Disiplina, çelësi i edukimit dhe i suksesit personal 

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Mungesa e theksuar e disiplinёs vihet re se është e pranishme kudo; në familje, në institucione tё ndryshme si edhe nё ato tё edukimit, në zyrë, në spital, në rrugë, në marrëdhënie me tjetrin. Si rrjedhojё, nga kjo mungesë e theksuar e saj, kanë ardhur e po bëjnë strofull shumë nga problemet me të cilat jemi duke u ndeshur ne si shoqëri si; krimi, vrasja, dhuna, shfrytëzimi, vjedhja, mashtrimi, përdhunimi, keqtrajtimi, nxitja e keqdashjes pёrmes thashethemeve, menaxhimi jo i mirë i kohës, keq edukimi, etj.

Fatkeqësisht, për këtë mungesë disipline shpesh shihet si shkaktare koha dhe ndryshimet qё ajo sjell me vete, fajësohen drejtues, kuadro dhe punonjës tё institucioneve tё edukimit, siç janё: kopshtet, shkollat, universitetet etj. Fajësohen shefat, punëtorët, politikanët, mbarё shoqëria, mirёpo as edhe një herë nuk e drejtojmë shikimin nga vetja jonё, thjesht për ta pyetur, nёse mos vallё fajtori i  kësaj situate, jam unë?! Mos ndoshta problemi është tek unë?

Preferohet tё konsiderohet koha fizike, pra, njё koncept abstrakt dhe i pakontrollueshёm nga njeriu, si shkaku kryesor i njё mosbindjeje kryeneçe tё brezave ndaj rregullave dhe normave tё vendosura qysh sё hershmi, por qё me kalimin e kohёs ose e kanё humbur rёndёsinё e respektimit dhe tё zbatimit tё tyre pёr arsyen e thjeshtё se konsiderohen tashmё tё tejkaluara, ose ndaj tyre ёshtё zbehur interesi apo vullneti i mirё. Ndaj shpesh dëgjohet të thuhet, pothuajse nga tё gjithё, nga mё i moshuari deri tek i riu, shprehja tipike e njё dorёzimi tё pashmangshёm tё njё ndёrgjegjёsimi kolektiv, se mungesa e njё disipline vjen sepse: “ka ndryshuar koha, ka ardhur kohë e vështirë, nuk është më si përpara nuk ka kulturë, nuk ka edukatë, vlerat çdo ditë e më shumë janë zbehur e po zbehen, mungon respekti, ndjeshmëria, pranimi i tjetrit, ndihma, e kёshtu me radhё”.

Vërtet, po ndeshemi me to, por jo vetёm pёr shkak tё kohёs, porse kemi ndryshuar tё gjithё ne. Jemi ne, që nuk duam t’ia dimë as për rëndësinë e vlerave, e aq mё pak pёr disiplinёn dhe rёndёsinё e saj. Kjo ndodh pёr shumё arsye, por kryesisht sepse ajo nuk është në trendin e modës, askush nuk flet për të, dhe se tё paktё janё ata qё e praktikojnё. E gjitha kjo, është pasojё e mungesës së edukimit, formimit tё disiplinës  në familje, që është shkolla e parë e jetёs.

 

Çfarë është  disiplina?

Disiplina është perceptuar, e ndoshta vazhdon të perceptohet, e të shihet si njё formё ndëshkimi ndaj vetes apo tjetrit. Ky është thjesht një keqinterpretim qё i bёhet asaj. Ajo nuk është as ndonjë formё ndёshkimi, dhe as ndëshkim nё vetvete, por është pjesë e pandashme e edukimit të marrëdhënies me veten dhe me tjetrin, parё kjo nga çdo kёndvёshtrim. Ajo, është mjeti kryesor për zgjidhjen e problemeve jetësore. Çka rezulton e vёshtirё, ёshtё puna me veten, siç e vё nё dukje edhe Vincenzo Esposito, i cili thotë: Puna me vetveten është puna më e rëndësishme dhe më e vështira.

Disiplina është mjeti i zhvillimit intelektual dhe shpirtëror. Pa të, nuk mund të realizohet asgjë. Sado që individi mund të jetë i talentuar, i aftë, inteligjent, punëtor, nëse i mungon disiplina nuk mund ta shfaqë dhe nuk mund ta tregojë askund talentin apo aftësinё qё zotёron. Roberto Gervaso shprehet: Një talent pa disiplinë është si një makinë pa benzinë. Pra, mund ta kemi makinën, por nëse nuk ia vendosim elementin më të rëndësishëm që ajo të funksionojë siç duhet, ajo nuk do ta kryejё funksionin që ka. Kështu ndodh edhe me ne, mund të kemi shumëçka, shumë aftësi, por nëse nuk kemi disiplinën nuk do të funksionojmë, do të ngelemi në vend, ose do ta mashtrojmë veten duke thënë se ka ndryshuar koha, ose unë po mundohem por nuk e di pse nuk po me ecёn për së mbari.

Disiplina është aftësia dhe mundësia për të zgjedhur, se çfarë është e dobishme e çfarë jo, çfarë është e efektshme e çfarë nuk është. Ajo ёshtë një formё përkujdesjeje për veten. Është çelësi për të shijuar çdo aktivitet, çelësi i suksesit në jetë. Jim Rohn thotë: Disiplina është themeli mbi të cilën ndërtohen të gjitha sukseset. Pa të, është e vështirë që njeriu të funksionojё, ose edhe nëse funksionon lodhet shumë shpejt. Disiplina e ndihmon individin për t’u rritur, për të qenë vetvetja  e për të shmangur maskat nё jetё.

Pёrmes disiplinёs, arrin të shkëputesh nga gjërat pa lidhje e pa u imponuar, por në liri të plotë.  Tё mbajturit dhe tё ndjekurit tё njё disipline tё shёndoshё, tё lejon qё tё veprosh nё liri tё plotё dhe me njё ndjenjё tё lartё pavarёsie dhe ndёrgjegjёsimi. Alen Rickman thotë: Besoj që disiplina dhe liria në një farë mënyre janë të lidhura. Vetëm me liri personale njeriu mund të arrij deri tek disiplina, pasi disiplina që na imponohet nga të tjerët nuk sjell shumë efekte, sepse ajo bëhet përmes frikës e për këtë shpesh është parë dhe shihet si ndëshkim. Pra, mos të harrojmë se disiplina është çelësi i suksesit që hap çdo portë. Është ajo që tregon shkallën më të lartë të personalitetit.

 

Disiplina,  kujdesi dhe puna me veten

Disiplina është kujdesi dhe puna me veten, e nuk bёhet fjalё thjesht pёr një listë me disa rregulla ose pika që mund të lexohen në libra apo të merren nga dikush si recetë, por bёhet fjalё pёr punёn me veten që fillon sёbashku me ditёn. Pra, fillon nga vetja, nga unë e jo nga tjetri.

Na duket mё e lehtё tё mendojmё dhe tё pranojmё që prindi, mësuesi, pedagogu, polici, mjeku, drejtuesi shpirtëror, udhëheqësi, politikani,  përgjegjësi, kanë të drejtё ta kërkojnё disiplinёn e të flasin për të, kundrejt personave që kanë nën mbikëqyrje. Por, a jemi ndalur ndonjëherë për ta pyetur veten, sesa jam i disiplinuar apo sa e praktikoj atë, aty ku jam dhe në atë çfarë më është besuar? Prej nga reflektohet, pothuajse gjithmonё, shumë qartë se unë si individ, kudo ku kam përgjegjësi, nuk e vlerësoj dhe nuk e praktikoj disiplinën, përndryshe do të funksiononte gjithçka ndryshe e shumë më mirë.

Pastaj, lind pyetja, nëse unë si person përgjegjës dhe i pjekur nuk e vlerësoj dhe nuk e praktikoj disiplinën, atëherë ku do ta marrë fëmija, qytetari, punëtori, pacienti, besimtari, edukatën, formën e disiplinës? Nëse nuk e marrin shembullin nga unë, ti, dhe neve, që jemi përgjegjës, pasi e kemi përgjegjësi e detyrë morale ta zbatojmë atë, nga kush tjetër duhet ta marrin?! Janë pyetje që kërkojnë një reflektim personal të përditshëm, duke u nisur nga sot, e pastaj për të dhënë një përgjigje personale. Disiplina pra, mësohet me shembuj e modele konkrete, në të përditshmen, në gjërat e vogla, e sidomos përmes shembullit, kujdesit  dhe punës sё përditshme me veten.

Modeli primar dhe fillestar është familja dhe shoqëria. Mё tej, vjen puna me veten që  ka të bëjë me njohjen e vetes dhe vetëvlerësimin, çka do të thotë, unë e njoh, çmoj dhe e vlerësoj veten dhe dua që kohën dhe çdo gjë që më rrethon ta shfrytëzoj në mënyrë produktive. E gjitha ka të bëjë me njohjen dhe vlerësimin e vetes, sepse kur e njeh atё dhe ndjehesh i vlefshëm, kujdesesh për veten në çdo mënyrë. E nuk lejon që parregullsia, mungesa e ekuilibrit, të të zërë frymën e të mos lejojё t’i arrish qëllimet e vëra. Shën Nënë Tereza thotë: Disiplina është ura mes qëllimeve dhe arritjeve. Porse kjo nuk ndodh brenda njё dite, por kërkon kohë, vullnet e motivim. Nёpёrmjet njohjes dhe të pranimit tё vetes, mund të bëjmё korrigjime të vogla. Pra, disiplina është një pёrkujdesje për veten, e cila e kryer çdo ditë me pёrkushtim mund të bëhet një terapi nё vetvete, aq sa individi tё tregojё një pjekuri dhe një zhvillim intelektual e shpirtëror cilёsor e produktiv.

 

Si shfaqet disiplina në të përditshmen?

Disiplina shfaqet në gjëra të vogla, konkrete dhe çdo ditë, duke filluar nga ushqimi, që kërkohet të kemi kujdes, e të mos ushqehemi vetëm me gjërat që na pëlqejnë por edhe me ato vitamina e minerale që ka nevojë organizmi. Të respektohet orari i vakteve të tё ushqyerit, sepse një disiplinë orari nё tё ngrёnё, ndihmon shumë në gjendjen shëndetësore. Disiplinë në higjienë, duke e mbajtur higjienën personale dhe atë hapësinore, disiplinë në komunikim, duke kontrolluar mënyrën dhe fjalorin e të folurit, disiplinë në qëndrim, disiplinë në rrugë, në objektet fetare, disiplinë në shopping, sepse shpesh na ndodh të blejmë gjëra që nuk kemi nevojë, edhe pse rafti ynë është i mbushur me rroba këpucë e gjëra të tjera, ne prapë nuk dimë t’i themi vetes: – kjo nuk më duhet –  por vazhdojmё të lakmojmё.

Disiplina na ndihmon që të dimë  ta dominojmë veten, të dimë t’u themi jo gjërave dhe situatave që nuk na ndihmojnë, e nuk na lejojnë të rritemi si individё. Ajo  është  gjëja më e domosdoshme për të bёrё qё gjithçka tё funksionojё mirë, në tё gjitha sferat e jetës. Personi,  i cili është i disiplinuar, di dhe mundohet të jetojё mirë nё të gjitha fushat e jetës organike, intelektuale, morale, fizike, shpirtërore, emocionale dhe shoqërore. E kështu, ai gjen kohë e hapësirë për çdo kënd e për çdo gjë, dhe jo vetëm për t’i bërë gjërat në mënyrë mekanike, por duke i ndjerë, duke i përjetuar e duke i vlerësuar ato. Gjithashtu, është ai që  di ta menaxhojë dhe ta vlerësojë kohën, dhe kjo falë një disipline të vazhdueshme.

Të jesh i disiplinuar do të thotë të jesh i aftë dhe i gatshëm të marrësh përgjegjësi, që nga ato më të voglat dhe tё thjeshta, deri tek ato mё tё mёdhaja dhe mё tё komplikuara. Fillimisht, nuk flitet për përgjegjësi të mëdha e tё shtrira nё kohё, por pёr ato të pёrgjegjёsi qё hasen rёndom nё tё përditshmen e se cilit prej nesh, kështu individi aftësohet të përballet me çdo gjë tjetёr gjatё jetёs sё tij. Sepse, qëllimi i zbatimit tё disiplinës, është që ta aftësojё personin që të arrijё deri tek vetëdisiplina e përditshme që është procesi  më i lartё i pjekurisë njerëzore. E këtë vetëdisiplinë  nuk mund të na e japё askush, nuk mund të mësohet nëpër libra, e  as nuk mund të  blihet, e as të huazohet, por  ajo fillon të  formohet, edukohet e zhvillohet, qysh në vogli, konkretisht në familje (për këtë familja ka një përgjegjësi shumë të madhe dhe luan një rol të rëndësishëm në edukim dhe formim e vazhdueshëm tё saj) dhe vazhdon pёrgjatё gjithё jetёs sё individit. E zbatuar me korrektёsi, disiplina të ndihmon shumё nё mirёorganizimin e ditës, javës dhe tё muajit.

Pasojat që sjell mungesa e disiplinë

Siç u cek edhe më lartë, nga mungesa e disiplinës po përballemi më shumë probleme e pakënaqësi që po na pengojnë për të arritur atë që duam e për të treguar atë që jemi. Mos të harrojmë se mungesa e disiplinës e dëmton personin në të gjitha fushat e jetës, e kjo gjё ndodh shpesh pa e vënë re as vetë ai, e aq më pak shoqëria. Mungesa e saj, e  bën personin vazhdimisht të stresuar, të papërqendruar, të lodhur, të pakënaqur, si me veten, ashtu edhe me tjetrin, kokëfortë, të pathyeshëm, të pa arsyetueshëm, sepse nuk di, apo se nuk ndalet për të dalluar se çka është e rëndësishme, çka është e nevojshme, çka është parёsore, por krijon një lëmsh e një parregullsi në kokën e vet, dhe këtë lëmsh e parregullsi e shfaq, edhe aty ku jeton e vepron, e kështu krijon tension, pakënaqësi, frikë, dështim, si ndaj vetes, po ashtu edhe ndaj të tjerëve. Pra,  mungesa e disiplinës është pengesa kryesore e suksesit dhe e arritjes nё jetё e kudo.

Sё fundmi, ajo ndaj sё cilёs duhet tё kemi përgjegjësi tё veçantё është se: unë, ti, ne, duhet të jemi e të bëhemi më shumë deklarues, praktikues të disiplinës dhe të vlerave tё saj, pasi ato janë të shëndosha e të dobishme, si për vetë individin, ashtu edhe për mbarё shoqërinë tonё.

Shën Nënë Tereza thotë: Disiplina është mikja më e mirë e njeriut, sepse ajo bën t’i realizosh dëshirat më të thella të zemrës./drita.info

Shpëndaje: