Nga Prend Buzhala
Martin Camaj është ndër autorët kryesorë të letrave shqipe. Meqë ai është, në radhë të parë, njeri i letrave, poet, dramaturg dhe romansier, që ka qëmtuar e krijuar në fushë të letërsisë, albanologjisë e folklorit, pa lënë anash dhe shkrimet jo të pakta të fushës së mendimit shoqëror, politik apo kulturologjik; atëherë dhe bota e ideve të tij është e pasur dhe e larmishme. Po e kundrojmë, pra, maksimalisht shkurtazi, botën e tij të gjuhës e për gjuhën, botën letrare dhe botën e ideve në odisejadën që zgjati për një gjysmë shekulli. Dhe nuk është e rastit përse edhe Ismail Kadare e vlerëson Martin Camajn shkrimtar të lartësive. Po e përfytyrojmë një pikturë në triptik që paraqet me të njëjtën përmbajtje tri kulme. Kësaj radhe, figurativisht, po e marrim në kuptimin e kulmit në diskursin e vlerave. Të vlerave të parme gjuhësore, letrare e ideore camjane.
- Bota letrare: letërsia tjetër
Cila na është kjo Letërsi Tjetër?
Camaj u largua nga vendlindja që në moshën 18-vjeçare.
E pra, kësaj Letërsie Tjetër, si ishte kjo e Martin Camajt, po ia shtojmë edhe Letërsinë e krijuar në mërgim, si letërsi të papranueshme për të dy regjimet (komuniste, në Kosovë e në Shqipëri, deri më 1990). Të mos harrojmë: që nga Marin Barleti e këndej, letërsia jonë është krijuar kryesisht në diasporë e në mërgim, për shkak të ndalesave të Fjalës së Shkruar në Atdhe (nga pushtimet e gjata otomane-serbe e më vonë edhe nga diktatura komuniste). E tillë, gjatë kësaj periudhe, ishte LETËRSIA ARBËRESHE, kolonitë shqiptare në orient (Bukuresht, Kajro, Stamboll) e deri në pjesën e dytë të shek XX, letërsi që e krijuan Martin Camaj, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, e autorë të tjerë. Në Botën e Jashtme, tashmë lirshëm (e në integrim të plotë me letërsinë në trojet etnike), zhvillohet edhe Letërsia e Diasporës Shqiptare e ku përfaqësuesi i saj kryesor është pikërisht Martin Camaj.
Por tashmë Rikthimi në Itakë i gjuhës dhe letërsisë së Martin Camajt është bërë, mbasi e ka gjetur, pse jo, edhe Penelopën e saj estetike, tek prirjet e shumë krijuesve të talentuar (sa e sa vepra shkruhen në normën letrare të gegërishtes… sa e sa trajtesa studime monografike botohen për këtë “çështje”). Kësisoj, pas viteve ’90, kur plasën e u bënë copë e grimë ekzorcizmat totalitarë, pushtues e ideologjikë, ishte Letërsia e Camajt ajo që triumfoi mbi to, me proceset e reja letrare, së bashku me motrën e saj të përjetshme, me Demokracinë. Këto procese, sikundër dihet, karshi mësimit të dhunshëm zyrtar të kulturës, të letërsisë dhe të historisë, nxorën në pah një Letërsi Tjetër, dhe, si rrjedhojë, edhe një Kulturë Tjetër e një Histori Tjetër. Krahas Letërsisë së krijuar në burgje a në klandestinitet, është ajo Letërsia Tjetër me frymë qytetarie e shpirtlirie kundruall Letërsisë Oficiele, letërsia sfiduese e krijuesve të guximshëm kundruall normave e kufizimeve tematike (në Kosovë) apo estetike (në Shqipëri) që t’i impononte regjimi. Ishte letërsi e guximit e krijuesve të vendosur e të panënshtruar, e tej-jetesës sonë, e qenies sonë që po përbirohej ngushticave ekzistenciale.
Ndërsa ajo ndryshe te Camaj kishte diçka tjetër: jo vetëm ndryshoren estetike, por edhe ndryshoren gjuhësore e stilistike.
Rikthimi i tij nuk bëhet pa ato trandjet, si tek prozat e tij që e ndërrojnë botën dhe natyrën (shkundullimat e ortekët e borës), trandje e bukur ligjërimore-estetike kjo, si te format moderne të poezisë së tij, apo me shkundullimat meditative-simbolike e parabolike, si te “Dranja”. Duke qenë një intelektual që ndjeki disa universitete e qendra të mëdha kulture, arti e shkence (Beograd, Romë, Mynih), duke qenë në kontakt me rrjedhat e krijimtarisë letrare evropiane e botërore, në veprën e tij letrare i shfrytëzon mjeshtërisht ato rrjedha, procedime të reja letrare, poetikat moderne të artit letrar, ndryshe nga poetika socrealsite në Shqipëri. Ndërkaq, recepitimi letrar jashtë, e vlerësonte Camajn si emër me vlera kulmore (E. Koliqi, Zef Valentini, Dushko Vetmo), kurse vlerësimet e tilla për të erdhën vetëm në vitet ’90.[1] Vepra e tij letrare nxit lexuesit për një lexim të thellë, për të vënë dialog me diskursin e tij poetik, të apsur, dhe për të depërtuar në shtresat e shumta kuptimore, në polisemantikën e thënies letrare. Martin Camaj ka trajtuar çështje thelbore të ekzistencës dhe të esencës së Njeriut Shqiptar të vendlindjes. Nëse në periudhën e viteve 1953-1967 (A.N. berisha e përkufizon si fazë të aprë) ai jepet midis dy prirjesh letrare, të traditës e të modernitetit, në dekadat në vazhdim ai tashmë e ka krijuar dhe formuar personalitetin e tij letrar si VETËDIJHE ARTISTIKE, ndryshe nga letërsitë ballkanike që ende vlonin nga letërsia e tendencës, ose nga praktikat folklorizante, publicistike apo sentimentale.
Historia po zë t’i japë të drejtë gjithnjë e më tepër zërit të tij intelektual prej studiuesi e shkrimtari. Tashmë vepra e tij studimore dhe letrare zë një vend të shquar në letrat shqipe.
Në vitet ’50 Martin Camaj u bë i njohur në Kosovë me botimin e poezive të tij tek revista letrare “Jeta e re” (prej vitit 1951 e deri më 1955). Kështu, te kjo revistë ai botoi poezitë “Drandofiles”[2], “Fëmija i gjetun”[3], “Flaka e pishës”[4], “Gjurmat e mija”[5], “Këcimi”[6], “Kroni”[7], “Lahuta e vjetër”[8], “Mësuesit të ri”[9], “Mokna”[10], “Mullini i ujit”[11], “Rrashta” [12]dhe “Zezakët”[13].
Mbasi dy veprat e para poetike i kishte botuar në Prishtinë që më 1953[14] e 1954[15], dhe, për dy vite rresht, ishin të vetmit libra poetikë të botuar shqip në Kosovë (përpos librave për fëmijë të Mark Krasniqit e Rexhep Hoxhës). Libri poetik “Për ty” i Esad Mekulit, botohet më 1955, vepër që u konsiderua si e para dhe u mburr për pesë dekada me radhë nga studiuesit e letërsisë. Te revista “Jeta e re” ai ka botuar përkthimin e dramës “Të smundët”[16] të Joye Debricini-t, tri poezi të poetit Eros Sekvi[17]. Ndërkaq, nga kritika letrare, për veprat e tij, në “Jeta e re u botua shkrimi i Stathi Kostarit.[18] Që ngërthen një analizë të mirëfilltë letrare për librin poetik “Nji fyell ndër male”. Më emri i martin Camaj, mbas vitit 1955, nuk u duk. Nuk kishte më shkrime për të në Kosovë. Por, edhe kur u arratis në ekzil, vepra e tij letrare lexohej haptas në vitet ’70 e ’80. Komunikonte me lexuesin shqiptar të Kosovës. Por për të kishte hezitim për të shkruar. Tek studiues të letërsisë, si Hasan Mekuli, Vehap Shita, Rexhep Qosja etj, mungonte emri i Camajt. Ndërkaq, vetëm kur vjen gjenerata e dytë e këtyre studiuesve, si Ibrahim Rugova[19] e Agim Vinca[20], Camaj përmendet në librat e tyre të studimeve letrare gjatë viteve ’80, ndërkohë që në shkrimet e tyre përmendet edhe gjatë viteve ’70. Ibrahim Rugova, tek kapitulli “Vlerësime”, jep edhe dy komentime të shkurta për dy përmbledhjet e para poetike të Martin Camajt, ku e vlerëson për tipin e ri të poezisë rustikale (të parin) dhe lirikën intime (e dyta). Kurse Agim Vinca e vlerëson si poetin më të pjekur e më me përvojë të poezisë shqipe në Kosovë në vitet ’50, si dhe mësues të parë të poezisë së Azem Shkrelit e të poetëve tjerë.
Vërtet, në Kosovë kishte liri estetike, por jo dhe liri tematike. Kur në Kosovë, vepra e fundit letrare po botohej në variantin letrar të gegërishtes, ishte romani “Oh” i Anton Pashkut, në ekzil vazhdonte të krijohej e të botohej vepra e Camajt, duke i ruajtur lidhjet e tilla artistike me shkrimtarët e veriut, si Fishta, Mjeda, Shiroka etj, apo me burimet e epikës dhe lirikës popullore.
- Bota e gjuhës
(Ose: gjuha dhe letërsia e mërguar e rikthejnë lirinë e vet në Itakën e letrave shqipe)
“Âsht e domosdoshme qi sot në Shqipní të zhvillohet nji shkollë e re gjuhsore”, shkruante Martin Camaj në kumtesën e tij “Mërgimi i gjuhës”, të cilën e mbajti në Universitetin e Salerno-s më 2 dhjetor 1991. Gjuhën kombëtare, si u emërtua më 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit, Camaj e konsideronte atë si ndërhyrje politike dhe gjuhë artificiale. Për letërsinë dhe gjuhën, në Shqipëri, përreth gjysmëshekulli, ka vendosur politika. Dhe kur këndvështron prozën e letërsisë së realizmit socialist, në kumtesën e tij “Rreth prozës së sotshme në Shqipni”, të shkruar në mërim, që në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore, Camaj thekson se stili është i rrafshët, gazetaresk, duke theksuar:
“Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy motra të mira, pa ia pré rrugën njana tjetrës, kanë me vijue ma me fryt të gjejnë pikat e përbashkëta, si mbas nji zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet po qe se dëshirojmë qe novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e nji stili të kullutë artistik.”
E pra, dikah do të ketë mërguar kjo gjuhë camjane… mbasi nuk iu la vend në Atdhe. Por ajo brodhi e brodhi nëpër botë, nëpër qytetërime të ndryshme, nëpër regjione, arte, kultura e letërsi të ndryshme ligjërimore… si mbi një kalë balade; gjeti strehim në letrat e shkrimtarëve shqiptarë të diasporës e në shkrimet e autorëve të mërguar. Mërgoi për aq e aq dekada, edhe letërsia shqipe… Dhe pikërisht në punë të gjuhës e të stilit letrar, Camaj na shfaqe personalitet i fuqishëm. Edhe kur vepra e tij ngjiz një poetikë të ndërliqshme moderne, ai nuk i reshtet teksteve të ndërliqshme hipotaktike të ligjërimit gegë, ku tekstorja, ashtu si thotë Roland Barthes te shkrimi i tij “Teoria e tesktit: “është një armë kundër kohës, harresës, dhe kundër kurtheve të fjalës, që aq lehtë rimëkëmbet, ndryshon…” Në këtë hulli, nuk janë të rastit, prandaj, interesimet e tij studimore për Buzukun apo Bogdanin, për historinë e gjuhës apo për Gramatikën e shqipes, mbi të cilat burime e tradita ai e strukturon veprën e tij letrare. Dhe, po ia shtojmë këtij përkushtimi edhe dy kryevepra tjera të tij, jetësore e studimore, sikundër janë themelimi i katedrës së albanologjisë në Mynih të Gjermanisë, të cilën e drejtoi për 30 vjet me radhë, si dhe doktoratura e tij mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut më 1960 në Universitetin e Romës.
Kurse në vitet ’90 ai erdhi heshturazi, me gjuhën e tij të përpunuar në variantin e gegërishtes. Erdhi me thesarin e papërsëritshëm të ngjyrimeve stilistike e ideo-emocionale, në përputhje me funksionet e qëllimet ekspresive të artit letrar. Letërsia e tij vinte me thyerjet e normës drejtshkrimore, shkundullese për kohën.
Ekziston një LICENTIA POETICA në letërsitë e mëdha botërore, për sa i përket përdorimit të të folmeve, dialekteve, varianteve letrare. Gjuha artistike thyen norma… Nëse gjuha letrare shërben për komunikim “zyrtar” e për nevoja praktike zyrtare, atëherë, gjithsesi, që ekziston dhe “një gjuhë tjetër” për nevoja të tjera: për shprehje të përjetimit estetik. Camaj na dëshmonte se ekziston një thesar i përbaltur i kësaj gjuhe. Gjuha, në “funksionin e saj të dytë”, pra, është ligjërim TJETËR, është instrument i shprehjes lirike. Është thënë sa e sa herë: filologët, linguistët, gramatologët, etimologët, leksikologët etj merren me funksionin praktik të gjuhës, kurse shkrimtarët merren me “funksionin tjetër” të gjuhës, me atë artistik, të intuitës krijuese; me poetikën e fjalës në tekst, me prirjen për t’i dhënë kuptime të reja, figurative, metaforike, fjalës, në veçanti dhe tekstit artistik, në përgjithësi. Nuk është e habitshme, prandaj, përse shkrimtarët përdorin formime të reja fjalësh, fjalëshprehjesh, morfo-fonemash stilistike; madje një tekst të tërë (a vëllim të tërë) e shkruajnë qoftë edhe në një të folme a në një dialekt tjetër, sepse ashtu i ligjëron LICENTIA POETICA e tij.
Martin Camaj e ktheu në atdhe këtë liri të gjuhës në letrat shqipe. Kjo liri, në fillim si me drojë, më vonë gjithnjë e më shumë, erdhi duke pushtuar hapësira të reja të shprehjes e të përdorimit funksional. Nëse shkrimtarët përdorin, bie fjala, gegërishten, trajtat gege; ata e shquajnë ashtu, hirin poetik të saj, frazeologjizmat që nuk mund “të përkthehen” në gjuhë standarde, siç janë të shumta ato në letërsinë e Martin Camajt; përdorin nuancime të shprehjes, për të paraqitur gjendje, disponime e situata shpirtërore “të pakapshme” nga standardishtja, përdorin aso thurjesh (ndër)tekstore, në të cilat veçoritë “akustike” apo fonostilematike, janë krejtësisht adekuate me strukturën poetike. Vijnë shtresa e nivele të tjera rrjedhash asociative të nënvetëdijes a ndërdijes, vijnë sekuenca fjalësh a frazash që nxisin provokime e sfida kuptimore, tekste që sjellin freski semiologjike e semantike, të papërjetuara më parë… Dhe shembujt e tillë, i kemi si nga tradita (“Lahuta e Malcis” e Fishtës apo poezia e Mjedës nuk mund “të përkthehen” në gjuhën letrare); ashtu sikundër shembuj të kësaj tradite kemi nga autorë të Kosovës nga Anton Pashku e deri te autorë të shumtë shkodranë e te jo pak autorë të Kosovës.
Me një fjalë, martin Camaj, kësisoj, e zgjeron dhe i hap mundësi të reja të shprehjes, prodhon energji të reja krijuese të fjalës deri në shkallë teksti.
Martin Camaj e ka këtë meritë të kohëve moderne: hapi shtigjet për letrat shqipe, sidomos për
shkrimtarët që a kenë PIKËSYNIM përhapjen e risive gjuhësore, zgjerimin e kufijve të shprehjes dhe pushtimin e hapësirave të panjohura shprehëse…
- Atdheu dhe Bota
(Receptimi shqiptar dhe receptimi evropian i veprës së Camajt)
E dëgjojmë dhe e lexojmë shpesh e shpesh formulën: “Martin Camaj e mori Atdheun më vete.”
Camaj bart Atdheun e Vendlindjes e tij nëpër Botë dhe ia shpalon Botës. Në këtë shpalosje ai asnjëherë nuk e humb ndjeshmërinë për rrënjët e tij, duke marrë e dhënë në këtë ndërkomunikim interkulturor, apo duke i çuar së andejmi “tropizmat kulturore”, sikundër thuhet.
Secila vepër e tij është shenjë e memories së atdheut, kurse rrethet e reja kulturore, letrare e shkencore a shpirtërore, apo kundruall vlerave universale e kulturash të ndryshme, ai nuk ishte Njeriu i Izoluar e i mbyllur në lëvozhgën e një qielli që mezi shihej nga shkëmbinjtë, ashtu sikundër i përshkruan te proza e tij.
Vepra e madhe e tij filloi të receptohet e plotë vetëm pas viteve ’90. Kësisoj, e para shtëpi botuese “Buzuku” e Prishtinës (që e drejton Abdullah Zeneli), shtëpi e krijuar jashtë regjimit komunist e jashtë regjimit pushtues, e npara, që më 1990, botoi disa vepra të Camaj[21]. Më vonë erdhën botuesi shkodran prof Hasan Lekaj, si dhe shtëpia botuese “Apollonia”, për të arritur deri te botimi i kompletit të veprave të tij nga “Onufri”. Rikthehet edhe një interesim serioz i studimeve camjane, me anë studimesh të mirëfillta monografike: përpos Anton N. Berishës (studimi i tij monografik u botua katër herë), erdhën të tjerat nga Koçi Petriti[22], Behar Gjoka[23], Ymer Çiraku[24], Shaban Sinani[25], Primo Shllaku[26], Xhavit Beqiri[27], Alma Hafizi[28] etj, kurse vepra e tij letrare u mor për lëndë studimi e trajtimi nga shumë magjistrantë e doktorantë të shkencave albanologjike e letrare, si Yrjet Berisha: “Proza e Camajt”, Aida URUÇI: “Prirje fjalëformuese e ngjyresa ligjërimore në krijimtarinë e shkrimtarit Martin Camaj”, apo në kuadër të studimeve sintetike si Dr. Blerina Suta, apo Donika Dabishevci-Jetullahu: “Veçoritë e prozës poetike shqipe” (Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mihal Hanxhari), Gëzim Puka: “Elemente moderne dhe postmoderne në dramën shqipe bashkëkohore” etj.
Do përmendur dhe numra të veçantë revistash letrare a VËLLIME TË VEÇANTA studimore që i kushtohen Camajt, si “Jeta e re” nr në përgatitje të Anton Nikë Berishës, apo i Bardhyl Demirajt.[29], apo dhe konferenca të posaçme shkencore, si ato në Tiranë, Prishtinë, Myhih etj. Ndër autorë që kanë dhënë vlerësime meritore, janë Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Kujtim Rrahmani, Vehbi Miftari, Nysret Krasniqi, Basri Çapriqi, Ndue Ukaj etj në Kosovë, apo Ismail Kadare, Aurel Plasari, Kolec Topalli, David Luka, Tomor Osmani, Bardhyl Demiraj, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Ardian Klosi, Stfan Çapaliku, Alfred Çapaliku, Gjergj Zheji, Mexhid Prençi, Agron Tufa, Luan Topçiu, Ndue Deda, Kastriot Marku, Ardian Marashi, Ardian Ndreca, Lisandri Kola, Arben Prendi, Agim Xh. Deshnica, Admirina Peçi, Alda Bardhyli, Dhurata Shehri etj, apo studiues të njohur evropianë ose studiues të shquar shqiptarë që kanë jetuar në mërgim, si Arshi Pipa, Prof. Dr. Matteo Mandalà, Robert Elsie, Hans-Joachim Lanksch, Gjekё Gjonlekaj etj.
Vepra e tij është e përkthyer dhe e botuar në vëllime të veçanta, edhe në Gjermani nga përkthyes gjermanë (Lanksh, nga vetë autori etj), si “Weissgefiedert wie ein Rabe : Gedichte Albanisch-Deutsch – Me pendlat e korbit të bardhë : Poezi shqip-gjermanisht”, kurse në anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. Meqë vetë ishte albanolog ndër më të njohurit, ai ka botuar në gjuhë të tjera edhe studimet e tij:
- Il Messale di Gjon Buzuku – Rom 1961
- Albanische Wortbildung. Die Bildungsweise der älteren Nomina – Wiesbaden 1966
- Lehrbuch der albanischen Sprache – Wiesbaden 1969
- La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino – Florenz 1971
- Racconti popolari di Greci (Katundi) in provincia di Avellino e di Barile (Barili) in provincia di Potenza – Rom 1972
- Albanische Märchen – Köln-Düsseldorf 1974
- Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza – München 1977
- Cuneus Prophetarum a Petro Bogdano – München 1977
- Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries – Wiesbaden 1984
- La parlata arbëreshedi San Costantino Albanese in provincia di Potenza – Rende 1991
- Zur Topographie und Geschichte der Landschaft Himara in Südalbanien. – München 1991.
Camaj, duke i ndjerë menjëherë prangat e ngushtësisë ideologjike, jepet në kërkim të lirisë së tij krijuese, individuale e intelektuale. Dhe në këtë shtegtim pasionant letrar e dituror, ai do të ketë takuar dijetarë, shkrimtarë, filozofë, linguistë, kozmopolitë, diplomatë etj etj, ashtu sikundër do të ketë takuar dhe njerëz të thjeshtë, apo lokalistë të papërmirësueshëm.
Prandaj, Ai Fjalën Shqipe të Vendlindjes, e vesh me mjeshtërinë e artit letrar botëror.
Ai nuk e pranon mendësinë e Prapambeturisë së Vendlindjes së tij, pikërisht për faktin se Përvojat e tij Krijuese e Intelektuale, i fisnikëron me burimet e fjalës shqipe.
Ai ringjall parabolat artistike të legjendave e të mitologjisë shqiptare, ndërthur ne shpreh imazhe të ndryshme mitike e reale të jetës sonë; ndjesi, vlime e shqetësime shpirtërore të vetat.
Ai vë para nesh një botë arkaike të shprehjes, mendësisë dhe gjallimit, por ai kësisoj e shquan pafundësinë e kohës dhe të hapësirës, ashtu sikundër na e vë në pah dramën dhe tragjiken e njeriut.
Ai i thur himne traditës, për shkak se atë e personifikon me rezistencën kundër totalitarizmit e shprishjes.
Ai, edhe kur shkruan prozë, nuk reshtet nga diskursi lirik, nga kodet e fshehta të gjuhës poetike, kurse rrëfimi i tij merr përmasa poetike nga qenësia estetike e lirikës, sikundër janë romanet Djella, Rrathë dhe Karpa, apo sikundër janë Dranja dhe novelat e tij.
Duke u gjendur në dy botë: në atë të memories së vendlindjes dhe në atë të gjallimit në botzën kozmopolite, nuk është e habitshme përse personazhi i Bardhit te romani Djella, personifikon i intelektualin e këtyre dy realiteteve.
Dhe, për ta ruajtur të paprekur këtë virgjëri burimore tematike nga Vendlindja e tij, të paprekur nga Ideologjia totalitare në Vendlindje, të paprekur edhe nga kozmopolitizmi botëror, nuk është e habitshme përse protagonistët e novelave, romaneve dhe dramave të tij, janë individualistë vetmitarë, pothuajse ekstremë, vetëm e vetëm për ta ruajtur të pashprishur botën e shpirtit të tyre. Porse kjo nuk ndodh, bie fjala, te romani Rrathë, ku shprishja ndodh në mënyrë dramatike nën rrathët e totalitarizmit.
Prandaj, ka kaq shumë bjeshkë, lisa, dritë alpesh e shtigjesh të rrezikshme nëpër këto krijime, me ortekë bore, me kroje e ujëra që shembin dheun; ashtu sikundër këta protagonistë janë edhe në shoqëri të lumenjve si Drini Rozafa, apo në shoqëri me shqiponjën, breshkën, gjarprin, qyqen a korbin; në shoqëri me ujkun, buallin. Te zhanret e tij ka palismpsest, po ka edhe kanun. Ka njerëz tmerrësisht vetmitarë…
Aq sa ishte këmbëngulës, ishte dhe mendjehapur, tolerant. Nuk është e habitshme, prandaj, përse tek shkrimet e tij letrare a kulturologjike, nuk gjen pezmin fishtian tipik ballkanik kundër fqinjëve, por gjen një thesar tjetër urtie, alegorie, simbolike, formulësimesh gjuhësore e shpirtësie.
Ai, nga cepi i ngushtë i Vendlindjes së tij, të Temalit, me pasionin e kërkimit të lirisë së tij, po ndërmerrte shtegtime udhëtime për të marrë frymë në sa më shumë horizonte sa më të gjera europerëndimore, vetëm e vetëm për t’i realizuar pikësynimet e tij letrare, shkencore e diturore./drita.info
———————————
[1] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt, boti “Radhonjtë e Zjarrit” 18, Kozencë, 1994.
[2] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. 3, f. 183
[3] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1954, nr. 4, f. 282.
[4] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1954, nr. 1, f. 18.
[5] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. 5, f. 324.
[6] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr., zgjedhje nga përmbledhja “Nji fyell ndër male” (në dorëshkrim). 1952, 4, f. 264.
[7] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1952, nr. 3. ff. 174-175.
[8] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1954, nr. 4, f. 283.
[9] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1951, nr. 5, f. 339.
[10] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. 1, ff. 34-35.
[11] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1951, nr. 6, f. 427.
[12] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. F. 124.
[13] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1955, nr. 1-2, f. 16.
[14] Martin Camaj, Nji fyell ndër male, poezi, botoi “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1953.
[15] Martin Camaj, Kanga e vërrinit, poezi, botoi “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1954.
[16] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. 2, 1956.
[17] Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1955, nr. 3.
[18] Stathi Kostari: Martin Camaj: “Nji fyell ndër male”, Jeta e re, revistë letrare, Prishtinë, 1953, nr. 5, ff. 380-386.
[19] Ibrahim Rugova: Strategjia e kuptimit, botoi Redaksia e botimeve Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 228-229 dhe 274.
[20] Dr. Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980), , botoi Redaksia e botimeve Rilindja”, Prishtinë, 1985, ff . 62, 245, 260.
[21] Martin Camaj, Pishtarët e natës, novela, Buzuku, Prishtinë 1991.
[22] Koçi Petriti, Në poetikën e Martin Camajt, bot. i aut., Tiranë, 1997.
[23] Behar Gjoka,, Martin Camaj, shkrimtaria e tij”, Ombra GVG, Tiranë, 2010.
[24] Bota poetike e Martin Camajt, Albas, Tiranë, 2003.
[25] Shaban Sinani, –“ Camaj i paskajuar: Rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt”, Tiranë 2011.
[26] Primo Shllaku, Një Uliks qe s’mbërriti kurrë në Itakë (Martin Camaj), Shtëpia botuese: At Gjergj Fishta, 2006
[27] Xhavit Beqiri: “Stili dhe gjuha e Martin Camajt”, botoi AIKD, Prishtinë 2007.
[28] Alma Hafizi: “Letërsia e kufijve : përqasja Magris-Camaj”, Shkodër : Botimet “Camaj-Pipa”, 2008.
[29] Wir sind die Deinen: Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925-1992) gewidmet , Otto Harrassowitz Verlag, 2010 – History – 598 pages.
Kurse botimi elektronik, te web faqja: http://www.harrassowitz-verlag.de/dzo/artikel/201/84_201.pdf?t=1276618373