FILM/Russell Crowe do të luajë Atë Gabriele Amorth, ekzorcistin më të famshëm në botë

Ylli i Hollywood-it Russell Crowe do të luajë ekzorcistin më të famshëm në botë, Atë Gabriele Amorth, shkruan portali kroat bitno.net.

Sipas Hollywood Reporter, filmi do të quhet Ekzorcisti i Papës dhe do të drejtohet nga regjisori australian Julius Avery, xhirimet e të cilit do të nisin në shtator të këtij viti në Irlandë.

“Të punoja me Russell ishte një nga qëllimet e mia,” tha Avery në një deklaratë. “Të punosh me të në Ekzorcistin e Papës, do të jetë për mua një ëndërr e realizuar.”

Sipas njoftimeve, filmi për nga zhanri duhet të jetë një thriller i mbinatyrshëm dhe xhirimet e para do të bëhen në shtator në Irlandë.

Russell Crowe, i cili në vitin 2000 fitoi çmimin Oscar për rolin e tij kryesor në filmin Gladiator, ka luajtur edhe më parë në filma me tema fetare. Kështu, në vitin 2014, ai luaji personazhin e famshëm biblike Noehu/Noa, i cili pati jehonë të madhe në kinematografinë botërore.

Kush është Ati Amorth?

Atë Gabriele Amorth ishte ekzorcisti zyrtar i Dioqezës së Romës, kurse shumë e quanin ekzorcist i Vatikanit. Vdiq në vitin 2016 në moshën 91-vjeçare, gjatë së cilës kreu dhjetëra mijëra ekzorcizma. Për përvojat e tij si ekzorcist ai botoi disa libra, disa prej të cilëve u përdorën për skenarin e filmit të ardhshëm të Hollyvood-it.

Meqë ra fjala, ky nuk është magjepsja e parë e industrisë së filmit me “ekzorcistin e Vatikanit”.

Në një kohë, William Friedkin, regjisori i një prej filmave horror më të mirë dhe më të frikshëm të të gjitha kohërave (The Exorcist), xhiroi një dokumentar me pamjet e një rituali të vërtetë ekzorcizmi të kryer nga Atë Amorth.

Friedkin shkroi një artikull të gjerë për të gjithë ngjarjen për revistën Vanity Fair, duke zbuluar se ai ua tregoi videon origjinale të ekzorcizmit dy neurologëve kryesorë nga Kalifornia dhe një ekipi psikiatërsh në Nju Jork, por askush nuk ishte në gjendje t’i ofronte atij një shpjegim të arsyeshëm për atë që shihnin./drita.info

 

Burimi: www.bitno.net

Përkthimi: Revista “Drita”

Shpëndaje: