Pjetër BOGDANI, argjipeshkëv i Shkupit ( 1677 – 1689 )

Nga Don Frok Zefi

 

Pjetër Bogdani, nipi i argjipeshkvit Andre Bogdani, ka lindur në vendin e quajtur Guri i Hasit, në ish – Sanxhakun e Dukagjinit, në dioqezën e Prizrenit, siç e shkruan vetë Pjetri në veprën e tij. Sipas mendimit të disave ky vend,  sot mendohet të jetë fshati Zym, përkatësisht vendi që ndryshe quhet Zhur. Si vite të lindjes së tij ceket viti 1623, si dhe viti 1625. [1]

 

Pjetë Bogdani u dërgua në kolegjin ilir, në Loreto, nga kardinali Pallotto, bashkëkujdestar i kolegjit, dhe u soll në Loreto nga argjipeshkvi i Ohrit, xhaxhai i tij Andrea Bogdani, më 20 mars të vitit 1648, në vendin e zënë më parë nga Kristofor Kukumariq. Për shkak se kishte dyshime nëse Pjetri mund ta zinte atë vend, i  dërguan letër  kardinalit bashkëkujdestar  dhe ai u përgjigj se që më parë, (derisa emërohej argjipeshkvi i Ohrit), ai vend quhej Shkup dhe Prizren. Si Shkupi ashtu edhe Prizreni ndodhen në provincën e Ohrit, e cila përfshin Misinë e Epërme dhe Maqedoninë, të cilat drejtoheshin (udhëhiqeshin) nga argjipeshkvi i Tivarit. Në rastin kur ipeshkvia e Ohrit ka argjipeshkvin, ajo ka të drejtë të dërgoj fëmijë kujdestar (fëmijë për t’u edukuar)  nga vendet që ishin nën juridiksionin e saj, prandaj, Pjetri do të duhej të pranohej në fakultet.

Përkatësisht, Prizreni i mori në kolegj ato vende ku merrnin pjesë kandidatë të cilët supozohej se do të mbështeteshin nga Shtëpia e Shenjtë (Shenjtërorja e Nënës së Zotit) në Loreto, por në fakt ajo nuk i mbështeti, edhe pse kjo ishte paraparë me dem (vulë) papnor. Të gjitha dyshimet u qartësuan nga bashkëkujdestari, kardinali Pallotto, përmes një letre, një kopje të së cilës Pjetër Bogdani ia solli kolegjit së bashku me një kopje të letrës së argjipeshkvit të Ohrit, me të cilën argjipeshkvi Andrea e emëronte atë si ‘mbrojtës’ (në edukim) në kolegj. Nga Loreto, Pjetri shkoi në Romë, ku edhe u pranua në kolegjin Urban, çka  e nderoi shumë atë. Ai sillej gjithmonë shumë mirë në kolegj, dhe më 17 maj të vitit 1651, u nis për në atdhe.[2]

Pjetër Bogani u transferua për në kolegjin Urban, nga kolegji ilirik i Loretos. Me rastin e kthimit  në vendlindje në vitin 1651, ai e lutë Kongregatën që t’i jepte librat e nevojshëm nga shtypshkronja e kolegjit Urban. Mes të tjerash, në kërkesën e tij Pjetri thoshte se, në argjipeshkvinë e Shkupit  nuk kishte libra të tjerë përveç atyre që ishin sjell nga Italia. Prandaj ai kërkonte dhe  lutej, që t’i jepeshin librat që do t’i duheshin ndërsa do të shërbente si prift, të cilat ishin: pesë katekizma në gjuhën shqipe, katër fjalor shqip, dy fjalor turqisht, nga një abetare në turqisht dhe në arabisht, një abetare në greqisht, pesë gramatika kroate, dy kopje të librit Lavdia e Kryqit, si dhe dy kopje të librit Mbrojtja e besimit krishterë.[3]

 

  1. Argjipeshkëv i Shkodrës

 Në vitin 1656, pas vdekjes së argjipeshkvit të Shkodrës Grgur Frasini(t), Bogdani emërohet pasardhës i tij, dhe më tej i besohet edhe administrimi i argjipeshkvisë së Tivarit. Argjipeshkvinë e Shkodrës e drejtoi për plot 21 vjet, dhe në kushte shumë të vështira.[4]

 

  1. Argjipeshkëv i Shkupit

Në një lutje drejtuar Kongregatës për Përhapjen e Fesë, më 1 tetor të vitit 1676, ipeshkvi i Shkodrës, Pjetër Bogdani thotë se me mirësinë e Zotit dhe me hirin e Kongregatës për Përhapjen e Fesë, ai u emërua ipeshkëv i Shkodrës, kështu që u përpoq t’i shërbente Zotit me zell, të ruante e të mbante gjallë fenë (besimin) në mesin e atyre pak katolikëve të mbetur, të besuar nën kujdesin e tij baritor, si dhe të kthente në besimin katolik një mori jobesimtarësh, që ishin të shpërndarë nëpër kodrat e thepisura atje.

Dhe pikërisht për shkak të gjithë përpjekjeve të tij, ai qe ekspozua shkatërrimit të dukshëm të barbarëve. Në njëzet vitet e shërbimit të tij ipeshkvnor, ai nuk mungoi, le të themi, në asnjë prej detyrave të tij ipeshkvnore në qytetin e Shkodrës, ku paraardhësit e tij nuk ishin lejuar  të shkonin për një kohë të gjatë. Krahas gjithë vështirësive, vuajtjeve nëpër burgje dhe torturave që përjetoi, ai qe detyruar t’u paguante turqve edhe një taksë të majme vetëm e vetëm që të mos e largonin, përndryshe do të detyrohej ta braktiste kopenë e besuar.

Mirëpo, kur u detyrua të largohej për t’i shpëtuar urrejtjes së turqve, u strehua në kodrat e lira pranë kelmendasve kokëfortë, pranë kastratëve, si dhe në fshatin Rioli, ku edhe ndërtoi një kishëz  dhe një shtëpi. Edhe pse kisha dhe shtëpia ishin të vogla, suksesi ishte i madh. Pikërisht në atë shkretëtirë ku njerëzit nuk kujtonin më as meshtarin dhe as ipeshkvin, rreth 500 myslimanë dhe skizmatikë u kthyen në fenë katolike, ndërsa Kongregata nisi të mbështeste dy misionarët që ishin atje, puna e të cilëve po rezultonte me shumë sukses.

Duke qenë se nuk mund të bënin asgjë për t’i dëmtuar katolikët e rinj sipër në kodrina, turqit vendosën ta dënonin për vdekje ipeshkvin Pjetër Bogdani. Ata kishin  premtuar një shpërblim të madh për atë që do t’ia priste kokën. Kjo ishte edhe arsyeja se përse atij i duhej të lëvizte nëpër dioqezë kryesisht gjatë natës. E burgosën tre herë, e torturuan deri në vdekje një herë, e pastaj për gjithë këto e dëmshpërblyen me para.

Gjatë vizitave të ipeshkvit në dioqezë, kalin ia vodhën tetë herë. Më në fund, më 30 qershor të vitit 1676, ndërsa ai ishte në rrugë, të fshehur mes shkurreve aty pranë, mbi ipeshkvin Pjetër qëlluan me plumba nga dy pushkë të ndryshme. Me plumbin e parë vranë priftin, Dom Lukë Kabashin, që e shoqëronte ipeshkvin. Zoti deshi që Pjetri të shpëtonte për mrekulli. Duke qenë se nuk po duronte dot më dhe kishte frikë se kjo mund të çonte në pasoja akoma më të rënda, madje edhe në vrasje, iu kujtuan fjalët e Krishtit: “Nëse ju përndjekin në një qytet, ikni në tjetrin.” (Mt. 10, 23).

Nga ana tjetër, Imzot Andrea Bogdani, xhaxhai i Pjetrit, ashtu siç e njoftoi edhe vetë kongregata, ishte i moshuar dhe tani madje edhe i sëmurë. Kështu që, kërkoi nga Kongragata që t’i pranonte falënderimet e tij dhe të emëronte në vend të tij, si argjipeshkëv të Shkupit dhe administrator të të gjithë Serbisë (që deri atëherë ishte vetë Andrea Bogdani), nipin e tij Pjetrin, ipeshkvin aktual të Shkodrës.

Më konkretisht shkruhej, “duke shfrytëzuar të drejtën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, Kongregata le të emëroj si ipeshkëv të Shkodrës atë i cili i duket më i miri dhe që i pëlqen, me kusht që të jetë më i mirë se Pjetri.”[5]

Andrea Zmajeviq, argjipeshkvi i Tivarit, më 2 nëntor të vitit 1676, i shkroi Kongregatës sesi ipeshkvi i Shkodrës, Pjetër Bogdani e kishte njoftuar dhe lutur papën dhe Kongregatën që të pranonin falënderimet e tij për dioqezën e Shkodrës, dhe se ai nga ana e tij propozonte Dom Dominik Bubiç(in), i cili fliste gjuhën kroate dhe atë shqipe.[6]

Ndërsa, priftërinjtë nga Shqipëria kërkuan nga Kongregata që për ipeshkëv të Shkodrës të emërohej një shqiptar, dhe me këtë rast propozuan shtatë kandidatë.[7] Kongregata kërkoi nga argjipeshkvi i Tivarit, Andrea Zmajeviç(i), që me një letër të cekte cilësitë e ipeshkvit të Shkodrës Pjetër Bogdanit, me rastin e emërimit të tij si argjipeshkëv i Shkupit.

Argjipeshkvi Zmajeviq, më 16 mars të vitit 1677, shkroi nga Budva se kishte marrë një urdhër nga Kongregata, më datë 29 janar të vitit 1677, që  i besonte atij detyrën që ta informonte për cilësitë e Imzot Bogdanit, ipeshkëv i Shkodrës, dhe të përgjigjej nëse kjo do të ishte mirë, pra, nëse do të pranoheshin falënderimet e argjipeshkvit të Shkupit, Andre Bogdanit në favor të ipeshkvit të Shkodrës, Pjetër Bogdanit, nipit të tij.

“Imzot Pjetër Bogdani, ipeshkëv i Shkodrës,” thotë Zmajeviq, “lindi në Serbi, në Prizren, në atdheun e perandorit Justinian. Tani është rreth 55 vjeç, ka një fizik shumë të mirë dhe një pamje dinjitoze. Në rininë e tij studioi në Loreto dhe më vonë shërbeu si mësues (mësimdhënës) në Kongregatën për Përhapjen e Fesë, ku u diplomua për filozofi dhe teologji. Ai flet shumë mirë jo vetëm gjuhën kroate, por edhe atë shqipe dhe turke. Është një nga më të virtytshmit dhe më të diturit në çështjet e kishës midis gjithë kandidatëve të tjerë. Është një predikues i talentuar, dhe në këtë drejtim, ka punuar me dëshirë. Ai i njeh shumë mirë kushtet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Serbinë. Gjatë 22 apo 23 viteve, sa ishte ipeshkëv i Shkodrës, Pjetër Bogdani, pati shumë suksese në ipeshkvinë e tij, megjithëse pati edhe disa keqkuptime me njerëz pak më të ndritur se zakonisht nga paria e thjeshtë, si dhe me ipeshkvin e Lezhës, fqinjin e tij, që shihte interesin e vet. Ai ka duruar keqtrajtime të tmerrshme jo vetëm nga turqit, por edhe nga Dom Pjetër Trumpsi, vikari i tij i përgjithshëm, i cili edhe tani e kërcënon me forcën e autoriteteve turke për shkak të mbështetjes që mori nga Kongregata, mbështetje që iu hoq sepse ishte përcaktuar se ai nuk e meritonte. Ipeshkvi Pjetër ishte gjithmonë në zë të mirë, ndonëse i lartpërmenduri, Dom Pjetër Trumpsi, e përgojoi disa herë, sidomos kur ia hoqi pushtetin dhe nderin e vikarit të përgjithshëm dhe misionin. Duke qenë se argjipeshkëv Pjetri është prelat i respektuar në ato krahina, për shkak të cilësive të përmendura më sipër, për shkak të meritave të tij për kishën dhe për shkak të keqtrajtimeve që ka pësuar, le të emërohet argjipeshkëv i Shkupit, sepse asaj ipeshkvie i duhet, pra i nevojitet një prelat i aftë. Përveç kësaj, Kongregata do të shmang sikletin duke i dhënë një ipeshkëv ndihmës, pra një bashkëpunëtor me argjipeshkvin, sepse ai do të kujdeset për xhaxhain e tij deri në vdekje, vepër që askush tjetër nuk do ta bënte. Prandaj argjipeshkvi Zmajeviq mendon se do të ishte mirë që, falënderimet e argjipeshkvit Andre, të pranoheshin në favor të Pjetrit. Argjipeshkvit të ri të Shkupit, Pjetrit, si prelat i aftë, le t’i jepet edhe administrimi i argjipeshkvisë së Ohrit, me të cilën ai është më afër, meqë Kongregata nuk ka ndërmend të emëroj argjipeshkëv të ri për atë argjipeshkvi. Ky emërim i ri nuk do të ishte i nevojshëm, pasi ka shumë pak besimtar katolik në argjipeshkvinë e Ohrit, gjë që Zmajeviq tashmë ia ka shpjeguar  Kongregatës për Përhapjen e Fesë në një letër të mëhershme.”[8]

Pjetër Bogdani u emërua argjipeshkëv i Shkupit, më 8 nëntor të vitit 1677.[9] Priftërinjtë e argjipeshkvisë së Shkupit, Dom Juraj Toliç de Nigris, Dom Vinko Mateviç (mësues dhe misionar në Janjevë), Dom Tomo Raspasanoviç (misionar), dhe Dom Petar Karagiç (famullitar në Novobrdë), më 10 dhjetor të vitit 1678, në Shkup, shkruan një çertifikatë, përmes së cilës dëshmonin se  më 2 shkurt të vitit 1678, argjipeshkvi i Shkupit, Pjetër Bogdani, mori edhe zyrtarisht nën zotërim argjipeshkvinë e Shkupit. Në atë çertifikatë (dëshmi), meshtarët e lartpërmendur thonë se argjipeshkvi i tyre i zgjedhur, Pjetër Bogdani, arriti në argjipeshkvinë e Shkupit, në ditën e fundit të shtatorit të vitit 1677. Ai erdhi në argjipeshkvi, i sëmurë dhe në një kohë, kur nuk dihej ende me siguri nëse ishte  emëruar dhe konfirmuar si argjipeshkëv i Shkupit. Kjo mund të hamendësohej vetëm nga letra e argjipeshkvit të Tivarit, i cili për të mos e zbuluar turqit, njoftoi fshehurazi dhe me ironi për konfirmimin e emërimit të dhënë nga papa. Në bazë të atij njoftimi, argjipeshkvi i ri u largua nga Shkodra për t’ju shmangur persekutimit turk. Nuk dëshironte të zbulonte emërimin e tij dhe konfirmimin e dhënë nga papa, derisa të informohej në mënyrë specifike. Më në fund, pasi u shërua nga sëmundja, më 2 shkurt të vitit 1678, mori zyrtarisht nën zotërim  argjipeshkvinë e Shkupit, duke mbajtur një meshë solemne në Shkup, por pa shkopin dhe sandalet e  ipeshkvit. [10]

 

  1. Vdekja dhe varrimi i argjipeshkvit Pjetër Bogdani

Në fund, kur erdhi në këto anë “ushtria perandorake fitimtare”, ai personalisht shkoi ta takonte atë ushtri për të frenuar dhunën e saj, që të mos dëmtonte e të vriste katolikët. Dhe për fat të mirë ia doli. Më pas u tërhoq në Prizren, në vendlindjen e tij, për të pushuar atje në shoqërinë e gjeneral Pikolominit. Megjithatë, gjenerali u sëmur nga murtaja dhe u shtri në shtrat. Ndërsa i jepte (ndante) gjeneralit sakramentet e të vdekurit, edhe argjipeshkvi u sëmur nga murtaja. Për shkak të sëmundjes së tij, afërsisë së armikut turk dhe trazirave të shkaktuara nga vdekja e gjeneralit, komandantët e luftës e këshilluan argjipeshkvin të tërhiqet në Prishtinë, vend ky më i sigurt ku do të ishte më lehtë për të gjetur mjekë gjermanë. Kur argjipeshkvi arriti në Prishtinë, e pritën me shumë dashuri të gjithë personalitetet ushtarake. Aty, ditën e pestë pas arritjes, më 6 dhjetor të viti 1689, në orët e mëngjesit,  i pajisur me sakramentet e të vdekurit dhe u shfajësua (i rrëfyer) nga jezuiti Franjo Xaver Coffler, ia dorëzoi shpirtin Zotit. I përcjell nga pjesa dërmuese (më e madhe) e priftërinjve të tij, trupi i argjipeshkvit u varros në xhaminë perandorake në Prishtinë, shndërruar (e kthyer) në kishën e Shën Françesk Ksavierit, në anën e djathtë, pranë altarit kryesor, u varros me nderime dhe pikëllim të madh. Priftërinjtë dhe besimtarët ishin tepër pikëlluar për humbjen e një bariu aq të zellshëm. Dhe e gjithë ushtria perandorake bashkë ndjeu dhimbjen me të gjithë për shkak të asaj humbjeje. Ky prelat i mirë la pas një vepër të madhe me shembullin e jetës së tij, por edhe me botimin e librit të tij të rëndësishëm, të shtypur në Padova shumë vite më parë.[11]

Pas dështimit të ushtrisë austriake dhe tërheqjes së saj, myslimanët kryen një krim të tmerrshëm. Don Gjergj Bogdani, nipi i vogël i argjipeshkvit të ndjerë Pjetrit, e njoftoi Kongregatën se myslimanët e indinjuar, nxorën trupin e argjipeshkvit nga varri dhe, duke e copëtuar, ua hodhën qenve në tregun e Prishtinës.[12] /drita.info

 

—————————————————

[1] Gaspër GJINI, Skopskoprizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb, (1986), f. 188.

[2]Josip Jurić SI – Mijo Korade SI, Iz arhivske građe o Ilirskom kolegiju u Loretu, Podaci o pitomcima Ilirskog        koligija nu Loretu, (1580.-1658). Vrela i prinosi, Zbornik za povijest isusovačkoga reda u Hrvatskim krajevima,  13, Zagreb, (1982), f. 98.

[3]Archivio Storico della Congregazione “de Propaganda Fide (ASCPF),” Scritture originali riferite nelle  Congregazioni Generali, (SOCG), vol. 267, f. 251.

[4] Gaspër Gjini, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb, (1986), f.188.

[5] ASCPF, SOCG, vol. 462, f. 174rv.

[6] ASCPF, SOCG, vol. 465, f. 480rv.

[7] ASCPF, SOCG, vol. 462, f. 167rv.

[8] ASCPF, SOCG, vol. 465, f. 482rv – 483.

[9] Gaspër GJINI, Skopsko – prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb, (1986), f. 188

[10] ASCPF, SOCG, vol. 475, f, 304

[11] ASCPF, SOCG, vol. 506, ff.252rv, 252

[12] ASCPF, Scriure riferite nei Congressi, Albania, vol. 5, f. 160

Shpëndaje: