

Kleriku, mësuesi, shkrimtari, studiuesi, intelektuali dhe atdhetari i devotshëm, françeskani Atë Shtjefën Gjeçovit ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit. Vepra e tij ende nuk njihet dhe nuk është studiuar sa duhet qoftë në aspektin e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e etnografisë, këmba e të cilit ka shkelur që nga Vermoshi e deri në Konispol për të hulumtuar vlera kombëtare në këtë fushë, qoftë në aspektin e krijimtarisë letrare. Gjeçovi ishte një patriot dhe njëkohësisht një shkencëtar i dalluar, i cili veçohej për karakterin e fortë dhe shpirtin e sakrificës, cilësi këto që për marrëzitë nacionaliste ballkanike duhej t’i merrnin jetën. Parë në një këndpamje futurologjike ky dishepull i kombit shqiptar kërkon rilexime, studime sigurisht dhe mbi të gjitha duhet të botohet korpusi i veprës së tij të plotë. Gjeçovi i ka bërë vend vetes jo pak në rrethin e ngushtë të kulturëdashësve të këtij kombi, por për fat të keq ai nuk është vlerësuar ashtu sikurse e meriton në të vërtetë. Vepra e tij e plotë (per aq sa njihej deri në atë kohë) u botua nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” në vitin 1985, ndërsa në Shqipëri edhe pse përmendej e madje edhe u studiua disi, vepra e tij nuk u botua kurrë. Në vitin 1989, është botuar “Kanuni i Leke Dukagjinit” i shkarfosur në një vëllim të Akademisë së Shkencave me titullin: “E drejta zakonore shqiptare”. Françeskani i përvujtë nuk ka nevoje për shumë “elektorat kulturor”, sikurse është bërë zakon të promovohet ndër ne, por për të nevojitet një njohje e thellë substanciale e postulatit të tij fetar, kombëtar dhe historiko-kulturor njëherësh, ndaj ngritja e një reflektimi intelektual imponues adresuar institucioneve që e kanë për detyrë përkujdesjen për personalitetet e këtij kombi sikurse është At Shtjefën Gjeçovi, me qëllim botimin e veprës së plotë të tij është dhe duhet të jetë detyrë e ngutshme e institucioneve kulturore kryesore të vendit. Ai ka qenë dje, është sot dhe duhet të mbetet për motet që vijnë një referim kulturologjik identitar mjaft domethënës për botën shqiptare./drita.info

Shpëndaje: