Pjetër Bogdani – shkrimtar dhe prijës

Nga Ndue Ukaj  

 

Bogdani në historinë kulturore e letrare shqiptare

Historinë kulturore të një populli e formojnë personalitet e ngjarjet me ndikim që bëhen shenja dalluese të kohëve dhe ndiqen nga breznitë e reja. Në këtë drejtim, Pjetër Bogdani është klasik i letërsisë shqipe dhe një personalitet me ndikim të madh në krejt rrjedhat letrare e kulturore shqiptare, kurse vepra e tij, referencë identitare e përfaqësuese e kësaj kulture.

Vepra e Bogdanit është lexuar e rilexuar, është botuar e ribotuar, duke u transmetuar brez pas brezi dhe duke ndikuar në historinë kulturore, letrare, gjuhësore e politike shqiptare. At Zef Pllumi, në një dedikim mbresëlënës kushtuar Ibrahim Rugovës – studiuesit e udhëheqësit të madh shqiptar – përmend përmasën e ndikimit të kësaj vepre kur thotë se “Ai (Rugova) u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar.”[1]

Pra, kur flasim e shkruajmë për Bogdanin, flasim për një vepër unike, të madhe e klasike, në kuptimin funksional e praktik, meqë ajo qëmoti i ka kaluar shekujt, është vepër e lexuar e rilexuar – dhe aktualizohet në secilën brezni – për shkak të vlerave të tejkoshme, sepse, siç vlerëson Ibrahim Rugova, ajo është një vepër ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shterret leht, çfarë është cilësi dhe vlerësi e veprave të mëdha e komplete që bëjnë jetë në kohë, që qëndrojnë fort me tematikën dhe poetikën e vet.

Shkurt: është një Komedi Hyjnore shqiptare marrë në planin e akseologjisë historike-letrare filozofike.

Pra Cenuesi është vepër bazë në h u m a n i s t i k ë n shqiptare.[2]

Koha pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri te fillimet e Rilindjes Kombëtare, në historinë tonë kulturore e politike ka pak ngjarje në shenjë dhe rrjedhimisht personalitete të rëndësishme që kanë lanë gjurmë në historinë tonë kulturore.

E, përgjatë kësaj kohe të gjatë, autorët Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi Pjetër Bogdani, Jul Variboba, janë ata që mbushin këto zbrazëti të frikshme, të cilët, po ashtu, përmes librave të tyre, letrave dhe relacioneve drejtuar institucioneve të ndryshme në kohës, tregojnë për kalvarin e rëndë nëpër të cilin kalonte kombi shqiptar. Kështu, këta autorë, mbesin shtylla të larta mbi të cilët ngrihet ngrehina jonë gjuhësore e kulturore, e me të cilët, po ashtu, lidhen fillesat e shkrimit dhe letërsisë në gjuhën shqipe, si njëra nga paradigmat themelore të identitetit tonë kombëtar.

Sot, nuk mund ta imagjinojmë si do të ishte kjo periudhë dhe peizazhi kulturor shqiptar pa këta autorë, dhe për rrjedhojë, fati i kombit shqiptar.

Personaliteti ma i rëndësishëm dhe me kontribut madhor në gjithë këtë periudhë është Pjetër Bogdani, vepra e të cilit sipas Justin Rrotës “âsht monumenti mâ i pari i gjuhës shqype,”[3]  dhe kjo, mbase, mund të jetë arsyeja pse Pettar Riceiardi në përkushtimin që i bëri veprës së Bogdanit, e krahason atë me Skënderbeun:

Të lumtur (mund të themi!)

Arbërit janë sot: për dy Skenderbegë para botës krenar:

Njëri i zulmët me trimërinë e Marcenës,

Kurse tjetri ja tani me virtytet shpirtërore,

Gjergj Kastrioti dhe Pjetër Bogdani.[4]

Konteksti politik, rrjedhimisht edhe kulturor e letrare në të cilin veproi Bogdani ishte tejet i vështirë, kurse vepra e tij doli në dritë duke qenë fermentim i këtyre rrethanave të mundimshme e sfiduese – për një krijues erudit që kishte qëllime të larta: të kultivonte bukurinë e gjuhës, të letrarëve e dijetarëve në funksion të davaritjes së territ dhe mjegullës së madhe që kishte plandosë mbi tokat e Arbrit. Është vetë Bogdani, i cili te parafjala “Të primit përpara letrarit” ia paraqet lexuesit një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme shoqërore nëpër të cilën kalonte populli shqiptar. Ai e shkruante një libër në një vend ku zotëronte padija e mjegulla, në një vend ku gjendja e popullit ishte e mjerueshme, ndërkohë që zhvillohej një proces i dhunshëm i transformimit të nevojave shpirtërore, kulturore dhe sociale. Në përkim me këtë, Bogdani shkruan:

Po shohim përditë se në atë vend ku lulëzojnë shkencëtarët, letrarët  dhe dija, lulëzon edhe feja e shenjtë, me gjithë veprat e mira, kurse në atë vend, ku nuk janë shkencëtarët, letrarët e dijetarët, feja sa e ka përditë, lëngon, dobësohet e fiket…”[5]

 

Shkrimtari si prijës

Letërsinë shqipe në të gjitha periudhat letrare e kanë karakterizuar temat e mëdha e të ndërlidhura me ekzistencën kombëtar. Duke e njohur këtë aspekt, studiuesi Eqrem Çabej, karakteristikë të letërsisë shqipe nënvizoi ngjyrën politike të shkrimtarisë. Çabej e përligj mendimin e tij duke thënë se: “poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkë.”[6] Kjo referencë dhe mendimet e Çabejt se literatura shqipe është dominuar nga politika dhe nacioni, me kohë janë bërë pikënisje për të kuptuar kontekstin letrar dhe kodet e përgjithshme kulturore të zhvillimit të letërsisë shqipe, si veprimtaria shpirtërore më aktive që ndihmoi emancipimin dhe ekzistencën kombëtare, në të cilën betejë, shkrimtari Pjetër Bogdani rezulton të jetë njëri nga protagonistët më origjinal, më të veçantë dhe më përfaqësues.

Është fakt i ditur se Bibla përbën një realitet kulturor dhe letrar në gjithë sistemin letrar perëndimor, për faktin e mirënjohur të cilin e përmend edhe shkrimtari i madh, T. S. Eliot, i cili flet për influencë letrare të këtij libri, ndërkaq, në vazhdën e këtyre mendimeve dhe të kësaj tradite, teoricieni i njohur i letërsisë, Northrop Fray, shkruan se “letërsia perëndimore ka qenë e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër.”[7]

Letërsia shqiptare duke qenë njëra nga letërsitë e kontinentit europian, pa dyshim se është influencua nga Bibla, temat biblike dhe ligjërimi biblik. Si pasojë e rrethanave të vështira ekzistenciale, letërsia shqipe ka tipare specifike, të cilat e shquajnë dhe e bëjnë të dallueshme, sikundër në aspektin tematike, po ashtu në atë ligjërimor e ideor. Ajo u zhvillua brenda truallit të letërsisë europiane, mirëpo, për dallim nga letërsitë tjera, ajo pati preokupime specifike kombëtare, e këndej pari, natyrshëm tematikë e dimensione ligjërimore specifike, që u kushtëzuan nga rrethanat komplekse nëpër të cilat kaloi kombi ynë. Këto raporte, kushtëzuan marrëdhëniet e brendshme të letërsisë shqipe – mes shkrimtarëve dhe shoqërisë – në një mjedis ku shkrimtarëve iu deshtë të ishin njëkohësisht prijës, edukatorë, dijetarë dhe shkrimtarë.

Pas vdekjes së Skënderbeut, përgjatë shekujve të robërisë e deri në shekullin XX, letërsia shqipe kreu një funksion, të cilin Northrop Fray e përkufizon si “funksion që nuk ka qenë në rend të parë estetik.”[8] Në këtë aspekt, vepra e Bogdanit është rrjedhojë e kësaj gjendje dhe reflektim i autorit kundrejt kësaj gjendje. Duke  shkruar një libër të madh, për popullin dhe dobinë e tij, i ndikuar nga Bibla si vepër e madhe e kapitale e qytetërimit perëndimor, Bogdani i ka forcuar themelet e letërsisë shqipe përbrenda përkatësisë perëndimore, në të cilën, Bibla ka ushtruar ndikim të përhershëm, në rrafshin tematik, estetik, filozofik e ligjërimor.

 

Pak biografi

Rrethanat tregojnë se Bogdani përballë gjendjes së mjerueshme të popullit të tij, i ra barrë e rëndë: të ishte prijës shpirtëror, politik, ushtarak dhe të përhapë dituri përmes librit; detyra këto që i kreu me shumë dashuri përgjatë jetës së tij, duke e lidhë fatin e tij me të popullit të tij e duke u lënë breznive të ardhshme një vepër me vlera të pashlyeshme kulturore, letrare, filozofike dhe gjuhësore.

Nuk dihet me saktësi viti i lindjes së Bogdanit, por studiues e njohës të veprës së tij thonë se ka lindë ndërmjet viteve 1618-1630 dhe i përket derës së shquar të Bogdanëve të mirënjohur në hierarkinë kishtare të kohës, kurse dihet se vdiq me 6 dhjetor 1689.  Në parathënie të librit të tij, ai shkruan se ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit ku para tij qe ngjizë një kulturë e shkrimit shqip dhe e rezistencës kundër turqve.

Duke parë dhe përjetuar rënd gjendjen e mjerueshme të popullit të tij, ai zbriti nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane: në tokë e u ngjit në male, udhëtoi nëpër qendrat e mëdha të Europës së atëhershme, duke kërkuar përkrahje dhe aleatë për ta mbrojtë popullin, gjuhën e identitetin e tij. Në këtë drejtim, punoi fort që edhe t’i bashkonte shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit turk, që, siç shkruante ai, dvarte gjuhë, dije dhe kulturë.

Bogdani udhëtoi shumë dhe përshkoi qytete e vende, duke kërkuar dije e kulturë dhe u bë doktori i filozofisë dhe teologjisë. Në Itali – që atëbotë ishte kryeqendër e kulturës europiane – ai mësoi për artin dhe kulturën, për poezinë dhe filozofinë, për historinë dhe dije tjera humane, të cilat i sublimoi dhe i manifestoi me kompetencë shkrimore në librin monumental, “Conues prophetarum”- “Çeta e profetëve”, botuar me 1685, në Padovë.

Të dhënat biografike dhe historiografike tregojnë se për shkak të sëmundjes nuk arriti të realizonte përpjekjen e përbashkët me Pikolominin për t’i dëbuar turqit nga tokat e Arbnit. Atëbotë, ushtria e gjeneralit austriak ishte nisur në drejtim të Shkupit, po nuk arriti të hynte në qytet, sepse qytetin e kishte marrë epidemia e murtajës. Por, të dhënat thonë se në këtë kohë, Bogdani ia siguroi ushtrisë së Pikolominit rreth 6000 shqiptarë dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohen nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes. Pas vdekjes, siç njoftoi nipi i tij, Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët, trupin e tij e nxorën nga varri dhe ua hedhën qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria tragjik e jetës dhe tij dhe filloi jetën vepra e tij shelbuese kulturore, si zgjatim i frymës – si kujtesë dhe identitetit – që u përcoll brez pas brezi.

 

Shkrimtari pa varr

Bogdani është shkrimtar pa varr dhe historia e mungesës së varrit të tij është histori thellësisht tragjike, fat të cilin para tij e kishte përjetuar Gjergj Kastrioti dhe pas tij, Gjergj Fishta. Pra, këto figura të mëdha i bashkon fati i përbashkët i pasvdekjes – mungesa e varreve. Shkrimtari Ismail Kadare, te novela “Raporti i fshehtë” ka shkruar për fenomenin e mungesës së varrit të Gjergj Kastriotit, duke tërheqë një paralele mjaft domethënëse mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe mungesës së varrit të Jezu Krishtit. Për ta përforcuar idenë e novelës, Kadareja shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”[9] Një shenjtëri të tillë në historinë e kulturës shqiptare e dëshmon edhe jeta dhe vepra madhore e Bogdanit.

 

Jehona e veprës së Bogdanit

Historiografia letrare shqipe tregon se vepra e Bogdanit pati jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi fuqishëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Të dhënat që japin studiues e njohës të veprës së tij thonë se vepra u shpërnda në institucionet e kohës, ipeshkvi, famulli e “deri te njerëz të thjeshtë e të prujtë, të cilët e dijshin përmendsh Bogdanin e dijshin me çekë soje copa të tana përmendsh.”[10] Kjo vepër po ashtu pati sukses të madh në Itali, ku u rishtyp tri herë.  Gjithashtu dihet se ajo njihej ndër arbëreshë, e më vonë nga rilindësit e rëndësishëm, Naimi, Mjeda, Konica, etj. Ajo u lexua dhe u botua disa herë, duke u kthyer në pasuri të përbashkët kulturore për të gjithë shqiptarët.

Martin Camaj thotë se nëShkodër Cuneus Prophetarum ka qenë lexuem dhe studjuem në çdo kohë dhe ka ndikue thellësisht në gjuhën dhe stilin e shkollës letrare shkodrane. Mark Harapi (përkthyesi mjeshtror i romanit “Të fejuemit” të A. Manzonit) e pat botue gati krejt te Lajmëtari i Zemrës së Krishtit (vjetët 1941-1943), me shtesë komentimesh morfologjikë, si mbi përemnat dhe tjera pjesë të ligjeratës.”[11]

Në relacionet e tij me vleftë të madhe historiografike e gjuhësore, përveç se jep të dhëna, informon, kërkon ndihmë, tregon edhe se bredhja ishte fati i tij. Ai vazhdimisht bredhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe përndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; e herë – herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet e bashkëkohësve të tij.

 

Bukuria e giuhes

Përballë padijes dhe mëkatit që shtriheshin frikshëm në atdheun e robëruar, Bogdani e dinte se armë më të fuqishme se libri nuk kishte. Dhe përmes librit, ai donte të nxiste vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur, sepse, siç dëftonte vetë ai, vendi “dergjej në një robëri të errët i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e  padija sepse ishte dvarë dija e urtia.[12]

Në parathënien e librit, “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike, tregon filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin.

Vërtet – misionin e vokacionin – ai në jetë dhe vepër i njëjtësoi me misionin e shenjtë të kulturës e të librit, të letrarëve dhe të doktorëve. Dhe duke qenë në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës së kohës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi, ku zhvillohej letërsia e piktura, ai e dinte se duhej të kultivohej bukuria e giuhes. Dhe kjo ishte njëra nga shtytjet e forta intelektuale që e nxiti atë të shkruante një vepër për popullin e tij.

Duke e pasur parasysh kontekstin kohor dhe raportin e autorit me jetën politike, kulturore e fetare, shohim se kjo vepër unike është shkruar me një qëllime të lartë estetik, misionarik e shëlbues, për ta mbrojtë dhe pasuruar gjuhën, dhe rrjedhimisht për ta ndihmuar kulturën e arbnore.  Prandaj, siç  kanë pohuar shumë njohës e studiues, kjo vepër qëndron në themelet e kulturës shqiptare dhe që nga botimi i parë e gjer me sot ka ushtruar ndikim të madh në krejt historinë e kulturës shqiptare.

 

Cuneus Prophetarum: Çeta e kulturës shqiptare

Të lutem pra, lexuesi i im i urtë, të më arsyetosh nëse gjen fjalë që do t’i trazojë vesht, sepse as diell pa hije, e as hëna pa mjegullatë në faqe nuk është. Por, vini re se kush na ka pushtuar dhe në tokë të kujt jemi, posi tha Ovidi, Elegia I, lib. 3.):

Si qua  videbuntur casu non dicta Latine,

In qua scribebam, barbara terrra fuiti.

(Në qoftë se rastësisht këto fjalë nuk të duken latine,

 kjo vjen nga unë shkrova në dhè të huaj.)[13]

Kështu e përfundon Bogdani parathënien “Të primit përpara letrarit” dhe fillon veprën e tij e cila nga njohës e studiues është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare. Vlen të përmendet se në kohën e tij, në Europë, letërsia krijohej dhe formësohej brenda koncepteve të renesancës, sidomos pas shkëlqimit të letërsisë së madhe me shkrimtar si Dante Ahlighieri (1265-1321), ndërkohë që vendi i Arbrit ishte plandosë në një robëri të rëndë, pasojat e së cilës ndiheshin më së shumti në kulturë.  Kjo frymë e krijuar matanë Adriatikut, mjerisht nuk arriti të depërtojë te shqiptarët. Megjithatë, lëvizja për rezistencë kulturore arbnore kundrejt pushtuesit që dergjte dije e kulturë, mori kthesë pozitive me Bogdanin, i cili në përkim me filozofinë dhe konceptet e mesjetës shkroi veprën monumentale, “Çeta e profetëve.” Kjo vepër u botua në shqip dhe italisht në vitin 1685 dhe vlerësohet njëherësh si vepra me e përkryer e shekujve të parë të letërsisë shqipe.  “Çeta e profetëve”, ashtu siç e ka përkufizuar Ibrahim Rrugova është vepër bazë në humanistikën shqiptare.

Vepra si kompozicion dhe si strukturë i përgjigjet me përpikëri konceptit organizues dhe kompozicional të Biblës, dukuri këto, të cilat i kanë vlerësuar studiues të shumtë që janë marrë me studimet bogdaniane.

Libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë Bibla në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re. Por, Bogdani, ndryshe nga autorët pararendës është autor origjinal dhe shkroi një vepër origjinale, duke e zbatuar strukturën e Biblës e duke u bazuar në të. Në aspektin tematik, libri i parë është analog me Besëlidhjen e Vjetër, ku ritregohet kronologjia e Krijimit të rruzullimit sipas modelit biblik, dhe narracioni i veprës prej zanafillës rrjedh deri te ardhja e Mesisë. Në këtë pjesë, Bogdani paraqet kronologjitë profetike. Pjesët e librit, autori i quan ligjërata.

Libri i dytë është analog me Besëlidhjen e Re dhe mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, “Jeta e Jezu Krishtit.” Madje, në këtë pjesë, edhe numri i ligjëratave është i njëjtë me numrin e librave biblikë. Bogdani ritregon jetën e Krishtit, momente të rëndësishme të jetës së tij, nga gjeneza familjare, shfaqja-lindja, vepra, dënimi-vdekja-kryqëzimi, ngjallja dhe rishfaqja e tij. Kurse, pas këtyre teksteve/ligjëratave, autori shkruan një tekst për Antikrishtin, i cili, me aludimet e forta, ndërlidhet me kontekstin shoqëror të Arbërisë së tij dhe me besimin e pushtuesve.

 ”Çeta e Profetëve” si formë shkrimi është shkruar kryesisht në prozë dhe hapet me disa poezi të bukura kushtuese, gjë që ishte praktikë e kohës. Këto përkushtime tregojnë profilin e lartë të autorit dhe ndikimin që ai kishte në rrjedhat kulturore të Europës së asaj kohe.

 Librit, siç e përmendëm më sipër i paraprinë një parathënie domethënëse “Të primit përpara letrarit”, ku autori tregon erudicionin letrat, filozofik e teologjik dhe shpalos synimet qëllimore të veprës si dhe tregon në ç’kontekst të zymtë kulturor ishte ngjizë vepra, meqë dritën e atdheut të tij e kishin errësuar padija e mëkati. Ndaj, kërkohej dija e urtia –  dhe Bogdani e dinte se ajo nxitej përmes librit – prandaj, sipas autorit duhej riaktualizuar Bibla, që për konceptin mesjetar ishte libri më i përkryer, sepse autori i saj ishte Hyji i përkryer. Dhe nëpërmes librit, autori si prijës dhe bari, donte të prekte zemrat e njerëzve që të vetëdijesoheshin “që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, po duke u lartësuar nga urtësia.[14]

Pra, kjo vepër e Bogdanit duke u shfaqë analoge me modelin e shkrimit biblik, sipas koncepteve moderne letrare mund të lexohet si hipertekst i tij.

Përveç ligjëratave dhe tregimeve biblike, te vepra e Bogdanit kemi një cikël poezish, të njohura si ”Këngët e Sibilave”. Sibilat ishin profetesha pagane dhe paralajmëronin ardhjen e Mesisë. E, në poezinë e Bogdanit, Sibilat paraqiten me veshje etnike dhe kanë tipare të vajzave arbnore. Në fakt, ashtu siç ka vlerësuar Rugova,” Bogdani ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara dhe më të bukura në poezinë shqipe.” Poezia e Bogdanit shquhet për ndërlidhnin me ambientin konkret shqiptar dhe personifikohet me figura jetësore të autorit.

Poezia e tij ka një skemë të rregullt rimash, që vargut i japin një muzikalitet poetik magjeps.

Bogdani i kontekstualizon Sibilat duke u dhënë topikë, figuracion dhe idiomatike shqipe. Në këtë drejtim, studiuesi Engjëll Sedaj sjell një të dhënë dhe thotë se është vetë Bogdani, i cili në një letër, të dërguar nga Padova, më 16 nëntor 1685, që është edhe viti i botimit të veprës së tij, ndërmjet tjerash, shkruan: “Sibilat, kam dashur t’i punoj të veshura, sipas veshjes shqiptare dhe serbe, për t’iu dhënë një ngjyrë të atij populli të varfër dhe për ta ngushëlluar aq sa kam pasur mundësi.”[15]

Kurse te pjesa e poezisë, e gjejmë dhe një vjershë të pastër kosmogonike, “Krijimi i Rruzullimit,”

Botën e pasur dhe sistemin poetik të Bogdanit e çmonte edhe poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, i cili shkroi: “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, Vjeshtën e 1924-ës, kur pata gëzimin t’i-a shikoj me sy…t’i-a çik me dorë…t’i-a studioj dhe t’i-a përpij “Conneus”-in në shpirtin t’im për të parën herë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepcionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës letrare përgjithësisht. Kozmogonia e të madhit shqiptar i-u bën ballë, me cilësit’ e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase) ashtu sikundër këtë e shohin në Biblën hebraike, dhe kozmogonisë indike, ashtu sikundër këtë na e çfaqin Vedat e shenta. Kur të vij aty, do t’a rrëfej poezinë e Bogdanit, që të gjykosh më mirë vetë mbi vleftën e saj.”[16]  

Pra, vepra e Bogdanit u çmua dhe u vlerësua në shekullin e krijimit, pastaj nga rilindësit, mirëpo kulmi  i influencës së saj u shfaq ne platformën e kulturore dhe politike të Ibrahim Rugovës në shekullin XX. Ne fakt, Rugova u bë dishepull i Bogdanit dhe e ndoqi ëndrrën e tij në fushën e mendimit dhe të veprimit. Këto dëshmi tregojnë se Bogdani nuk shkroi dosido vepër, por një vepër monumentale, një kryevepër, që përbën bazën e letërsisë shqipe deri te fillimi i Rilindës Kombëtare kur u botua vepra “Milosau” e De Radës, me 1836.

Në perspektivën e re të leximeve letrare, Bogdani është shkrimtar në kuptimin e pastër të fjalës dhe vepra e tij një vepër e madhe letrare, filozofike e teologjike ku janë rrahur me zhdërvjelltësi tema të holla të filozofisë, letërsisë e teologjisë.

Në studimet letrare shqiptare, vepra Bogdanit vazhdon të lexohet e studiohet nga brezi i studiuesve bashkëkohorë, si Anton Berishaj, Anila Omari, Kujtim M. Shala, Evalda Paci, Aljula Jubani, etj.

Bogdani është patriark i letërsisë shqipe, kurse vepra e tij “Çeta e profetëve” një çetë e pandalshme kulturore që marshon përpara, duke ndritë e duke u hapë shtigje të reja. Vepra e tij lexohet si vepër e madhe,  për shkak të ligjërimit dhe estetikës letrare, të prozës e poezisë mahnitëse, përbrenda së cilës ka përplot epitete, krahasime e metafora goditëse që të mahnitin për bukurinë e gjuhës dhe zhdërvjelltësinë e mendimit.

Luigj Marlekajt, njohës i shkëlqyer i veprës së tij dhe i Shqipërisë së kohës së tij, në studimin monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij“, citon sundimtarët osmanë që thoshin se “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk.[17] Kjo e dhënë tregon një punë kolosale të një korifeu të madh; të një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime./drita.info

 

 

Bibliografia

Bibla, përkthyer nga Simon Filipaj, Drita, Ferizaj, 1994.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve I,  Drita, Prishtinë , 2016.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve II, Drita, Prishtinë, 2016.

At Justin Rrota, Letratyra Shqype, Botime Françeskane, Shkodër, 2006.

Eqrem Çabei, Për gjenezën e literaturës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.

Luigj Marlekaj, Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij, Botimet Françeskane, 2008.

Northrop Fray, Anatomia e kritikës, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Northrop Fray, The Great Code, The Bible and literature, A Harvest Book, USA, 1983.

Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, 1675 – 1685, Rilindja, 1982, fq. 225-226.

Ismail Kadare, Bisedë për brilantet në një fund dhjetori, Onufri, 2013.

Marin Camaj, Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit, ALBANICA nr. 1, 1990.

Engjëll Sedaj, Bibla & Përkthimi i saj në gjuhën shqipe, Shtufi, Prishtinë, 1999. Engjëll Sedaj, Vepra e Pjetër Bogdanit nga aspekti i traditës kulturore të Kosovës. Ligjeratë e lexuar në Seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së imzot Pjetër Bogdanit. Fordham University, 7 tetor 1989, New York https://www.voal.ch/vepra-e-pjeter-bogdanit-nga-aspekti-i-tradites-kulturore-te-kosoves-nga-engjell-sedaj/multimedia/dossier/.

Thomas Stearns Eliot, Religjioni dhe letërsia, Përktheu, Brikena Smajli, Revista, Phoenix 02_03_04  Artikulli13http:/www. dardania.com/phoenix/phoenix_02_03_04/phoenix_02_03_04_art13.html.

The idea of Europen in Litterature, Edited by, Susanne Fendler and Ruth Witlinger. Frants Fannon, ”On  National Culture”, Book, Debating the Canon- A reader from Addison to Nafisi, Edited by Lee Morrissey, Palgrave, 2005.

Anton Berishaj, Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogdanit” – Buzuku, Prishtinë 2004.

Kujtim M. Shala, Identiteti i pa/zbuluar, ASHAK, 2019.

Ndue Ukaj, Ismail Kadare: kryqëzime letrare dhe kulturore, Onufri, 2019.

Ndue Ukaj, Diskursi biblik në letërsinë shqipe, AIKD, Prishtinë, 2004.

Rugova i letërsisë, (zgjodhën dhe përgatitën: Kujtim M. Shala, Dhurata Sheri, Munish Hyseni, Albanë Mehmetaj), Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2012.

 

————————————

Shënimet

 

[1] At Zef Pllumi, Ibrahim Rugova, te libri Rugova i letërsisë, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2012, fq. 11.

[2] Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, Prishtinë,1982, fq. 225.

[3] At Justin Rrota, Letratyra Shqype, Botime Françeskane, Shkodër, 2006, fq. 124.

[4] Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve I, Drita, Prishtinë , 2016, fq. 11.

[5] Po aty, fq. 85.

[6] Eqrem Çabei, Për gjenezën e literaturës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970, fq. 65.

[7] Northrop Fray, Anatomia e kritikës, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 26.

[8] Northrop Fray, Anatomia e kritikës, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 26. Po ashtu,  Northrop Fray, The Great Code, The Bible and literature, A Harvest Book, USA, 1983.

[9] Ndue Ukaj, Ismail Kadare: kryqëzime letrare dhe kulturore, Onufri, 2019, fq. 47.

[10] Luigj Marlekaj, Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij, Botimet Françeskane, 2008, fq. 212.

[11] Marin Camaj, Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit, ALBANICA nr. 1, 1990.

[12] Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve I, fq. 85.

[13] Po aty, fq. 93.

[14] Po aty, fq. 85.

[15] Ibrahim Rugova, vep. e cit. fq. 180.

[16] Lasgush Poradeci, Shkëndija, 1942, cituar sipas Ymer Çirakut,

Prof. Ymer Çiraku: Pjetër Bogdani në studimet shqiptare

[17] Luigj Marlekaj, vep. e cit., fq 87-97.

Shpëndaje: