URA PREJ DRITE

Nga Visar Zhiti

 

Duke lexuar librin më të ri të poetit Ndue Ukaj, poezia më përhitet si një urë rrezëllitëse në ajër, që bashkon brigjet e ngjarjeve me të emocioneve, që të çon nga një e dikurshme tronditëse te një shpresë e paqtë, nga një trishtim plot me lule te një e shtunë me lojna fëmijësh, nga një humbje te një stinë me kambana, nga një dhembje në një ringjallje, nga një tjetër dhembje te një tjetër dhembje, nga vetja te tjetri, nga tjetri te vetja, një udhëtim metaforik nga vetja për te vetja, që janë të ndryshme. Se njëra p.sh, e përjeton poezinë e jetës dhe tjetra e shkruan atë.

Në mesin e kësaj ure prej drite duket sikur bashkohen dy vetvetet, të nisura nga brigjet përkundruall njëri tjetrit. Prandaj dhe shkruajmë:

 

Që kur u dashurova me letërsinë,

kam provuar të shkruaj një poezi a tregim

të mbrothur me personazhe të hijshme dhe të urta

që flasin vetëm për gjëra të bukura e horizonte të reja

dhe s’duan të dëgjojnë për shëmti, rrengje, mërzi.

 

Kjo është dhe credo-ja e poetit. Zanafilla është dashuri. Pa të cilën nuk mund të shkruhet. Po kur e ndjeu? Si, ku? S’ka rëndësi, në fëmijëri apo në rininë e parë, nën yje a ndanë plagëve, tani… a nesër…? Teksa braktiste romantizmin, duke mbetur romantik i truallit amë, duke ngjitur shkallë e duke mbërritur në agshole. E sigurtë është që kjo dashuri ka qenë para se të lindësh.

Dhe të shkruarit, sipas poetit, është provë. Kështu besoj dhe unë, është një provë pa mbarim, një dëshirë që nuk të ndahet, se nuk përmbushet dhe ashtu duhet të jetë, një e folur për të bukurën dhe risitë e saj, të ngjashme me avitjet e horizonteve duke iu shmangur të dëgjuarit për shëmti, rrengje, kujë e jo më të vepruarit asisoj.

Një refuzim ky që ka brenda pranimin e detyruar dhe përkushtimin qytetar. Na vërsulet realiteti dhe me të këqijat e veta, që duhen përballuar. Dhe duhet punuar që realitetin ta mbushë e mira…

E në fund të fundit dëshmi e kësaj përpjekje a vetë përpjekja është të shkruarit: një poezi a tregim. A një urë mes tyre…

 

I.

Në vazhdim të traditës më të mirë të letrave në Kosovë, të poezisë që lëvrohet, sa kombëtare po aq dhe europiane, të prozës me arritje të begata, Ndue Ukaj, do të thosha sikur bën më ndjeshëm provën e një bashkimi, sa modern, po aq dhe parak, të poezisë me prozën, ku autori ka origjinalitetin e tij.

Ashtu siç e shtrin vargun në formën e rreshtit, nga që e ndjen se ka për të thënë, flet dhe me ritmet e prozës, por më shumë të përditshmërisë meditative dhe tregon një ngjarje që ka ndodhur, po ndodh ose do të ndodhë, nuk e përfundon, duket sikur i lë aty në mesin e urës prej drite, por të ndërthurur me ndjesi të tjera, ku urtësia përzihet me shqetësimin, metafora me gjurmët e hapave, një zog me fatin e atdheut, etj, etj. Përgjithësisht poezia ka një frymë biblike, të kujton diçka uitmaniane dhe vazhdimet, stilin e poetëve moderne bashkëkohore europianë e amerikanë, poezi e shekullit XXI, qëndresë estetike e hapur ndaj tjetërsimit duke e përcjellë me flladet e dijes mbi gjendjet në rrethana të ndryshme të ditës, të natës dhe të së gjithmontës.

Poezi shqipe me kumtet e vendlindjes…

 

II.

Ajo që më duket thelbësore në këtë përmbledhje, është ndjesia e fortë e rrëfimit, si një domosdoshmëri, si në një altar. Dhe ky altar, aq sa është prej guri e druri të vendit, po aq është dhe vetvetja ose lexuesi, njëlloj intime janë për poetin…

Ai i gëzohet jetës, bashkë me natyrën përreth. Jeta është në natyrë dhe natyra është në jetë: 

                      zgjohem si një pemë e gjallëruar ku cicërojnë zogj të gëzuar.

Dhe cakërroj një gotë për ditën e re,

për zgjimin e ri me muzikë të përzgjedhur dhe parfum natyre.         

Poeti gjen shumë paralele ngazëllimi dhe harmonie dhe shkrirje me një si peng e brengë. Duhen kërkuar në kujtesën kolektive. Ka variacione mbi temat, përsëritje që s’janë përsëritje dhe poezia e re duket sikur vazhdon një tjetër që sapo e lexove, është përjetimi që i bën të tilla, një poemë, ku i besohet përjetimit dhe në antiteza, edhe kur ka ironi, gjithmonë për mirë.

dhe kam mësuar se në vetmi s’vezullon asgjë.  

Asgjë e mirë nuk vjen pa një besim të madh te e mira, pa dashurinë, e cila, siç thotë dhe shenjtja jonë Nënë Tereza, fillon te shtëpia jote. Poeti i këndon gruas, fëmijëve, ëndrrës, i këndon këngës, teksa ecën në urën prej drite.

 

III.                                                                                                                                           

Në poezinë e Ndue Ukajt gjej një frymë të shëndetshme katolike, e shpërndarë dhe e kthyer në përdëllim, në porosi dhe identitet. Patjetër dhe në dashuri e përndritje.  

Poezia shqipe, sidomos kjo e reja, e ka të ndjeshme një mungesë të tillë, thënë hapur, frymë katolike. Për rrethanat e kohës, në fillimet e rilindjes së vonë kombëtare, u ngrit me të drejtë si fe shqiptarizma, megjithëse letrat shqipe kanë në gjenezë dhe një shkrimtar si Pjetër Bogdani me Cuneus Prophetarum,  “Çeta e Profetëve”. Po kështu te poezia e Naim Frashërit është besimi, Zoti, patjetër dhe heronjtë e bektashizmit, së cilës dhe i përkiste, ndërsa te At’ Gjergj Fishta, më shumë se te Naimi, ka vepra të tëra letrare, me frymë fetare katolike. Te Lasgushi ka misticizëm, ndërsa poezia shqipe e gjysmës së dytë të Shekullit XX, e shtrënguar në metodën e socrealizmit, u bë, guxoj të them, e pa shpirt, dha një ateizëm mizor, ndërkaq i shpalli luftë Krijuesit të madh, që paradoksalisht do të thotë se e pranonte që ishte. Kultura kristiane është njëra nga kolonat kryesore ku është mbështetur Bashkim i Europian, ndërsa kolona tjetër është kultura e antikitetit grek dhe romak, ajo demokraci e drejtpërdrejtë dhe konceptet e një drejtësie themeltare.             

Poezia në vetvete është e përshpirtshme, dhembje dhe drejtësi shpirti, madje ka frymën e lutjes, është një lloj lutjeve ashtu si lutjet që janë dhe poezi, kam shkruar diku. Dhe predikimet e Krishtit kanë magjepsjen e poezisë, aq sa Noli në një botim të tijin në anglisht “The  Poet of Nazareth” e quan poet të madh Krishtin dhe thëniet e tij i ka trajtuar si poezi.       

Poezia gjithsesi është ringjallje, atë frymë sjell, të pavdirë. Në poezinë e Ndue Ukajt ka një rrekje kësisoj, një rikthim poetik te kjo vlerë, te kristianizmi i hershëm i shqiptarëve, në formë të re ashtu si arkitektura modern në disa kisha sot.

vargjet dhe poezitë i hedh në ajër                                                                           

si prifti temjanin para një meshe solemne të dashurisë.

Është misioni i shenjtë i poetit. Prandaj në poezinë Ndue Ukajt gjetëm si kishte altar. Ka shenjtër, Adam, gjarpër të Evës, Mesi, por dhe Kain, pashkë, Via Dolorosa e katedrale, shkëlqim të Gjergj Kastriot, kambanat e përzishme të 17 Janarit dhe Pal Engjëll dhe bekim të gjuhës shqipe.         Ndërkaq shqiptarët janë populli emblematik i harmonisë fetare. Gjë që konvertohet dhe në poezi. Poezia është kryqi ku mbërthehet poeti.

O kryq që duron kaq shumë mëkate të gozhdohen në ty.

Në vazhdim të rrëfimit në altarin e poezisë, poeti nuk nguron të flasë për mëkatin, që më shumë është i realitetit djallëzor, i shpërndarë nëpër të tjerë dhe ai e ndjen si të tijin siç ndjehet i botës dhe vetë. Poeti është dhe kryqi i vetvetes.

Duke shfletuar këtë libër, i ndjejmë ato psherëtima e rënkime, rishohim plagët, të cilat nata bën që të përzjejen me yjet, teksa trupi i rënduar bie poshtë, në baltën amë, ndërsa qiejve lart ikën shpirti. Poezia. Ura prej drite që bashkon Tokën me Qiellin./drita.info

 

Bloomindale, Chicago,

fundvere 2020   

 

Shpëndaje: