Njëmbëdhjetë fakte mbi abortin

Nga Albert Bikaj

 

Diskursi politik në vendet tona për fat të keq është shumë i ulet, shumë tema të rëndësishme etike anashkalohen dhe lihen jo vetëm pa u diskutuar, por pa u përmendur fare. Një ndër to është tema tejet kontroverse mbi abortin. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme të SHBA-ve shfuqizoi ligjin “Roe vs Wade” duke deklaruar se aborti nuk është dhe nuk ka qene asnjëherë e drejtë kushtetuese. Ky vendim solli reagime të shumta kudo në botë, këtu përfshirë edhe vendet tona, ndonëse në numër tejet të vogël. Por, duke qenë se ndër to pashë shumë reagime kundërshtuese, të cilat duket se janë kthyer në trend, mendova të paraqes disa fakte që rrallë herë mund t’i dëgjoni mbi abortin.

Para se të numëroj argumentet pro dhe kundër, do e filloja argumentimin me një thënie të presidentit amerikan Ronald Reagan: “Kam vërejtur se të gjithë ata persona që janë pro abortit ka kohë që kanë lindur.” Kjo thënie, sa humoristike aq është edhe treguese e ironisë dhe absurditetit të trishtë të kësaj ideje.

I.“Le të vendosin femrat për trupin e vet” është argumenti më i shpeshtë që hasim. Por a është e vërtetë kështu? Fetusi nuk është trup i femrës, në të vërtetë është trup i veçante brenda në trupin e femrës; ai fetus ka ADN të veçantë, pra është person; ka shenjat e veta te gishtërinjve, në javën e pestë ka impuls zemre, ndien dhimbje, etj. Pra nuk është thjeshtë një ‘embrion’ apo grumbull qelizash – e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një të rritur. Mund të thuhet se s’jemi tjetër veç grumbuj atomesh, por ky do të ishte reductio ad absurdum. Në librat shkencorë, gjegjësisht, të biologjisë thuhet qarte se jeta fillon me ngjizje.

II. “Krikët e abortit shpesh mbështesin dënimin me vdekje” – ky është një argument tjetër që shpesh përdoret gjoja për të treguar disi hipokrizinë e mbështetësve të jetës. A është e vërtetë, edhe nëse po, cili është dallimi midis dënimit me vdekje dhe abortit? Foshnjat e palindura janë të pafajshme dhe të pambrojtura; të vrasësh një të pafajshëm dhe nga ana tjetër të dënosh një kriminel që ka kryer krime të renda nuk mund të jetë kurrë njësoj – ndonëse si dikush që jam pro-jetës, nuk jam për dënim me vdekje. Si katolik besoj në pendesë, mëshirë dhe që çdo njeri meriton një shans të dytë për të ndryshuar. Të vrasësh një qenie të pafajshme, aq më tepër të pambrojtur është e kobshme, tejet imorale. E të krahasosh të pafajshmin me kriminelin jo vetëm që nuk është e drejtë, por është absurde.

III. Shpesh thuhet se jeta është e shenjtë – koncept i cili në të vërtetë është i krishterë, i mbrojtur dhe fuqizuar në Europë dhe gjetiu nga Kisha Katolike që nga Mesjeta. Këtë koncept e pranon edhe sot, deri diku, edhe bota moderne, veçanërisht filozofia sekulare e traditës humaniste – e cila po ashtu ka origjinë kristiane. Koncept të ngjashëm gjejmë edhe në besimin Islam. Pra, nëse pranojmë se jeta është e shenjtë, dhe që çdo njeri duhet të gëzojë dinjitet pavarësisht racës, gjinisë, etnisë, fesë, seksualitetit, apo kategorisë tjetër, atëherë në këtë kategori janë patjetër edhe më të pambrojturit – foshnjat në barkun e nënës – si qenie njerëzore kanë dinjitet të patjetërsueshëm si çdo njeri tjetër— ky është ligji natyror. Kështu që çdo jetë duhet mbrojtur që nga ngjizja deri në vdekje!

IV. Argument tjetër është fraza e rrallës: “Ndalimi i abortit me ligj thjeshtë nuk ka për të ndaluar abortin, thjeshtë ka për të ndaluar abortet e sigurta!”

Pyetja është, a ekziston diçka e tille? Nuk ekziston ‘aborti i sigurt’, ashtu siç nuk ekziston ‘skllavëria e sigurte/dinjitoze”, apo “vrasja e sigurtë”; në çdo abort i një foshnjeje i parandalohet jeta në mënyrë të dhunshme, aborti përfundon me vrasje të dyfishtë. Vrasje fizike të foshnjës, dhe vrasje shpirtërore/psikike të nënës. Nga ana tjetër, po të përdorej logjika se legalizimi i abortit do rriste pasigurinë e kryerjes së aborteve, ta kemi ndërmend se edhe vrasjet ndodhin çdo ditë, ndonëse janë ilegale, por kjo nuk do i reduktonte vetëm po të bëhej legale. Madje, ka raste të shumta, për të cilat nuk flitet shpesh pasi që nuk i përshtatet narratives, ku gra dhe vajza të reja vdesin përgjatë abortit në klinika profesionale.

Është imorale të vrasësh, sidomos të pafajshmit. Edhe më imorale është ta quash të keqën diçka të mirë vetëm pse nuk e parandalon krejtësisht. Standardi moral mbetet i njëjtë. Aborti dhe vrasja janë krim.

V. “E vërteta është relative apo subjektive”, “çdokush ka të drejtë tëe vendosë individualisht për etiken e vet”, “çka është e mirë për mua është e keqe për ty dhe anasjelltas”, etj. – këto janë fraza shumë të shpeshta.

Nëse etika është subjektive apo relative, siç tingëllon dukshëm në argumentet pro-abortit, atëherë si mund të themi se ilegalizimi i abortit qenka diçka e mirë, e keqe apo e gabuar? Si mund ta dimë ç’është e vërtetë apo jo? Ç’është e mirë apo e keqe? Me ç’standarde mund të masim nesë nuk paska fare standarde? Teologu dhe filozofi i madh anglez C. S. Lewis thoshte, vetë fakti se mund të themi se një vijë është e shtrembër është sepse kemi parasysh një standard, pasi që dimë se ekziston vija e drejtë. Ideja se çdo gjë është relative është ironikisht absolute, rrjedhimisht absurde!

Reduktimi i moralit të individi quhet relativizëm, po ashtu edhe utilitarianizëm; këto janë vetëm dy nga shumë shkolla të etikës; pra, nuk janë të vetmet. E nuk janë madje as bindëse.

Ideja se liria nënkupton të bësh çfarë të duash është në të vërtetë kaotike, që të mos them mendim adoleshentesk. Nuk mund të ketë liri pa detyrime dhe përgjegjësi, ashtu siç nuk mund të ketë drejtësi pa rënd moral.

VI. Një tjetër shprehje e zakonshme është: “por fetuset janë vetëm një grumbull qelizash!” Sa është kjo e vërtetë? Vetë kuptimi i fjalës latine “fetus” nënkupton ‘foshnje e palindur’. Të marrim disa shembuj konkret. Në rast hipotetik, nëse një makinë apo një person vret një grua shtatzënë, vrasësi apo shoferi në çdo shtet dënohet dyfish, dënohet si krim i rende. Nëse foshnja/fetusi qenka vetëm grumbull qelizash, pse? Nëse një shtatzëni dështon spontanisht, nëna por edhe të gjithë ata që marrin vesh lajmin ndiejnë keqardhje dhe dhimbje. Pse? A nuk na qenka vetëm një fetus – ‘grumbull qelizash’…? Njeriu përbehet nga atomet po ashtu, por askush në arsye të shendosh nuk thotë se njeriu është vetëm grumbull atomesh dhe rrjedhimisht jeta e tij nuk ka vlerë. Siç e thashë në fillim, fetusi që nga ngjizja ka ADN të veçantë, shenja të veçanta gishtërinjsh, rrahje zemre; është qenie njerëzore në zhvillim. Asht siç foshnja zhvillohet në fëmijë, nga fëmijë në të rritur, deri në pleqëri. Këto janë ciklet normale të jetës. Nga ana tjetër dëshira personale për të ndalur një shtatzëni nuk e ndryshon faktin se foshnja është qenie njerëzore – ky është problem krejt tjetër. Faktet nuk ndryshojnë sipas qejfit apo rrethanave personale.

VII. Aborti, që sot duket si ligj përparimtarë dhe liberal, në të vërtetë është legalizuar në Europë fillimisht nga nazistët për arsye eugjenike-raciste, pastaj edhe nga komunistët. Në SHBA klinika më e madhe e abortit “Planned Parenthood” është hapur nga Margaret Higgins Sanger – e cila ishte raciste që kishte qëllim që më anë të aborti të ulte demografinë e komunitetit me origjinë afro-amerikane. Në shtete perëndimore si Islanda, dhe shtete tjera, foshnjat me sindromën down abortohen masovikisht. Në Ballkan, sidomos në Mal të Zi, foshnjat abortohet më së shumti në bazë gjinore – d.m.th. abortohen fetuset e gjinisë femrore! Pra, përveç abortit për shkaqe raciste, ka aborte edhe për shkaqe shëndetësore dhe gjinore. Jo më kot argumentet pro-abortit dhe pasojat e tij janë jashtëzakonisht dehumanizuese dhe mizogjiniste!

VIII. Pasojat e legalizimit te abortit ne SHBA. Që nga aprovimi i ligjit “Roe v. Wade” i vitit ‘73, në SHBA janë kryer mbi 60 milionë aborte – shifër e llahtarshme! Termi i lejuar për abort kishte kaluar kufijtë, në disa shtete liberale të SHBA-ve po diskutohej të lejohej edhe aborti në fazat e fundit të shtatzënisë (ide qe mbron senatorja Nancy Pelosi), madje edhe  raste krejt ekstreme që politikanë Demokrat në SHBA mbrojnë abortit mbas lindjes. Legalizimi i abortit, nga ana tjetër, si pasojë e revolucionit majtist kulturorë, ka shkaktuar fillimisht humbjen e përgjegjësisë të të rriturve, që ndikoi pastaj në rënie të ndjeshme të martesave, rritje të divorceve dhe në rritje është fenomeni i “hook-up culture” (kryerja e marrëdhënieve seksuale me njerëz të panjohur për një natë).

IX. “Çfarë do ndodhe me rastet e përdhunimeve dhe incestit? – ky është një nder argumentet më të zakonshme, madje shpesh bëhet të dukët sikur argumentojnë abortin vetëm për këto raste ekstreme. Por statistikat vërtetojnë të kundërtat. Rastet e incestit dhe përdhunimeve, që përdoren zakonisht si argument, përbejnë raste tejet të rralla. Pra abortet që kryhen në ShBA për shkak incestit apo përdhunimit statistikisht nuk janë mbi 0.5-1% . Shumica e aborteve bëhen për shkak të jetës së ç’thurur, të papërgjegjshme-hedoniste. Nga kjo “përfitojnë“ më së shumti meshkujt pasi që nuk kane aspak përgjegjësi, dhe pasojat e rënda ua lejnë femrave. Si i tillë, aborti është rrjedhimisht edhe mizogjinist.

X. Argumenti i varfërisë dhe pamundësisë ekonomike për të rritur fëmijë. Një argument tjetër i njohur pro-abortit është varfëria e prindërve. Pra thuhet se fëmija nuk mund të rritet në kushte të mira, kështu që më mirë të abortohet. Sipas kësaj logjike, fatkeqsisht sot të shpeshtë, për të zhdukur varfërinë mënyra më e mirë na qenka vrasja e varfërve…? Ka organizata të shumta bamirëse që mbështesin materialisht dhe psikologjikisht nënat dhe familjet në nevojë, sidomos të shumta janë organizatat fetare si ato të Kishës Katolike. Në Shqipëri për shembull është Qendra për jetën “Shën Jozefi”. Vrasja e fëmijëve me argument ekonomik është thjeshtë e papranueshme dhe e turpshme! Siç thoshte Shën Nëna Terezë, vrasja e foshnjave në bark të nënës është varfëria më e madhe në botë!

XI. Korporatat dhe bizneset e ndryshme private në vende të ndryshme perëndimore u ofrojnë punëtoreve të tyre femra pagesë për abort, por jo edhe mbështetje financiare apo pushim me pagesë mbas lindjes. Përkundrazi, shumë femra pushohen nga puna për shkak të shtatzënisë. Për këtë flitet shumë pak, ndonëse kjo nuk është aspak e drejtë!

Si përfundim, çdo shtet duhet të mbrojë me ligj dhe të mbështes politika që ndihmojnë financiarisht nënat e reja, prindërit e ri, veçanërisht ata prindër që kanë vështirësi financiare. Fëmijët janë shumë më të vlefshëm se ideologjitë, hedonizmi, karriera apo kapitali. Jeta e është e shenjte dhe duhet ta mbrojmë me çdo kusht! Zoti bekoftë ShBA-të që mbrojnë jetën, që mbrojnë dinjitetin, që mbrojnë të ardhmen!/drita.info

Shpëndaje: