Nga Ibrahim Kadriu
Prishtina i pat dyert e hapura të hynte vdekja
Çarshia me diell – lëshonte parmakët se
Fjala shkiste kalldrëmeve, e ujitur shëtiste
Ngrite ura e kulla urtësie, për të gjitha hyrjet në to
Bota e vogël – e madhe n’tryezë shtrihej thjesht,
Me gjuhën e odave bota botërisht ligjëronte
Ulej gju më gju dhe shqip kuvendonte
Rrugët që ishin nisur – vazhdonin të ishin rrugë,
Nuk i ndalte as shpata, as zjarri, as murtaja…
Shtroheshin fort, themelet shoqëroheshin me kohën.
Prishtina e pat kohën të mihej varri.
S’ishte thellësia varrim i përjetshëm, mendimi
Tej trojeve u ra gjithnjë i afërt i mëngjeseve;
Kurrë pa u lodhur, amanet i fjalës, durimit…
Kurrë me nishane, dhuratë e plagëve t’kraharorit e kokës.
Pesha ishte në maje gjuhe e shikimi –
Vriste horizonte, në atë mjegullie e ankth;
Ecte plaku, trastën plotë me bukë, etje e shkronja
Për të arritur tej vetes për vete në vetvete dashuritë
Që t’i linte jashtë varrit në tokë që mihej, mihej…
Prishtina ra në gjunjë te varr që po mbulohej.
Dhe mallkimi një me një ndalën një lumë.
Mbëltimi ilegal preku nëpër dyer, nëpër dritare
Dhe ethet morën jetë – hukama ngjalli djajtë …
Të shemben brigjet, lumi kurrë të mos bie në mend
T’i ulë rrçëjët shtatë pashë nën tokë në pritje…
I thyen këmbët të gjitha që largësinë e kanë për etje,
Që bota të mbetet e vogël – të vogëlsi të tretet, hi
I dashurive të djegura për emrin e vet Njeri
I humbur nën teh shpate… e varri tretej, humbej…
Prishtina e pat varrin e eshtrat bënin kryengritje.
Një nga një dilnin, luftonin me jeniçerë, bejlerë…
Fusin tmerrin, aman, eshtrat rresht zënë pusi, pritje e
Marrin rrugë të ndërrojnë konak pa lënë adresë
Andej pastaj n’vezullimë shpate rreshket fjala, koha
Merr e s’jep e në arë pa farë nxjerrin kokë
Humbje s’ishte ajo që humbte me humbjen …barishte,
Jeta me jetë merrte jetë ngadalë nëpër stinë e troje…
E tash prej këtu e deri atje ka rrugë të gjata shumë,
Në abetaren e birit tim betohem e në Prophetarum.
(Nga libri “Pastaj harrohet” Rilindja 1989)