Çka është mobingu bashkëshortor?

Nga Pavao Brajsha

 

E quajmë mobing bashkëshortor formën specifike të sjelljes, me të cilën partnerët bashkëshortor në nivelin e marrëdhënieve të ndërsjella, të komunikimit dhe emocioneve, e keqtrajtojnë dhe nënçmojnë njëri-tjetrin, me qëllim të kërcënimit për të prishur imazhin, nderin, dinjitetin njerëzor dhe integritetin e tij/saj.

Viktima e mobingut bashkëshortor, më së shpeshti, është e pafuqishme, në pamundësi për t`u mbrojtur. Mobingu zgjatë në një kohë të gjatë. Mesatarisht koha e zgjatjes para reagimit të viktimës është 15 muaj. Mobingun duhet ta dallojmë prej stresit të përditshëm në martesë. Viktima druan për t`u mbrojtur, sepse ka frikë. Nuk mund ta marrë fjalën apo vazhdimisht ndërpritet në bisedë. Është e injoruar, sikur të mos ekzistonte. Viktima fajësohet për lëshime që objektivisht nuk kanë ndodhur, për atë çfarë tunduesi fshehurazi me qëllim e ka bërë. Me/pa baza janë të nënçmuara rezultatet e punës së saj/tij.

Vazhdimisht i/e nënshtrohet kritikës, dhe i privohet mundësia për shpjegim. Është i/e përqeshur dhe i/e mospërfillur, shpesh herë mahitë janë në llogari të të folurit, qëndrimit, ecjes, veshjes, pamjes së saj/tij. Vjen deri te kërcënimet apo vrulleve fizike, të sjellurit në mënyrë monotone në jetën seksuale, të tunduarit dhe keqtrajtimi. Viktima nuk bën zë, është e qetë, e tërhequr, heshtë dhe vuan. Shpesh herë është e tmerruar me ndjenjën e vlerës së ulët. Lehtë manipulohet me të. Keqtrajtuesin në mobing e quajmë mober. Ai është i pakënaqur me vetveten, me karrierën dhe aftësitë e tija, ndjen xhelozi. Ky është një person me veti specifike të personalitetit, të një kapaciteti të zvogëluar për dashuri, gëzim, lojë, kreativitet, dhurim dhe ndarje të të mirave me të tjerët. Zakonisht është person me pushtet, me dëshirë të madhe për të pasur edhe më shumë fuqi. Me ushtrimin e mobingut e fsheh pafuqinë në ndonjë sferë tjetër të jetës së vet.

Këtë e bën nga frika e tij personale se nuk do të jetë i çmuar apo se do të bëhet vet viktimë e dikujt. Ndjehet i nënshtruar dhe i pafuqishëm. Paaftësinë e vet e fsheh me projekcionin drejt viktimës. I ndërmerr meritat e viktimës dhe manipulon me të. Është dyfytyrësh. Në kontakt me viktimën është jashtëzakonisht i pafytyrë, kurse me të tjerët simpatik dhe i qasshëm.

Disa prej tyre keqtrajtojnë edhe me vetëdije, me qëllim për ta dëmtuar viktimën. Shkaku kryesor i sjelljes së tyre ndaj viktimës qëndron në problemet e tyre në sistemin vlerësimor, në shkallën morale, kualifikimet, qëllimet dhe motivet personale, personalitetin sociopatik.

Pasojat për viktimën e mobingut janë problemet shëndetësore serioze duke përfshirë rrezikun e shtuar të zhvillimit të sëmundjeve trupore dhe mendore. Te disa viktima të mobingut zhvillohet pikërisht një përvojë e vërtetë traumatike, kërcënimi i jetës. Mobingu nuk është diagnozë medicinale, mirëpo mund të çojë në sëmundje të shumta trupore, mendore dhe çregullime të sjelljes.

Mobingu bashkëshortor është shoqërues i moskultivimit të marrëdhënieve bashkëshortore, komunikimit dhe dashurisë. Ai, në shumë raste, është si pasojë e patejkalueshme tek martesat “e shpëtuara”, shikuar nga jashtë, por me “divorc të brendshëm” dhe, e kuptueshme, me një mënyrë të gabuar të mbijetesës, në një situatë të padurueshme bashkëshortore./drita.info

Shpëndaje: