Nga Pavao Brajsha
“Martesa e jonë e përditshme“ tradicionale kërkon prej çiftit martesor vazhdimësi të detyruar dhe të sigurt, flijim të individualitetit, “një shpirt në dy trupa“, lidhje të përjetshme mbi interesat individuale. Kërkohet mendim, emocion, sjellje, shprehi dhe mbijetesë e përbashkët identike. Theksohen shërbimet dhe ndihmesat e ndërsjella, dhurimi dhe marrja prej partneri, partneritet të përjetshëm madje edhe pa dashuri, “afërsi“ maksimale formale. Tolerohet pabarazia në marrëdhënie, role të caktuara dhe të fiksuara.
Në martesën e sotshme tradicionale mbizotërojnë monologët me pak dëgjim të dyanshëm. Të dy partnerët bashkëshortorë e dinë çka mendon, ndjen dhe çka do të thotë tjetri. Ndër ta marrëdhëniet janë të mbyllura, jo të sinqerta dhe jo të besueshme, një “ne” pa “unë” individualë dhe të mëvetësishëm, një dukje e një shkrirjeje dhe afërsie të plotë, një ruajtje e një martese deri edhe formale, ndryshime shumë të pakta. Bie në sy një përditshmëri monotone.
Shndërrimi i çiftit martesor në prindër ekskluziv, theksimi i marrëdhënieve prindërore me ndrydhjen e atyre bashkëshortore. Lajmërohet roli i “të tretit” (dashnorit/dashnores, fëmijës). Karakteristikat e një martese të tillë është jeta monotone, e ritualizuar seksuale në martesë duke kërkuar pasion entuziast jashtë martese, dashuri jetëgjatë por monotone bashkëshortore dhe dashuri jetëshkurtër, por entuziaste jashtëmartesore.
“Martesa e jonë e përditshme” bashkëkohore kërkon një vazhdimësi të lirë dhe cilësore, një lidhje emocionale dhe seksuale, takime gjithmonë më të ndryshme, të veçanta dhe interesante brenda martesës. Çiftet martesore dëshirojnë të kenë mundësinë e ndarjes me mbetjen e lirë, përkujdesjen edhe për veten e jo vetëm për partnerin, një baraspeshë të asaj që është individuale dhe e përbashkët.
Kemi të bëjmë me partnerë të pavarur dhe të lirë me ruajtjen xheloze të të qenit ndryshe dhe individualiteteve veç e veç. Kërkohen lidhje marrëdhëniesh prej partneri dhe dashurore, afërsi dhe distancë, dashuri emocionalisht intensive, kontakte seksuale deri në fund të martesës, marrëdhënie të barabarta dhe të personalizuara.
Kultivohet dialogu, çiltërsia, sinqeriteti. Partnerët martesorë dëshirojnë të jenë dy “unë” të mëvetësishëm me një “ne” të përbashkët. Me një shkrirje të kohëpaskohshme dëshirojnë një autonomi të ruajtur, ndryshime brenda marrëdhënieve, një dashuri pasiononte gjatë zgjatjes së martesës. Dëshirojnë të jenë njëkohësisht partnerë bashkëshortorë dhe dashnorë, njëkohësisht nëna, bashkëshorte dhe gra, njëkohësisht baballarë, bashkëshortë dhe burra. Është i përjashtuar “i treti” (dashnori/dashnorja). Martesa e përshkruar tradicionale në kohën e sotshme nuk mund të mbahet më. Duhet të bëhet e ditëve bashkëkohore dhe të aftësohet për mbijetesë në kohën e sotshme, që nuk mund ta ndalim dhe ta kthejmë në atë çka e ka mbajtur më herët martesën tradicionale.
Grindjet dhe konfliktet bashkëshortore
Nëse martesa apo ndonjë formë tjetër e një raporti më të gjatë intim të ndërsjellë nuk mund të ekzistojë pa dashuri, qoftë në kuptimin e ngushtë apo të gjerë të fjalës, atëherë e njëjta gjë gjithsesi vlen edhe për grindjen, siç e kuptoj dhe interpretoj unë. Konfliktet janë pjesë përbërëse e çdo marrëdhënie të gjatë, kështu që ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme të sjelljes ndaj tyre. Ne një marrëdhënie të tillë duhet të grindemi ose mirë ose keq, ose suksesshëm ose pasuksesshëm, ose konstruktivisht ose destruktivisht. Kjo na detyron që për grindjet të reflektojmë dhe të mundohemi t`i bëjmë të mira, cilësore, të suksesshme, konstruktive dhe t`i shndërrojmë në shanse të përditshme të një njohjeje të ndërsjellë më të mirë, të një përshtatje më cilësore të ndërsjellë dhe një mbijetese më të lumtur të përbashkët.
Fjala është për një temë mjaft praktike që është e lidhur me jetën e përbashkët konkrete të të dyve bashkë dhe të cilën nuk mjafton ta njohësh, por duhet ta mësosh dhe ta dallosh në situata konkrete, si dhe ta zbatosh në to. Për këtë arsye kam vendosur të shkruaj për grindjen në martesë thjeshtë dhe kuptueshëm dhe t`i nxis lexueset dhe lexuesit e kësaj kolumne të revistës për të reflektuar mbi vetveten dhe për ta analizuar situatën personale prej partneri, të jetës martesore.
Në të folurit e përditshëm me grindje nënkuptohet diçka negative, e keqe, e pahijshme dhe gjithë ajo që në këtë duhet t`i shmangesh. Me këtë koncept zakonisht lidhen edhe shprehjet apo sintagmat: përçarje, zënkë, të grindesh deri në rrjedhje gjak, të kapesh fyt për fyti, rrahje e madhe, të futësh përçarje dhe armiqësi ndër ata që janë të pajtuar, të ndash njërin nga tjetri, mos të marrit vesh fare, përleshje, inat, zihje. Në fjalorët tanë njeriu që grindet quhet grindavec, grindar, thyes, çdo njeri që krijon përçarje. Shihet që grindja vlerësohet në mënyrë negative dhe përshkruhet si diçka e keqe, e padëshiruar, rrënuese, që njerëzit i ndanë në mes veti dhe i shkatërron.
Kjo i përshtatet mendimit të përgjithshëm dhe të rrënjosur se grindja është gjithmonë diçka negative që duhet shmangur, të cilës duhet t`i rrish larg, që nuk i takon një marrëdhënieje cilësore martesore, që gjithmonë është shenjë e një qëndrimi armiqësor ndër çifte martesore. Grindja konsiderohet pjesë përbërëse e një jete jocilësore të marrëdhënieve të çrregulluara. Grindjen zakonisht e fusim në sjelljen e pahijshme dhe të papërshtatshme që gjithmonë sjell dëm edhe njërës edhe anës tjetër, pasojat e së cilës janë gjithmonë negative dhe që në vete ka gjithmonë diçka shkatërruese.
Marrja ime vërtet e gjatë me problematikën martesore dhe familjare më jep të drejtën të pohoj të kundërtën. Për mua grindja është pjesë përbërëse e çdo martese të shëndoshë dhe normale apo të çfarëdo marrëdhënie tjetër të gjatë. Nuk është problemi se a po grindemi në martesë apo nuk po grindemi, por si grindemi dhe çfarë pasojash lënë grindjet tona martesore. Për këtë dëshiroj të shkruaj dhe të reflektoj së bashku me ju në vazhdimësinë e kolumnës sonë.
Grindja e mirë dhe e keqe në martesë
Me nocionin grindje gati gjithmonë lidhet pozita e ngadhënjyesit dhe të mundurit, të atij që fiton dhe të atij që humb, salvuesit dhe viktimës, të atij që ka dhe të atij që nuk ka të drejtë, të atij që ofendon dhe të atij që është i ofenduar, të atij që është më i fortë dhe të atij që është më i dobët. Nga grindjet gati gjithmonë njëra anë del e pakënaqur kështu që mundohet të hakmerret dhe t`ia kthej ”duke mos i mbetur broxhli“, gjë që nxit një zinxhir të pafund të grindjes së sërishme, dhe kështu gjithçka shndërrohet në „rrethin magjik“ brenda së cilit rrotullohemi dhe nga i cili nuk ka dalje.
Ta pyesim vetveten se a duhet gjithë kjo patjetër të jetë vërtet kështu? A është grindja vërtet gjithmonë diçka negative dhe a duhet gjithmonë ta shmangim? A është fare e mundshme jeta e njerëzve pa grindje? A nuk është grindja e përshkruar vetëm teknikë e keqe e të grindurit? A nuk është një grindje e tillë vetëm mënyrë e keqe dhe e gabuar e sjelljes kundrejt konflikteve martesore? A duhet patjetër që në çdo grindje të dominojë agresioni shkatërrues dhe armiqësia e hapur në mes çiftit martesor? Çfarë roli luan në grindje konflikti dhe agresioni? A ekziston fare edhe ndonjë grindje tjetër përveç kësaj që e përshkruam?
Për këto pyetje duhet reflektuar dhe atyre duhet t`iu përgjigjemi. Kjo është e nevojshme në mënyrë që të mund t`i kuptojmë grindjet martesore, në mënyrë që të mundemi më vonë t`i përgjigjemi pyetjes se a është fare e mundur martesa pa grindje dhe si duhet të sillemi me grindjet në martesë.
Tash për tash do të kënaqemi me një pohim të përgjithshëm, që do të mundohemi ta shpjegojmë dhe ta provojmë, që është: Grindja martesore, në kuptimin e saj të zakonshëm dhe negativ, është mënyrë e keqe dhe e gabuar e sjelljes kundrejt konflikteve martesore që janë të domosdoshëm dhe pjesë përbërëse e të gjitha martesave. Një grindje e tillë është e keqe sepse në të është i përfshirë agresioni shkatërrues. Ajo është rezultat i marrëdhënieve të këqija në martesë, i një komunikimi të mangët dhe jo të barabartë, i një përdorimi të dyanshëm të pakënaqur të përbashkët. Me shmangien e grindjes së ndërsjellë dhe me mohimin e konflikteve të ndërsjella problemet martesore nuk zgjidhen.
Përveç një grindje e tillë, negative dhe të keqe, ekziston edhe ajo pozitive dhe e mirë. Parakushti i saj është pranimi i konflikteve, përdorimi i agresionit kreativ, kultivimi i marrëdhënieve cilësore ndërnjerëzore, komunikimi i hapur dhe i qartë ndërnjerëzor dhe mundësimi i përdorimit të dyanshëm të kënaqur dhe të barabartë, të drejtë të përbashkët. Këtë duhet mësuar gjatë martesës dhe në vazhdimësinë e saj duhet ta përsosësh në mënyrë permanente. Me fjalë të tjera: nuk është lehtë të grindesh mirë, mirëpo është e domosdoshme nëse dëshiron të jetosh në mënyrë cilësore dhe njerëzore në martesë.
Konflikti martesor
Në çdo konflikt duhet dalluar palët e konfliktit, d.m.th. ata ndër të cilët është shkaktuar konflikti, pastaj fushën e konfliktit, ky është vendi në të cilin ka ardhur deri te konflikti, dhe dinamikën e konfliktit, d.m.th. mënyrën e sjelljes me konfliktin të atyre që ndodhen në konflikt.
Po ashtu duhet dalluar konfliktin brenda individit dhe konfliktin në mes individëve. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një konflikt të brendshëm, shpirtëror që individi e përjeton në veti, kurse në rastin e dytë me konfliktin e jashtëm, me konfliktin ndërnjerëzor që lajmërohet në mes individëve.
Meqenëse në mënyrë të veçantë do t`i kushtohemi konfliktit martesor, në rastin tonë palët e konfliktit paraqesin partnerët martesor, fushën e konfliktit e paraqet situata martesore, kurse dinamika e konfliktit do të thotë sjellja me konfliktin në martesë, mund ta quajmë – grindje martesore.
Konfliktet mund t`i ndajmë më tutje në të fshehura dhe evidente. Në rastin e parë nga jashtë nuk tregojmë se jemi në ndonjë konflikt, këtë e përjetojmë në veti dhe mundohemi që këtë mos ta tregojmë në sjelljen tonë ndaj tij. Një konflikt të tillë e mbartim në veti, e shtypim, e mbajmë në brendësinë tonë, dhe kjo na bën të acaruar, jo të disponuar dhe shpesh herë vetëm është çështje kohe se kur do të plas konflikti në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë dhe të tregohet në sjelljen e jashtme të një çifti martesor kundrejt të tjerëve. Në rastin e dytë konflikti shihet qartë në fjalë, gjeste dhe në sjelljen e tërësishme të partnerit martesor ndaj atij me të cilin ai është në konflikt.
Përveç kësaj, në çdo konflikt duhet dalluar problemet e njëmenda që kanë prurë deri te konflikti, gjendjen emocionale të pjesëmarrësve të konfliktit, vështrimin dhe interpretimin personal të asaj çfarë ndodh gjatë konfliktit dhe sjelljen evidente konfliktive. Nuk është krejt njëjtë se me çfarë ndjenjash i qasesh konfliktit, çfarë shihet dhe vërehet, se si interpretohet kjo. Të gjitha të përmendurat kanë ndikim të rëndësishëm në sjelljen konfliktive të partnerit martesor dhe shpesh herë pikërisht ajo më shumë e përcakton mënyrën e sjelljes së partnerit martesor me konfliktin, d.m.th. sjelljen e tij në konflikt, sesa faktet e njëmenda që kanë prurë deri te konflikti.
Është shumë me rëndësi përjetimi personal i konfliktit të atyre që ndodhen në konflikt. Përveç kësaj në çdo konflikt të ri te çifti martesor ndikojnë pasojat e konflikteve më të hershme me të njëjtin partner.
Konfliktet në martesë janë fenomen normal dhe i shëndoshë. Nuk janë shenjë e martesës çrregulluese apo të sëmurë. Pikërisht është e kundërta. Martesat e sëmura dhe të çrregulluara shpesh herë janë pa konflikte dhe grindje sepse të gjitha këto ndrydhen dhe përjetohen në vete, gjë që në mënyrë të pakontrolluar dhe pavetëdijshëm i prish marrëdhëniet martesore dhe i kontribuon zhvillimit të pengesave psikosomatike madje edhe sëmundjes te çiftet martesore./drita.info